Edi Rama për skulptorin Pjerin Kolnikaj, 19 mars 1995
Më 19 mars 1995, në gazetën “Koha Jonë” botohet një shkrim nga Edi Rama për skulptorin Pjerin Kolnikaj, kumtim i cili shoqëron një raportim rreth një ekspozite që skulptori ka hapur në Galerinë Kombëtare. Pjerin Kolnikaj u lind më 1963 në Shkodër. Në periudhën ndërvitase 1978-1982 kryen shkollën artistike “Jordan Misja”, Tiranë. Gjatë viteve 1985-1989 kreu studimet në “Akademinë e Arteve të Bukura”, për skulpturë, specialiteti qeramikë. Aktualisht ai është autori i disa punëve që përfaqësojnë dhe pasurojnë traditën tonë të skulpturës. Është i vlerësuar dhe shpesh i keqkuptuar në mënyrën se si ai i qaset komunikimit artistik.
Në këtë mëtim të Edi Ramës, mjeshtri Kolnikaj vjen i mbështjellë me një aureolë madhështie krijuese dhe një ngulm elegant i leximit shpirtërorë të artistit, i botës së cilës i përket ai, Kolnikaj, i cili “ka bindjen se duart janë më të rëndësishmet, se kontakti i tyre me materialet jetëgjatë i paraprin skulpturës si koncept i shtjelluar”
Ai është në “një botë në spostim të vazhdueshëm drejt yllit që ka shënuar me besim pikën e vet të pushimit, një botë që pasurohet në heshtjen e fjalës së kthyer në skulpturë e që le si gjurmë, skulptura në vend të fjalëve”
Po, ai është Kolnikaj, siç e përkufozon një tjetër artist dhe mik i tij, Vladimir Myrtezaj, i cili thotë se ai është “Një skulptor që identifikohet njësh me materien si gjuhë e klasikes moderne. Një matës i hapësirës pamore me një qartësi të frikshme, si një dashnor i vonuar, si një fëmijë që thotë gjëra pa kuptim për shkak të dashurive të pamundura në shquarje e primitive që nuk mund të shprehen dot me veç me fjalë.”
Albert Vataj
Fjala si skulpturë, skulptura si fjalë
Krijimtaria e Pjerin Kolnikajt është pa mëdyshje një urë e zgjatur që rreket të lidhë vetminë e rëndë të provincës shqiptare me brigjet e përtej detit të ndarjes nga pjesa tjetër e botës, një urë e projektuar me dashurinë për klasikët e skulpturës moderne dhe e ngritur dita-ditës mbi sakrificat e një të përdishmeje që me asgjë nuk i ndihmon ëndrrat e mbyllura në fshehtësinë e gurëve dhe drurëve ende të pagdhendur, nëpërmjet të cilëve Kolnikaj i jep shprehje pamjeve të tij të brendshme dhe ndërmerr përpjekje të vazhdueshme për t’u artikuluar në forma të thjeshta.
Burimet e motivimit të tij mbeten sot e gjithë ditën reflekset e klasikës moderne, thjesht për faktin që Kolnikaj ka bindjen se duart janë më të rëndësishmet, se kontakti i tyre me materialet jetëgjatë i paraprin skulpturës si koncept i shtjelluar. Dominimi i intelektit nga parandjenjat bëhet përherë e më përcaktues në identitetin artistik të Kolnikajt, i cili vërtitet në qerthullin e vetizolimit duke shënuar pika të reja mbërritjeje pas çdo udhëtimi rreth vetes. Skulptura e tij rrjedh në seancën e procesit manual që është njëkohësisht një objektiv në vetvete dhe një metodë e krijimit që të çon te ky objektiv. E shoqëruar nga vetëdija e kontradiktës midis esencës së konstruksionit të formave të thjeshta dhe substancave të paforma të mendimit, kjo skulpturë konvergon shpeshherë në nyje të parapara të artit të skulpturës, jo si varësi por si mbështetje.
Në rrënjët e objekteve të Kolnikajt ka sidoqoftë në çdo rast një sintezë të egos dhe të vendit, që jep garanci përherë e më bindëse për përvijimin e një personaliteti të veçantë krijues. Referenca me krijimtarinë e autorëve të mëdhenj të këtij shekulli nuk janë assesi prova të skllavërimit, por piketa të peizazhit shpirtëror të Kolnikajt, një peizazh që zgjerohet në kufinjtë e heshtjes dhe përunjësisë krijuese të një artisti që është i ndërgjegjshëm për influencat që prekin dhe njëkohësisht çlirojnë artin e tij, por që jashtë këtij konteksti do t’i mungonte oksigjeni për të arritur oazin që i takon në botën e madhe të materialeve jetëgjata.
Pjerin Kolnikaj është një botë në spostim të vazhdueshëm drejt yllit që ka shënuar me besim pikën e vet të pushimit, një botë që pasurohet në heshtjen e fjalës së kthyer në skulpturë e që le si gjurmë, skulptura në vend të fjalëve.
E.RAMA