Ajola Xoxa: Erioni vazhdon të jetë personi më punëtor që njoh

Çfarë do të thotë për ju të jeni bashkëshortja e qytetarit të parë të Tiranës?

Unë jam bashkëshortja e një njeriu. Raporti ynë ka të bëjë ekskluzivisht me individin, jo me pozicionin e tij. Si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, Erioni ka përgjegjësi të mëdha dhe një punë sa të bukur, aq edhe të vështirë. Unë besoj shumë tek ai dhe siç e kam thënë gjithmonë, jam një mbështetëse e madhe e punës së tij. Kjo, pavarësisht nga raporti ynë. Nuk është hera e parë që e them, por Erioni vazhdon të jetë personi më punëtor që njoh.

Si ju duket puna që ai po bën me kryeqytetin?

Erioni po punon me një passion jashtëzakonisht të madh. Ai mendon se nuk ka asnjë punë në botë më të bukur se kjo. Ai dhe i gjithë stafi i bashkisë së Tiranës po japin maksimumin e tyre për të bërë më të mirën në një qytet që ka problematika komplekse. Në vetëm një vit kanë bërë shumë dhe do të vazhdojnë të punojnë me të njëjtën energji dhe përkushtim, gjithmonë.

Ju ndodh të diskutoni për mënyrën se si duhen bërë gjërat në qytet dhe a ju pëlqen të jepni edhe ju mendime?

Unë jap mendimin tim si dikush që ka kaluar thuajse të gjithë jetën këtu dhe që e do vërtet qytetin, vetëm kaq. Erioni punon me një staf fantastik, shumë profesional dhe të etur për të bërë më të mirën për qytetin: të gjithë punojnë duke e ditur se ky është qyteti ku me gjasa do të kalojnë gjithë jetën e tyre, do të rrisin fëmijët, do të plaken. Është mendimi së pari I qytetarëve të Tiranës e më pas i stafit të bashkisë ai që shërben si bazë për çdo veprim.

Ju jeni me origjinë nga Gjirokastra. Ndiheni më shumë gjirokastrite apo “tironse”?

Unë nuk kam lidhje me Gjirokastrën. Babai im është me origjinë nga Korça, ndërsa mamaja nga Dibra e Madhe. Të dy ata kanë lindur në Tiranë, ndërsa katër gjyshërit e mi e kanë kaluar rininë (studimet e larta) jashtë Shqipërisë e më pas kanë jetuar edhe ata në Tiranë. Unë vetë, jam lindur e rritur në Tiranë, ky qytet është shtëpia ime. Janë të shumtë ata që mendojnë se jam nga Gjirokastra, mbase sepse e dua shumë atë qytet dhe e përmend shumë; mbase sepse martesa jonë u bë në Gjirokastër, por kjo nuk ka të bëjë me origjinën e asnjërit, por me dashurinë e madhe për trashëgiminë kulturore shqiptare. Gjithmonë kam dashur të martohem në një kala të bukur shqiptare dhe kalaja e Gjirokastrës është kalaja më e bukur e të gjithë Ballkanit.

Besoj se e mbani pak mend Tiranën e 25 viteve më parë dhe se si ajo ka ndryshuar… keni nostalgji për ato anë të mira që kishte dikur? Domethënë, më pak njerëz, më shumë hapësira, më shumë ajër i pastër, më shumë biçikleta dhe fare pak makina etj.?

Kam qenë vetëm 6 vjeçe kur u ndërrua sistemi politik në Shqipëri, e si pasojë, shumë të pakta i kam kujtimet e asaj kohe. Më pëlqejnë qytetet e mëdha, me shumë njerëz, energji, lëvizje. Do të doja sigurisht që të gjithë bashkë ta donim qytetin siç duam shtëpinë, të mos e dëmtonim e të mos e bënim pis atë; të ecnim më tepër në këmbë apo në biçikleta.

Kur ju duhet të prezantoni Tiranën te miq të huaj, të cilët mund të mos kenë qenë kurrë këtu, si ua bëni atyre joshes këtë qytet?

Miqtë e huaj i tërheq jashtëzakonisht ky qytet, çka e vë re secili prej nesh, madje, shpesh, përmes vështrimit të tyre rivlerësojmë edhe ne vendin tonë. Unë dua gjithnjë t’u shpjegoj fillimisht kontekstin historik dhe politik të zhvillimit të qytetit. Çdo periudhë historike ka lënë një gjurmë të dallueshme në kryeqytet; ngjyrosja e pallateve ka pasur një arsye jo vetëm estetike, ndërkohë që Tirana nuk është veçse qendra e saj, ajo ka disa kala përbrenda që duhen vizituar, ka muze e galeri, ka fshatra karakteristikë e mikpritës, dëshmi arkitekturore të periudhave të ndryshme historike, të asaj osmane, komuniste, moderne të artistëve të mëdhenj bashkëkohorë. Është një pikturë e historisë së vendit tonë, me të mirat dhe të këqijat e tij. E pastaj ka njerëzit, të dashur, mikpritës, me derën gjithmonë të hapur për vizitorët e huaj.

Kur miq apo të njohur vijnë për here të parë këtu, me çfarë përshtypjesh largohen? Kryesisht pozitive apo negative?

Vetëm pozitive. Siç e thashë edhe më sipër, kur rivizitojmë qytetin me miq të huaj, e rizbulojmë edhe ne atë. Ne duam që qyteti të bëhet gjithnjë e më I bukur, gjithnjë e më i jetueshëm; duam më shumë parqe, më shumë aktivitete; por, ndërkohë, nuk duhet të harrojmë të vlerësojmë atë që kemi, ta duam, të kujdesemi për të.

Një nga vendet më të bukura përreth Tiranës është Petrela. Cilat janë ndjesitë që ju ngjall ky vend?

Petrelën e dua shumë, e vizitoj shpesh. Më sjell ndjesinë e një Tirane më të vjetër, më pak metropol, të një Shqipërie krenare, që vëzhgon nga lart kodrës, por edhe të ëmbël, me rrugët e gurta dhe fëmijët që luajnë me top në sheshin e vogël.

Po ashtu, Peza është një tjetër vend karakteristik, madje, me sa mbaj mend, dasmën e familjeve e keni bërë pikërisht atje…

Zgjodhëm Pezën, sepse, sikurse Gjirokastra, është një vend përfaqësues i historisë së Shqipërisë. Ne jemi të dy shqiptarë dhe donim një dasmë që të kishte shijen më të mirë shqiptare. Për më tepër, Peza ka edhe një natyrë të bukur, dhe unë jam shumë e lidhur me natyrën.

Tirana nuk është vetëm qyteti me të kaluar dhe vende arkeologjike, si Petrela apo Ura e Tabakëve, por dhe një metropol, me anët e veta moderne. “Reja e Fujimotos” është një nga ngjarjet më të përfolura së fundmi në kryeqytet. Cila është ndjesia juaj për këtë vepër?

Reja e Sou Fujimoto-s është flladi I freskët i verës së nxehtë të Tiranës. Ajo është një vepër e vlerësuar kudo dhe që më parë, për shumë kohë, ka qëndruar në Serpentine të Londrës. Është një vepër e arkitekturës bashkëkohore e si pasojë e ndryshme, kërkon të hulumtohet për t’u kuptuar, por mendoj se shijohet shumë thjesht; çdokush ka një ndjesi freskie dhe optimizmi kur e viziton, sidomos ata që janë të hapur ndaj një koncepti jo vetëm tradicional të së bukurës.

Është Tirana një qytet që e doni, me gjithë të metat dhe dinamikën e saj të çmendur?

E dua, patjetër, unë kam zgjedhur të jetoj këtu, nuk kam qenë e detyruar.

Po ta kishit në dorë, çfarë do të kishit dashur të ndryshonit në Tiranë?

Qytetet janë si njerëzit; duan dashuri, durim dhe shumë punë për t’u rritur mbarë. Do të doja që të gjithë t’i jepnim më shumë dashuri dhe çdo ditë ta trajtonim qytetin si të ishte kopshti i shtëpisë sonë.

Burimi: Revista Living

SHKARKO APP