Agron Duka: Qeveria teknike s’është ide e hedhur në ajër

Flet kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka

***

Z. Duka, cili ka qenë fokusi i takimit të zhvilluar me kreun e opozitës, Lulzim Basha, dy ditë më parë?

Diskutuam për të ardhmen, për mënyrën e bashkëpunimit. Kemi ristrukturimin e PAA dhe e kisha të nevojshëm një takim me kreun e PD-së. Problemi që kemi ne partitë e vogla është problemi i numërimit të votave në zgjedhje. Sa të aftë jemi të ruajmë votën e atyre që na votojnë. Sigurisht, diskutuam edhe për krijimin e një qeverie teknike.

Ju keni një eksperiencë të gjatë në Parlament dhe keni qenë pjesë e ngjarjeve të shumta politike. Aktualisht, e shikoni të nevojshëm krijimin e një qeverie? Pse kjo maxhorancë nuk duhet të mbyllë mandatin e saj 4- vjeçar, sipas jush?

Do t’ju rendisja shumë faktorë që, në gjykimin tim, e bëjnë jo vetëm të nevojshëm, por edhe të domosdoshëm krijimi e një qeverie teknike. Fillimisht janë faktorët ekonomikë. Angazhimi im politik ka bërë që të jem në pjesën më të madhe të fshatrave të Shqipërisë dhe dua t’ju them se ka një pakënaqësi në rritje ndaj qeverisë por, sidomos, ndaj vështirësive me të cilat po përballen. Problemet e fshatit janë duke filluar që nga kostoja e produkteve bujqësore, problemet e ujitjes, infrastruktura rurale.

Me përjashtim të disa fshatrave nga Veriu, pjesa tjetër dhe, sidomos, në fshatrat e Vlorës gjendja është shumë e rëndë. Në një gjykim të ftohtë, kërkesa e opozitës për krijimin e një qeverie teknike nuk është një ide e hedhur në ajër. Opozita nuk po kërkon të marrë pushtetin e kësaj maxhorance, po kërkon krijimin e një qeverie ekspertësh, e cila në gjykimin tonë si opozitarë do të zgjidhë dy probleme primare.

Çështja e parë është gjendja ekonomike e rënduar, me të cilën vendi po përballet, ndërkohë që çështja e dytë dhe shumë e rëndësishme është realizimi i Reformës Zgjedhore dhe krijimi i një ligji të ri, që të garantojë votat e çdo force politike. Kodi aktual e bën të pamundur ruajtjen e votës. Partitë e vogla nuk kanë numërues.

Duket se z. Basha ka një mbështetje të pakursyer nga aleatët e tij në opozitë, ndërkohë që zëra brenda forcës së tij politike nuk e kanë parë të realizueshëm opsionin për një qeveri teknike, i referohem këtu z. Ruli dhe znj. Bregu…

Të them të drejtën nuk i kam ndjekur deklaratat e kolegëve të mi. Duhet parë konteksti në të cilin kanë folur, por edhe ata vetë nuk besoj se kanë diçka kundër krijimit të një qeverie teknike.

Z. Ruli ka thënë se qeveritë teknike ngrihen në kohë krize. Shihni ju krizë?

Unë them që ka krizë, ju fola më sipër për gjendjen ekonomike që kam hasur dhe kam parë në të gjithë vendin. Dhe, mbi të gjitha, fola për parime demokratike, siç është garantimi i votës. Pyetja që ne si opozitarë i bëjmë vetes, kur ka mbetur edhe 1 vit kohë nga zgjedhjet, është: A sigurohet një proces i rregullt zgjedhor me këtë qeveri dhe me këtë Kod Zgjedhor? Me këtë qeveri, ku bëhen zgjedhjet në 2013-n dhe Vangjush Dako merr sërish 13 mijë vota më shumë, kjo është çmenduri.

Për mua si kryetar i një partie ka interes rregullimi i Kodit Zgjedhor, ose të kem numëruesit e mi përgjatë numërimit, ose të realizohet numërimi elektronik. Ne kërkojmë që të ndryshojë Kodi Zgjedhor. A do të ketë arbitër në procesin zgjedhor? Apo arbitër do të jetë Edi Rama, dhe unë të “luaj futboll” kot. Gjendemi përballë një qeverie që i ka dhënë provat se i minon proceset zgjedhore. Unë e respektoj edhe mendimin e kolegëve të mi opozitarë. Ata e shohin këtë çështje në një këndvështrim tjetër, unë e shoh në një këndvështrim tjetër.

Unë jam duke thënë që nuk ka asnjë risk vendi nëse do të qeverisej në këto muaj deri në zgjedhje me një qeveri ekspertësh. Është krijuar një precedent i ndyrë që, sa herë ke pushtetin mund të minosh procesin zgjedhor. Nuk i them këto se jam anti- Rama apo pro-Basha, por këto janë fakte kokëforta. Po e shoh në terren, në takimet që po bëj me zgjedhësit. Njerëzit që takoj më kanë deklaruar se janë të bindur se i duhet një zë Parlamentit shqiptar që të mbrojë interesat e zonave rurale, por janë të pasigurt ta japin këtë votë, për aq kohë sa vota e tyre nuk është e garantuar dhe mund të vidhet.

Ndërkohë, maxhoranca pas tri vitesh në qeverisje thotë se sërish nuk ka kohë për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Kjo është e turpshme. Sepse nevoja për këto ndryshime nuk lindi tani, por ka qenë një histori e ditur. Maxhoranca trumbeton se miratoi një reformë për të kapur hajdutët, ndërkohë që vetë vetëm kërkon të vjedhë. Votë të lirë me këtë qeveri, ne jemi të bindur që nuk ka.

Po në lidhje me protestat keni diskutuar me kreun e PD?

A mund të jetë kjo një nga format për t’i imponuar maxhorancës një qeveri teknike? Patjetër që kemi diskutuar. Edhe mua më shqetëson dhe kam pasur dilemën se si mund të arrijmë si opozitë deri në një qeveri teknike. Për këtë e kam pyetur Bashën se pavarësisht se ne si opozitë nuk i kemi votat, mund ta detyrojmë këtë maxhorancë që të pranojë opsionin e një qeverie ekspertësh? Dhe, në fakt, kjo që po flasim nuk është vetëm një rast shqiptar. Ka iniciativa botërore që në situata të caktuara, thirren mendje të arsyeshme për t’i dhënë fund vjedhjes së votave.

Që nga viti 2001, kur unë jam bërë pjesë e politikës, nuk kam parë asnjë sistem zgjedhor ku të mos vidhen vota dhe të tjetërsohet vullneti i zgjedhësve. Nëse kjo qeveri më garanton votën dhe realizon reformën zgjedhore, ku të mund të kemi një proces të rregullt, nuk e dua qeverinë teknike. Më jep garanci për mostjetërsim të votës dhe jam gati të pranoj të shkoj në zgjedhje me këdo qeveri. Por po flasim për reformë të vërtetë, jo për retorikë dhe garanci nga krerët e partive.

Nuk kemi më besim. I kanë dhënë provat se nuk mund t’i ruajnë votat, madje i vjedhin ato. Sigurisht që në parim opsionin e protestave e ka jo vetëm Basha, por edhe të gjithë ne si parti opozitare. Për aq kohë sa arritëm të miratojmë ligjin e dekriminalizimit, miratuam edhe Reformën në Drejtësi, nëse në zgjedhje rikthehen sërish kriminelët dhe të fortët brenda e jashtë burgut dhe lëvizin ditën e votimit, atëherë është e kotë që i miratuam ato ligje.

Ju keni qenë një nga zërat që keni folur pro miratimit të reformës. Si ju është dukur i gjithë procesi?

Për mua i rëndësishëm është procesi dhe rezultati final që u arrit në Parlament me miratimin me 140 vota të ndryshimeve kushtetuese. Gjykoj se askujt nuk i sjell të mirë marrja e meritave për mënyrën e negocimit dhe kontributeve që dha përgjatë procesit. Për mua rezultati final është një arritje për të gjithë Parlamentin, por mbi të gjitha për shqiptarët. Nuk u hyj gjykimeve që e ngrenë diskutimin e suksesit të reformës mbi deklaratat e Metës, Ramës apo të Bashës. Por dua të përsëris edhe një herë se nëse zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk do të arrihet të bëhen sipas standardeve të kërkuara, atëherë edhe Reforma në Drejtësi, edhe dekriminalizimi janë nul. Nuk ka gjë më të rëndësishme në demokraci sesa vota. Për mua personalisht është më i keq ai që i vjedh votën dhe pushtetin dikujt me pa të drejtë, sesa një që ka vjedhur bankën, meqenëse janë bërë të shpeshta këto vjedhjet e bankave së fundmi.

Ju vetë keni pasur komunikime me ambasadën e SHBA përpara votimit?

Është folur për SMS të ardhura drejt jush që kërkonin miratimin e reformës. Kam pasur komunikime dhe unë e kam deklaruar këtë fakt. Kam pasur komunikime me persona të ambasadës së SHBA, të cilët më kanë inkurajuar të votoj Reformën në Drejtësi. Në dijeninë time nuk kam qenë i vetmi që kam pasur takime të tilla. Kryesisht ka pasur takime dhe komunikime me krerët e partive politike aleatë të PD. Sigurisht na është deklaruar se është mirë që reforma të kalojë, diçka të cilën edhe ne vetë e mbështesnim dhe ishim koshientë për rëndësinë që kishte.

Ky mesazh ishte përcaktues për votën tuaj? Pavarësisht negociatave që po bënte PD?

Natyrisht që kishte ndikim. Megjithatë, unë kam qenë gjatë gjithë kohës në komunikim të vazhdueshëm me negociatat që bëheshin nga lidershipi i PD, nga Basha, me ndërkombëtarët. Madje, edhe në takimin që kam pasur me përfaqësues të Ambasadës së SHBA u kam deklaruar se nuk është determinante vota e një individi të vetëm, pasi me interes është që të kalojë reforma me konsensus. Unë kisha shumë besim që kjo reformë do të kalonte në këtë mënyrë. – “Panorama”.

 

SHKARKO APP