Albina Deda: Mazhoranca nuk e do dekriminalizimin
Deputetja e Partisë Demokratike Albina Deda: Familjet e varfra nuk kanë asnjë mundësi për të siguruar bukën e gojës. Është ora e protestave.
Albina Deda: Mazhoranca nuk e do dekriminalizimin
Ka lënë pas profesionin e saj si mjeke por tashmë si deputete e si anëtare në komisionin parlamentar, deputetja e qarkut të Lezhës, Albina Deda do të kontribuojë më shumë te sektori i shëndetësisë. Në intervistën për "Koha Jonë", znj.Deda bën një analizë të probleme që ka sot sektori i shëndetësisë. Deputetja e PD-së flet edhe për reformën e dekriminalizimit dhe aksionin opozitar.
Intervistoi:Redjon Shtylla
Znj.Deda gjatë seancës plenare denoncuat rastin e Kristi, djaloshi 10-vjeçar që po lufton me jetën por që si kundërpërgjigje morët një ofendim nga Ministri i Shëndetësisë?
Ne deputetët e Komisionit të shëndetësisë, por dhe unë si nënë dhe mjeke, kemi disa ditë që po merremi me rastin e Kristit, që është një rast i rëndë, i veçantë, pra i rrallë. Ministria e Shëndetësisë e ka neglizhuar, e i vetmi që nuk është angazhuar apo të jetë prononcuar për këtë rast është Ministri Beqaj. Për jetën parlamentare etika është e rëndësishme, e janë të shpeshta rastet kur ka fyerje nga kryeministri dhe tani u bë " trim " dhe Beqja, kuptohet nga depresioni dhe skandalet që ne i vumë në dukje në seancë me argumente dhe apeli për të ndihmuar Kristin. Në vend që ta bënte më të ndjeshëm, ministri lëshoj fyerjet që ju dëgjuat drejt meje dhe opozitës. Ishte një ditë e trishtë jo vetëm për parlamentin ku në vendin e ministrave janë ulur njerëz të papërgjegjshëm, të inkriminuar, korruptuar, por për të gjithë sistemin e shëndetësisë me këtë ministër. Abuzues i faktuar që në 2009 me tenderët publike, dhe sot ministri intech +, i tenderëve të drejtpërdrejtë të ilaçeve, miliona lekë për xhepat e tij, ministri i koncesioneve klienteliste me urdhër porosi nga Rama. Por, është dhe një ditë e errët dhe për prindërit që nuk kanë shpresë për fëmijët e tyre në këtë vend. Opozita është fyer çdo ditë nga këta mostra, bijë të etërve por sot ai më fyen mua drejtpërdrejt kur po mbroja kauzën e Kristit. Unë ndër të tjera i thashë: Fyerjet tuaja janë në vazhdën e fyerjeve të kryeministrit tuaj që quan opozitën dele, sot ju përdorët fjalën "kafshë". Por nuk mund të më fyeni mua ministër intech i hajdutërisë, unë përfaqësoj këtu një zonë të nderuar, Mirditën. Përfaqësoj një origjinë dhe familje të nderuar. U mbledh kryesia dhe përfundimisht nuk prisja dënim nga këta lloj përfaqësuesish të lidhur të gjithë me afera e hajdutëri. Mendoj "se fitoi" morali ndaj të pamoralshmes. Kërkoi falje i detyruar, falja kur vjen nga një i papërgjegjshëm nuk ka shumë vlerë, kur vjen nga njerëz të mbuluar nga skandalet. Në atë kuvend kam ardhur mes vështirësive, me mbështetjen e qytetarëve që përfaqësoj një zonë të nderuar, atë të Mirditës, me peshë për kombin Shqiptar dhe me një karakter të fortë për sa i përket "kodit të etikës, familjes dhe mënyrës dhe përgjegjësisë së përfaqësimit përmes punës, korrektësisë. Më e rëndësishmja në Mirditë, pesha e fjalës ka rëndësi dhe maturia, shpresoj që rasti të bëhet një shembull, dhe parlamentaret, kolegët të përdorin gjuhën e argumentit dhe të arsyes. Rama i ka sjellë vetë të inkriminuarit, të korruptuarit, e që i përdor vetë kundër opozitës, siç përdor dhe 200 kalecat që mban Rama rrotull. Në radhët e parlamentit ka personalitete të nderuara që sjellje të tilla nuk i tolerojnë dhe shpresojmë që të mos të ndodhin më pasi shqiptarët çdo të enjte shohin të tilla skena, dhe asgjë për përmirësimin e jetës së tyre.
Gjatë 20 vjeçarit tuaj si mjeke, drejtoreshë e si pjesë e brendshme e sistemit të shëndetësisë, si do ta vlerësonit reformën e qeverisë për shëndetësi falas, kur vetë Ministri Beqaj ka deklaruar se gjatë fundjavës personat me probleme me zemrën mund të mos e marrin shërbimin e nevojshëm?
Ky ministër nuk di gjë tjetër veç të " recitoj", kemi futur barna të mira e të lira" spitalet nuk kanë mungesa, kur realiteti është ndryshe. Por duke qenë i papërgjegjshëm dhe nën presion të skandaleve, harroi në " opinion vjershën e përditshme". Mesazhi qe i qartë, që qytetarët mund të vdesin dhe gjatë javës me shëndetësinë e profesionistit Beqaj. Ne jemi aty përballë tij që në ditën e parë, si deputete, profesioniste, si menaxhere ku më parë unë kam qenë drejtuese e reformës së shëndetësisë në qarkun e Lezhës. Do të përmbledh qartë dhe për publikun e lexuesit disa nga ndërhyrjet e dëmshme në sistemin shëndetësor. Që në shkurt 2014 hoqi tvsh e barnave, ku u hoq një hallkë e rëndësishme. Çdo vend aplikon tvsh për barnat. Fyti kontrollin bazë kur qeveria Shqiptare e ka të përcaktuar në kontratë kontrollin dhe kujdesin shëndetësor për gjithë grupmoshat e popullsisë që mbulon. Heqja e indikatorëve të performancës dhe cilësisë. Indikatorët janë tregues që shikojnë ecurinë e reformës dhe cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve. QSh tashmë prej janarit 2015 nuk paguan më për indikatorët, vetëm për 80% pagë fikse. Barna jo cilësore, me origjinë të dyshimtë, lista e barnave me klientelistë dhe barna false, 30% më të larta barnat e profarmës. Rritje deri 50 e 150% e disa medikamente. Ndryshimi i fundit i ligjit të barnave heq sigurinë e tyre. Tenderët e drejtpërdrejtë të barnave spitaleve me vlerë 35 ml dollarë dhe spitalet kanë mungesa. Auditi ( dobësim i mekanizmave të kontrollit), receta fiktive 35 mijë receta, me insulinat dhe ketosterilin. Problem ngelet Onkoligjiku, kimioterapia. Herceptin urdhër për të mos trajtuar rastet e reja me mamografitë 2 milion € për akseleratiri linear dhe show mediatik. Ku janë dy milion euro /€? Janë emëruar në sistem persona të afërm të drejtuesve dhe ministrit pa diploma specializimi, kuotar 97 vende nuk plotëson nevojat e vendit për specialistë ku rrethet kanë mungesa. Skandali toksikologjisë tregon se sistemi referumut është zhbërë, kompania intech në 22 muaj, 28 tendera me 10 milion dollarë fitim nga kontrata me shtetin. Tenderi i fundit për omegafarmën kur drejtuesi teknik është në burg për 2.2 mil dollarë, skandali i recetave fiktive, vjedhje e qëllimshme si sistemi online farmaceutik që nuk e lejon që ky skandal të bëhet në këto përmasa nëse strukturat kontrolluese dhe ato të informatikës funksionojnë nga drejtues dhe menaxherë të zotët dhe të pa korruptuar. Nga ana tjetër këtu kemi të bëjmë me procedura jo transparente: Koncesioni i madh me vlerë 130 milion euro për një periudhë 10-të vjeçare i Chek up-i të popullsisë, po zhvillohet në mënyrën më dështuese të mundshme. Dështimi i check up apo kontrolli bazë i Beqës është evident dhe i shoqëruar me probleme konkrete nga qendrat shëndetësore si: analizat e gjakut (problem i hemolizës së mostrës); mungesa e letrës së EKG, rezultatet e EKG në shumicën e raste vë të diskutueshme nga ana e mjekeve specialistë të rajoneve, pas referimit tek ata të personave me problem në EKG. Vetëm në qarkun e Lezhës nga 51 mijë planifikime janë depistuar 5 mijë persona. Ditët e para sipas personelit shëndetësor u paraqitën mbështetës të majtë me porosi të partisë. Dhënia në koncesion përsëri për 10 vite të reparteve publike të dializave me vlerë kosto rreth 86 milion euro. Po i vjen radha shërbimeve të imazherisë, ashtu si dhe laboratorët. Realisht jemi përpara një gjendje të pa precedencë. Ministria e shëndetësisë kështu po merr role të plota menaxhuese të sistemit, krejt të pa pajtueshme me funksionet e saj që janë dhe duhet të jenë vetëm politik bërje. Shëndetësia falas duket vetëm në rreshtat e programit elektoral të Rilindjes. Dhënia me koncesion një kompani private e shërbimeve të tilla për të gjithë vendin do të krijojë monopole private të rrezikshme, që do të "kontrollojnë" sistemin tonë shëndetësor publik. Këtë vit numri i mjekëve të larguar është rritur. Po centivohet privati dhe pacientët jo vetëm nuk e kanë " falas" shëndetësinë por po e blejnë me shtrenjtë atë.
Keni përmendur se në pavijonin e onkologjikut, Ministria nuk do të lejojë vazhdimin për procedurat e kurimit, por çfarë do të thotë kjo për një grua që është e sëmurë me kancer?
Problemi i onkologjikut fillon që me terapinë e krimoterapisë, tani ajo bëhet në farmacinë e QSUT, pra pacienti nuk di se çfarë preparati i jepet, pacienti nuk ka siguri. Drejtoresha e onkologjikut ka dhënë udhër që krimoterapia për pacientët që quhen raste të reja, që janë diagnostikuar në këto kohë, nuk do të marrin receptimin, dhe nuk do t'u thuhet pacientëve që janë për këtë medikament. Mamografia aty është investuar dy milion euro dhe nuk është vënë në punë akoma, është kthyer në një show dhe kjo është e pafalshme. Këta blejnë mall stok dhe mbushin magazinat sa për inventar, kanë marrë kredi nga bankat dhe në të vërtetë pajisjet nuk po funksionojnë Kemi dhe rastin e 600 grave nga Vlora, që pas mega-show që bënë për fushatën e kancerit të gjirit, me kemi marrë ankesa nga këto zonja të nderuara, ku janë të gjitha firmat me emrat e grave e që do ti bëj publike Ministrit në seancës e ardhshme parlamentare sepse nuk i është kthyer përgjigje akoma edhe pse ka kaluar një vit. Zonjat kanë bërë mamografinë dhe nuk ju është dhënë përgjigjja. Pra nuk është një, por shumë më shumë. Të bësh show dhe të braktisësh këtë kategori që meriton përkujdesje deri në ditën e fundit, vetëm këta të pashpirt mund ta bëjnë. Këtë vit ishte vetëm një show mediatik dhe nuk kishte asnjë depistim. Të paktën nuk kemi asnjë deklaratë apo statistikë deri më tani. Është një diagnozë e shpeshtë dhe depistimi i hershëm shpëton jetën e grave. Kur braktiset kjo kategori, humanizmi është fshirë dhe është zëvendësuar me babëzinë.
Keni përmendur se në Shqipëri vijnë ilaçe nga vende të panjohura, nga bodrumet e Ballkanit, me çfarë konfuzioni po përballet tregu farmaceutik në vendin tonë?
Me ndryshimin ligjor që ju bë ligjit të barnave nga mazhoranca, pavarësisht kontestimit që pati nga ne dhe nga urdhri i farmacistëve e nga grupet e interesit, është krijuar një konfuzion në sistemin farmaceutik. Nga tregu do të largohen shumë firma prestigjioze e t’u hapet rruga firmave kryesisht nga Ballkani, nga Serbia. Është përcaktuar dhe firma që do të sjellë barnat e Ballkanit në Shqipëri, nuk dihet ku do të përgatiten këto medikamente kur hiqet neni përkatës, Neni 12, pika 2 shkronja c, " barna që qarkullojnë në BE", kur ne nuk kemi laboratorë për analiza të sakta për bioekuivalencën. Sistemi farmaceutik është në konfuzion, hiqet dhe siguria e barnave qytetarët shqiptarë e kuptojnë se sa siguri kanë ata sot për ilaçet. Tregu është i tejmbushur me medikamente por shqiptarët përfitojnë shumë pak sepse nga skema e përfitimit medikamentet alternativ të para në listën e barnave janë jo cilësore dhe ato detyrohen të marrin alternativën e dytë me diferencë çmimi, pra i blejnë medikamentet më të shtrenjta që duhet ti merrnin falas si alternativë e parë( por lista klenteliste i ka larguar firmat prestigjioze). Mjekët specialist japin alternativën e shtrenjtë që të ketë një efekt sa më të mirë për pacientët dhe për të mos agravuar sëmundja më tepër, pra për të marrë efektin e duhur dhe në kohë. Puna e mjekut është e lidhur me shëndetin dhe trajnimin dinjitoz, profesional, etik, dhe human.
Si menaxhere e sistemit shëndetësor, si e shihni gjendjen aktuale në të gjithë Shqipërinë, sidomos në ato zona ku në periudhën e dimrit lëvizja për në spital bëhet e vështirë?
Jemi në stinën e dimrit tashmë dhe në zonat e thella siç është dhe ajo e Mirditës, shërbimi shëndetësor lë shumë për të dëshiruar. Mjekët e qendra shëndetësore japin shërbim shëndetësor me mundësitë që ato kanë por kur ka mungesa në medikamente dhe paketa bazë që është hequr nga qendra shëndetësore, situata është e vështirë. Për urgjencat kryesisht sjell probleme serioze, pasi të sëmurët do detyrohen që të shkojnë në spitalin më të afërt, por koha dhe pamundësia për të lëvizur nga zona do ta vështirësojnë shërbimin shëndetësor, pavarësisht që mjekët, infermierët për mua janë heronj se japin shërbimin në çdo situatë duke rrezikuar shpesh jetën e tyre. Unë kam qenë drejtuese atje dhe ju jam shumë mirënjohëse për impenjimin dhe për reformën shëndetësore dhe për dhënien e shërbimit ndaj qytetarëve. Sot shoh që ata janë më pak të motivuar për të dhanë këtë shërbim, sepse nuk paguhen si më parë, kanë presionin e ministrisë. Emërimet tashmë bëhen nga zyra e Ministrit e gjithçka është centralizuar në ministrinë e shëndetësisë dhe nuk kanë më autonominë dhe vendimmarrjen. Ndjej keqardhje dhe më dhemb shumë që gjithë ajo punë po zhbëhet, po hapen vrima dhe do të duhet të rikuperojmë me shpejtësi me të ardhur në pushtet. Shëndetësisë është treguesi më i qartë i çdo shoqërie. Shëndetësia sot është në ditët më të zeza, shqiptarët po blejnë përkeqësimin e shëndetit të tyre, asgjë nuk është falas.
Jeni anëtare në komisionin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë. Gjatë punës suaj kemi parë raste kur grupeve të ndryshme të shoqërisë ju është mohuar dhënia e shëndetësisë? A paragjykohen komunitetet nga bluzat e bardha?
Çdo qytetarë në republikën e Shqipërisë me ligj duhet të marrë shërbimin shëndetësor falas në urgjencë por tani nuk po e marrin as qytetarët qe janë në skemë dhe derdhin kontribute, ndërsa për komunitetet në vendin tonë vetëm në fushatë kujtohen. Kemi rastin e komunitetit rom që nuk janë të regjistruar në gjendjen civile dhe njëkohësisht nuk janë të përfshirë në skemën e sigurimeve shëndetësore. Në komisionin e shëndetësisë e kemi ngritur çështjen në kohën kur z.Veliaj ishte Ministër i Mirëqenies Sociale dhe i kam shprehur se vetëm pasi ata regjistrohen mund të përfitojnë dhe nga skema shëndetësore dhe nëse ai do ti ndihmonte siç kishte premtuar në fushatë atëherë duhet ti jepnin një status të veçantë. Por MinistriVeliaj ndryshoi zyrën e iku me premtime të pambajtura dhe përsëri komunitetin rom e ka në derën e bashkisë dhe çështja rome ngelet aty ku ka qenë, e është përkeqësuar më tej e z.Veliaj që nuk mbajti asnjë nga premtimet e thëna për strehim e shërbim shëndetësor falas. Edhe Erjoni i mashtroj pavarësisht përgjërimit dhe përkushtimit vetëm nëpërmjet mediave, show i radhës sa për të marrë votat e këtij komuniteti për tu bërë Erjoni Ministër dhe tani kryebashkiak. Erjoni duhet ta dijë që romët janë një komunitet që të besoj por që derën nuk të lëshon. Dhe e drejta është me ta, të gjej zgjidhje sepse romët dhe ai komuniteti tjetër që i përket presin nga ty.
Znj.Deda, PD-ja çdo ditë deklaron pakënaqësitë për mënyrën e qeverisjes së maxhorancës, a ka ardhur koha që ju të bashkoni forcat për një protestë masive?
Partia Demokratike është në një agjendë të ngjeshur dhe çdo ditë kemi nxjerrë argumente për mënyrën si po qeveriset, masat drastike, për ekonominë në rënie, për afera, për tenderët, për vjedhjet, drogën, pasigurinë në vend, dhe për braktisjen që ju kanë bërë qytetarëve në çdo lloj shërbimi dhe jo vetëm në atë shëndetësor por dhe tek të tjerat. Penalitetet që ka bërë për energjinë elektrike, për presionin deri në burg të qytetarëve dhe në rastet kur kanë shkruar deri në vetëvrasje. PD-ja është për një shtet ligjor, të zbatimit të ligjit por në mënyrë kategorike kundër masave që prekin shtresat e varfra, ky shtet po merr masa vetëm për shtresat e varfra, dhe po krijon monopole për klientelistët e tyre, po favorizon ata që i solli në pushtet. Ata merren me qeverisjen e PD-ja përgjatë tetë viteve dhe ju ka ngelur ora aty dhe nuk po merren me qeverinë e tyre, me premtimet e tyre që ata kanë bërë për të ardhur në pushtet. Të gjithë e dimë se premtimet e majme i sollën në pushtet, dhe deri tani asnjë nga premtimet e tyre nuk është realizuar. Shumë biznese të vogla, i kanë mbyllur qepenat dhe shumë biznese që mbanin familjen nga të ardhurat e pakta me biznesin e tyre sot janë në mes të rrugës. Premtuan për tre qind vende pune dhe papunësia është në shifra ekstreme, papunësia është rritur. Zona e Mirditës është një zonë e varfër, zonë e thellë në pjesën më të madhe të territorit, në këto momente situata është shumë e rëndë. Kam vizituar familjet e varfra dhe nuk kanë asnjë mundësi për të siguruar bukën e gojës. Është ora e protestave, por gjithçka ka një agjendë e cila do të jetë e koordinuar mirë, grupi parlamentar është në funksion të agjendës se PD-së, të gjithë deputetët janë në zona, po kontaktojmë me strukturat me qytetarët për mënyrën se si do të operojmë për të kundërshtuar këtë qeveri të papërgjegjshme dhe mendoj se së shpejti mund dhe duhet të ketë një reagim shumë të fortë qytetar, të majtë e të djathtë. Ne jemi në krah të qytetarëve, dhe ofrojmë platformën tonë për zgjidhje të menjëhershme.
Dekriminalizimi dhe puna e opozitës për këtë çështje mëse të diskutuar. në çfarë pike është realizimi i kësaj reforme?
Në kuvend ka deputetë të inkriminuar të korruptuar, sepse ato grupe kriminale me para të pista e sollën në pushtet qeverinë Rama -Meta. Përgjegjësi kryesor është Rama që i solli në parlament, me firmën e me dëshirën e tij. Ishte vendim i tij, listat u përgatiten nga vetë ai, dekriminalizimi është kauza e PD-së, ku kuptohet neglizhenca e mosbashkëpunim nga dy krerët e mazhorancës, por kryesisht e z.Rama. Të gjithë e ndoqëm largimin e deputetëve nga parlamenti me pranga e me dorëheqje e me neglizhencë shtyhen afatet për mbledhjen e komisionit të mandateve, duke shtyrë afatet dhe të ardhjes të deputetëve zëvendësues. Nga ky këndvështrim shihet qartë se ata nuk e duan dekriminalizimin sepse janë të kapur nga këta segmente dhe PD-ja është e vendosur që të çojë këtë kauzë deri në fund. Kemi dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve për ti dhënë fund dhe parlamenti dhe zyrtarët në Shqipëri të jenë përfaqësues dinjitoz, ligjvënës të zotë profesionistë e akademike, të fushave të ndryshme, me integritet të lartë. Që të japim një imazh pozitiv në publik e njëkohësisht në qendër të punës kanë problemet e zonave që përfaqësojnë dhe reformat në dobi të tyre.