Aleanca me PS? Albana Vokshi: Nuk ka pakt me krimin

 

Deputetja e PD flet për largimin e Mesila Dodës dhe organizmin e protestave nga opozita

Intervistoi: Redjon Shtylla

Deputetja e PD-së, Albana Vokshi pohon se qeveria me shërbimet për shëndetësi falas po e rrënon dhe tmerron qytetarin e sëmurë. Nw njw intervistw pwr “Koha Jonw”, Vokshi komenton dhe zwrat pwr njw koalicion me PS dhe PD. Ajo shprehet se nuk mund të ketë aleancë mes krimit dhe të drejtës.

Znj. Vokshi, si e komentoni largimin e Znj. Mesila Dodës nga Partia Demokratike?

Respektoj çdo vendim personal, kjo është çështje demokracie! Vendimet politike të çdo deputeti ose zyrtari partiak që lidhen me largimin, dorëheqjen, fraksionin, janë për tu respektuar për aq kohë sa merren me vullnet të lirë dhe të një vetëdijeje të pjekur. Sigurisht, largimin e Mesilës e prita me keqardhje.

Si u shpjegoni sot demokratëve kur shohin që në PD ka vend për ish-deputetë socialistë dhe ikën nga partia një që bën pjesë tek themeluesit e saj?

 Jam e bindur që socialistët e ndershëm nuk gjejnë aspak veten e tyre në programin apo qeverisjen e Ramës, sepse as ai e aq më pak qeverisja e tij është socialiste dhe sociale. Nga ana tjetër, demokratëve, militantë dhe aktivistë nuk ka nevojë tu shpjegosh asgjë. Ata janë aq të mençur dhe gjykimi dhe vlerësimi i tyre për çfarë ndodh në parti, debat në Parlament, apo betejë me sfidat, është përtej tonit, që bëjmë politikë dhe në televizione apo Facebook. Duhet të biem dhe dakord me faktin se partia nuk është një organizëm statik, ai është i gjallë dhe i ndryshueshëm në kohë.

Lideri i opozitës Basha, si e ka menaxhuar PD-në, si do ta analizonit punën e tij?

Kryetari Basha ka një kontribut esencial për përballimin këmbëngulës të sfidave të shumta dhe të ashpra që po përballet PD-ja në një klimë represive me mazhorancën dhe qeverisjen autoritare. Mendoj se z. Basha po intensifikon në drejtimin e duhur edhe dimensionin e PD-së në kancelaritë politike evropiane dhe ndërkombëtare në tërësi. Komunikimi i brendshëm hierarkik brenda partisë është një proces i shumanshëm dhe kompleks ku jo rrallë herë ka problematikat dhe vështirësitë e veta. Mendoj se analiza e humbjes në zgjedhje është një nevojë e domosdoshme për PD dhe Kryetarin Basha për të dalë me detyra dhe reforma konkrete në funksionimin e partisë.

 Disa javë më parë kreu i PD-së foli për protesta dhe mosbindje civile. Kur do të nisin protestat dhe cilat janë arsyet kryesore se përse qytetarët do të dalin në mbështetje të PD?

Vendimi i përket të unifikohet brenda forumeve të partisë. Personalisht kam qenë gjithmonë e bindur se protesta është zgjim i domosdoshëm publik, mbi atë politik, në këtë krizë të papërballueshme ekonomike, sociale, politike por dhe të identitetit si shoqëri. Kauzat politike kanë agjendën e vet, ndërsa protesta për ti thënë ndal dhunës shtetërore dhe mjerimit nuk duhet të ketë kalendar të përcaktuar. Ne si PD jemi në mbështetje të paluhatshme të çdo proteste nga çdo grup shoqëror apo dhe një individi të vetëm. Rasti më i fundit është protesta e ish të burgosurve politikë ndaj bunkerit në Ministrinë e Brendshme, apo punonjëses së Bashkisë që u dhunua nga kryebashkiaku Veliaj dhe stafi i tij brenda zyrave shtetërore. Jetojmë në një kohë absurde ku në çdo ambient, në kafe dhe shtëpi, thuhet se shqiptarët kanë frikë dhe nuk besojnë më tek protesta, por iniciativën për protestë nuk e merr askush. Gjithkush bën analistin dhe gjykuesin e pavarur, ndërkohë që shoqëria civile është në një apati të pashpjegueshme. Vetëvriten gra, nëna dhe burra kryefamiljarë sepse nuk kanë bukë të hanë, dhunohen gra e vajza nga pushtetarë dhe policë në zyrat e shtetit, nëpërkëmben të drejtat njerëzore dhe askush nuk reagon. Ne duhet të fillojmë të reagojmë si shoqëri.

 Kreu i Kuvendit, z. Meta gjatë një deklarate për mediat, ka përmendur "opozita" Rama- Basha. Për ta bërë Shqipërinë të funksionojë më mirë a shikoni një "bashkëpunim" të tillë për të ardhmen?

Në fakt Meta ka treguar që është mjeshtër i aleancave. Lidershipi i PD dhe forumet e saj janë krejtësisht të kthjellët në këtë pikë. Nuk mund të ketë aleancë për të qeverisur Shqipërinë me ata që po gremisin Shqipërinë. Si mund të bëjmë aleancë me shkaktarët dhe hartuesit e krizës më të madhe që ka përjetuar Shqipëria, shqiptarët, shteti në këta 25 vite. Nuk mund të ketë aleancë mes ligjit dhe antiligjit, mes krimit dhe të drejtës, mes idealit për të mirat kombëtare dhe politikave klanore për të mbushur xhepat dhe llogaritë bankare në kurriz të të varfërve që nuk ngopen me bukë apo nuk sigurojnë dot ilaçet e fëmijëve. Ne bashkëpunojmë dhe miratojmë në konsensus ligje apo politika që kanë të bëjnë me integrimin evropian dhe të zhvillimin e Shqipërisë, por jo të dakortësohemi me Ramën në qeverisje.

Lidhur me skandalin e CEZ, Partia Demokratike ka akuzuar Kreun e Kuvendit. Ndërkohë që marrëveshja dhe një sërë procedurash që u ndoqën më pas mbajnë firmën e zyrtarëve të tjerë të qeverisë së PD. Si i komentoi zërat që me këtë skandal PD-ja e Bashës godet edhe disa ish-ministra të PD?

Fajtori ka gjithmonë tendencën të përfshijë dhe të tjerë në bashkëfajësi. Por procedurat, marrëveshjet dhe ligjet si kombëtare dhe ato ndërkombëtare nuk mund të interpretohen me ekuivoke. Opozita ka kërkuar hetm ndërkombëtar i cili mbyll çdo shteg për keqintepremtim. Vetëm një hetim i tillë i paanshëm, i pavarur do të zbardhë dhe do të skanojë në hollësi këtë megaaferë që është bërë në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Kjo çështje tashmë është në fokusin e opozitës e cila nuk lëshon pe dhe është e palëkundur në zbardhjen dhe përgjegjësinë ligjore të autorëve.

 Këto ditë, nga ish drejtues të forumeve të PS Rexhep Meidani dhe Ndre Legisi, kanë folur për zgjedhje të parakohshme. A është gati PD-ja e gatshme për të hyrë në zgjedhje të parakohshme?

Partia demokratike është gati ti përgjigjet në çdo moment vullnetit të sovranit. Ne si opozitë jemi zëri dhe përfaqësuesi i interesit publik, i cili me këtë qeveri është cenuar rëndë.

 Si pjesë e komisionit për shëndetësinë, si do ta analizonit ecurinë për " Shëndetësi Falas" dhe mbi sistemin farmaceutik nga qeveria?

Shëndetësia falas ka vetëm një domethënie, dështim falas. Sistemi është në amulli dhe krizë organizimi e menaxhimi nga monopolet dhe korrupsioni që drejtohen nga shefi i qeverisë, ministri, stafi i tij dhe drejtuesit e institucioneve. Skandalet në shëndetësi këto dy vjet kanë qenë në kufijtë e të paimagjinueshmes, duke filluar me testimin e mjekëve dhe infermierëve, një praktikë antiligjore, antiprofesionale, një kërcënim që solli vetëm demagogji dhe terror tek mjekët dhe njerëzit e sistemit; abuzimi me rimbursimin e recetave, ku miliona euro kanë hyrë në xhepat e pushtetarëve; monopolet dhe prishja e e tregut farmaceutik si në ligjin klientelist të barnave që po duan ta miratojnë, mbetjet spitalore, mungesat esenciale e serumeve, ilaçeve antikancerogjenë apo dhe ata më bazikët, pajisjeve mjekësore dhe kushteve me minimalë, në spitale dhe qendra shëndetësore, dhuna ndaj mjekëve si pasojë e krizës së ilaçeve manipulimi i publikut me mamografitë dhe testet e lëvizshme, draft i i zhvendosja e qendrës së traumës në QSUT e shumë të tjera po shtojnë çdo ditë megaskandalet e kësaj qeverie në të gjithë sistemin spitalor. Shëndetësia falas është shndërruar në dëshpërim dhe tmerr falas për qytetarët e sëmurë!

 Çfarë sakrificash duhet të bëjë një deputete femër që të arrijë të qëndrojë në politikë por dhe aktive njëkohësisht, ju si e përmbushni vetë këtë pjesë?

Meqenëse këtë pyetje e ke lënë në fund, them se sakrificat në politikë lidhen me veten pikësëpari pasi duhet të heqësh dorë nga shumë liri të vogla. Ndërkohë që raporti i të drejtave me përgjegjësitë është shumë i zhdrejtë në favor të përgjegjësive. Në politikë duhet shpesh të tejkalosh veten për përballimin e sfidave të cilat janë të shumëllojshme dhe të papritura. Por mbi të gjitha, nuk duhet të heqësh dorë nga të qënurit human/e dhe i përgjegjshëm për realitetin dhe hallet e njerëzve , pasi në të kundërt hendeku që krijohet mes teje si politikan/e dhe komunitetit, krijon pasoja të pandreqshme, të cilat përkthehen në mosbesim nga vetë ata. Një grua në politikë duhet të bëjë shumë sakrifica, të përballët më shumë sfida, të heqë dorë nja shumë gjëra, por asnjë sakrificë nuk është e dobishme nëse humbet nga roli dhe koha e nënës. Më shumë kënaqësi mund të them që vajzat e mija të vogla, çdo ditë e më shumë po bëhen mikeshat, kritiket dhe këshilltaret e mija më të besueshme.

 

SHKARKO APP