Adrola Dushi: Suksesi im më i madh quhet Troi
Intervistoi: Albina Gjergji –
– “Ish Miss Albania”, ish “Miss Universe Albania”, tashmë modele e njohur e pasarelave shqiptare flet për jetën private dhe personale, sukseset dhe ambiciet e së ardhmes… –
Të gjithë e njohin Adrola Dushin, të gjithë e duan dhe të gjithë e vlerësojnë bukurinë e saj si Miss-i me tiparet më të veçanta që spektaklet tona kanë prodhuar. Por ish “Miss Albania” dhe ish “Miss Universe Albania” nuk është e suksesshme vetëm pse është e bukur. Zgjuarsia është një tjetër tipar që bie menjëherë në sy, teksa ndalesh e bisedon me të për tema të ndryshme. Është vetëm 22 vjeç e përveç titujve të bukurisë që numëron mbi komodinë, trofeu më i madh që jeta i ka dhuruar, padiskutim mbetet djali i saj me emrin Troi. “Jam e lumtur me gjithçka që kam arritur deri më sot. Gjithçka që kam arritur janë suksese për mua, por… suksesi im më i madh është të qënurit nënë, mami i Troit”, rrëfen Adrola Dushi për suplementin “Koha Tjetër” në gazetën “Koha Jonë”. Por, si dhe sa ka ndryshuar jeta e saj pas kurorëzimit vite më parë si “Miss Albania”, sa e ka ndihmuar bukuria që t’i happen dyert e jetës, sukseset në pasarelë, mëmësia dhe ambiciet e radhës, ajo na i zbulon në intervistën e mëposhtme.
“Ish Miss Albania”, ish “Miss Universe Albania”, çfarë do të thonë për ju kurorat e Bukurisë dhe titujt Adrola?
Sigurisht janë vlerësime të rëndësishme të bukurisë fizike dhe mua më solli një ndryshim të madh në jetën time profesionale. I vlerësoj shumë dhe këto dy evente që ju përmendni kanë qenë shumë domethënës për startin tim profesional.
Të ka ndihmuar në karrierën tënde titulli i Miss-it?
Patjetër që po. Kurora e “Miss Univers Albania” më ka hapur shume dyer në rrugën që unë kam zgjedhur të bëj, pra në atë të modelingut dhe në aspektin e së bukurës në tërësi.
Pas suksesit si Miss disa vite më parë dhe shkëlqimit në “Miss Universe Albania” si ka vijuar jeta juaj?
Jeta ime ka pasur shumë ndryshime në aspektin personal dhe profesional gjatë këtyre viteve. Faleminderit Zotit gjithmonë për mirë. I jam mirënjohëse Atij lart që më ka udhëzuar siç duhet dhe deri më tani jam e kënaqur.
Evoluimi juaj si person, nga një vajzë e zakonshme në më të bukurën e Shqipërisë?
Në jetën profesionale kam evoluar shumë, ndërsa sa i takon evoluimit personal ka patur ndryshime thelbësore, që ma kanë bërë jetën edhe më të bukur, të magjishme do thoja.
Diferenca mes një personi të zakonshëm dhe të qenurit VIP, si e shihni?
Është thjeshtë profesioni im që më jep këtë status, por unë vazhdoj të bëj jetën time normale si çdo njeri tjetër. Pra, personalisht nuk kam bërë kurrë diferencime mes një njeriu të zakonshëm dhe një të ashtuquajturi VIP, pasi mendoj se përtej titujve që publiku t’i jep njeriu duhet të ruajë formën dhe përmbajtjen e tij.
Tashmë nënë e një djali të quajtur Troi, bashkëshorte e lumtur dhe femër në karrierë. Ndjeheni e realizuar?
Jam e lumtur me gjithçka që kam arritur deri më sot dhe sigurisht që kam shumë punë për të bërë dhe për të arritur atë që dua. Gjithmonë duke parë e duke bërë, por deri tani për moshën që kam ndjehem shumë e realizuar.
Cilin konsideroni suksesin më të madh deri tani?
Gjithçka që kam arritur janë suksese për mua, por suksesi im më i madh është të qënurit nënë.
Pak kohë më parë në media u komentua vajtja juaj në Amerikë dhe starti i një karriere atje me një agjenci modelingu. Keni firmosur kontrata dhe ku konsiston konkretisht puna me agjencitë?
Është e vërtetë që unë bashkëpunoj me një agjenci në Amerikë, por për momentin ndodhem në Shqipëri për arsye personale. Nuk do doja të jepja më shumë detaje, pasi gjithmonë kam preferuar të flas nëpërmjet veprave, kështu që për më tepër t’ia lëmë kohës.
E quajtur “Pokahontas shqiptar”, si ju bën të ndjeheni fakti që publiku ju ka vlerësuar ndër vite?
Natyrisht që më bën të ndjehem shumë mirë e për këtë i falenderoj shumë.
Gjithashtu e lidhur shumë me vendlindjen tuaj Mirditën, mund të themi që nuk lini pas dore çdo event që organizohet atje. Jeni natyrë nostalgjike Adrola dhe për çfarë ju merr malli më së shumti në vendlindjen tuaj?
Mirdita është vendlindja ime, ai është vendi ku unë jam rritur dhe kam shumë nostalgji për çdo moment të fëmijërisë sime atje. Për mua është shumë kënaqësi të marr pjesë në çdo eveniment të vendlindjes sime. Nuk mund të them vetëm një detaj për çfarë më merr më shumë malli, por çdo moment që ka shënjuar jetën time është shumë i rëndësishëm.
Ç’mendim keni për bukurinë shqiptare, krahasuar me atë të huaj, duke qenë se keni marrë pjesë edhe në evente ndërkombëtare?
Mendoj që vajza të bukura ka në çdo vend të botës, por për mua vajzat shqiptare mbeten më të bukurat. Mos më pyesni për sekretin, pasi këtë nuk e di, por vajzat shqiptare përveçse janë bukuri natyrale, kanë tipare mesdhetare e kjo i bën të ëmbla dhe joshëse.
Spektaklet e Miss-ve tek ne mendoni se kanë nevojë për përmirësim, apo ndonjë ndryshim?
Çdo gjë që ne bëjmë ka nevojë për përmirësim dhe risi, kurrë nuk duhet të mjaftohemi me aq sa na serviret, por duhet bërë shumë më shumë për të arritur standarde edhe më të larta në organizimet e eventeve të përmasave të mëdha.
Sapo jeni kthyer nga pushimet në Turqi. Pse jashtë vendit dhe jo brenda pushimet?
Pushimet i nisa Turqi, por tashmë po shijoj në Shqipëri. Kështu që edhe jashtë vendit edhe brenda.
Jeni natyrë ambicioze Adrola dhe cila është ambicia juaj më e madhe?
Jam natyrë ambicioze, pasi kërkoj zhvillime të mëtejshme në çdo aspekt të jetës. Ambicia ime më e madhe është të jem një nga modelet e “Victoria's Secret”.
Mbështetja e bashkëshortit në karrierën tuaj?
Bashkëshorti im është mbështetja më e madhe në jetën time. Nuk do mjaftohem kurrë së falenderuari që është kaq pozitiv dhe inkurajues.
“Victoria’s Secret”, mund të themi që është objektivi juaj i radhës?
“Victoria's Secret” është ëndrra ime.
Marrëdhënia juaj me palestrën?
(Qesh)! Nuk jemi shumë miq të mirë.
Po me kujtimet?
Kujtimet janë pasuri e jetës dhe absolutisht zënë vend të rëndësishëm tek unë.
Na rrëfe një kujtim që lidhet më fëmijërinë tuaj?
Kujtimet e fëmijërisë sime janë të shumta, por unë mund të veçoj lojën e futbollit me vëllezërit dhe kushërinjtë e mi para pallatit, ku unë kisha pozicionin e portierit dhe haja shumë gola. Sigurisht edhe sharje nga ekipi im (qesh).
Ndonjë projekt professional të radhës do të na e rrëfesh?
Kam disa projekte në mendje, por projekti më i afërt është ai i një kopertine reviste në Shqipëri, me të cilin edhe jam angazhuar këto kohë.