David Lascelles, një fisnik britanik që viziton Shqipërinë e vitit 1994
Në gazetën “Koha Jonë” të datës, 25 Shtator 1994, në faqen 4 të saj, publikohet reportazhi i fisnikut britanik, David Lascelles, i cili përshkruan në këtë shkrim me thjeshtësi dhe me vërtetësi, gjatë gjithë intenerarin shqiptar. E sjellim në kujtesë këtë shkrim të 30 viteve të shkuara, për të kthyer në ndërmendje atë Shqipëri që është më, sepse e zëvendësuam me një Shqipëri të ndryshuar, ndoshta jo tamam siç e deshëm, por të transformuar rrënjësisht.
Titulli i shkrimit të David Lascelles “Rruga e gjatë e kthimit në planetin tokë” shoqërohet me nëntitullin “Shqipëria e shkatërruar dhe çoroditur po del ngadalë nga izolimi dhe diktatura 50 vjeçare”. Autori i këtij trajtimi e ka ekspozuar realitetin e pak viteve të dalë nga diktatura, jo dhe aq me syrin e një kritiku, apo me përçmimin e një të ardhuri nga një realitet tjetër në një të “botës së tretë”, se sa me vëzhgimin e së vërtetës. Ai është përpjekur që në këtë reportazh të tregojë gjithçka të asaj kohë të Shqipërisë, por edhe të shqiptarëve, mikpritjes së tyre, vendosmërisë dhe vetëbesimit për t’u shkëputur nga e e shkuara. Në këtë përshkrim, David Lascelles, ndoshta nuk i ka thënë të gjitha, por ato që i ka thënë janë ato që ne i njohim dhe i kemi jetuar në të përditshmen shqiptare.
Albert Vataj
Rruga e gjatë e kthimit në planetin tokë
Shqipëria e shkatërruar dhe çoroditur po del ngadalë nga izolimi dhe diktatura 50 vjeçare
Aeroporti i Tiranës nuk është prezantimi më i mirë i ndryshimeve që kanë përfshirë Shqipërinë pas komuniste këto dy vjetët e fundit. Rojet e armatosura janë vendosur rreth e përqark pistës dhe sinjalet e dritave shkëlqejnë anash në barin e lartë. Pista është e vjetër dhe godina e vogël.
Sa më tepër i afrohesh Tiranës aq më shumë duken shenjat e ndryshimit. Makina të vjetra, por që njihen se janë perëndimore, fillojnë të shtohen edhe një fabrikë e madhe e Koka-Kolës ngrihet në të majtën tonë. Ndërsa ne hyjmë në qytet ana e rrugës kthehet në një pazar të zhurmshëm, ku disa veta shesin pjesë këmbimi makinash dhe bateri të importuara. Çdo 10 metra, kioska të vogla me tavolina plastike servirin kafe.
Ajri është i ndotur, me pluhur dhe i nxehtë. Në një udhëkryq, trafiku, tepër i dendur tashmë, me autobuza dhe kamiona rëndohet nga tymrat dhe zhurmat. Nëpër autobuza unë pashë targa, nga “Rajoni i Brukselit”. Tashmë Shqipërisë i ka dalë nami si stacioni i fundit për gjithçka që ecën me rrota në Evropë.
Rrugët janë uniforme, ndërtuar anash me pallate të lira. Në katet e para ka dyqane, por shumë prej tyre janë braktisur. Ata i shërbenin dikur një ekonomie të centralizuar, e cila nuk ekziston më. Biznesi ka dalë jashtë nëpër rrugë në kioska dhe dyqane të reja, të cilat njerëzit kanë filluar t’i ndërtojnë kudo. Hoteli ynë i quajtur “Diplomati” është i vogël, por i tipit të ri dhe mbahet me fonde italiane. Dhoma
ime është plotësisht e kompletuar. Ne u takuam në kafen e hotelit për të pirë një gotë. Një kamarier i gjatë na mori porosinë. Ai fliste një anglishte perfektë, të cilën e kishte mësuar në shkollë. Më vonë unë konstatova një arsimim befasues të shqiptarëve gjëja më pozitive e trashëguar nga komunizmi.
Gjatë rrugës për në takimin tonë të parë në Ministrinë e Industrisë ne mësuam më shumë për regjimin e kaluar.
Ministria është vendosur në një ndërtesë të gjerë e me ballin të stilit italian me ca grila që varen. Në një dhomë të bollshme ngjyrë limoni me një tavolinë të gjatë të llakuar, ku Premier Consolidated Oil fields-i Britanisë të Bashkuar dhe kompania shtetërore shqiptare Albpetrol nënshkruajnë kontratën, ndërsa turmat e gazetarëve shqiptarë dhe ekipet e televizionit xhironin këtë skenë. Atë mbrëmje shqiptarët shtruan një pirtje tek hotel “Diplomati” me shampanjë franceze, e aty në kanape unë mësova më shumë rreth viteve të fundit të këtij vendi 3.2 milion banorësh i afërt nga përmasat me Brimingemin, i vendosur në një cep të Adriatikut midis Jugosllavisë dhe Greqisë.
Tani këtu ka më shumë se 20 parti politike. Informacioni që njëherë ishte monopol shtetëror tani përhapet anë e mbanë vendit. Antenat e satelitit kanë mbirë kudo në vend. Mua mu tregua një fotografi e një burri i cili po transportonte një të tillë me një gomar.
Por rrënjët e komunizmit nuk mund të zhduken kaq lehtësisht, megjithatë fanatikët janë ende përreth. Po kështu ka edhe njerëz që drejtojnë rrjetet e spiunazhit të vendeve fqinjë, rrjetet që patën infiltruar në jetën e çdo shqiptari. Shumë prej tyre u pasuruan gjatë sistemit të vjetër dhe tani po shtojnë pasurinë e tyre të mëparshme. Ata tani u akuzuan se kanë nxitur edhe demonstratat e kohëve të fundit të ish-të përndjekurve politikë që kërkojnë më tepër kompensime. Në frontin ekonomik tokat, shtëpitë, bisnesi i vogël dhe e gjithë industria e prodhimit të bukës ka kaluar në duart e privatëve, ndërsa industria e rëndë do të privatizohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Ka papunësi dhe inflacion, por jo në atë shkallë sa në Rusi.
Gjatë përmbysjes së komunizmit turmat shkatërruan shumë ekonominë prodhuese, si fabrika, sera bile edhe pemët, mbeturinat e të cilave mbulojnë tani qytetet me fshatrat, një harxh që ekonomia e vogël e Shqipërisë duhet ta kishte kursyer, madje u prishën fabrikat e birrës e u grabitën dhe vreshtat. E tani Shqipërisë i duhet të importojnë birrë dhe verë.
Para agimit të ditës tjetër, u nisëm me makinë për të vizituar fushat e naftës të Shqipërisë, 100 milje në jug të Tiranës. Dielli që po lind nxjerr në pah një peizazh të tillë që mund t’i përkasë shekullit të 18-të. Fermerët shkojnë nëpër fusha të hipur në karroca; gratë i kryejnë shërbimet bimëve me dorë dhe fëmijët e zbathur enden nëpër rrugë. Aty këtu duken mullarët e barit. Shoqëruesi im më tha se dy vjet të shkuara fusha që po shkelnim ishte një fushë e madhe e një ferme shtetërore; sot ajo është copëtuar në dhjetëra pjesë të vogla. Prodhimi bujqësor në Shqipëri po rritet me 14 për qind në vit, por sipas të dhënave jozyrtare ai është shumë herë më i lartë. Për të parën herë në historinë e këtij vendi, fshatarët janë bërë zotëruesit e vërtetë të tokës dhe jo shteti apo pronarët e mëdhenj të tokave.
Udhëtimi bëhet shumë me ngadalësi pasi karrocat me kuaj të presin rrugën që është shumë e ngushtë për t’u përshkruar me lehtësi. Në atë të rrugës shihen edhe shumë kamiona të shkatërruar, ndërsa shoferët e raskapitur mundohen më kot t’i rregullojnë.
Kalojmë nëpër një sërë qytetesh me rrugë tërë pluhur dhe ndërtesa betoni. Janë ndërtuar shumë xhami dhe kisha të reja; shenjë kjo se feja po kthehet.
Më në fund marrin kthesën e një kodre; para nesh sa të ha syri shtrihet një pyll pusesh nafte. Pajisje të ndryshkura dhe puse të ndotur sfidojnë peizazhin, ndërkohë që bagëtia kullot ndërmjet këtyre puseve. Që “British Petroleum” e zbuloi këtë fushë naftëmbajtëse në vitet 1920, fushën më të madhe bregdetare në Evropë që megjithë naftën dhe shtresën ranore të saj, mban edhe të mbjellat.
Nga të 2000 puset, vetëm 800 janë produktive, disa me një debit prej vetëm prej disa fuçish në ditë; gjë që tregon se me të vërtetë asnjeri nuk e ka të qartë se sa prodhon ajo akutalisht. Komunistët kishin arritur të nxirrnin vetëm 4 për qind të rezervave. “premier Konsolidejtit” do të ndihmojë tani Albpetrolin që të nxjerrë sa më shumë që të jetë e mundur nga nafta që ka mbetur. Kthehemi me nxitim në Tiranë për një takim me Berishën. Zyra e tij ndodhet në një ndërtesë të madhe të bulevardit të gjerë, flamuri i ri shumë i kuq me shqiponjën e zezë në mes valavitet jashtë saj. Përshëndetemi nga rojet e armatosura, ndërsa futemi brenda dhe një burrë me një kostum gri të ndritur na përcjell në dhomën e pritjes. Mobilet, dyert, pothuajse çdo gjë mbulohet nga shkëlqimi. Por zyra e Berishës është krejt ndryshe; është e vogël dhe e rehatshme. Vetë presidenti është një burrë i këndshëm në moshë të mesme me një zë të plotë dhe kostum të çelët dhe të lehtë. Kardiolog nga profesioni, ai kohët e fundit ka filluar të merret me politikë dhe akoma jeton në apartamentin e tij në katin e tretë në anën tjetër të qytetit. Ai flet gjithashtu anglisht rrjedhshëm, të cilën e ka mësuar vetë. Kjo pati një ndikim të konsiderueshëm, kur ai vizitoi Londrën kohët dhe u prit në Bukingem Pallas.
Berisha është një njeri me pasion dhe komunkon drejtpërdrejt dhe me sa duket, është aftësia për të marrë vendime të shpejta, që janë karakteristike për një mjek. “Krimi më i madh i komunistëve”, na thotë ai, “ishte izolimi ynë nga bota. Kjo e bëri Shqipërinë një vend të botës së tretë, të vetmin në Evropë”. Shërimi është tregu i lirë, investimet e huaja, privatizimi dhe shkëmbimi i mallrave. Të gjitha këto duhet të bëhen sa më shpjet që të jetë e mundur, deklaron presidenti, i cili ka dërguar njerëz deri në Britani për të studiuar eksperiencën e saj të privatizimit.
“Kur ne u përpoqëm të privatizonim industrinë e bukës, populli pyeti: “Si mund ta bëni ju këtë? Por në kohët e kaluara, ne kishim bukë vetëm për 3-5 ditë në javë. Ne na duhej të importonim drithë dhe ta transportonim atë kudo nëpër atdhe. Sot magazinat tona janë plot”. Ai tregon me krenari rezultatet
e një ankete evropiane të Gallup- it, e cila tregon se 72 për qind e ekonomisë është privatizuar, shifër
kjo më e larta nga çdo vend lindor. Berisha është veçanërisht i interesuar të ndryshojë imazhin e Shqipërisë si një tokë jo mikpritëse për të huajt.
(Në kohën e komunizmit ishte krim të flisje për financime nga të huajt). “Qëndrimi i shqiptarëve ka ndryshuar plotësisht”, shpjegon ai. “Ata e kuptojnë rëndësinë e investimeve të huaja”. Për investimet e huaja ka shumë nevojë; përveç naftës, Shqipëria ka edhe rezerva të shumta kromi, bakri dhe një potencial të konsiderueshëm turizmi.
Presidenti është entuziast që kapitali i huaj ka filluar të hyjë, megjithëse Shqipëria jeton nën “hijen e luftës së Bosnjës dhe ka marrëdhënie të vështira me të gjithë fqinjët e saj të afërt. Burgimi i kohëve të fundit i pesë minoritarëve grekë të akuzuar për spiunazh, i ka dëmtuar dukshëm marrëdhëniet me Greqinë që sikur përforcon mendimin se në Shqipëri gjërat kanë ndryshuar më pak nga sa do të deshte qeveria që njerëzit të besonin. Grekët kanë bllokuar një ndihmë të premtuar nga Bashkimi Evropian. Berisha mbledh supet: “Ne jemi realistë. Na duhet të presim”.
Gjatë rrugës së kthimit n Londër isha ulur pranë ambasadorit shqiptar në Britaninë e Madhe, Pavli Qesku. Një burrë elegant, me sy të ndritshëm. Ai më tregoi për të kaluarën e tij. Një leksikograf, ai sapo ka përfunduar fjalorin e parë shqip-anglisht. E pyeta atë se çfarë karakteristikash të përbashkëta ka Shqipëria dhe populli i saj me paraardhësit e tyre ilirë. “Gjuha shqipe mbijetoi për 500 vjet të pushtimit romak dhe 500 vjetëve të sundimit turk, si edhe kërcënimit të vazhdueshëm të pushtimit sllav”, përgjigjet ai. “Por libri i parë në gjuhën shqipe u botua vetëm më 1555 dhe shkolla e parë në gjuhën shqipe u hap vetëm më 1879. Pra, geni i mbijetesës te shqiptarët është shumë i fortë”.
“Nuk kisha si mos pajtohesha me të”.
David Lascelles
Fotot për ilustrimin e shkrimit u morën nga
https://jeffersonsiebert.photoshelter.com/index/G0000GcOHxHYDNfU