Anxhela Peristeri: Asgjë që thuhet për mua s’më mërzit

Intervistoi: Sidorela Lepuri

Përveçse këngëtare, ajo është edhe një violiniste e një shkrimtare e heshtur, që i pëlqen proza. Anxhela Peristeri është një emër i njohur dhe i dashur për publikun shqiptar. Së fundmi ajo ka prezantuar për publikun këngën e saj më të re “Ta kam dhon”. “Subjekti i këngës është i thjeshtë. Flet për një të vajzë, e cila është rrëmbyer nga pasioni për partnerin e saj në një ditë dhe natë vere”, tregon Anxhela. Edhe pse ka vetëm pak ditë që është publikuar, këngëtarja tregon se komentet e para kanë qenë shumë të mira jo vetëm për këngën, por mbi të gjitha për look-un e saj. Në një intervistë për suplementin “Koha Tjetër”, Peristeri rrëfen për karrierën e saj muzikore, hapat e parë, shkëputjen për një periudhë relativisht të gjatë kohore, angazhimet në shtetin fqinj, jetën private, si edhe planet e ardhshme në tregun muzikor.

Sapo është prezantuar për publikun kënga juaj më e fundit, “Ta kam dhon”, një këngë tepër ritmike. Si lindi ideja për këtë këngë?

Ideja për realizimin e kësaj kënge, sigurisht ishte e imja, por e realizuan me sukses De Vox dhe Gramoz Kozeli.

 

Mund të na tregoni diçka më shumë për subjektin e këngës?

Në fakt, subjekti i këngës është i thjeshtë. Flet për një të vajzë, e cila është rrëmbyer nga pasioni për partnerin e saj në një ditë dhe natë vere.

Po përsa i përket bashkëpunëtorëve të saj?

Sikurse e thashë dhe më lart, autorët e këngës janë De Vox dhe Gramoz Kozeli. Klipi është realizuar nga shtëpia diskografike, Max Production. Përsa i përket imazhit është kujdesur Joni Peçi dhe grimiere Dhurata.


Zakonisht pas tekstit të çdo kënge qëndron edhe një mesazh. Çfarë keni dashur të thoni me këtë këngë?

Nuk është këngë me ndonjë mesazh shumë kuptimplotë. Është një këngë verore e kërcyeshme që tregon pasionin e dy të rinjve ndaj njëri-tjetrit. Më shumë të vajzës.


Cilat kanë qenë komentet e para pas prezantimit të këngës?

Komentet e para pas prezantimit të këngës kanë qenë shumë të mira edhe jo vetëm për këngën, por mbi të gjitha për look-un. Vërtet i falenderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi.

 

Ju kemi parë të këndoni në zhanre të ndryshme muzikore. Por ku ndjehet Anxhela më komode?

Më komode siç të gjithë e dinë, ndjehem tek baladat.

 

Anxhela Peristeri është një emër i njohur edhe i dashur për publikun shqiptar, por për një periudhë relativisht të gjatë kohore ju patët një shkëputje nga muzika. Ju  mungoi skena?

Jo, skena nuk më mungoi se në Greqi për 7 vite me rradhë kam qenë pothuajse çdo ditë duke performuar në skenë. Ajo që më mungoi është publiku shqiptar dhe dashamirësia e tij.

 

Keni jetuar në Greqi për disa vite. Vëreni ndonjë ndryshim midis mënyrës sesi funksionte tregu muzikor atje dhe këtu?

Sigurisht që në Greqi është 100 herë më e vështirë të ecësh përpara. Prandaj dhe jam shumë krenare për arritjet e mia si shqiptare në shtetin fqinj, ku sigurisht paragjykimet ishin të ndjeshme.


E mendoni sërish të ktheheni në Greqi, apo do t’i përkushtoheni karrierës suaj në Shqipëri?

Për momentin i jam përkushtuar Shqipërisë. Mendoj se pas pak kohësh do mundem të ndjek karrierën në të dyja vendet paralel.

 

Muzika për ju është profesion, apo pasion?

Muzika është pasioni im më i madh.

 

Përveç muzikës, me çfarë merreni tjetër?

Jam violiniste dhe një shkrimtare e fshehur. Më pëlqen proza.

 

Kur bëhet fjalë për personazhe të njohur, publiku është tejet kurioz t’i njohë ato përtej imazhit skenik. Si është Anxhela në përditshmërinë e saj?

Ata që më njohin thonë se jam më e thjeshtë seç duhet. Duhet? Asnjëherë nuk eci me parimin duhet. Unë jam kjo që jam dhe bëj atë që unë dua.

 

Shpeshherë spekulohet me jetën private të artistëve. A ka ndodhur në rastin tuaj diçka e tillë që mund të ju ketë mërzitur?

Nuk më mërzit asgjë që mund të thonë njerëzit për mua.

 

Meqënëse jemi tek kjo pjesë, mund të na tregoni diçka për jetën tuaj private?

Jeta ime private në këtë periudhë nuk ekziston.

 

Të rikthemi sërish tek muzika, si i përzgjidhni bashkëpunëtorët tuaj?

Mundohem që me artistët, të cilët bashkëpunoj të përshtatem sa më shumë në stil dhe në muzikë. Ky është kriteri kryesor.

Përsa i përket teksteve muzikore, i shkruani vetë, apo merret dikush tjetër?

Edhe vetë, por edhe me ndihmën e të tjerëve.Varet nga frymëzimi i momentit.

Në gjykimin tuaj, sa e rëndësishme është zgjedhja e duhur e tekstit?

Shumë e rëndësishme. Teksti është nga faktorët kryesorë të një kënge.

Kemi parë plot prurje të reja muzikore ku imazhi dominon mbi tekstin. Si do t'i komentonit?

Mendoj se imazhi është gjithashtu shumë i rëndësishëm për një artist. E mira do të ishte që të alternohej me tekstin dhe këngën, por në fund të fundit çdokush bën zgjedhjet e veta dhe nuk më mbetet mua të gjykoj.

Sikurse e përmendëm, tregu ynë muzikor është i pasur me prurje vazhdimisht, pavarësisht cilësisë. Ku qëndon diferenca mes amatorëve dhe profesionistëve?

Do ta bëja ndarjen në artistë dhe jo artistë. Kjo mendoj i shpjegon të gjitha.

Anxhela, jeni e pranishme në tregun muzikor prej shumë vitesh. Kujt ia atribuoni suksesin tuaj?

Vetes.

Si i kujtoni fillimet e para në muzikë?

Kam pasur një fillim jo të vështirë dhe të lavdishëm me këngën “Ishe Mbret”. Shpresoj të vazhdoj të bëj këngë që të ngelen në repertorin e muzikës shqiptare.

Ka ndonjë këngëtarë/e që ju inspiron?

Ka këngëtarë që më pëlqejnë shumë, por asnjë që më inspiron. Më pëlqen të jem vetvetja.

 

Cili është vlerësimi më i madh për ju si këngëtare?

Vlerësimi më i madh për mua janë duartrokitjet e publikut.

Sezoni i verës ka mbërritur zyrtarisht. Cilat janë planet tuaja?

Përsa i përket planeve, shumë koncerte gjatë korrikut dhe gushtit dhe në shtator, pse jo një këngë e re.

 

Po përsa i përket pushimeve?

Do mundohem të bëj disa ditë, por akoma nuk e kam vendosur ku dhe kur.

 

Planet e ardhshme artistike?

Nuk dua t’i zbuloj që tani se ndonjëherë bën vaki dhe nuk dalin.Thjesht dua të them se do mundohem të sjell këngë sa më të bukura për fansat e mi dhe të gjithë publikun shqiptar!

 

 

 

 

 

SHKARKO APP