Ambasadori Lu: Pastroni politikën nga kriminelët

 

Pak më shumë se katër muaj pasi ka mbërritur në Tiranë, ambasadori amerikan Donald Lu akordon intervistën e parë për mediat shqiptare. Në faqet e JAVA-s, z. Lu analizon të gjitha zhvillimet rajonale dhe ato globale. “Pashë sheshin ‘Wilson’ dhe furrën e bukës ‘George Bush’  në Fushë-Krujë dhe kuptova që ky vend ka një lidhje të veçantë me popullin amerikan” – thotë ai.

Minxhozi: Z. Ambasador, ju erdhët në Tiranë në janar të këtij viti pas një procedure të zgjatur të emërimit. A mund të na shpjegoni si ndodhi? Edhe Z. Arvizu u detyrua që disa herë me miqtë të bënte takime lamtumire.

Ambasadori Lu: Po, më vjen keq për të. Zoti Minxhozi, para së gjithash, më lejoni të them se është një nder që të jap intervistën time të parë në revistën Java. Unë kam respekt të pamatë për punën e gazetarëve guximtarë në Shqipëri dhe di që ju keni disa pyetje të vështira për mua. Javën e kaluar, piva kafe me Ambasadoren Floreta Luli-Faber dhe përpara se ajo të nisej për në Uashington. Që të dy kemi qeshur pasi nuk ishim të sigurt se cilit prej nesh iu desh më shumë kohë për t’u konfirmuar. Kjo është një prej gjërave që pazakonta të demokracive. Secili prej vendeve tona ka një proces konfirmimi dhe nevojitet një kohë e gjatë që ligjvënësit tanë të miratojnë emërimet. Kjo më dha kohën për të mësuar gjuhën shqipe.

Minxhozi: Duke ju falënderuar që intervistën tuaj të parë e jepni për Java, më lejoni t’ju them se dhe për ne është një nder t’ju kemi në faqet e revistës sonë.  Ka një kuriozitet të përgjithshëm edhe mes lexuesve të revistës sonë. Ambasadori amerikan erdhi vonë por erdhi shqip folës, pra me gjuhën shqipe të mësuar. Si ndodhi kjo?

Ambasadori Lu: Kanë lidhje. Do të kisha dashur të kisha mësuar shqip brenda një kohe të shkurtër por nuk është kështu. Kam studiuar shqip për një vit të tërë dhe ende e flas gjuhën shqipe si të isha fëmijë i vogël. Në fakt, jam xheloz për fëmijët e vegjël shqiptarë që mund ta flasin gjuhën tuaj të ndërlikuar kaq mirë. Në jetën time kam studiuar gjuhën kinezçe, rusisht, urdu, por krahasuar me të gjitha këto, asnjëra nuk është më e vështirë apo më e bukur se shqipja.

Minxhozi: Faleminderit. Ambasadorët amerikanë janë shpesh – jo shpesh por gjithmonë – persona me rëndësi të madhe në mjedisin shqiptar. Ju si e përjetoni këtë famë? E vuani, e shijoni? Dhe, e dyta, pse pritët kaq gjatë për të dhënë një intervistë në median shqiptare?

Ambasadori Lu: Bashkëshortja dhe fëmijët e mi më kanë premtuar se do të më mbajnë të përulur. Ata më ngacmojnë vazhdimisht sa herë që dikush kërkon të bëjë një foto selfie me mua. Unë besoj që njerëzit publikë – politikanët, ambasadorët, e madje edhe gazetarët nuk duhet të flasin vetëm për t’u dëgjuar nga ata vetë. Duhet të presin derisa të kenë diçka të mençur për të thënë.

Minxhozi: Si e gjetët Shqipërinë? Sa përputhet ajo që kishit imagjinuar atje me atë që gjetët këtu në Shqipëri?

Ambasadori Lu: Amerikanët, përfshirë edhe mua, befasohen gjithmonë kur vijnë në Shqipëri se sa shumë njerëzve i pëlqejnë Shtetet e Bashkuara. Kjo është tepër e rrallë në ditët tona. Ne e shohim flamurin tonë kudo këtu. Këdo që takon ka të afërm në SHBA. Më kujtohet kur pashë për herë të parë sheshin “Wilson” në Tiranën e Re dhe Furrën e Bukës “Xhorxh Bush” në Fushë-Krujë. Atëherë e kuptova që ky është një vend që ka një lidhje të veçantë me popullin amerikan.

Minxhozi: Ju keni qenë shumë i drejtpërdrejtë muajt e fundit. Keni dhënë edhe mesazhe të sikletshme për opinionin publik, për politikanët sidomos. Keni folur me emra për persona të dyshuar; keni premtuar që do të flisni edhe më konkretisht. A është ky një ndryshim në politikën amerikane ndaj Shqipërisë apo është thjesht pasojë e faktit që korrupsioni dhe problemet në Shqipëri janë kaq të shumta saqë ju nuk mund të heshtni më?

Ambasadori Lu: Jo, nuk është nuk është një ndryshim në politikën amerikane. Ne jemi duke mbështetur në mënyrë konkrete angazhimin e dhjetorit për të dekriminalizuar Kuvendin, për të cilin u ra dakord  nga të dyja palët, si nga maxhoranca, ashtu edhe nga opozita. Kemi hulumtuar historitë kriminale të kandidatëve për zgjedhjet vendore.  Ne e kemi ndarë këtë informacion me kryetarët e partive politike me kërkesën që ata ta verifikojnë këtë informacion dhe të ndërmarrin veprime.  Ata kanë hequr disa prej këtyre emrave nga listat e kandidatëve dhe shpresojmë që do të heqin më shumë.

Minxhozi: Cilat janë këto fakte konkrete që keni sepse ka një pritshmëri shumë të madhe nga opinioni publik për atë që ju keni thënë, për atë që Ambasadorja Vlahutin ka thënë për sa i përket personave të inkriminuar?

Ambasadori Lu: Unë besoj që votuesit kanë të drejtën të dinë mbi historitë kriminale të kandidatëve politikë. Por, siç thoni ju në shqip “Vetëm i zoti e nxjerr gomarin nga balta.” Duke përdorur informacion të disponueshëm publikisht, partitë politike, media dhe shoqëria civile duhet të hetojnë të shkuarën kriminale të kandidatëve dhe ta ndajnë këtë informacion me votuesit.  Këtë nuk mund ta bëjnë të huajt për ta. Do të shtoja edhe që detyra e vështirë e të larguarit të kriminelëve prej politikës është përgjegjësi e institucioneve demokratike të Shqipërisë, por ata mund të mbështeten për ndihmë te Shtetet e Bashkuara.  Është Partia Socialiste ajo që e përjashtoi Tom Doshin.  Është Prokurori juaj i Përgjithshëm ai që ngriti akuza penale kundër Tom Doshit dhe Mark Frrokut.  Janë drejtuesit e partive politike shqiptare ata që kanë hequr disa politikanë me histori kriminale prej listave të kandidatëve. Sigurisht, ishin po këta kryetarë partish që i vendosën ato emra në lista në fillim. Ka nevojë të bëhet më shumë, por institucionet shqiptare kanë bërë përparim të rëndësishëm.

Minxhozi: Që do të thotë se në zgjedhjet e 21 qershorit, nuk ka probleme të tjera? Ju si përfaqësi diplomatike keni paraqitur emra ose situata konkrete në lidhje me listat e zgjedhjeve lokale?

Ambasadori Lu: Jam i sigurtë që media, shoqëria civile vendase dhe partitë politike do ta japin këtë informacion në publik.

Minxhozi: Ju i keni parë seancat e parlamentit shqiptar. Janë një nga shfaqjet e ‘horrorit’ do të thoja unë për sa i përket mediave gjatë një jave. Si ju duket cilësia e ligjvënësve shqiptarë?

Ambasadori Lu: Unë nuk shoh TV. Është më e mirë për shëndetin, prandaj jam personi i gabuar për t’u pyetur mbi seancat tuaja parlamentare të së enjtes.  Por, nëse më lejoni, do të doja të thoja diçka pozitive mbi sistemin tuaj politik. E di që ndodh rrallë të ketë komente pozitive.

Minxhozi: Jam shumë kurioz ta dëgjoj.

Ambasadori Lu: Shqiptarët duhet të jenë krenarë që ka më shumë gra, dhe më shumë gra të afta, që po marrin pjesë në këto zgjedhje se në çdo zgjedhje tjetër në historinë e Shqipërisë.  Për herë të parë ka gra kandidate për kryetare bashkish të qyteteve të mëdha dhe të rëndësishme në Shqipëri  –  Durrës, Shkodër, Pogradec dhe Gjirokastër.  Ato përfaqësojnë 50 [pesëdhjetë] për qind të kandidateve për këshillat bashkiakë.  Ajo që ne dimë gjithashtu është se në Shqipëri, në Amerikë dhe anembanë botës, statistikisht, politikanet femra kanë më pak gjasa të jenë të përfshira në veprimtari korruptive ose kriminale.

Minxhozi: Si po punon Kryeministri Rama?

Ambasadori Lu: Kryeministri, Presidenti, Kreu i Kuvendit dhe Kryebashkiaku i Tiranës, që të gjithë kanë qenë shumë mikpritës ndaj meje që prej mbërritjes sime.  Përsa i përket asaj se si po e bëjnë punën e tyre, kjo është një pyetje së cilës duhet t’i përgjigjen shqiptarët dhe që miqtë tuaj të huaj ta shmangin. Sepse, fjala është argjend por heshtja është flori.

Minxhozi: Faleminderit, por ju nuk ngurroni t’i thoni gjërat hapur kur keni diçka për të thënë për zotërinjtë!

Ambasadori Lu: Heshtja është flori.

Minxhozi: Po Basha?

Ambasadori Lu: Heshtja është flori.

Minxhozi: Besoj do të më jepni një përgjigje për politikën rajonale të Shqipërisë, ku politikanët shqiptarë dhe sidomos Z. Rama ka qenë shumë aktiv. Pas vizitës në Serbi, ai ka bërë disa deklarata mjaft të forta dhe delikate për sa i përket bashkimit me Kosovën ose edhe ngjarjet në Maqedoni së fundi. Ju si i shikoni sidomos deklaratat për bashkimin me Kosovën?

Ambasadori Lu: Faleminderit. SHBA mirëpret garancitë e Kryeministrit se komentet e tij kishin për qëllim vetëm të theksonin rëndësinë e integrimit në BE për vendet e Ballkanit perëndimor. Ne i nxisim të gjithë udhëheqësit e Ballkanit që të promovojnë pajtimin dhe marrëdhënie të mira me fqinjët e tyre.   I nxisim ata të shmangin deklaratat që i minojnë këto qëllime.

Minxhozi: Ka një perceptim të opinionit publik që është mjaft negativ për sa i përket sistemit të drejtësisë, madje ka një pështypje se korrigjimi i punëve në Shqipëri nuk duhet të fillojë nga sistemi politik por më së pari duhet të fillojë nga sistemi i drejtësisë. A jeni dakord me këtë?

Ambasadori Lu: Korrupsioni është një problem serioz në sistemin gjyqësor, në qeverisje, në parlament dhe në bizneset private. Në vend që të pyesni se cili është më i korruptuar, duhet të flasim se si ta luftojmë korrupsionin në çdo nivel. Ne po punojmë për të luftuar korrupsionin në nivelin e qytetarëve të zakonshëm me projekte të USAID për të regjistruar në mënyrë dixhitale seancat gjyqësore dhe për të lejuar pagimin e faturave përmes përdorimit vetëm të telefonit tuaj celular. Jemi duke punuar gjithashtu për të identifikuar dhe nxitur largimin e politikanëve të lartë të korruptuar përmes trysnisë politike mbi qeverinë dhe opozitën.  Në të gjithë botën, Qeveria e SHBA u refuzon vizat zyrtarëve të korruptuar. Jemi duke shqyrtuar nëse kjo politikë duhet zbatuar gjithashtu për disa zyrtarë në Shqipëri.

Minxhozi: Paraardhësi juaj ka thënë në një rast se shumë nga gjyqtarët do të donte t’i shihte pas hekurave. Ju pajtoheni me këtë deklaratë?

Ambasadori Lu: Personalisht, mendoj se nuk është pyetje për të huajt, por është pyetje për shqiptarët. Kush është fajtor dhe kush është i pafajshëm, nuk është për një ambasador amerikan – është për shqiptarët dhe për sistemin gjyqësor në Shqipëri.

Minxhozi: Ndoshta është për një ambasador por në fund të mandatit! Ka një konflikt midis presidentit dhe qeverisë që është i njohur, për shkak të reformës në drejtësi. Sipas jush, cili po tregohet më refraktar, cila palë po pengon reformën?

Ambasadori Lu: Për më shumë se dy dhjetëvjeçarë, Shqipëria është përleshur me çështjen e reformës gjyqësore.  Përpjekja për reformën aktuale është më seriozja dhe ka të ngjarë më e rëndësishmja që prej rënies së komunizmit.  Kjo reform synon të nxisë llogaridhënie dhe transparencë më të madhe përmes reformimit të procedurave gjyqësore dhe strukturës së gjykatave. EURALIUS dhe OPDAT po punojnë për ta bërë këtë një reformë gjithëpërfshirëse dhe domethënëse.  Ky proces po ecën përpara, por do të jetë më i fortë dhe më i qëndrueshëm me pjesëmarrjen e opozitës dhe të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Minxhozi: Disa ditë më parë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi projektin e ngritjes së byrosë hetimore. Ju si e pritët këtë vendim? A shkon ai në të kundërt të procesit? Ka një problem këtu meqenëse ju si shtet, si palë e mbështetët krijimin e kësaj byroje.

Ambasadori Lu: Është pyetje e rëndësishme. Jemi të përkushtuar të punojmë vetem me një Byro Kombëtare Hetimi që krijohet tërësisht brenda ligjeve dhe kushtetutës shqiptare.   Shtetet e Bashkuara besojnë se luftimi i korrupsionit dhe i krimit të organizuar kërkojnë një institucion serioz me aftësi hetimore të avancuara dhe me standarde të larta etike. FBI e Shteteve të Bashkuara është e përgatitur të punojë me Byronë e propozuar Kombëtare të Hetimit në mënyrë që të ndihmojë me krijimin e një institucioni të tillë që është profesional dhe i papolitizuar.  Nëse besojmë se po politizohet, do ta tërheqim menjëherë mbështetjen tonë dhe do ta kritikojmë publikisht Byronë Kombëtare të Hetimit dhe udhëheqësit politikë përgjegjës.

Minxhozi: Ambasadorja Vlahutin disa ditë më parë kritikoi KLD-në dhe opozitën për mospjesëmarrjen në procesin e reformës së drejtësisë. A keni edhe ju këtë përshtypje?

Ambasadori Lu: Bie dakord me Ambasadoren Vlahutin se kjo reformë gjyqësore do të jetë më e qëndrueshme dhe më përfaqësuese me pjesëmarrjen e opozitës dhe të KLD-së.  Ne kemi qenë në diskutime me maxhorancën dhe opozitën për këtë çështje.  Jam besimplotë se ata do të gjejnë zgjidhje që lejon pjesëmarrjen e të gjithë zërave kryesorë.

Minxhozi: Ligjvënësi i majtë Koço Kokëdhima ka propozuar legalizimin e mbjelljes së narkotikëve. A mund të kemi një Kolorado në Shqipëri, sipas jush?

Ambasadori Lu: Çështja e legalizimit të kanabisit është një pyetje për popullin shqiptar, jo të huajt. Por Z. Kokëdhima është i pasaktë përsa u përket ligjeve që qeverisin tregtimin e kanabisit në Shtetet e Bashkuara. Në dy shtete të SHBA, përdorimi i kufizuar i marihuanës tani është i ligjshëm, por në 48 shtete mbetet ende i jashtëligjshëm.  Sipas qeverisë federale, tregtia e kanabisit mbetet një krim i rëndë.  Cilido që përfshihet në tregtinë e kanabisit me Shtetet e Bashkuara përballet me arrestim të menjëhershëm dhe ndjekje penale.

Minxhozi: Bota demokratike ndodhet aktualisht në luftë me Shtetin Islamik, i cili ka avancuar në Siri, Irak, dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme. Ka pasur shumë shqiptarë që kanë shkuar atje nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia. Sa përgjegjëse është sipas jush feja islame në këto tre vende për nxitjen e rekrutimit të luftëtarëve të ISIS.

Ambasadori Lu: Drejtuesit islamikë të rajonit po luajnë një rol pozitiv për luftimin e ideve ekstremiste të ISIS-it me mesazhet tradicionale shqiptare të tolerancës dhe të bashkëjetesës paqësore. Shtetet e Bashkuara po punojnë së bashku me shërbimet e sigurisë të Shqipërisë për të identifikuar, monitoruar dhe kur është e përshtatshme, për të arrestuar, luftëtarët e huaj që kthehen nga Siria dhe Iraku.  Në të njëjtën kohë, ne e kuptojmë se ekstremizmi shpesh përhapet aty ku ka varfëri, papunësi dhe pabarazi shoqërore.  Gjithashtu ne jemi duke punuar me Shqipërinë për të trajtuar rrënjët e shkaqeve të ekstremizmit të dhunshëm.  Shqipëria do të mbajë një konferencë rajonale mbi këtë tematikë më 19 dhe 20 maj, për të kërkuar mënyra se si të punojmë bashkarisht në rajon për t’i trajtuar këto probleme.

Minxhozi: Do të doja të pyesja lidhur me Kumanovën. Si e shihni konfliktin atje? Është diçka e kurdisur nga qeveria maqedonase për të kapërcyer krizën politike apo është realisht një përplasje mes elmentëve të UÇK dhe qeverisë qendrore?

Ambasadori Lu: Është ambasada amerikane në Shkup që krijon politikën për këtë çështje por po përcjell fjalët e saj se shprehim keqardhje të thellë për humbjen e jetëve në aksionin në dhe rreth Kumanovës. Shprehim ngushëllimet tona për familjet e personave të vrarë dhe të plagosur. Ndjekim situatën dhe ambasada amerikane në Shkup është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet dhe udhëheqësit politikë. Bëjmë thirrje që qytetarët të ruajnë qetësinë dhe të lejojnë përcaktimin e fakteve.

Minxhozi: Dhe një pyetje të fundit, jo për nga rëndësia: marrëdhëniet dypalëshe, Shqipëri-SHBA? Opinioni juaj për nivelin e tyre aktual?

Ambasadori Lu: Thjesht do të thoja se marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara janë të pakrahasueshme. Ne bashkëndajmë lidhjen e gjysmë milionë shqiptarësh etnikë që jetojnë në Sh.B.A. dhe dhjetëra mijëra amerikanëve që jetojnë këtu.  Lidhjet tona historike datojnë që prej Woodrow Wilson dhe Konferencës së Paqes të Parisit më 1919 deri te Lufta e Kosovës dhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO.  Por mbi të gjitha, ne kemi lidhjen e vlerave që bashkëndajmë të lirisë, demokracisë dhe të besimit në një Europë të plotë, të lirë dhe në paqe.

Minxhozi: Faleminderit shumë.

Ambasadori Lu: Faleminderit juve.

 

SHKARKO APP