Ilir Meta: Për Partinë e Lirisë, arsimi është një kryeprioritet kombëtar
Politikë E Shtunë, 20 Janar 2024 18:58
Nga Ilir Meta-
Për Partinë e Lirisë, arsimi është një kryeprioritet kombëtar.
Ne besojmë se investimi më madhor për të ardhmen e Shqipërisë është pikërisht investimi në arsim.
Ne besojmë se investimi në arsim është zgjidhja më e mirë për të ndalur shpopullimin.
Partia e Lirisë organizoi sot një tryezë për arsimin, ku pedagogë, mësuesë, profesionistë dhe ekspertë të fushës ndanë idetë dhe mendimet e tyre për të nxjerrë arsimin nga gremina ku gjendet.
Partia e Lirisë ka 7 propozime konkrete dhe plotësisht të realizueshme, të cilat do ta transformojnë dhe përmirësojnë gjendjen e Arsimit në Shqipëri.
1. Kuvendi të miratojë sa më parë një ligj për nivelin dysheme të investimit në arsim dhe kërkim shkencor në nivelin 5% të PBB. Aktualisht, buxheti i vitit 2024 financon në vlerën 2.29% të PBB, më i ulëti në rajon dhe i pamjaftueshëm për të adresuar problemet e shumta të arsimit, që kanë ardhur duke u shtuar.
2. Niveli i pagave të mësuesve në piramidën e pagave të miratohet me ligj me shumicë të cilësuar.
3. Kuvendi të vendosë nivel dysheme për financimin e inovacionit. Aktualisht, inovacioni në Shqipëri financohet në masën 0.05% të PBB, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian është 2.2%.
4. Ligjet kryesore të arsimit të miratohen me shumicë të cilësuar në Parlament. Gjithashtu me shumicë të cilësuar duhet të miratohen edhe strategjitë e arsimit, programet, kurrikulat dhe politikat arsimore.
5. Mësuesia dhe shkenca duhet të konsiderohen degë prioritare.
6. Investime prioritare në degët e teknologjisë së informacionit.
7. Arsimi Profesional duhet të jetë domosdoshmërisht në varësi të Ministrisë së Arsimit. Lidhur me domosdoshmërinë e reformimit të tij, duhen studime të thelluara tregu mbi kërkesën dhe nevojën që ka sot vendi. Duhen hartuar strategji të reja që harmonizojnë kërkesat e një tregu gjithnjë në zhvillim me profesionistët që përgatisin këto shkolla. Me prioritet duhen parë degët si: elektroauto, mekanik, elektriçist, teknik të pajisjeve teknologjike, turizëm dhe shërbime.