Adriatik Alimadhi: PD mbron komunistët, na vodhi votat

Kreu i Partisë Balli Kombëtar, Adriatik Alimadhi, gjatë një interviste shprehet sePartia Demokratike jo vetëm e ka shkelur marrëveshjen, por ka futur frymën e përçarjes në strukturat e partisë që drejton si dhe u ka vjedhur votat aleatëve. Sipas tij, partia më e madhe në opozitë ka devijuar proceset demokratike në Shqipëri. Kreu i Partisë Balli Kombëtar shtoi më tej se Partia Demokratike është treguar dorëlëshuar me komunistët, ndërsa ka tradhtuar ish-pronarët, ish-të përndjekurit, kulakët dhe kauzat, për të cilat edhe u themelua kjo parti. I pyetur mbi hezitimin e politikës shqiptare për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, Alimadhi shtoi se dy partitë e madha kanë brenda dyte njerëz që preken nga hapja e dosjeve dhe ligji për heqjen e dekoratave.

***
Ç’po ndodh mes Ballit Kombëtar dhe Partisë Demokratike? Dy vitet e fundit keni pasur mosmarrëveshje. Pse?
Kjo është një pyetje që kërkon një shpjegim shumë të gjatë për vetë historikun tim të bashkëpunimit që kemi pasur qysh nga koha që unë drejtoj Ballin Kombëtar, kam dhënë gjithçka për të bashkëpunuar, por asgjë të drejtë nuk kam marrë prej saj.

Nuk shtrohet si problem vetëm marrëveshja e bashkëpunimit, por ajo qëndroi shumë larg proceseve demokratike që kërkonte Shqipëria dhe që kërkuan shqiptarët. Partia Demokratike, në këto 25 vjet, nuk u ngrit në lartësinë e duhur që të ishte vërtet demokratike, ajo u tregua zemërgjerë ndaj komunisteve dhe bijve të tyre, dorështrënguar ndaj të përndjekurve, të burgosurve politikë, pronarëve, kulakëve dhe shtresave të tjera shoqërore që kanë dhënë kontribut real, historik dhe kombëtar.

Ajo nuk vendosi drejtësi reale mbi disa problematika të disa shtresave shoqërore të cilat kanë pasur dhe kanë kërkuar dhe besuar të ajo, si abrogimin e ligjit komunist të pronës, kthimin e pronës pronarëve legjitim, nuk ndëshkoi krimet e komunizmit, literaturën e saj, integrimin e plotë të përndjekurve dhe të burgosurve politikë, kthimin e pasurisë që ju sekuestrua ish-kulakëve, bërjen e historisë reale të Shqipërisë, largimin nga administrata të gjithë atyre që persekutuan dhe burgosen, përbuzen padrejtësisht vlerat dhe personalitetet kombëtare, vlerësimin e pasurisë kombëtare. Kohët e fundit, ajo është larguar nga fryma e bashkimit dhe vëllazërimit kombëtar midis shqiptarëve. Ajo ka treguar se ka bashkëpunuar me individë vetëm për interesa të ngushta personale dhe jo mbi frymë bashkëpunimi, vëllazërore, të sinqerta dhe të drejta mbi alternativa që japin dinjitet, frymë përparimi dhe lartësimi shoqëror. – “shqiptarja.com”.

SHKARKO APP