Anila Konomi: Stina e vjeshtës, ngjyrat dhe stilimet që frymëzojnë
Stilistja Anila Kononi sjell detaje nga koleksioni i saj vjeshtë-dimër, i cili prezantohet në fund të tetorit
Anila Konomi: Stina e vjeshtës, ngjyrat dhe stilimet që frymëzojnë
Intervistoi: Sidorela Lepri
Ardhja e stinës së vjeshtës shoqërohet me tendencat përkatëse në stile, ngjyra dhe aksesorë, të cilat vinë në një shumëllojshmëri të tyre. Ndikimi nga tendencat e viteve të shkuara në veshje të caktuara, do të jetë edhe një nga risitë e këtij sezoni.
“Vjeshta gjithmonë kërkon tendenca të reja, por kësaj radhe stilistët nuk kanë ardhur me një tendencë të vetme, por me një shumëllojshmëri prurjesh. Kjo sepse kemi karaktere, tipe, shije dhe fizionomi të ndryshme. Trendet për këtë sezon janë të shumta, mbi 10 të tilla që do të kryesojnë.”, tregon për “Koha Jonë”, stilistja e njohur Anila Konomi.
Koloritet, printimet, lulet e zbehta, çantat e mëdha, xhaketat oversize, çizmet dhe këpucët me material të fortë janë disa nga tendencat që do të mbizotërojnë në këtë sezon.
Në një intervistë për suplementin “Koha Tjetër”, stilistja Anila Konomi shpjegon me detaje tendencat kryesore të këtij sezoni, ngjyrat që do të mbizotërojnë, kombinimet me aksesorët shtesë, veshjet që nuk duhet të mungojnë në garderobën e një femre si edhe ka disa këshilla sesi të vishemi bukur dhe me stil.
Jemi në stinën e vjeshtës. Cilat janë disa nga tendencat kryesore që do të mbizotërojnë në këtë sezon?
Vjeshta gjithmonë kërkon tendenca të reja, por kësaj radhe stilistët nuk kanë ardhur me një tendencë të vetme, por me një shumëllojshmëri prurjesh. Kjo sepse kemi karaktere, tipe, shije dhe fizionomi të ndryshme. Trendet për këtë sezon janë të shumta, mbi 10 të tilla që do të kryesojnë.
Coloriti është një nga trendet e kësaj stine dhe e ndan një veshje nga verore në dimërore. Është kthyer kolori blu, blu e fortë dhe gati-gati në blu elektrik, ngjyra e zezë, e cila kësaj radhe vjen me kombinimin bardhë e zi, ngjyra mustardë dhe panë. Shohim edhe një vazhdimësi të luleve në këtë sezon, por stilistët janë të kujdesshëm dhe e kanë sjellë atë më tone të ulëta. Ka stilistë që kanë sjellë copa të ndryshme me printime kafshësh, flutura apo pilivesa të ndryshme. Çdo stilist ka sjellë një ide ndryshe dhe identifikuese për koleksionin e tij. Përsa i përket formave, ,është hequr dorë nga masat e mëdha, palltot dhe xhaketat oversize. Është një lloj tendence e palltove stil boyfriend, pra kemi pallton e lirshme me supe të rëna dhe rrip në mes. Kryesisht frymëzimet janë marrë nga vitet 50, përsa i përket kashmirit dhe palltos. Tek pardesytë kemi rikthimin nga vitet 70, me jaka të mëdha dhe kopsa. Femra në këtë sezon nuk është e brishtë, por potente, e fortë dhe potencën ia japin pikërisht ngjyrat e forta.
Çizmet dhe këpucët në këtë sezon janë me materiale të forta dhe të ngurta. Përsa i përket çantave, është po kjo tendencë, çanta në formë të madhe. Veçoria është që janë rikthyer çantat e viteve 50. Po ashtu, shohim edhe çanta të printuara me aligatorë. Këto janë pak a shumë.
Ka disa stilistë të tjerë që e kanë sjellë çantën të madhe, me disa akesorë të tjerë të vendosur sipër, siç janë lulet që krijojnë pamjen 3D.
Sikurse e përmendët edhe ju më lart rikthimi i tendencave të shkuara është një risi. Por a do të ndihet shumë prania e tyre në këtë sezon?
Tashmë stilistët nuk përqendrohen në një stil apo rrymë të vetme, apo të përqendrohen në një ngjyrë. Kemi një shumëllojshmëri trendesh. E përgjtihshmja është respektimi i tyre. Po të kthehemi paksa të shohim çfarë kanë sjellë stilistët në atë kohë, fare mirë e gjejmë edhe sot.
Unë do të thoja që tre janë gjërat që udhëheqin rikthimin e këtyre tendencave, palltot dhe pardesytë pak oversize të lirshme, pantallonat stil boyfriend të viteve 50 dhe rithimi i lëkurës teksturë, pra të punuar.
Po përsa i përket ngjyrave që do të dominojnë në këtë sezon?
Pavarësisht se çfarë sjellin stilistët apo pavarësisht se çfarë shohim në pasarela, bluja elektrike, e bardha, e zeza, prapë stilistët në koleksionet e tyre private nuk heqin dorë nga ngjyrat pastelë, ku veshja kthehet në një përrallë, me ato ngjyrat e qeta, rozë antike, e kuqja e ardhur në bordo, ose shohim ngjyrat e nudës, bojëqielli etj. Do të thoja që mjafton të jenë kolore të qeta, që të mund të dallojmë sezonin. Stilistët në momentin që e shohin një ngjyrë është trend edhe në sezonin tjetër, ato ulin tonalitetin. Përshembull, në koleksionin e Valentinos mbizotëron elementi i fluturës, por me tone të ulëta. Pra, stilistët zgjedhin një simbol dhe punojnë me të. Edhe unë në koleksionin tim përzjedhur të tillë elementë (qesh).
Kur do të ju shohim me koleksionin tuaj?
Së shpejti, në fund të tetorit del koleksioni vjeshtë-dimër, i cili do jetë shumë i personalizuar, nuk do të ketë fustane më shumë se tre masa, tre kolore dhe një model. Pak a shumë të limituara. Kryesisht do jenë koloret e ngrohta të dimrit pa lënë menjëaneë blunë e bordonë. Të gjitha veshjet janë të punuara me dorë dhe janë me një ide ku flet firma ime. Kryesisht janë përdorur materiale origjinale dhe tekstile të zgjedhura me kujdes, duke qenë se klientela është e përzgjedhur dhe kjo përzgjedhje nis që me materialin.
Si një emër i njohur në fushën e stilimit, do të donim të ndanit me ne disa këshilla përsa i përket kombinimit të veshjeve me aksesorët, pasi mendohet që është edhe pjesa ku gabohet më shumë.
E rëndësishme është të kemi parasysh që nuk kombinohet çanta me këpucën me një të tërë, ose patjetër pallton me pjesën e brendshme të fustanit. Kontrastet janë gjëja më e bukur që po ndodh sot në modë. Por të kemi parasysh që kur kombinojmë dy ngjyra të jenë të së njëjtit intensitet.
Të mos kombinohen ngjyrat e forta pastel me ngjyrat romantike. Përsa i përket aksesorëve nuk është e thënë të kombinohet këpuca me një kolor të vetëm, por të jenë të së njëjtit stil. Nuk mund të mungojnë çantat që nuk kanë aksesorë apo kapelat, të cilat stilistët e kanë sjellë në forma të ndryshme dhe thjesht duhet ta përshtasim.
Nuk mund të veshësh një palë pantallona kauboj me një kapele të stilit Channel. Në këtë aspekt duhet të jemi të kujdesshëm. Po ashtu është edhe kombinimi i shalleve, i cili është një trend i rëndësishëm. Nëse ka diçka që nuk shkon me veshjen tonë apo ka një gabim, mund të korporojmë me shallet e mëdhenj, që mjafton t’i vendosësh në një mënyrë asimetrike në trup dhe je shumë in. Duhet të bëjmë disa zgjedhje praktike në kombinime. Më e rëndësishme është të jesh e zgjuar në zgjedhje, sesa të kesh një kuletë plot.
Të vishesh bukur është gjithmonë çështje stili?
Gjithmonë është çështje stili.
Po çështje parash?
Jo. Sa po vjen e po shohim që bota jashtë po e lufton shumë këtë idenë e markave të njohura. Shumë artistë të njohur po japin shembuj që mund të vishesh bukur edhe më çmime të lira. Mund t’i drejtohesh firmave si Zara po H.M që janë të lira, edhe mjafton të dish të zgjedhësh për tu veshur bukur. Paraja të ndihmon të blesh, por është mendja ajo që udhëheq paranë.
Çfarë nuk duhet të mungojë në garderobën e një femre në këtë periudhë?
Patjetër një shall i madh kashmiri ose i punuar me dorë. Duhet patjetër edhe një palë xhinse, pasi xhinset janë rikthyer sërish, por jo shumë të grisura, pak a shumë tip boyfriend. Po ashtu një pallto kashmir nuk duhet të mungojë, apo edhe një parsdesy e zezë ose kamel. Këto janë dy ngjyra që mund të kombinohen lehtësisht.
Po ato veshje që nuk duhet të mungojnë gjatë gjithë vitit?
Thuhet se xhinsi dhe një këmishë e bardhë nuk duhet të mungojë asnjëherë, sepse të nxjerr nga situata, majfon t’i veshësh një palë taka dhe një bizhu sipër dhe mund të drejtosh edhe një spektakël me këtë veshje. Duhet patjetër një fustani i zi mëndafshi, të cilin mjafton ta kombinosh me një palë perla dhe del nga situata. Po ashtu, pallto kamel ose e zezë. Edhe vathët, të cilët bëjnë ndryshim tërësor në një veshje. Shallet e mëndafshit nuk duhet të mungojnë në garderobën e zonjave më në moshë.
Dhe së fundmi, si e shihni qasjen e shqiptarëve ndaj modës?
Do të thoja që janë shumë të fokusuar dhe janë një popull që e përthithin majft mirë pjesën e artit të modës. Bëjnë shumë përpjekje për t’u veshur me stil, madje edhe duke sakrifikuar mbi mundësitë që kanë. Vërtet më vjen mirë, pasi në Shqipëri nuk kemi më klient që e kanë domosdoshmëri veshjen, por që e kanë luks.