Ambasadori rus në Tiranë: Shkupi ta zgjidhë vetë “Kumanovën”. Shqetësuese retorika panshqiptare

 

Ambasadori i Rusisë në Tiranë, Aleksandër Karpushin, deklaron se autoritetet në Maqedoni duhet ta hetojnë vetë ngjarjen e Kumanovës, duke kundërshtuar kështu hetimin ndërkombetar.
Po ashtu ai thotë retorika panshqiptare është një shqetësim për Moskën, ndërsa shpjegon edhe praninë ruse në Ballkan.

 Si i komentoni zhvillimet e fundit në Maqedoni, që kanë rritur ndjeshëm tensionet në Ballkan, dhe si mund të zgjidhet kjo situatë, duke pasur parasysh edhe deklaratën e ministrit të Jashtë, Sergei Lavrov, që tha se Maqedonia mund të ndahet mes Shqipërisë dhe Bullgarisë?

Në Moskë me shqetësim të madh e vënë re çdo shfaqje të ekstremizmit dhe çdo incident të dhunshëm kudo në botë. Pasojat e incidenteve të tilla janë sidomos të rrezikshme dhe të paparashikueshme në rajonin shumetnik dhe shumfetar të Ballkanit. E dimë se përplasja në Kumanovë ndodhi në sfondin e një acarimi të krizës politike në Maqedoni. Siç njihet sipas listës së personave të arrestuar në këtë incident, u përfshinë kryesisht shqiptarët e Kosovës, por mbetet ende e paqartë sesi shqiptarët e armatosur nga Kosova u futën në territorin e shtetit fqinj.

Siç u shpreh dhe ministri i Jashtëm rus, Lavrov, ka dyshime se organizatorët e tij mund të ndodhen jashtë Maqedonisë. Mediat shkruan se, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë, ky grup i armatosur kishte në plan të ndërmerrte disa sulme ndaj institucioneve shtetërore, pra po planifikonin një aksion me qëllim, destabilizimin e vendit. Shpresoj që hetimet të zbardhin qëllimet e këtij grupi. Duke komentuar shkurt këtë incident, dua të them së pari se çdo akt i dhunës meriton dënim nga komunitetit ndërkombëtar, së dyti, besoj se nuk ka asnjë dyshim që autoritetet maqedonase janë në gjendje ta kryejnë vetë një hetim të paanshëm të incidentit në Kumanovë, dhe së treti, sigurisht që zgjidhja e krizës politike në Maqedoni është e mundur vetëm me mjete paqësore dhe me një dialog gjithëpërfshirës.

Ne e dimë që në Shkup u organizuan protesta masive, madje protestuesit ngritën tenda përpara selisë së Qeverisë, por ne e dimë që çdolloj skenari të revolucioneve me ngjyrë, duhet të konsiderohen si shumë të rrezikshëm. Përpjekjet për të ndryshuar pushtetin aktual duke dalë jashtë kornizave të legjislacionit, nuk mund të favorizoj stabilitetin e brendshëm në vend dhe shembujt më të qartë të viteve të fundit janë Libia dhe Ukraina, të cilat janë të mbërthyera nga kriza e brendshme dhe kanë perspektiva të paqarta.

Në deklaratëne Ministrisë së Jashtme ruse, dënohet deklarata e kryeministrit Rama për atë që quhet bashkimi klasik mes Shqipërisë dhe Kosovës…

Njoftimi që i referoheni përmban jo një dënim, por një shqetësim. Deklarata thotë se përsëritja e retorikës panshqiptare mund të ndikojë në mënyrë negative në klimën e ruajtjes së stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë në rajonin e Ballkanit. Dhe ky reagim i Moskës, në këndvështrimin tim, është mjaft i butë dhe i shpjegueshëm, pasi siç dihet faktori shqiptar është i pranishëm në disa vende të rajonit dhe për këtë arsye, çdo tezë për bashkimin e mundshëm të kombit shqiptar duhet përdorur me përgjegjësi maksimale.

Sa është rritur dhe si është rritur ndikimi i Rusisë në Ballkan?

Në kendvështrimin tim, në botë nuk ka asnjë vend i cili nuk do të synojë të rrisë ndikimin e tij, por pyetja tjetër është me çfarë qëllimi? Ndoshta ju keni parasysh konceptin e sferës së ndikimit. Kohët e fundit shumë akuzojnë Rusinë se gjoja po përpiqet të rindërtojë sferat e ndikimit të Luftës së Ftohtë, por të gjitha këto akuza janë absolutiosht të pabaza, sepse përsëritja e Luftës së Ftohtë është e pamundur, sepse në bazë të saj ishte një ballafaqim i dy sistemeve ideologjike, i cili nuk ekziston më.

Problemi është që sot për sot Rusinë e shohin shpeshherë si një bashkim të ri sovjetik, por ky vlerësim nuk është i drejtë, sepse aktualisht përkushtimi i Rusisë, është të zhvillojmë marrëdhënie të ngushta dhe pragamtike me përfitim të ndërsjelltë me partnerët tanë. Termi ndikim, i takon me tepër politikës së vendeve perëndimore, të cilat e konsiderojnë një gjë normale të ushtrojnë trysni të drejtpërdrejtë mbi udhëheqësit e vendeve të ndryshme.

NATO vazhdon procesin e zgjerimit dhe ne e kemi parë këtë edhe në situatën në Rumën Jugore në Bullgari, e cila iu nënshtrua presionit të jashtëm. Edhe në kontekstin e sanksioneve antiruse, të cilave u janë bashkuar shumë vende europiane dhe ballkanike, dhe si rezultat aktualisht ato pësojnë dëme kolosale. Unë jam vetë shef i Misionit Diplomatik të Rusisë në Shqipëri dhe mund t’ju siguroj që sot për sot Rusia nuk është e përkushtuar të rrisë ndikimin e saj në Shqipëri. Përkundrazi, ne jemi të angazhuar të zhvillojmë marrëdhëniet tona në fushën humanitare, kulturore, pse jo edhe në atë ekonomike. Do të ishim patjetër shumë të lumtur nëse Shqipëria do të merrte pjesë edhe në projektet ruse të gazit në rajon.

Do ishim të lumtur nëse Shqipëria do të ftonte specialistët rusë për të ndërtuar hekurudhat, apo për të realizuar projekte të tjera infrasktrukturore. Por konstatojmë me keqardhje që tani për tani, nuk ka vullnet të tillë nga ana e Shqipërisë. Dua të nënvizoj se edhe nëse ne synojmë ndikime në rajon, ne shfaqim interes ndaj bashkëpunimit pa diskriminim dhe me përfitim të ndërsjelltë. /T.Ch 

SHKARKO APP