H2H Foundation merr grant nga Europian Open Rivers Programme për projektin “Albanian Municipality Dam Removal (DARE)” për heqjen e digave jofunksionale në Shqipëri

Projekti DARE Si një iniciativë bashkëpunuese ka për qëllim të mbështesë institucionet qendrore dhe lokale shqiptare në zbatimin e angazhimeve dhe detyrimeve të tyre sipas Direktivës Kuadër të Ujit, duke përmirësuar cilësinë e ujit, statusin ekologjik dhe qendrueshmërinë e ekosistemeve lumore në vend. Projekti do të organizoj një tryeze diskutimi midis aktorëve të ndryshëm me qëllim nxitjen e bashkëpunimit dhe koordinimit për të identifikuar dhe analizuar situatën aktuale të digave dhe pengesave ujore në Shqipëri. Kjo do të jetë tryeza e parë e këtij lloji në vend dhe do të rezultojë në hartimin e një liste me digat apo pengesat ujore që duhen trajtuar si prioritet për tu hequr çka do të kontribuojë në rikthimin e rrjedhave natyrore të lumenjve.

Fondacioni H2H falenderon Programin Evropian të Lumenjve të Hapur (European Open Rivers Programme) për mbështetjen dhe besimin e tyre në punën dhe ekspertizën tonë. Ky projekt është një mundësi unike për të adresuar ndikimet negative që shkaktohen në mjedis dhe shoqëri nga digat që kanë humbur funksionin ose janë të vjetruara, duke rikthyer funksionet dhe vlerat natyrore të lumenjve dhe rrugëve ujore në Shqipëri.
Komiteti Kombëtar i Digave të Mëdha (KKDM) do të ofrojë mbështetje teknike dhe udhëzime për identifikimin, vlerësimin dhe prioritizimin e digave ekzistuese të mëdha që kanë humbur funksionin e tyre.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) do të ndihmojë me informacionin lidhur me digat e vogla dhe të mëdha të ujitjes, si dhe për koordinimin dhe komunikimin midis institucioneve dhe palëve të interesuara përkatëse, duke përfshirë edhe aspektet ligjore dhe rregullatore të heqjes së digave.

Zyrat e prefekturave në vend do të lehtësojnë dhe marrin pjesë në identifikimin e digave të vjetruara dhe jo-funksionale nën pronësinë dhe administrimin nga secila prej 61 Bashkitë e Shqipërisë.

Projekti DARE do të zbatohet nga muaji Gusht 2023 deri në Korrik 2024 duke u fokusuar në:
– Identifikimin e numrit të digave të vjetëruara apo që kanë humbur funksionin nga 626 digat e ujitjes në Shqipëri.
– Angazhimi me aktorët kyç në nivel kombëtar dhe lokal si Bashki, individë të interesuar, OJQ-ve vendore dhe kombëtare përmes takimeve në formën e një tryeze të rrumbullakët për të prezantuar qëllimet dhe rezultatet e pritshme të projektit, si dhe për të ndarë praktikat më të mira nga vende të tjera evropiane ku janë hequr diga/pengesa në lumenj. Gjatë këtyre takimeve, pjesëmarrësit do të jenë pjesë e procesit të identifikimit dhe propozimit të digave potenciale për tu hequr.
– Në vijim të procesit të identifikimit, do të kryhen inspektime në terren për digat dhe barrierat e identifikuara nga Bashkitë përkatëse duke i vlerësuar teknikisht dhe ndikimet social-mjedisor.
– Një fushatë ndërgjegjësimi dhe komunikimi nëpërmjet mediave sociale dhe asaj tradicionale duke u fokusuar në informimin dhe angazhimin e publikut mbi përfitimet dhe sfidat e heqjes së digave apo pengesave te ndryshme ujore dhe rëndësinë që ekosistemet të rivendosin rrjedhat natyrore të lumenjve.

European Open River Programme

Programi Evropian i Lumenjve të Hapur është një organizatë holandeze që jep grante dedikuar restaurimit të lumenjve. Programi ofron grante për të mbështetur projektet që çojnë në heqjen e digave të vogla dhe rivendosjen e rrjedhës së lumenjve dhe biodiversitetit. Programi financohet nga Arcadia.

Për më shumë informacion rreth Programit Evropian të Lumenjve të Hapur mund të vizitoni faqen e tyre të internetit në linkun: ( https://openrivers.eu/)
H2H Foundation

Fondacioni H2H kërkon të krijojë komunitete të fuqizuara, të ditura, të trajnuara mirë për të përballuar çdo lloj sfide dhe problematike që mund të evokohet në kontekstin e një mjedisi që ndryshon me shpejtësi, nga ana sociale, ekonomike dhe politike. Fondacioni H2H ushtron aktivitetin e tij pa kufizime në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe bashkëpunon me qendra, fondacione, shoqata, organizata dhe komunitete të ndryshme vendase dhe të huaja brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Për më shumë informacion rreth Fondacionit H2H mund të vizitoni faqen tonë të internetit në linkun më poshtë: (https://h2h-foundation.al/)

 

 

 

SHKARKO APP