Zyrtarë këllira që shesin fytyra e pasqyra…

…cilët punonjës Policie kanë dhënë viston e fundit nëpër komisariate, duke e lyer pa iu dridhur qerpiku rrotën e korrupsionit fare të dukshëm dhe lerosën emrin e Republikës sonë përmes gazit të botës demokratike ?…

Nga Kristo Mërtiri

Një malëshovit i Përmetit, burrë i zgjuar e hokatar (tani vonë mbylli sytë në Tiranë e iku përgjithmonë nga kjo botë), mjaft rrëfenja refugjatësh i kthente në anekdota me pak piper, kripë a sheqer. Por e vërteta nuk humbiste as nën lëkurë :

“-Si e keni emrin?- i tha nëpunësi i OEAD-it në Athinë, kur po plotësonte dokumentet e një shqiptari refugjat.

-Ç’farë thotë ky mo ?-pyeti menjëherë shokun që e shoqëronte, sepse vetë nuk dinte asnjë fjalë greqisht.

-Zotëria kërkon emrin tënd,-i tha bashkatdhetari.

-Në Shqipëri Myftar, ndërsa në Greqi Llazar…”.

Nuk është humor i sajuar dhe as shaka e rëndomtë. Nepset e makutërisë shesin e blejnë emra dhe kombësira në emër të parasë së pistë. Njerëz pa asnjë gram dinjitet dhe me personalitet të gjymtuar dhunshëm, kanë gjetur tenxherja kapakun. Madje, po t’u thërrisje natyrshëm në emrin e tyre të vërtetë, mund të ktheheshe deri në hasëm ose më e pakta në një pellg mërie tepër trishtuese. Përshembull, kur mësova se një ish-drejtues i lartë rrethi në Myzeqe, paska futur në xhep vërtetime zyrtare nga “shoqata me lopata” si individ “i persekutuar nga diktatura”(?!), më vinte të ulërija në kupë të qiellit. Fytyra të urryera apo pasqyra të thyera? Dhe një ditë, pa pritur e pa kujtuar këta tipa na erdhën të kollarisur dhe u ulën këmbëkryq në tempullin e demokracisë, në Parlament. (Pa përmendur ca maja erërënda nëpër kodrat e pushtetit lokal). I zgjodhën e përzgjodhën me dorë vetë Kryetarët e partive me këmbët në yzengji. O Zot, na mbaj gjuhën lidhur dhe fiqirin në kokë!

-Hajde dhimokrati, hajde! Nepotizmi me brirë kolovitet si litar rreth grykës së Qeverisë dhe po i merr firomën Administratës. Thamë se shpëtuam në 2013, por sikur kemi rënë më thellë. Shqipërinë tonë e dëmtojnë të dyja, si fytyrat dhe pasqyrat e fëlliqura nëpër zyra, në muret e çatinë e shtetit,-shprehen pa asnjë tingull shpotie e ironie, miqtë e mi thinjambuluar e të uritur për Drejtësi, atje, mes Golikut e Trebeshinës.-Të kemi rixha, hidhu një sy qeveritarëve e zyrtarëve të lartë, deputetëve e të tjerëve me ofiqe të dhuruara dhe na bëj një cërre në celular: Ku i kanë punësuar me “meritokraci” e rroga të majme gratë, burrat, fëmijët, vëllezër e motra, nipër e mbesa, krushka e krushqarë, shokë e “miq për fiq”? Ky nepotizëm fisnor, krahinor e partiak po i ngre përmendore pandëshkueshmërisë, duke i marrë krundet për miell nëpër istikamet shtetërore. Njerëz që nuk shërbejnë, po rrëmbejnë. Mjaft profesionistë të heshtur gjer në dhimbje, u flakën si lecka matanë gardhit militantesk e grotesk. Kur vjen fundi i Legjislaturës, shkojnë e prehen mbi dafina, nëpër vilat luksoze brenda e jashtë vendit, fryt i përpjekjeve titanike për kursimin nga rroga mujore në bordero (!). Dhe krrokasin, lëpihen e duartrokasin rreth liderëve që bëjnë “ndere” me lopën e pushtetit. Në tregun e lire të demokracisë gjejnë shesh e bëjnë përshesh xhambazët e regjur, këta pehlivanë që i bëjnë qedere çdo force politike. Njerëzit e thjeshtë e të ndershëm dhe pa “shpatulla të ngrohta”, përpëliten përballë një mali me halle e maraze. Konkretisht, të shesësh pasaporta këllira, deri emra e kombësira dhe të mos bëhet asnjë hetim serioz nga Prokuroria; Shërbimet e Inteligjencës; Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile; Përfaqësitë tona Diplomatike e Konsullore; OJQ-të fondegrabitëse etj.,do të thotë t’i biesh teneqesë së shpuar mbi veshët e shurdhët të pushtetit. A është e vërtetë që Kryeministri ynë vetë pret e vetë qep? Po ministrat ku e hanë tagjinë e taksapaguesve të mjerë shqiptarë? Kjo rrumpallë e trashëguar nuk na e zbardh faqen përballë Europës e Perëndimit. Përkundrazi…

Së pari, sa qytetarë shqiptarë kanë siguruar me rrugë gjirizi e përtej Ligjit pasaporta e kombësira kallpazane gjatë një çerek shekulli, të cilat qarkullojnë sot e gjithë ditën sidomos në Greqi, Itali, Belgjikë, Angli, Zvicër e gjer në Amerikë e Australi? Qeveritë vijnë e shkojnë dhe nuk lënë asnjë transparencë shtetërore. Asnjë evidencë e studim të thatë a të njomë!

Së dyti, sa nëpunës batakçinj nga zyrat e Gjendjes Civile (me emra e mbiemra) kanë shkruar, firmosur, vulosur e lëshuar certifikata mashtruese me darovitje mbi e nën dorë? Shumica e tyre, kam bindjen se kanë notuar e notojnë sypatrembur në lumenjtë e rrumpallës shtetërore, duke i vlerësuar si falsifikime “pa peshë”.

Së treti, cilët punonjës Policie kanë dhënë viston e fundit nëpër komisariate, duke e lyer pa iu dridhur qerpiku rrotën e korrupsionit fare të dukshëm dhe lerosën emrin e Republikës sonë përmes gazit të botës demokratike ?

Së fundi, sa kambana me thumb e çekiçë Drejtësie me bisht ranë fort mbi këtë tabor me zyrtarë pa din e iman apo nuk gjen hiç hetime e seanca gjyqësore?

Ky është shpërdorim detyre acik e tepër irritues, e pse jo edhe me pasoja antikombëtare. Janë nga ai sua që tundin shpesh në “ekstazë” flamurin e patriotizmit kallp! Qeveritë e djathta e të majta kanë bërë një sy qorr e një vesh shurdh…Dikur kam botuar shkrimin “Ruhuni nga shushunjat në Sheshin “Omonia”. Ishte fjala për ca shoqata fantazma “vorioepirote” që drejtoheshin më tepër nga matrapazë eknomikë se sa politikë. Shfrytëzuan gjer në palcë hallexhinjtë refugjatë që ndiqeshin këmba – këmbës nga policia. Derdhnin vërtetime pa hesap. Madje disa i ndanin fitimet edhe me ca uniforma të rendit publik. Po në atë shesh e rreth tij ku do rënkojnë gjatë shpirtrat e refugjatëve, vinin nga Shqipëria edhe kokorocë me tufa certifikatash të vulosura e firmosura që plotësoheshin e paguheshin kesh në dorë !…Sepse nuk është rastësi që vrasës, trafikantë prostitutash e droge, hajdutë me çizme e pa çizme, po kapen gati përditë sidomos nëpër shtetet fqinje. Ama, mjaft prej tyre po dalin me identitete të ndryshuara nga vulat dhe firmat e shtetit shqiptar ! Prapavijës së tyre në mëmëdhe nuk u preket asnjë qime floku(?). Mirëpo zyrtarë të tillë këllira kanë ushqyer e ushqejnë realisht e poshtërsisht edhe ca statistika “minoritare” që të kallin krupën nëpër arkivat e mykura të vendeve fqinje. Çuditërisht, këto kartëra të djegura funksionojnë ende dhe shpesh duan ta bëjnë murrizin hardhi. Pallati hijerëndë e fodull i Drejtësisë sikur ua shkel syrin e qesëndis me duar të “pastra”. Nuk thonë kot: As padrejtësia nuk është e barabartë për të gjithë…Ndërsa politika po shikon më tepër “tymin” dhe harron zjarrin që djeg përditë fukarenjtë!

SHKARKO APP