Alfred Peza: Kritikat e Ramës ndaj BE të drejta, jo për kapital politik
Analisti Alfred Peza, i ftuar në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, komentoi qendrimet e forta të kryeministrit Edi Rama ndaj BE dhe Beogradit gjatë mbledhjes së perbashkët të dy qeverive në Pejë.
Peza tha se kritikat e Ramës ndaj Brukselit janë mëse të merituara, ndërsa shtoi se kreu i qeverisë shqiptare nuk ishte i ashpër, por i drejtperdrejte. Më poshtë intervista e plotë e Pezës e dhënë për edicionin e lajmeve në Vizion Plus;
Si shpjegohet ashpërsia e fjalës së Ramës?
Nuk ishte i ashpër ishte i drejtpërdrejtë, ishte më i troçtë, në kategorinë e disa tezave të cilat nuk i ka për herë të parë, por sot kanë bërë më shumë përshtypje, për shkak se kanë qenë më të koncentruara dhe një fjalor më të drejtpërdrejtë, nisur nga rrethat politike dhe raportet e reja të krijuara, ditët e fundit mes Kosovës dhe Serbisë.
Në fakt Edi Rama e shprehu hapur zhgënjimin ndaj BE për vonesën në heqjen e vizave për Kosovën. Është kjo një mënyrë për ta intimiduar Brukselin apo për të fituar kapital në politikë në popullsinë shqiptare?
Edi Rama votohet në Shqipëri dhe kapitali politik e fiton vetem te votuesit e territorit të Shqipërisë, pra ana tjetër duhet të pranojmë se është reale fakti se u përmend dhe se dje në diktaturë ishin të lirë dhe sot në liri nuk janë të tillë. Kështu që është një vërejtje, e cila jo vetëm që duhet thënë me zë të lartë, një vërejtje e cila jo vetëm sot duhet të përsëritet, pasi Kosova dhe qytetarët e saj nuk mund të jenë të fundit në Evropë, me gjithë jëtë botë pa kufi të cilën vetë Brukseli sa vjen dhe e shpreh si një qasje të re globaliste.
Rama sot ishte i ashpër dhe me Serbinë dhe me përpjekjet e saj për të frenuar njohjet ndërkombëtare të Kosovës dhe pengesat ekonomike. Shohim një Ramë shumë të ndryshëm përballë shqiptarëve në takimin me qeverinë e Kosovës në Pejë,i ndryshëm nga ai që e kemi parë në takimet me presidentin Vuçiç.
Me presidentit Vuçiç dua të kujtoj se Rama ka qenë i pari që ka artikuluar ato teza në Beograd, që sot janë thënë sërish, për pavarsinë dhe për njohjen e Kosovës dhe për atë që Beogradi duhet të ketë një qasje tjetër ndaj Kosovës. E dyta përsa i përket asaj çfarë ju po thoni lidhet me disa zhvillime konkrete. Bllokimi që i bëri Serbia përmes lobimit të saj, hyrjes dhe pranimit të Kosovës në INTERPOL, nuk është gjë tjetër veçse një vazhdim i përpjekjes për ta bllokuar në institucione të tjera. Kjo ka qenë një përpjekje e ngjashme me atë të kërkesës së Kosovës për tu pranuar në UNESCO. Po pse e bën Serbia këtë gjë?
E para me pranimin e Kosovës në Interpol atëherë hapet kutia e Pandorës, dhe të gjithë kriminelët e luftës në Kososvë që kanë qenë pjesë e strukturave të ushtrisë së Millosheviçiç do të jenë pas kësaj në kërkim ndërkombëtar dhe për ta do të jetë ferri, i ligjit dhe i llogjikës ndërkombëtare që ndërshkon këdo që herët ose vonë ka bërë krime ndaj një populli tjetër, siç është populli shqiptar. Ndërsa përsa i përket UNESCO-s mos të harrojmë se ka ndodhur një krim i madh kulturor ndaj popullsisë shqiptare. Në 1998 vetëm një vit përpara luftës në Jugosllavi, Beogradi tërhoqi mbi 1200 artefakte nga muzetë e Prishtinës dhe i dërguan në Beograt në emrin e hapjes së një ekspozite atje dhe sot e kësaj dite vazhdojnë atje të gjitha këto objekte të trashëgimisë së kulturës shqiptare mbahen peng lufte në Beograd.
Peza, duhet të ketë bubulluar sot edhe në koridoret e Brukselit gjuha e Ramës ku ka folur për bashkimin e shqiptarëve në horizontin e vitit 2025 duke folur se kjo është një domosdoshmëri në rrugën e Bashkimit Evropian.Për çfarë bashkimi e ka kontekstin Rama, a nuk shpie kjo për disa të tjerë në idenë e Shqipërisë së Madhe.
Hamendësimet mund të jenë nga më të ndryshmet, Rama shprehu idenë e një bashkimi jo ashtu siç duan ta kuptojnë disa. Në vitin 2025, 2030 apo 2035 të mos e lëmë përgjysmë fjalinë, përsa i përket më së shumti elementeve të tregut dhe përsa i përket më së shumti lirisë së lëvizjes së njerëzve dhe të mallrave dhe të kapitaleve dhe kjo është ajo çfarë ne duhet të fokusohemi më shumë, tek pjesa e tregut sesa te pjesa e folklorit dhe te ajo e flamurit, sepse tregu është ai që përcakton sot në të gjithë botën edhe trendet e zhvillimit dhe të raporteve qoftë bilaterale, rajonale apo ndërkombëtare dhe të mos harrojmë se ka një problem shumë të madh mes raporteve të biznesit në Kosovë me Serbinë, volumi tregtar midis dy vendeve është 500 milionë euro, ku 480 milion euro vijnë mallra nga Serbia në Kosovë dhe dhe vetëm 20 milionë euro mallra të Kosovës shkojnë në Serbi. Sigurisht që Shqipëria për këtë ndëshkim politik që qeveria e Kosovës i ka bërë Beogradit në këtë përplasje që ne po flasim nuk mund të rrijë në rrugëkryq por hedh hapat e vet për të hapur kufirin për të krijuar në Portin e Durrësit një pikë tranziti të përheshme për mallrat e Kosovës e kështu me radhë.