Rrëfimi i Ramiz Alisë më 4 prill 1992, një ditë pas dorëheqjes si Presidenti i fundit komunist
Në gazetën “Koha Jonë”, në datat 21-22 qershor të vitit 1994 është publikuar një bashkëbisedim i Ramiz Alisë me mikun e tij, gazetarin, Pipi Mitrojorgji. Biseda zhvillohet në Presidencë një ditë pasi ai deklaroi dorëheqjen si presidenti i fundit komunist, një akt i cili u përcoll me shumë debate, patjetër edhe si një fitore e dytë e Partisë Demokratike, pas fitores së saj dërrmuese të 22 Marsit 1992. Publikimi bisedës bëhet ndërkohë ish-Presidenti Ramiz Alia ndodhej në një nga qelitë e Repartit 313 në pritje të vendimit të gjyqit kundër tij dhe eksponentëve të tjerë të nomenglaturës komuniste.
Ali në këtë bisedë pak a shumë miqësore me Pipi Mitrojorgji përpiqet të hedh dritë për gjithçka që lidhet me të, që nga Plenumi i 4, gabimet e tij në Plenumin e 9-të, marrëdhëniet zhgënjyese me Partinë Socialiste, pasvazhduesen e Partisë së Punës së Shqipërisë, libri i tij për Enveri, opinioni për Mehmert Shehun dhe Berishën, etj.
Albert Vataj
“Nuk kam kërkuar asnjë garanci prej tyre për jetën time”
Bisedë e gazetarit Pipi Mitrojorgji bërë më 4 prill 1992 me Presidentin Ramiz Alia
Ramiz Alia ndofta në momentin më të vështirë e më vendimtar të jetës së tij, pikërisht më 4 prill 1992, një ditë pas dorëheqjes së tij si President tregon dhe shpreh ndjenjat, gjykimet, rrethanat si dhe analizon ata faktorë që çuan në fundin e karrierës së tij politike. Ramiz Alia që sot në një nga qelitë e Repartit 313 pret vendimin e gjyqit, në të cilin gjendet në bankon e të akuzuarve, në atë kohë ku disa ish-drejtues të PPSH kishin përfunduar në burg, me një hije dyshimi ndoshta e kishte parashikuar edhe fatin e tij…
Katër herë e dëgjova, dje, më 3 Prill 1992 deklaratën e Presidentit të Republikës, Ramiz Alia për dorëheqjen e tij. Ndonëse e prisja një hap të tillë të tij, nuk e di sepse m’u duk si e papritur. Ndoshta nga që ndodhi më shpejt nga sa e mendoja. Ndoshta nga që nuk më vinte mirë që ky personalitet i shquar politik, me reputacion të gjerë ndërkombëtar e përvojë të pasur, i jepte fund në këtë mënyrë veprimtarisë politike.
Po ngjarja kishte ndodhur. I acaruar nga presionet e opozitës? Nga humbja e mbështetjes prej partisë së tij? Nga pesha e komplekseve të së kaluarës? Nga rrethanat ndërkombëtare? Ndoshta nga të gjitha bashkë. Por “il colpo di grazia” (grushtin fatal) ia dhanë zgjedhjet e 22 Marsit 1992, në të cilat PS humbi në mënyrë fatale, alarmante, ndërsa PD fitoi në mënyrë spektakolare. Pas fitores së 22 Marsit dorëheqja e Presidentit Komunist ishte fitorja e dytë e madhe politike brenda 15 ditëve e PD dhe humbja e dytë e madhe e PS shënoi edhe fundin e karrierës së Ramiz Alisë.
E vëreja me kujdes fytyrën e tij në ekranin e vogël të TV-së. Regjistroja lëkundjet e zërit gjatë leximit të Deklaratës dhe sidomos gjatë përgjigjeve për gazetarëve e ATSH, Radios e TV. Përpiqesha të hyja në brendësi të shpirtit të tij, të kapja ndjenjat e tij, në atë moment të jashtëzakonshëm, pas të cilave do të ndryshonte kursi i drejtimit të shtetit.
Më dukej herë i lodhur, herë si një njeri që ka kaluar një natë pa gjumë, i shqetësuar nga ndjenja të kundërta dhe të trazuara. Herë më linte përshtypjen e një gjendjeje psikologjike të rënduar që me vështirësi shkarkohej nga emocionet që e kishin pushtuar. Herë më dukej i qetë, pa ndonjë brejtje në ndërgjegje. Një herë në jetën e një udhëheqësi më të lartë shtetëror, e një Presidenti, bëhet një deklaratë e tillë para popullit të vet, para botës, para historisë.
Deklarata ishte e shkurtër, koncize, rreth 20 rreshta të daktilografuara, më pak se një faqe letre. Në të ishte përmbledhur gjithë mendimi i tij për shkaqet e këtij akti që po ndërmerrte dhe mesazhi që i dërgonte popullit, një mesazh plot keqardhje, dhimbje, urim e shpresë për të ardhmen. E marr me mend
se sa herë duhet ta ketë shkruar e rishkruar këtë deklaratë, sa e si ka peshuar çdo fjalë e frazë të saj, që ajo të ishte e qartë për popullin dhe për botën, por edhe bindëse për të gjithë, e në të njëjtën kohë dinjitoze, burrërore, historike.
Më Indi dëshira për ta takuar. E mora në telefon. Më doli vajza e tij, Zana. I kërkova të më lidhte me Ramizin. Pas pak më mori vetë në telefon. Pasi shkëmbyem disa fjalë rutinë më la takim për në orën 10, në zyrën e tij,në Presidiumin e Kuvendit Popullor.
Për çfarë do të bisedoja? Nuk desha që takimi të merrte ngjyrën e një ngushëllimi, të një keqardhjeje. Do të desha që biseda të ishte një shkëmbim i lirë mendimesh midis dy shokësh për problemet aktuale dhe mundësisht të sqaroja disa dilema që më shqetësonin.
Ndoshta edhe ai, në anën tjetër të Tiranës ishte i kredhur në mendime. Ç’jehonë do të kishte deklarata e tij? Gjithsesi atë natë ai s’ishte as President, as qytetar i lirë, “as në qiell, as në tokë”. Pritej vendimi i Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë, që mblidhje po atë ditë e po në atë orë që unë do të takohesha me të.
Në orën 10-të ndodhesha në zyrën e tij.
Erdhe Pipi? u ngrit nga karrigia prapa tavolinës së punës dhe më doli përpara me dorë të shtrirë. – Ulu. Ai zuri vend përballë meje.
Vërejta me vëmendje fytyrën e Ramiz Alisë, atë fytyrë vezake, të qetë, pak të zbehtë, me dy sy që i përshkonte një melankoli e lehtë, që s’e kishin humbur ëmbëlsinë e tyre, as në ato çaste të rënda, sy që pasqyronin një shpirt e një karakter sa të butë e të thjeshtë aq edhe njerëzor.
Megjithatë mendova – edhe ky, edhe unë, edhe e gjithë Shqipëria e di se orët në këtë karrige, në këtë zyrë, i ka të numëruara.
Si do të ishte ai që do të hynte në këtë zyrë, që do të zinte kolltukun presidencial? M’u përfytyrua imazhi i Sali Berishës, Kryetarit të Partisë Demokratike. Kush mund të thoshte se Presidenti i ardhshëm nuk do të ishte më i mirë se i kaluari? Zakonisht çdo kohë sjell njerëzit e vet, çdo lëvizje nxjerr udhëheqësit e vet, çdo hap përpara në histori krijon personalitetet e veta. A nuk ishte Berisha pjellë e momentit të ri historik ? Çështja ishte sa do ta justifikonte këtë nder që i bënte historia, si do t’i zgjidhte problemet që ajo i parashtronte, a do t’i jepte asaj dritë apo do t’ia shtonte tragjeditë?
Pas shkëmbimit të disa fjalëve e frazave të zakonshme mirësjelljeje për shëndetin e njerëzit e familjes, u futa pari në temë duke i thënë:
“Kështu që e lojte “kartën” tënde duke i kujtuar fundin e bisedës sonë të para një jave.
-S’kish rrugë tjetër-mu përgjegj. -Kishte ardhur fundi. Dhe ky moment mu duk më i përshtatshëm. Me një parlament ku “ata” do të bëjnë ligjin me një qeveri kryesisht të “tyre”, do të ishte i pashmangshëm konflikti midis meje dhe atyre. Që në kundërshtimin tim të parë, ata do të ngrinin kundër meje një zhurmë akuzash e sharjesh më të padurueshme e ofenduese, se ato që kanë bërë gjatë vitit që shkoi. Do të ngrinin turmat e tyre populiste kundër meje e do të kërkonin rrëzimin tim. Po sikur do të prisnit që ta ngrinin ata të parët problemin. Kështu Sikur me mate herën e kaluar? Dhe e paste thellë në sy.
-Në fakt ata e hodhën hapin e parë. Berisha deklaroi se: “Presidenti do të bëjë mirë të japë dorëheqjen”. Gazeta e tyre RD, disa herë këto ditë i ka rënë kësaj kambane.
Desha t’i thoshja se kërkesa të tilla nga ana e tyre janë bërë me kohë. Ato janë të vjetra. Por ai më shtroi përpara një pyetje që kërkonte përgjigje të menjëhershme.
-Si t’u duk deklarata? -Koncize, e qartë, dinjitoze. Ishte thënë çdo gjë që duhej thënë në këtë moment. Natyrisht reagimet do të jenë të ndryshme. Edhe komentet…
-Ti ishe i dyti që më more në telefon pas shpalljes së dorëheqjes. I pari ishte Shefqet Peçi. Ai më tha: “Bere shumë mirë. Kështu i do mushka drutë. Le ta provojnë edhe ata të qeverisin, të shohë populli se ç’do të katranosin”. Veç ju të dyve asnjë tjetër nga shokët e vjetër s’më ka marrë deri tani në telefon.
Sytë e tij vështruan në boshllëk. Kush e di se çfarë mendime bluante. Me siguri aspak të këndshme përderisa fytyrën ia përshkoi një hije pakënaqësie. Nuk e meritonte një qëndrim të tillë nga ana e shokëve, e atyre që i konsideronte si shokë. Kaq me ngut shpejtuan të dalin nga barka ku deri dje lundronin bashkërisht. Çfarë shprehte ky qëndrim? Ftohtësi, indiferencë, shpirtligësi apo kënaqësi që më në fund edhe ky ra nga fiku? Çfarë kanë ndjerë ish shokët e tij kur dëgjuan deklaratën? Si janë shprehur në vetminë e tyre, apo në rrethin e tyre të ngushtë, ku pëshpëritin, mallkojnë dhe kujtojnë me nostalgji parajsën e humbur? Nuk ka asnjë dyshim se emëruesi i përbashkët i ndjenjave dhe komenteve të tyre ishte antiramizalia.
Hyri në zyrë kamerierja me kafetë. Ishte rasti për të bërë një urim. Por çfarë?
Për të mira e gëzime i thashë. Një urim ky i papërcaktuar. Dhe ndërsa po pinim kafen e pyeta:
-Si e komentoni njoftimin e zyrës së shtypit të Partisë Demokratike të transmetuar pardje a dje, se PD nuk i ka kërkuar Presidentit të japë dorëheqjen, se ajo është punë e Parlamentit dhe se ai, Presidenti s’ka paraqitur ndonjë kusht për t’i siguruar imunitetin, a diçka të tillë? Mos ndoshta me këtë njoftim ata heqin dorë edhe nga kërcënimet që ju kanë bërë, se pas largimit tuaj do t’ju nxjerrin në gjyq, etj., etj.?”
-Mua mu duk një njoftim korrekt, sidomos kur thonë se unë nuk kam kërkuar asnjë garanci prej tyre për jetën time pas largimit nga ky post.
-Por a ju kërcënon ndonjë rrezik?
-Asgjë s’është e sigurt. Lehtë s’e kanë, sepse edhe ata që u futën në burg, i futën kot. Tani s’dijnë si të dalin nga kjo “pastiçio” që gatuan. S’kanë argumente për t’i dënuar.
-Shpesh vazhdova unë – me veten time jam munduar të konkludoj. Se cili ka qenë gabimi më fatal i shokut tim që ia ndërruan rrjedhën ngjarjeve në një mënyrë kaq dramatike.
Më pa me një vështrim të përqendruar e të menduar. Por pyetja nuk përbënte ndonjë befasi për të. Kushedi sa herë do ta ketë munduar ky fatalitet. Mu përgjigj qartë e pa mëdyshje:
-Një gabim imi i rëndë mund të quhet ai që në Kongresin e 9-të të Partisë nuk u bënë ndryshime në udhëheqjen e vjetër, nuk u sollën njerëz të rinj. Punët mund të ecnin më qetë. Jo se nuk do të bëheshin ndryshimet që u bënë. Pluralizmi partiak do të bëhej, ekonomia do të liberalizohej, të burgosurit politik do të liroheshin, e drejta fetare do të rivendosej, etj., se, nuk na linin as të tjerët pa i bërë. Presioni i jashtëm ishte e është i madh. Të gjitha delegacionet dhe personalitetet që vinin, si kusht për ndihmë dhe si këshilla na përmendin vendosjen e pluralizmit demokratik, respektimin e të drejtave dhe lirive të individit, liberalizimin e ekonomisë. Perëndimi mposhti Bashkimin Sovjetik, jo më Shqipërinë. Udhëheqja e vjetër s’qe më në gjendje për asgjë. Ajo vetëm më pengonte me konservatorizmin dhe dogmatizmin e saj.
-Mos u shpejtuat që botuat librin tuaj “Enveri ynë”?
-Jo, s’jam pishman që e shkrova. Në atë libër unë kam shkruar kujtimet e mia për shokun Enver, që prej kohës së rinisë e deri në fund.
-Veçse e paraqitni me ngjyrat më të ndritshme, pa asnjë të metë. E ngrini në qiell.
Ato mendime kisha. Duhet t’i gjykojmë gjërat dialektikisht.
Ramiz Alia i mbetej besnik veprës së Enver Hoxhës. Ai nuk e tradhtonte atë. E rivlerësonte në disa çështje, e kritikonte për disa teprime, për ekstremizmin në luftën e klasave, për politikën e vetizolimit nga bota, për centralizimin e tepruar të ekonomisë, për socializmin ekstrem, e ndonjë çështje tjetër, por në vijën e përgjithshme ai e aprovonte Enver Hoxhën. Ky qëndrimi tij është apo s’është dakord njëri a tjetri, flet për një njeri që ka aftësinë t’i gjykojë fenomenet politiko-shoqërore në kohë e në rrethana të caktuara historike. Mu kujtua një thënie e Fan Nolit të madh. Kur e pyetën, pas përmbysjes së Revolucionit Demokratik të 1924, “çfarë urreni më shumë tek njeriu”, u përgjigj: Mosmirënjohjen.
Dikush mund të thotë se Ramizi ishte aq shumë i kompromentuar me Enver Hoxhën, sa që edhe po të donte të distancohej nuk do ta besonte kush, bile do t’i bënte më keq vetes. Ndoshta. Por ka shumë të tjerë që janë kompromentuar me Enverin dhe regjimin e tij. Por tani përpiqen të venë një maskë tjetër, t’i fshehin privilegjet që kanë gëzuar në sajë të tija, apo t’i kalojnë në heshtje ç’kanë thënë për të. S’ke ç’i bën. Kjo botë është përbërë me lloj-lloj njerëz, me lloj-lloj karakteresh.
-Më fal, shoku Ramiz – vazhdova – se po të bëj një pyetje disi pa takt. Çfarë të ka shqetësuar a mërzitur më shumë në këtë kohë të vështirë për ju? Gabimet e së kaluarës, mungesa e mbështetjes nga Partia Socialiste, tendenca e saj për t’u distancuar nga ju, si një ish-“bllokmen” apo sulmet agresive e sharjet banale të opozitarëve, të antikomunisteve ?
-Po të përgjigjem si shok. Të gjitha sa përmende më krijojnë shqetësime. Por më shumë më ka shqetësuar fakti qe nuk me kane kuptuar. Çdo gjë që kam bërë në të kaluarën e kam bërë me vetëdije të plotë. Kam vepruar siç kam menduar, me sinqeritet. Qëndrimet e mija të veçanta nuk ishin qëndrime disidente. Jo. Të marrim për shembull Plenumin e 4 të KQ të Partisë për shfaqjet e huaja në kulturë, letërsi, artet etj. Unë nuk pajtohesha me to. Por nuk shkoja më larg se kritika që u duhej bere atyre shfaqjeve dhe bartësve te tyre. Më duket se kemi folur dhe herë tjetër për këtë Plenum. E përsëris. Unë nuk isha absolutisht për masa të atilla ekstreme, siç u muarën, kundër Todit, Fadilit e të tjerëve. Unë kam qenë gjithmonë për diskutimin e lire, për debatin e hapur, për konfrontimin e ideve, por kurrë për etiketimin e njerëzve. Sidomos në takimet e mbledhjet me intelektualët, kam qenë për inkurajimin e shprehjes së lirshme të mendimeve nga ana e tyre.
Krejt ndryshe vepronte Mehmet Shehu. Është i vërtetë dyshimi që the ti radhën e kaluar, që Mehmeti synonte të më vinte mua ne krye të “grupit armiqësor liberal” të Plenumit të 4.
Para ca kohësh erdhi tek unë një kuadër i lartë dhe me tha: “Kemi gjetur edhe dosjen tende që kishte Sigurimi. Po të doni ua sjellim”. I thashë: As me intereson, as dua të di se çfarë ka në atë dosje. Por del se qysh para atij Plenumi Mehmeti me të tjerë grumbullonin të dhëna “kompromentuese”, për të më likuiduar një ditë.
Edhe diçka tjetër: Këtë çështje, të dosjes, nuk e di se si, e kish marrë vesh edhe një gazetar i huaj. Kur erdhi për një intervistë më pyeti: -“Është e vërtetë se ju kishit krijuar një grup liberal brenda partisë në vitin 1973?” -S’ka pasë asnjë lloj grupi të organizuar – i’u përgjigja. Ka pasë vetëm qëndrime të veçanta për çështje të veçanta në fushën e letërsisë, arteve etj.
Para ca ditësh më erdhi e më kërkoi një intervistë Frederik Reshpja. Midis të tjerave më pyeti, pak a shumë kështu: “Kur iu vinte ndonjë informacion për vjershat tona disidente çfarë ndjenit?”. Unë i thashë afërsisht kështu: S’kam qenë dakord me ato krijime. Por nuk mendoja dhe s’isha që të dënoheshit, isha që të kritikoheshit. Më pyeti edhe se po të shkruani kujtimet tuaja do te ketë ne to zbulime sensacionale?
I thashë: Sensacionale nuk do të ketë. Do të ketë vetëm hollësira për rrethanat konkrete në të cilat është marrë ky apo ai vendim, a që është mbajtur ky apo ai qëndrim. Kështu me duket se i’u përgjigja.
– Jam dëshmitar i këtij qëndrimi tuaj siç jam dëshmitar edhe i faktit që ju, në shumë fjalime të Enver Hoxhës keni vënë dorë, keni bërë redaktime dhe i keni zbutur qëndrimet e tij tejet ekstremiste. Ndryshe janë të botuara ato nga ç’ka i ka thënë ai.
-Edhe kjo është e vërtetë. Më kujtohet viti 1978, kur bëri një turne në Gjirokastër e në rrethet fqinjë. Më është dashur të redaktoj të gjitha fjalimet e tij, para se të transmetoheshin në RTV. Qëndroja deri vonë në studiot e RTV bashkë me gazetarët, aq sa ‘ata më thanë: U bëre nëpunës i yni shoku Ramiz. Kishte në ato fjalime shumë gjëra që nuk shkonin e që unë i kam fshirë ose ndryshuar.
-Po drejtuesit e Partise Socialiste përse mbajnë këtë qëndrim ndaj teje?
-Këtë e dine ata. Por unë mendoj se ata duhet të qartësojnë më mirë pozicionin e tyre. Sidomos tani qe janë ne opozitë. Lexova artikullin e Luan Ramës në gazetën “Kristali”. Ti e lexove? Mua më pëlqeu për guximin me të cilin i parashtronte disa probleme. Mire e thoshte : “Populli nuk ngopet me ideale socialiste”.
-Shume socialiste, kohet e fundit – ju bëjnë përgjegjës edhe ju për rezultatet e këqija në zgjedhjet e fundit.
– Po. Më bien shumë në qafë. Kohët e fundit, kuptohet, padrejtësisht. Unë edhe në intervistën e fundit që dhashë në konferencën e shtypit, përkrahja politikën e tyre. Jo më kot demaskova me dokumente synimet e qarqeve shoviniste greke dhe theksova miqësinë me popullin grek. S’jam dakord me qëndrimet që u mbajtën në Parlament ndaj minoritetit grek. Me minoritaret ne kemi luftuar tok. Ata kanë derdhur gjakun e tyre bashkë me ne për këtë Shqipëri.
Pse u bien më qafe kot?
Çfarë duan të bëjnë ?
A s’është një gjë e madhe fakti historik që dy popujt tanë, kurrë s’kanë luftuar kundër njëri-tjetrit, por gjithmonë e kanë ndihmuar njeri-tjetrin?.
-Për çfarë s’të kanë kuptuar. Më duket se nuk ju kuptova mirë.
-Në Plenumin e 8-të të 1989-ës unë shtrova një tok idesh të reja që u hapnin rrugën proceseve reformatore. Por nuk u kuptuan. Po kështu nuk u kuptua fjalimi që mbajta në Vlorë për politikën e kuadrit. Kështu edhe për çështje të tjera. Por ato në vend që të zbërtheheshin e të programoheshin, siç të thashë edhe herën e kaluar, përsëriteshin si sllogane. Partia në përgjithësi mendoj unë s’ishte e gateshme për reformat që kërkonte vendi. Si për të vërtetuar mendimin e tij, e ndoshta edhe pakënaqësinë e tij ndaj drejtuesve të Partisë Socialiste që nuk e çmonin me, që e ngarkonin me përgjegjësi e faje që s’kish bërë, u ngrit dhe nxori nga një dosje një letër. Ma zgjati dhe më tha: -Pardje mora këtë letër nga shqiptaro-amerikani, Antoni Athanas, një mik i Shqipërisë, ai që shtroi darkë për nderin tim kur shkova në Amerikë, në OKB. Lexoje, lexoje. Unë e mora dhe e lexova. Ishte një letër tepër e ngrohtë, miqësore. E cilësonte Ramizin një personalitet të shquar kombëtar, ngrinte lart rolin e tij në udhëheqjen e proceseve demokratizuese në Shqipëri dhe e uronte që të vazhdonte te luante këtë rol për të mirën e Shqipërisë. Letra nuk ishte më e gjatë se treçerek faqe. Kur e mbarova, i befasuar nga përmbajtja e saj, i thashë: -Kjo letër është tepër e ngrohtë dhe më duket tepër e sinqertë.
-Lexo dhe përgjigjen që i bëra, sapo mora letrën e tij. Dhe më zgjati letrën.
-Ja dërgova me faks, ashtu siç ma dërgoi edhe ai letrën e tij. Ishte një letër rreth 20- rreshta. E falënderonte për konsideratat. I thoshte se nuk i harronte takimet e ngrohta me te Amerikë, e se fundi e njoftonte për vendimin që kishte marrë për të dhënë dorëheqjen nga posti i Presidentit duke i radhitur, gati tekstualisht, ato arsye që shtron në Deklaratën e dorëheqjes.
– Edhe përgjigja me pëlqen – i thashë shkurt pa i bërë ndonjë koment. Pas pak vazhdova : -Nuk e di se kur, e si, do ta përdorësh, dhe a do ta përdorësh letrën e Antoni Athanasit si një dëshmi të vlerësimit të diasporës patriotikë të Amerikës Veriore për veprën tuaj reformatore. Unë nga ana ime do të kisha mendimin që kjo letër, në një farë mënyre të shikonte sa më parë dritën e botimit, ndonëse ju e dini vetë se kur duhet botuar, se kur efekti i saj do të jetë më i madh.
-Ndoqa në TV – vazhdova unë – takimin e De Mikelis ministëri Jashtem i Italise, me Sali Berishën në Durrës. De Mikelisi u soll si padron. Ja tha të tëra siç deshi dhe Sala heshti. I tha, biles, se rruga për në Evropë e Amerikë kalon nga Italia dhe Sala përsëri heshti.
Ç’mendim kini për Sali Berishën?
-Për Saliun ? – dhe u mendua pak si për të gjetur fjalët më të përshtatshme. – Deri tani operon me slloganet që ka përdorur gjatë fushatës elektorale: Merimanga komuniste, kriptokomunistët, strategjia e terrorit e të tjera si këto. Akoma s’ka kuptuar se ç’është politika. Kujton se politikan mund të bëhesh kollaj, mjafton te bëhesh kryetar partie a kryetar shteti, e brenda një viti. Pashë orën. Nga 11-ta mungonin vetëm 3-4 minuta. I kërkova leje dhe u ngrita.
-Do të kërkoj t’ju takoj përsëri. Besoj se nuk ju mërzis.
-Eja kur të duash – mu përgjigj me ëmbëlsi. I dhamë dorën njëri-tjetrit dhe u përqafuam sipas zakonit. Me përshëndetjen mirupafshim dola nga zyra e tij.