Albana Vokshi: 8 dhjetorin e kemi zgjedhur si ditë për të rrëzuar diktaturën
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi shprehet se ish themeluesi i kësaj force politike, Eduard Selami duhet dëgjuar në kritikat e tij, pavarësisht se mund të mos i pëlqejë dikujt.
Në një intervistë në emisionin “Shih programin”, të Enkel Demit në TVSH ajo shpreh se opozita po bën maksimumin ndërsa qytetarëve u mungon reagimi.
8 Dhjetori, e marta e ardhshme, për ju opozitën, është ditë për të rrëzuar qeverinë. Ku është lidhja me këtë datë historike?
25 vjet më parë u rrëzua diktatura
Edhe? Ku është lidhja?
Unë jam e bindur edhe nga çfarë ju parashtrova më sipër se ne po jetojmë në një kohë, në të cilën ka shenja të rikthimit të diktaturës në Shqipëri. Është dita simbolike e rrëzimit të diktaturës. Kjo nuk është dita e PD-së, është ditë e të gjithë qytetarëve, e reagimit të tyre. Kjo mungon sot në shoqërinë tonë, reagimi. Ne e kemi zgjedhur si ditë të fillojmë luftën për të rrëzuar këtë diktaturë të re që po tentohet të instalohet.
Me këto ritme a ka gjasa që analiza të shkojë deri në vigjilje të zgjedhje të ardhshme?
Po shkon pak me gjatë, por kjo qeveri është qeveria e skandaleve dhe grupi parlamentar duhet të jetë i përqendruar për të bërë opozitë reale, pasi duhet bërë dhe opozitarizëm në qendër, por edhe në bazë.
Në 8 dhjetor do të bëni një protestë për largimin e qeverisë. Udhëheqja e sotme çfarë lidhje ka me dhjetoristët?
Mendoj se vokacioni, qëllimi, objektivat janë të ngjashme me ato të para 25 viteve, por kushtet nuk janë të njëjta
Opozita e asaj kohe ka qenë shumë frymëzuese. Opozita e sotme sa është e tillë?
Çfarë po më thua nëse është frymëzues opozitarizmi që bëj edhe unë vetë? Mund të them që po bëjmë makismunim. Mund të bënim edhe pak më shumë në kushtet kur ka shumë qytetarë që kërkojnë që ne të reagojmë më fort. Qytetarët ashtu si 25 vjet më parë kërkojnë që të dalim në rrugë, në protesta. Mund të ishte bërë më shumë për ligjin për Arsimin e Lartë, nuk bëmë aq sa duhet në mbështetje të studentëve. Ne ishim kundër projekt-ligjit. Kemi bërë seanca maratonë dhe dëgjesa duke ndryshuar madje disa prej neneve të atij ligji. Por si opozitar mund të kishim bërë akoma më shumë lidhur me protestat e studentëve. Por, shpesh këto protesta janë dhe delikate, sepse ato nuk duan përfshirje të forcave politike.
Cili është komenti juaj për deklaratat e Eduard Selamit?
Mirë është që unë mos të komentoj për komentet e kolegëve.
Po për komentet e kryetarit Basha në lidhje me komentet e Eduard Selamit?
E thashë që mirë është të mos komentoj unë, por diçka duhet ta them. Edhe nëse nuk na pëlqen, Eduard Selami në ato çka thotë, ai është një njeri, i cili është themelues i Partisë Demokratike, e ka drejtuar atë, ndaj duhet dëgjuar, madje me shumë vëmendje.
Keni koment për garën e FRPD-së?
Është një formë e re gare. Nuk do isha për një proces kaq të gjatë, por i kam qëndruar larg kësaj gare, sepse dhe impenjimet nuk ma kanë lejuar. Di që nuk mund të votojnë sipas statutit të PD-së njerëz që të paktën nuk kanë dy muaj më parë anëtarësim.
E dini se pas Rinisë i vjen radha Forumit të Gruas?
Ne jemi një Forum që veprojmë në bazë të programit dhe statutit tonë, ndaj dhe gara jonë do të organizohet në bazë të këtyre rregullave.