Çfarë shkruan Nexhmije Hoxha nga qelitë e Burgu 325 më 22 mars 1995?!

“Asnjëherë nuk i kam kërkuar mëshirë Presidentit” është ky perifrazim që është shkëputur nga një letër që Nexhmije Hoxha, ish-bashkëshortja e diktatorit komunist, Enver Hoxha, shkruante nga burgu 325 – rep. i grave, Tiranë. Në letrën e 22 marsit të vitit 1995, të publikuar në “Koha Jonë”, e premte 24 mars 1995, mes të tjerash ajo tregon qëndresë dhe nuk pranonte mëshirë nga Presidenti i asokohshëm, Sali Berisha, i cili me një dekret i ul asaj dy vite nga dënimi, me rastin e fitores së Partisë Demokratike.

Gjithsesi, duke pranuar amnistinë Nexhmija përdorë një ironi të hollë si mirënjohje, duke u shprehur “Zoti e bekoftë Presidentin tonë, atë zemër shkabë (pa yll), atë dorë e penë amerikane, që, duke më ulur dy vjet, më dha mundësinë të festoj 80-vjetorin e lindjes sime në mes nipërve e mbesave të mia, pas këtyre tri viteve dënim që më kanë mbetur.”

Albert Vataj

Asnjëherë nuk i kam kërkuar mëshirë Presidentit

Më 21 mars, ora 16, më thirrën te porta e brendshme e hekurt 4-5 përfaqësues të Drejtorisë e të Komandës së Policisë së burgut 325-rep. i grave, dhe më lexuan Dekretin e Presidentit të Republikës, Sali Berisha, i cili më ulte 2 vjet nga dënimi im me rastin e fitores së Partisë Demokratike në zgjedhjet e 22 marsit 1992.

Ky vendim më erdhi krejt papritur, sepse personi im s’ka asnjë lidhje me këtë datë. Përkundrazi. Unë as kam marrë pjesë në votimet e 22 marsit dhe “fitoren” që siguroi PD-ja, me metodat tashmë të dala boje, e kam konsideruar një fatkeqësi për kombin tonë e të ardhmen e Shqipërisë, pasojat katastrofike të së cilës po i përjeton populli ynë.

Për sa më përket mua personalisht, më erdhi e papritur, sepse s’ka kaluar asnjë muaj që Presidenti, me Dekret të posaçëm, më hoqi dekoratat me akuzën për “gjenocid” (!), u bë amnistia për 50-vjetorin e Çlirimit dhe asnjë nga ne antifashistët e dënuar, krejt padrejtësisht, nuk u lirua.

Gjatë 3 vjet e disa muaj që mbahem në burg, duke më dërguar nga birucat e Tiranës në birucat e burgut famëkeq të Tepelenës, në asnjë rast dhe me asnjë rresht nuk i kam kërkuar mëshirë Presidentit.

Unë kam kërkuar nga organet e drejtësisë rishikimin e vendimeve gjyqësore për të më njohur pafajësinë e për t’i respektuar ligjet.

Është e vërtetë që Presidentit i janë drejtuar për mua shumë kërkesa nga Shoqata e organizma kombëtare ndërkombëtare, të cilat me këtë rast i falënderoj me mirënjohje të thellë, por ato kanë kërkuar jo uljen e ndonjë viti, por lirimin tim.

Kërkesa më e fundit qe ajo e një tubimi në Moskë, mbledhur me rastin e veprimtarive kushtuar 9 Majit, Ditës së Fitores mbi Nazifashistët, me përfaqësues nga Rusia e ish-vendet e tjera të ish-BS, nga Brazili, Kanada- ja, ShBA, Italia, Spanja, Anglia, Danimarka, Turqia, India etj. që, me anën e një Rezolute, kërkuan: “Lirimin e menjëhershëm të Nexhmije Hoxhës dhe të burgosurve të tjerë politikë në Shqipëri”.

Gjatë gjithë mëngjesit të datës 21 mars, duke dëgjuar lajmet e Radio Tiranës, kampi i të dënuarave, ishte nën tensionin e shpresën për lirimin të paktën të 2-3 vetave që u kanë mbetur edhe disa muaj, ose për uljen e disa viteve, sidomos të nënave me fëmijë.

Por kjo nuk u gjet me vend nga Presidenti ynë me “dimensione humanitare”. Kështu këto gra e vajza të mjera patën një zhgënjim më të madh se nga amnistia e Nëntorit dhe faljeve me rastin e Krishtlindjeve, ku u liruan vetëm nja 2 gra, që ishin afër plotësimit të dënimit…

Zoti e bekoftë Presidentin tonë, atë zemër shkabë (pa yll), atë dorë e penë amerikane, që, duke më ulur dy vjet, më dha mundësinë të festoj 80-vjetorin e lindjes sime në mes nipërve e mbesave të mia, pas këtyre tri viteve dënim që më kanë mbetur.

NEXHMIJE HOXHA

Burgu 325 – Rep. i grave Tiranë 22 mars 1995

 

SHKARKO APP