Aleksandër Moisiu në një esse brilante nga Moikom Zeqo, “Koha Jonë” 22 mars 1994

Aleksandër Moisiu, gjeniu shqiptarë i skenës gjermane, vjen në këtë esse të Moikom Zeqo, të publikuar në gazetën “Koha Jonë” të datës 22 mars 1994, në ditëvdekjen e aktorit të madh (2 prill 1879 – 23 mars 1935), si një shtjellim i fuqisë së fjalës për të depërtuar te e përjetshmja e përjetimit dhe hymnizimit të saj, që ishte dhe mbeti, bëri dhe përfaqësoi, në një art të madh atë të madhin e madhështisë së skenës ku lindën për t’u pavdekësuar kryeveprat e tragjedive dhe dramës së njerëzimit. Atje në Parthenonin antik, në Malin biblik të Sinait, u dëgjua ai zë, ai vullnet që lindi, triumfoi dhe ju dha përjetësisë si shqiptar.
Sepse ai ishte ai, dhe kishte ardhur për të shënjtëruar në historinë e skenës dhe artit të madh, si një kumbin unik dhe një përjetësi krijimi, ai, për të cilin Stefan Cvajg shkruan: “Shekulli ynë ishte në të hyrë, kur në skenën gjermane u dëgjua për herë të parë zëri i aktorit të panjohur; ishim në pritje të diçkaje të madhe, sepse ai zë nuk ishte si zërat e tjerë, në të kumbonin nota të reja, magjepsëse, origjinale, të tilla që të mbeteshin të paharruara në kujtesë po t’i dëgjoje qoftë edhe një herë të vetme. Zëri i tij ishte më harmonik, më depërtues, më melodioz, më i butë se zërat gjermanë, në të spikaste melodioziteti i ngrohtë, plot diell…”
Aleksandër Moisiu vjen në këtë jetësim fjalësh dhe përulje lartësimi të Moikom Zeqos, në memorie e ndërmendur në ne vetëdijësisht, si një prej personazheve më të jashtëzakonshëm të promovimit të vlerave të shpirtit shqiptar në botë. Ngase ishte dhe mbeti ajo vlerë, së cilës i detyrohemi shumë mirënjohje për veprën e pasur skenike që la, për thesarin e paçmimtë që begatoi historinë tonë të kujtesës.
Rivjen e rivjen Moisiu i porosive të shenjta të shenjtërimit të artit dhe shpirtit si nga të paktat rreze të krenarisë sonë kombëtare që mbushën qiellin e famës, ndër më të shpërthimtat, kjo për vetë kohën kur ky talent i jashtëzakonshëm kumboi me zërin e tij të magjishëm në skenat më prestigjoze të kohës.
Ky kthim në kujtesë është gjithashtu edhe një homazhe për Moikom Zeqon, për këtë penë dhe mendje të bukur që shkroi dhe skaliti me një shpirt të madh dhe të dritur në diejt e të gjithë diejeve të kohëve, për të qenë sot e përgjithmonë rreze.
Albert Vataj

Aleksandër Moisiu, xhindi i dilemës
Esse
Moikom Zeqo
1. Asnjë art nuk e “shpersonalizon” artistin më shumë se teatri. Arti më shqisor, më i drejtpërdrejtë i të gjithë arteve sulmon spektatorin me goditje hutuese, duke ia fshirë përshtypjet, që nuk u qëndrojnë parimeve të tij.
2. Kështu shprehet vepra e mahnitshme e Aleksandër Moisiut. Ky shqiptar ishte i pajisur me bollëk me të gjitha dhuntitë e racës së tij. Me një trup mesatar, të brishtë të lëvizshëm, me gjymtyrë të çlirët me një fytyrë të dobët plot rrudha e zgavra, që i ngjasonte maskës së zbehtë, të palëvizshme të një kufome. Por në këtë fytyre si të një fantazme, ku në dy zgavra të thella digjeshin dy sy të ethshëm, të zjarrtë, lëviznin pareshtur me një jetë fantastike. Tek ai kish një lëvizshmëri dhe një gojetari pakufi dhe masë. Sa më lart drejtohej grimasa e tij, aq më me forcë groposej dhimbja në qoshen e gojës, aq papritur hapeshin sytë, sa dukej se në një fytyrë njerëzore nuk përfshihej dot kjo gremisje, plot të çara. Dhe mbasi lëvizjet e shpejta loznin në fytyrë kaq shpesh, mimika s’kish pushim, as rrugëdalje. Në çdo ndryshim ai mbetej i lirë. Ai vraponte shumë, nuk shkelte në shprehjen e ndjenjës fqinjë, por kapërcente menjëherë në ndjenjën më të largët, kontradiktore.
Ai ishte si një artist panairi, apo si një magjistar që brenda një minute vë njëqind maska të reja – maskën e një talljeje plot ngërdheshje dhe atë të një mirësie të qeshur, të kthjellët, merrte fytyrën epshore të një fauni dhe shprehjen e shenjtë të një asketi, shprehte gëzimin e shkëlqyer të jetës dhe gatishmërinë për vdekje.
3. Befasia e lëvizjeve të mimikës vazhdonte me gjallërinë e papërmbajtur të gjesteve, Gjestet e Moisiut kishin diçka që kërcente, që ecte vazhdimisht, diçka të trazuar. Ato ngjiteshin lart dhe binin poshtë me një energji fanatike: nganjëherë ato ishin lëvizje, burrërore, despotike, fitimtare.
Nganjëherë ato përhapeshin duke u lutur, duke përkëdhelur, pa forcë e pa vrazhdësi, qenë lëvizje si të një fëmije, ledhatuese, joshëse.
Në alternimin e këtyre gjesteve s’kish asgjë të shtrënguar, të detyruar. Gjendje shpirtërore fantastike duke përgjuar, lëkundeshin në ndryshime të panumërta gjeste që endeshin nëpër natë, gjeste të cilave u mungonin lidhjet psikologjike. Por në këtë hipje e zbritje të stuhishme, në këtë ekstazë të padominueshme gjestesh, gjithnjë të reja që ngriheshin e binin, Iinjash që dredhonin e që kryqëzoheshin shpërthente një fantazi e papërmbajtur, që nuk lodhej e që nuk shteronte asnjëherë, një prirje jocerebrale e etur për të bukurën, një prirje e jetës së shqisave drejt dritës, e cila trefish më shumë nordikët i trullos. Dhe në qoftë se loja e krahëve dhe e duarve dilte në dukje në befasi të pakontrolluar pothuaj si diçka e vrazhdë, e coptuar, joorganike, ajo zgjidhej në pjesët e tjera të trupit të shkrifët, të përkulshëm në të gjitha nyjet dhe përfundonte më një hijeshi të rrjedhshme, përkundëse.
4. Prandaj gjuha e trupit të tij, që dukej njëkohësisht e këndshme dhe e egër, e pëlqyeshme dhe e vrazhdë, ishte shoqëruesja më e mirë për të kuptuar zërin e Moisiut, që dilte herë i errët e si në të shuar, herë i mprehtë dhe i këputur. Ky organ (zëri), vezullues e i lëkundshëm, që ngrihej lart e që binte poshtë, në një ritëm të vazhdueshëm tonesh, me nëntonet e tij të pasigurta e të mistershme, nuk i kish ato cilësi që i kishte zëri i Kaincit, që me anën shqisore shprehte me pak fjalë figurën shpirtërore të fjalës.
Zëri i Moisiut jepte diçka tjetër. Duke zhytur të gjitha rrokjet në një rrjedhë të shkumëzuar e të papërmbajtur tingujsh kumbues e të dridhshëm, që përplasin kuptimin e tyre mendor e fonetik, u jepte të gjitha fjalëve një atmosferë vezulluese e të dridhshme sa që ato të ndriçonin në një mënyrë magjike. Këto fjalë flakëronin përpjetë si diçka e trupëzuar në hapësirën e mbyllur që qahej vetëm nga drita e tyre dhe pastaj si hije, si një krijesë fantazie bashkoheshin me të pakufishmen. Zëri i Moisiut kish një fuqi metafizike përfytyrimi: Ai nuk jipte vetë shprehjen e jashtme të ndjenjave, në vend të këtyre ai vendoste simbole muzikore e piktorike.
5. Këto mjete që lëviznin e gjallëroheshin nga një temperament naiv, i paqëndruar, tekanjoz qe në personalitetin i tij si aktor, artin e tij dhe figurë e tij. Të paudhëhequra shpesh nga arsyeja, të papenguara nga një vullnet imponues, fusnin me lehtësi në çdo rol thesaret e pasura të tyre. Ana shqisore ishte gjithçka, ekstazë, tingull e ngjyrë. Kaq i pasur ishte ky material, kaq i gjallë, kaq i huaj, jugor, sa që në veriun gjerman të matur vepronte ai vetë si art, sa që personazhet dhe fuqia e ndryshimeve dukeshin si një mendim i verbër të cilin çasti e lind dhe çasti e vdes…
Moisiu e kapte rolin krejt në mënyrë individuale, sipas rastësive të mjeteve të tij. Jo rrallë ai të njëjtin rol e luante siç i tekej, herë kështu e herë ashtu. Por mbasi aktorët gjermanë i besonin aq pak lumturisë, frymëzimit, minutës Moisiu i hidhte poshtë me fantazi pa zot si një krijim artistik. Kështu shkohej tek ajo që e dallon interpretuesin – te personazhet e tij. Sepse mungesa e vullnetit e personazheve të tij, dukej si mungesë vullneti e krijesave të tij. Ata qenë të gjithë aventurierë, ëndërrues, endacakë. Duke u kapur me zor për jetën, duke rënduar, me nerva të ethshme pas morisë së fenomeneve, ata qenë si të dehur nga ndjenja e së tanishmes.
Me natyrën e tyre prej Don Zhuanësh, me shqisa të zjarrta ata deheshin nga ndryshimet e vazhdueshme. Një fantazi me flatra i fuste ata në një kaos botërash vezulluese, në të cilin ngatërrohej realja me jorealen. Për ata nuk kish asgjë të pabesueshme, ata nuk ngurronin për asgjë. Benvenuto Çelini, Kazanova, Mynhauzeni – këtu ata vazhdonin të jetonin. Duke ndenjur pezull në mes të ëndrrës dhe së vërtetës qenë njëmijë herë më të drejtë se nderi dhe morali borgjez. Në se Riko dë la Marlinieri, nëpërmjet gojës së Moisiut ngrinte lart moton e tij “corrigor la fortune») te ai fundosej madhështia e guximshme e Telhajmjt, Minës dhe Justit.
6. Nuk ka asgjë më pak gjermane dhe më pak protestane se sa figurat e Moisiut. Tek këto gjejmë gëzimin naiv të shqisave, por edhe asketin katolik që i shmangej jetës. Sepse nganjëherë në sytë e tyre të ethshëm flakëron një ekstazë vegimtare, një pasion mistik, një ëndërr fetare. Në raste të këtilla dukej sikur shija dehëse e jetës, ankthi i jetës buronin më shumë se siguria e jetës, dukej sikur ekstaza ishte trullosje. Prandaj materiali i Moisiut përfshinte të gjitha mundësitë, që prej shijeve brutale të Don Zhuanit në kurriz të njomësisë femërore, që prej sundimtarit të trullosur – Moisiu ishte interpretues i lindur i Rikardit të Dytë – deri te murgu fanatik asket. Vetëm se ky asket nuk ishte një njeri me vullnet shenjti, por një i dehur nga ekstaza e së përtejmes.
7. Dhe ndoshta për këtë aktor fatlum ishte një dhuratë dhe jo një refuzim i fajit, që artit të tij i mungonin shpesh elementet e arsyes. Në Veriun gjerman të përpiktë e analizues arti i tij do të bëhej një ndërgjegje jo e planifikuar dhe e montuar që largonte komunikimin e drejtpërdrejtë dhe sigurinë e ndijimeve shqisore dhe në vend të tyre do të futej një koketëri e vetëdijshme që nxirrte kryet nganjëherë në disa rola të luajtura. Por ndjenjat shqisore të këtij arti duhej të mbesin për Evropën, Sepse përndryshe di të duhej të kapërceheshin Alpet për ta gjetur përsëri.
8. Moisiu shqiptar ishte para së gjithash qytetar botëror. Ishte i tillë, emblematik e universal, i kudogjendshëm, i veçantë i lidhur në një kohë të caktuar, për të mos vdekur në të gjitha kohët për të mbijetuar si fantazmë, për të dhënë shpirt si maskë njeriu, për të përfituar si shpirt i shqetësuar për të fluturuar në shtatë qiejt e kujtesës, për të heshtur i regjistruar në pafundësi.
9. Moisiu ishte artisti i Krizës së Njeriut, për t’u ekspozuar si subjekt i projektuar i kapërcimit të krizës ekzistenciale.
10. Ai lindi vetëm njëherë në botë, për të mos u përsëritur kurrë më (never more). Më shumë evropian se sa shqiptar, po edhe më shumë shqiptar se sa evropian, Moisiu nuk mund të përcaktohet Përfundimisht, nuk mund të kristalizosh shtrëngatën e tij, për ta paraqitur si një etalon ndërkombëtar, krahasues, ngushëllues, kulitizues për misteret nacionale, ç’mitizues i arketipeve të shenjta, referencë e të pangjashmëve, e të pakrahasueshme dhe njëkohësisht një emër konkret, një mundësi emërtuese e padyshimtë për të gjithë njerëzit dhe dramat e tij më shpesh të padukshme, anonime, larg publicitetit dhe skenave të bujshme, një kometë e ndritshme e netëve të teatrit evropian absurdit planetar.
11. Mik i afërt i Maks Brodit dhe Franc Kafkës, Aleksandër Moisiu u sfilit nga rropatjet e rënda sizifiane të enigmës biologjike dhe shpirtërore të jetës, duke sfiduar filozofinë e kufomave dhe rezignatat e pamëshirëshme, tmerrin që quhet shpesh art. Arti i Moisiut ishte si një krishtërim pa perëndi, një aventurë e rrëmbyeshme, e paformulueshme, një apostullim i Shekspirit, por me një ndryshim të pamohueshëm ndihej Hamlet i epokës elisabetiane, po që luan si personazh i “Procesit të Kafkës” dhe Leopold Blumi Xhojsian, apo dhe Godoja kaq mitik dhe i vërtetë për ne shqiptarët e traumatizuar nga Politikat skandaloze të ditës.
12. Në një libër të tij Rey Bradhëri flet për një planet ku kishte vetëm qenie prej zërash. Patjetër aty Moisiu duhet të shpallej si një kryeqënie, për të zotëruar një mbretëri të së paarritshmes.
13. Ai mbeti një Fëmijë i Universit, që guxon të qeshë përpara një bubullime apokaliptike, që shpall identitetin e vet kontradiktor dhe të vërtetë me ankthin dhe këmbënguljen e një Gilgameshi dhe të një Fausti, për të cilët krenaria e kotë është thjeshtë një tjetërsim vulgar.
14. A mund të ridimensionohet? Po kush vallë ka fuqi dhe targ për ta bërë këtë mrekulli?
15. Në qeramikat me forma popullore dhe antike të Kavajës është mbyllur, më saktë është vulosur xhindi i misterit dhe artit të tij. I mbyllur nga mijëvjeçarët e vdekjes Moisiu mund të Përfytyrohet, ose të ribëhet në gjestet tona, duke mbartur disa gene dhe hormone të dilemës së tij të paasgjësueshme dhe të përjetshme.
Moikom Zeqo

SHKARKO APP