Al Bano Karrisi: Do përfaqësoj edhe Shqipërinë në koncertet që jap nëpër botë

Intervistë ekskluzive me këngëtarin Al Bano Karrisi:  “Do përfaqësoj edhe Shqipërinë në koncertet që jap nëpër botë”

Nga Zenepe Luka

Më 17 shtator, pas 55 orë qëndrimi në Shqipëri Al Bano Karrisi la aeroportin “Nënë Tereza”, për të udhëtuar drejt Napolit, bashkë me bandën e tij muzikore, pasi në mbrëmje kishte koncertin e radhës. I ftuar nga shoqata Kulturore “Al Bano Karrisi” këngëtari vinte për të pestën herë, duke shfaqur koncertin e katërt të tij përpara publikut shqiptar. I mbushur me emocione, teksa pimë kafe në aeroport, ndërsa duhen edhe 120 minuta për të fluturuar, këngëtari shpreh atë çka ka përjetuar dhe se cilat do të jenë në të ardhmen marrëdhëniet me Shqipërinë, që Ai e cilëson Atdhe të dytë. Kjo bisedë e me këngëtarin e njohur, bërë vetëm pak orë pas përfundimit të koncertit botohet sot edhe pasqyruar të vërtetën e gjërave që u thanë mbi suksesin apo mossuksesin e koncertit të tij. Por më shumë se çdo koment tjetër, le të lexojmë se çfarë thotë vetë artisti i madh për pritjen në Shqipëri.

Po e nisim bisedën me pyetjen çfarë ndjen Al Bano Karrisi, teksa po largohet nga Shqipëria?

Më shikoni që jam me sy të përlotur dhe kjo përkthehet në emocion. Këtë ardhje do ta vlerësoja me atë barrë emocionesh, që më përjetova në koncertin e parë, që dhashë më 17 shtator të vitit 1989. Kishte shumë gjëra të bukura, të veçanta, që vërtetë më ngazëllyen.

 Ishte hera e gjashtë që vini në Shqipëri, përse provuat emocionet e koncertit të parë?

Kam shumë arsye. E para, këtë herë, vija ndryshe nga të tjerat, pasi mora pasaportën shqiptare. Pra vija edhe si shqiptar. Këtë herë mora edhe çelësin e Tiranës dhe në Pallatin e Kongreseve ku dhashë koncertin e parë , fiks në të njëjtën datë 27 vjet më parë, e çela koncertin duke folur shqip. Shumë e rëndësishme është, që Shoqata që ka emrin tim dhe e drejtoni Ju, e organizoi koncertin me rastin e Shenjtërimit të Nënë Terezës. A nuk janë këto arsye për të marrë kaq shumë emocione, teksa po lë Aeroportin me emrin e Shenjtores shqiptare.

Gjatë gjithë intervistave e bisedave që kemi bërë bashkë, që nga intervista e parë e majit e vitit 1993 në shtëpinë tuaj në Celino, vë re që ngriheni nga vendi dhe përkuleni kur flisni për Nënë Terezën, sikur të jetë përballë Jush. Çfarë ndjeni?

Mirënjohje e nderim të thellë për atë grua të shenjtë, trup vogël, që nga zemra i rrezatoi dashuri për të varfrit në botë. Këtë e konstaton kushdo, por Ju e dini, unë kam kujtime të bukura në takimet me të. Ajo më ka bekuar vajzën Kristel dhe ky ishte fati madh për ne. E kam ndjekur aktivitetin e saj, u lumturova, që Papa e Shenjtëroi nobelisten shqiptare. Jam i nderuar, që Presidenti shqiptar më ka dhënë medaljen “Nënë Tereza” në vitin 2009, që e konsideroj një ngjarje të veçantë në jetën time. Ja, pas dy javësh që Papa Shenjtëroi Nënë Terezën, unë erdha në Tiranë, për të kënduar me këtë rast, dhe koncertin e çela në gjuhën shqipe. Ndjehem vërtetë i lumtur, e kam më shumë se idhull Nënë Terezën.

Ç’do të thotë për Al Bano Karrisin të ketë edhe pasaportë shqiptare?

Është e qartë, që jam edhe shqiptar, që Shqipëria është edhe Atdheu im, që pas emrit që më vuri im atë Karmelo, kjo falë dashurisë që kishte për shqiptarët, tani kam të drejtë të ndjehem 24 karat shqiptar. Jo kushdo e ka këtë fat. Ja, që më takoi mua dhe unë ndjehem krenar për këtë. Kjo është një pasuri edhe për fëmijët e mijë. Ndoshta edhe Albano Junio, kur të rritet, do të kërkojë të marrë nënshtetësinë shqiptare. Im atë, Karmelo, po të ishte gjallë do të lumturohej tepër, kur ta mësonte këtë fakt.

Kryebashkiaku Erjon Veliaj, ju dorëzoi çelësin e Tiranës, çfarë do të thotë për Ju?

Do të thotë, që unë Al Bano Karrisi kam çelësin e kryeqytetit shqiptar dhe nëse unë nuk dëshiroj të hap derën, ti nuk mund të hysh në Tiranë. Përtej shakasë, e vlerësoj si një nder të madh, që më bëri kryetari i bashkisë z. Erjon Veliaj, që sikurse më thatë ishte fare i ri, 35 vjeç dhe drejton bashkinë e kryeqytetit. Jam i sigurt, që energjitë e tij, do ta bëjnë edhe më europiane, Tiranën tonë. Tani unë e kam derën të hapur, do të vij si shqiptar sa herë të më marrë malli, për të parë ndryshimet. Duhet të më besoni, se ky vend, është po aq i dashur sa vendi ku kam lerë. Madje, kam menduar të bëj një kërkesë, nuk e di se si funksionon.

Kërkesë, për çfarë?

Do të dëshiroja të pajisesha me pasaportë diplomatike shqiptare për të vetmen arsye, që të përfaqësoj edhe Shqipërinë në koncertet që jap nëpër botë. Të jeni të sigurt se në çelje të çdo koncerti, do të shprehem. Unë italiani Al Bano Karrisi, por jam edhe shqiptar. Nuk e di nëse është e mundur? Do t’ia bëjmë kërkesë Ministrisë së Jashtme, që e ka në kompetencë. Do të ishte nder për Shqipërinë.

 Si do ta vlerësonit koncertin që dhatë në Pallatin e Kongreseve?

Pashë një entuziazëm të madh gjatë koncertit, pjesa më e madhe e pjesëmarrësve e ndoqën koncertin në këmbë, duke duartrokitur. Ju e patë dhe të gjithë e panë, që në përfundim të koncertit, putha tre herë skenën, që do të thotë tokën shqiptare. Kur shkova me atyre në sallë, nuk më lëshonin, më preknin, përqafonin, bënin foto, këndonin bashkë me mua.  Nuk e di, po këtu në Shqipëri, ndjehem ndryshe, ka një dashuri e fortë, që e themeloi im atë, kur ka qenë ushtar në Sarandë. E kuptoj, nuk është fjala thjeshtë për dashurinë që kanë për këngën time, por edhe për vetë Al Banon. Është e veçantë marrëdhënia ime me shqiptarët, që ka ardhur gjithnjë e duke u forcuar, E kam thënë edhe herë tjetër:Shqipëria për mua, është si vaksina, që merret me vete kudo që shkon, pse është emir. Tani është edhe pasaporta, Çelësi i Tiranës .

Ndërsa Ju shpreheni i kënaqur dhe keni përjetuar emocione të mëdha, cila do të ishte përgjigjja juaj ndaj dy tre zërave, që e cilësuan dështim?

Nuk i kam dëgjuar këta zëra dhe as nuk më interesojnë, kuptoj se kanë qenë keqdashës, dhe nuk e kuptoj pse e kanë bërë këtë. Në bashkëbisedimet me gazetarët, shpreha atë që ndjeva. Nuk mund të flas ndryshe. Çdo njeri është i lirë të flasë, por për një media është e pafalshme, të thotë atë që nuk ka ndodhur. Shqiptarët e panë koncertin dhe kjo mjafton të nxjerrin përfundimin.  Unë, mezi pres DVD me koncertin e regjistruar nga Telivizioni Publik dhe sikurse ju kam kërkuar edhe më parë, dëshiroj që ky televizion të më japë regjistrimin e Koncertit të Parë të vitit 1989, do të ishte fantastike, nëse do të kisha edhe intervistat që dha im atë Karmelo, gjatë vizitës në Sarandë në vitin 1985. Do të ishte një thesar për mua.

Çfarë emocione të tjera përjetuat gjatë qëndrimit në Shqipëri?

Vizitova edhe Durrësin, plazhin. U emocionova kur m’u vërsulën dhjetëra qytetarë, që bënin plazh dhe ashtu si ishin me kostum banjo, bëmë foto pafund. Gjë e bukur, e veçantë, unë me kostum, me shall e kapele, ata me rroba banjo. Fantastike ishte dreka , që shtroi pronari i Aragostës, ku shijova peshk të freskët. E veçantë ishte edhe dreka tek “Shaba”, pronari i një lokali në periferi të Tiranës, ku shijuam gatimet e traditës së zonës, për ta mbyllur me shijen e veçantë të gatimeve meksikane, tek një restorant në Tiranë me emrin e bukur “Meksikani”, në darkën e përcjelljes, që shtroi një zonjë me emrin Shpresa. Pra, gjithçka ishte menduar dhe u bë bukur, na la mbresa.

E kam thënë atë që ndjej, se kënaqësia ime është të jem mes njerëzve të thjeshtë, të njoh sa më shumë njerëz, pse ata më japin dashuri të sinqertë, më mbushin me emocione. Ndryshe ndjehem në takime zyrtare mes politikanëve. Kurrë nuk kam dashur të merrem me politikë. Artisti u përket njerëzve të thjeshtë, qytetarëve të botës, që kanë një gjuhë të përbashkët. Këngën, emocionin.

Cilat janë koncertet e ardhshme?

I vij rrotull botës dhe shumë pak ditë në vit, qëndroj në Celino. Shpresoj të realizohet dëshira ime që të jap koncert në Hon Kong, por tashmë, si shqiptar. Besoj se do ta vini ju në vijë, si shoqatë.

Në Hon Kong, ne si shoqatë?

Po, a biseduam në hotel “Sheraton”, kur ju takuat Ambasadoren e Kinës në Shqipëri. Mos e lër në heshtje, viju, se ti kur i vihesh, ia del, sidoqë me shumë mundime. Kam dhënë koncert në Pekin, Shangai. Nuk e prisja një pjesëmarrje kaq të madhe të artdashësve kinezë dhe thirrjet e tyre, ju përngjajnë cicërimave të zogjve, është vetë gjuha. Sinqerisht do të dëshiroja të jepja koncert në Hon- Kong, të shkoj si këngëtar me pasaportë shqiptare. Do të ishte vërtetë interesante.

Kur do të riktheheni në Shqipëri?

E lamë të takohemi në Vlorë në muajin nëntor. Shpresoj të zgjatemi deri në Sarandë, ai qytet më kujton tim atë ushtar atje, vizitën e parë, që kemi bërë me tim atë Karmelo dhe nënën Iolanda në vitin 1985. Vërtetë e paharruar ajo vizitë, u plotësua dëshira e tim eti dhe për këtë gjithë kohën i kam shprehur mirënjohjen ambasadorit shqiptar në Romë, Bashkim Dino. Shpresoj të qëndrojmë për të pushuar në Llogara, që mua më pëlqen shumë. Jam magjepsur kur ishim në vitin 2008.

Mirë u takofshim në Vlorë.

Ju Faleminderit dhe rrugë të mbarë, Al Bano!

SHKARKO APP