Ish-punonjës i Sigurimit të Shtetit, Mark Dodani: Një ditë historia do të tregojë të vërtetën
Në faqen 5 të gazetës “Koha Jonë”, e shtunë 24 dhjetor 1994, është publikuar një intervistë më ish-punonjësin e Sigurimit të Shtetit, Mark Dodani, një personazh i njohur i asaj kohe dhe një shkrues i historive dhe përvojave personale dhe jo vetëm të epokës komuniste dhe episodeve që lidhen me Sigurimin e Shtetit, lojërat dhe marifetet e saj për të intensifikuar luftën të pretenduar në mbrojtje të atdheut, duke vrarë, burgosur, persekutuar dhe linçuar antikomunistë dhe zelltarë të idealeve kombëtare demokratike.
E sjellim këtë intervistë pas 30 viteve, ndoshta jo thjeshtë për të përcjellë rrëfimin e një figure siç ishte Mark Dodani, për emra dhe personazhe, ngjarje dhe zhvillime që lidhen me famëkeqin Sigurim të Shtetit, të cilin Dodani e pretendon se ishte një organ në mbrojtje të atdheut nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm, por edhe një pasqyrim i një etape të pushtetit diktatorial.
Mes të tjerash Dodani, duke reaguar për një stuhi kundër Sigurimit të Shtetit dhe spiunëve të saj, akuzon: “Atyre që na quajnë spiunë unë do t’u thoja se, ky “spiun” nuk është aspak më i rrezikshëm se sa ai spiun që deri dje ka vepruar ilegalisht e sot mbase është bërë edhe ministër”. Drejtpërdrejtë ai sulmon politikën, e cila pas zvarritjes së mos’hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit, fsheh dashakeqësinë e saj dhe lidhjen e pazgjidhshme me eksponentë të regjimit komunist, të cilët ishin dhe janë në organet drejtuse të shtetit demokratik, edhe sot ndoshta(?!.
“Sot pas kaq vitesh, shqiptarët që luftuan kundër njëri-tjetrit, duhet të kenë kurajën me falë, se populli nuk thotë kot… Ma zor është me falë, se sa me vra… Jam i bindur që një ditë historia do të tregojë të vërtetën.”, përfundon Mark Dodani intervistën dhënë për Ilir Keko në “Koha Jonë”, më 24 dhjetor 1994.
Albert Vataj
Një ditë historia do të tregojë të vërtetën
Atyre që na quajnë spiunë unë do t’u thoja se, ky “spiun” nuk është aspak më i rrezikshëm se sa ai spiun që deri dje ka vepruar ilegalisht e sot mbase është bërë edhe ministër
Intervistë me z. Mark Dodani, ish-punonjës i Sigurimit të Shtetit
-Cili jeni ju z. Dodani?
-Unë jam Mark Dodani. I biri i Llesh Dodanit, njeri i ndershëm, vrarë më 1945 nga bandat e “Komitetit të Maleve dhe nip i Gjon Dodanit, kapobandë i “Komitetit të Maleve”, shpallur tashmë së fundi “Martir i Demokracisë”. Ish pjesëtar i çetës partizane, Pukë-Mirditë, pjesë përbërëse e batalionit “Perlat Rexhepi” që më pas u inkuadrua në Brigadën e 27-Sulmuese. Ish-oficer i Sigurimit të Shtetit, deri në vitin 1975. Sot, pensionist. Në të njëjtën kohë jam edhe shkrimtar.
-I ratë shkurt. Ndoshta falë profesionit të punonjësit të Sigurimit, ju vazhdoni të ruani të fshehta… Por, edhe ne gazetarët kemi rrjetin tonë të bashkëpunëtorëve. Në rastin konkret, kemi të dhëna të sakta se ju Mark Dodani keni qenë dhe pjesëtar i organizatës terroriste, “Fronti i Rezistencës”…
-Jo. Nuk është e vërtetë që kam qenë pjesëtar i organizatës terroriste, “Fronti i Rezistencës”. E vërtetë. është që unë kam qenë punonjës i Sigurimit të Shtetit dhe pjesëtar i Grupit Special, që realizoi përmes “Frontit të Rezistencës ndër të tjera dhe lojërat e njohura “Buza e Bredhit” dhe “Liqeni i Vajkalit”, lojëra të cilat bënë të mundur kapjen e diversantëve nga Et’hem Çako, Zenel Shehu e Tahir Preçi deri tek Hamit Matjani. Sigurisht, mes banditëve unë nuk mund të qëndroja e të punoja me emrin Mark Dodani, prandaj u paraqita mes tyre si një prift katolik i arratisur me emrin Luigj Zefi, ndërkohë që edhe drejtuesit e Sigurimit të Shtetit më kishin vënë pseudonimin “Studenti”. Pra, unë kam qenë thjesht një punonjës i Sigurimit të Shtetit në mbrojtje të popullit tim.
Dikur, kjo që po pohoj sot, për hir të interesave të Atdheut nuk mund të dekonspirohej, prandaj dhe shumë pak e dinë të vërtetën. Por sot pas kaq vitesh kur dhe pjesa më e madhe e shokëve dhe e bashkëpunëtorëve të mijë kanë vdekur, mendoj se ka ardhur koha që të thuhet e vërteta.
Përpara se të na thoni të vërtetën, a mund të na thoni se po të ishit edhe një herë i ri si atëherë, do t’i hynit përsëri “aventurave”?
-Sikur ta filloja edhe një herë jetën, unë përsëri do të dilja partizan, përsëri do të punoja në Sigurim e përsëri do të luftoja për Atdheun mes bandave të diversantëve.
-Pse gjithë kjo dashuri për një profesion pa të ardhura?
-Shiko. Ju jeni i ri. Ne, për të fituar lirinë e Atdheut dolëm malit partizanë kundër okupatorit dhe për të mbrojtur lirinë e Atdheut dolëm më pas përsëri malit në luftë kundër bandave kriminale që kërkonin të përmbysnin me dhunë pushtetin legjitim në Shqipëri. Vetëm nga këto arsye, unë e dashuroj këtë profesion.
-A mund të na thoni si lindi “Fronti i Rezistencës”?
– Organizata terroriste “Fronti i Rezistencës” lindi në Tiranë… Ka qenë fundi i vitit 1948. Prishja me Jugosllavinë përveç të tjerave çoi dhe në një inkurajim akoma më të madh të bandave të armatosura që lindën në Shqipëri menjëherë pas çlirimit. Mes tyre, lindi dhe “Fronti i Rezistencës”, i cili kishte si objektiv përmbysjen me dhunë të regjimit të atëhershëm. Në këtë organizatë bënin pjesë intelektualë si Hamdi Frashëri i njohur me pseudonimin “Besniku” që ishte dhe kryetar i Komitetit Qendror, Naim Çela, zëvendës-kryetar i Komitetit Qendror i njohur me pseudonimin “Mentori”, i cili më pas u vu në shërbim të organeve të Sigurimit të Shtetit, vëllezërit kosovarë Isa, Kadri e Muharrem Shalaj, Sejfulla Shima, ish-bashkëpunëtor i kuislingut, Mustafa Kruja etj.
Pikërisht në këtë kohë, Sigurimi i Shtetit ra në erë dhe në kohën që krerët e kësaj organizate tentuan të arratiseshin, i kapi. Menjëherë pas kësaj Sigurimi i Shtetit, krijoi Grupin Special në të cilin bënin pjesë Idriz Seiti, Mark Dodani, Hekuran Pobrati, Miti Teneqexhiu (Thanasi), Ilo Stojko, Rrapo Tosku, Shaqo Koro e disa të tjerë. Por, duke qenë në numër të madh, mbi 10-12 veta, veprimet operative të Grupit Special nuk ishin të zhdërvjellëta. Ndaj Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu që asokohe ishin në krye të Sigurimit të Shtetit, e reduktuan grupin në 5 veta me oficerë permanentë të cilët ishin: Asim Aliko (Tomorri). Mark Dodani (Studenti), Hekuran Pobrati (Mali), Haxhi Shurdhi (Bjeshka) dhe Ilo Stojko (Devolli).
-Këta që përmendët ju, janë në këtë fotografi që keni përpara?
-Po. Në fotografi duken duke filluar nga e djathta, Hekuran Pobrati, Mark Dodani, Asim Aliko, Dalip Kurti, Xhaferr Mema, Beqir Aliu dhe Naim Çela… Nga këta, jo të gjithë ishin oficerë të Sigurimit. Tërheqja në veprime me bandat e intelektualit të ndershëm, Naim Çela, bëri të mundur që më pas për interesat e Atdheut të punonin për vite me radhë dhe ish-kapobandat e njohur, Dalip Kurti nga Macukulli (Deja), Beqir Aliu nga Guri i Bardhë (Gurabardhi), Xhaferr Mema nga Shëngjergji (Tirana), Hasan Koka nga Burreli (Hejti), Ram Habili nga Kavaja (Kavaja), Ferik Mulleti nga Tirana (Erzeni) e dhjetëra të tjerë. Me ndihmën dhe kontributin e të gjithë këtyre që përmenda u bë e mundur të kapen sa e sa diversantë.
-Dhe pas gjithë kësaj pune për të cilën ju kanë cilësuar “Heronj të Heshtur”, ju etiketuan edhe “Çerdhe gjarpërinjsh”… Cili prej këtyre përcaktimeve mendoni se ju shkon më shumë?
-Unë do të preferoja të thoja dy fjalë… Të tjerët pastaj le të thonë se cili përcaktim na shkon më shumë… Në atë kohë, ne Atdheun e identifikonim me partinë. Ashtu ishte ajo kohë… Pastaj, që kur u nda shoqëria në klasa, popujt për t’u mbrojtur nga kundërshtarët ngritën edhe institucionin, me “sy e veshë” sepse pa të vështirë ta ruash vendin. Pikërisht për këtë e ngritëm edhe ne atëherë Sigurimin e Shtetit. E ngritëm që të merrnim vesh kush është koloneli Xhon që drejton veprimtarinë antikombëtare ndaj Shqipërisë, kush është Oto Skorzen që na dërgon në Shqipëri, Tahir Preçët, Hamit Matjanët e qindra të tjerë për të vrarë njerëz të thjeshtë, të pambrojtur dhe fshehurazi…
Sa për përcaktimin “Heronj të Heshtur”, ne kemi qenë vërtet të heshtur, sepse puna me diversantët na është dukur krejt e zakonshme dhe normale, përderisa ajo i shërbente një ideali. Ndërsa për përcaktimin “Çerdhe gjarpërinjsh” do të thoja se, njeriu dramën më të madhe e ka kur tradhton vetveten, kur mohon idealin për të cilin ka luftuar…
Sipas meje, përcaktimi-akuzë “Çerdhe gjarpërinjsh” deri në vitin 1960, është një akuzë e poshtër ndaj Sigurimit të Shtetit. Më pas, mes nesh ka patur për hir të së vërtetës edhe gjarpërinj… Enver Hoxha ka qenë njeriu që na ka thënë neve “Heronj të Heshtur”. Pastaj po ky Enver Hoxhë na tha “Çerdhe gjarpërinjsh”. Madje ka dashur të na thonë edhe spiunë…
-… E megjithatë, sot ju quajnë edhe spiunë…
-Le të na quajnë. Mua personalisht nuk më vjen turp të pranoj që kam qenë punonjës i Sigurimit të Shtetit dhe kam luftuar për mbrojtjen e Atdheut. Atyre që na quajnë spiunë unë do t’u thoja se, ky “spiun” nuk është aspak më i rrezikshëm se sa ai spiun që deri dje ka vepruar ilegalisht e sot mbase është bërë edhe ministër. Nuk di a shpjegohem…
-Qartë. Si mendoni ju, t’i shërbesh Atdheut në pozicionin e punonjësit të Shërbimit Sekret, është nder apo turp, gjithmonë për interesat e Atdheut?
-Unë mendoj se njerëzit që i kanë shërbyer Atdheut, interesave të tij, nuk duhen flakur. Ata meritojnë më shumë nga shteti i sotëm dhe shoqëria. Të njëjtën gjë do të thoja edhe për ata të arratisur që u vunë në shërbim të Sigurimit dhe i shërbyen Atdheut me ndershmëri, që nga Prend Gjon Dodani e Ymer Lluka, deri tek Naim Çela, Xhaferr Mema, Dalip Kurti, Beqir Aliu e dhjetëra të tjerë.
-Dhe tani, dy fjalë për “shokun tuaj” Hamit Matjani…
-Unë me Hamit Matjanin kemi qenë “miq”. Si përfaqësues i Klerit Katolik m’u dha rasti ta njoh atë në Çekin të Gramshit në vitin 1949. Që nga takimi i parë kur ndërruam edhe nga një paketë, unë i dhashë një “Çestërfild” (cigare), ai më dha një “Papastratos”, jam takuar disa herë me Hamit Matjanin deri sa më në fund ai u kap në Gurin e Vashës më 30 Prill duke gdhirë 1 Maji 1953. Është interesant momenti i kapjes së Hamit Matjanit. Ai nuk e dinte që kishte rënë në kurthin e Grupit Special prandaj dhe na kërcënonte ne se sa po të takohej me kapedan Zenel Shehun do të merrte masa të rënda kundër “Korabit” dhe “Shqipes” që i bënë atë pritje me duar në pranga.
Por, ndryshe foli kur e kuptoi ç’kish ndodhur… Kurrë s’mendova që koloneli Xhon do të më sillte me duart e veta në këtë kurth… na tha ai. Kur e kam njohur Hamit Matjanin kam qenë vetëm 23 vjeç. Ai ishte një kriminel dhe vetëm kriminel…. Po ju tregoj një rast. Në vitin 1952, në Teqen e Dushkut në Gramsh, në krye të bandës së tij ai vrau dy nga njerëzit më të mirë të asaj ane, një sekretar partie dhe një instruktor partie që po kalonin natën në Teqe. I vrau duke i therur… Shembuj të tillë unë mund t’ju tregoj shumë për kriminelin Hamit Matjani, aq më tepër që ai e ka pranuar këtë hapur në gjyq ku ndër të tjera edhe tha… Unë kam vrarë më shumë se njëzet vetë… Vetëm në gjyq Hamit Matjanit i dolën si dëshmitar njëzetetre vetë. Më pas ju e dini ç’ndodhi. Kavaja dhe Lushnja u “zemëruan njëra me tjetrën sepse të dyja kërkonin që ai të varej në mes të qytetit.
-Si mirditorë ju e njihni mirë atë trevë dhe njerëzit e saj. Në këtë kuadër, a mund të na thoni diçka rreth vrasjes së Bardhok Bibës…
-Në rast se do të flasim konkretisht, unë po ju them se Bardhok Biba është vrarë me urdhër të BKI (Blloku Kombëtar Indipendent) me qendër në Itali e që drejtohej nga Vërlaci e Gjon Markaj. Për këtë ka dokumente të mjaftueshme. Po kështu do të thosha edhe për Ndrec Ndue Gjokën, Vajzat e Mirditës, Ndue Gjin Tucin e dhjetëra të tjerë, të gjithë vrarë me urdhër të “Komitetit të Maleve”.
-Po për mirditorin Ndue Gjon Markaj, ç’mund të thoni?
-Me sa njoh unë ai ka qenë një kriminel tipik: Pastaj, ç’të flas unë kur ai e pranoi vetë në televizor se ka vrarë njerëz. Por, me që është rasti desha të them se, në rast se u jepen dekorata këtyre njerëzve si Ndue Gjon Markaj, Hasan Isufi, Pashuk Biba e ndonjë tjetri, të cilët njerëzit e thjeshtë i njohin mjaft mirë se cilët janë dhe ç’kanë bërë, atëherë le të na i heqin ne dekoratat që na i kanë dhënë për luftën që kemi bërë ndaj kriminelëve të këtij lloji.
-Dëshironi të shtoni gjë tjetër?
-Po. Do të dëshiroja të theksoja edhe një moment që mendoj se është me mjaft vlerë të thuhet sot… Për mua, jo të gjithë të arratisurit, ata që hynin për një viç kur thotë populli nëpër banda, kanë qenë kriminelë. Në atë kohë një pjesë e këtyre janë trajtuar gabimisht të tillë, ndërsa një pjesë janë diferencuar dhe janë rehabilituar. Sot pas kaq vitesh, shqiptarët që luftuan kundër njëri-tjetrit, duhet të kenë kurajën me falë, se populli nuk thotë kot… Ma zor është me falë, se sa me vra…Jam i bindur që një ditë historia do të tregojë të vërtetën.
Intervistoi: ILIR KEKO