Arilena Ara: Brenda “Nëntorit” flenë e shpërthejnë emocione vullkan

Nga Albina Gjergji

Me mbi 2 milion e gjysmë klikime në Youtube deri tani, kënga “Nëntori” i shkodranes Arilena Ara është absolutisht një nga baladat më të vlerësuara të “Këngës Magjike 2016”. Nisur jo vetëm nga teksti i ndjerë, por edhe nga zëri e interpretimi i jashtëzakonshëm i Arilenës, kjo këngë po komentohet nga publiku si favorite e edicionit të 18 të këtij Festivali. “Kjo baladë është një histori dashurie që pasqyron dhimbje e lot. Unë mendoj se, çdo njeri mund të përfshihet në këtë muzikë, cilado qoftë historia e tij. Ka shumë ndjenjë në çdo fjalë dhe në çdo tingull. Më ka kënduar shpirti! Gjithmonë kur e interpretoj ndjej emocione të papërshkrueshme”, tregon për gazetën “Koha Jonë” bukuroshja e “Nëntorit” lidhur me mesazhin e këngës. Më tej ajo rrëfen se si lindi idea për të krijuar diçka ndryshe nga e zakonshmja, për të krijuar një këngë, e cila veç të tjerash do të mbetet në mendjen e publikut. E në fakt kështu ndodhi, por i gjithë ky sukses është rezultat i një pune cilësore në bashkëpunim me mjeshtrin Darko Dimitrov, tekstshkruesin, Lindon Berisha dhe i një stafi të tërë profesionistësh që kujdeset në vazhdimësi për imazhin e saj.

 

“Nëntori” deri më tani, edhe sipas klikimeve në Youtube rezulton një nga 3 këngët më të pëlqyera nga publiku. Ju grish fakti që në një kohë kaq të shkurtër (kur ende nuk janë prezantuar të gjitha këngët e KM), ju bëni diferencë?

Ndjehem jashte mase e lumtur per suksesin e kenges. Eshte nje kenge, me te cilen rashe ne dashuri me degjimin e pare dhe me gezon fakti qe kam patur mbeshtetjen e publikut.

Një tekst që thotë shumë, brenda të cilit flenë e shpërthejnë emocione vullkan. Pse “Nëntori” Arilena?

Ishte rastësi. Ishim në studio me producentin Darko Dimitrov, ndërkohë që po punonim me një tjetër këngë dhe dëgjuam një demo, në të cilën përsëritej fraza “It’s November” dhe e dashurova menjëherë. Magjia e nëntorit me çoi ne “Këngën Magjike”.

Nisur edhe nga vargjet që ngjajnë me dhimbjen tënde, a është kënga një dedikim në veçanti, apo është një baladë, teksti i së cilës përshtatet edhe me histori dashurie?

“Nëntori” është një histori dashurie që pasqyron dhimbje dhe lot. Unë mendoj se, çdo njeri mund të përfshihet në këtë muzikë, cilado qoftë historia e tij. Ka shumë ndjenjë në çdo fjalë dhe në çdo tingull. Më ka kënduar shpirti! Gjithmonë kur e interpretoj ndjej emocione të papërshkrueshme.

Darko Dimitrov dhe Lindon Berisha. Pse zgjodhët pikërisht këta emra për bashkëpunëtorë?

Unë dhe Darko jemi bashkëpunëtorë prej vitesh. Kemi një energji jashtëzakonisht të mirë në të krijuarit muzikë të mirë. Ishte ai që zgjodhi Lindonin si autorin e tekstit dhe unë sigurisht i besova në gjithçka.

Si i përzgjidhni zakonisht emrat e bashkëpunëtorëve? Besoni në sugjerimet që u bëjnë, apo niseni edhe nga intuita personale?

Unë kam një familje të madhe përsa i përket pjesës profesionale. Bashkë me stafin tim kujdesemi për gjithçka hap pas hapi që të jetë zgjedhja e duhur. Gjëja më e rëndësishme është që ka dashuri, energji dhe frymëzim në çdo bashkëpunim, qoftë dhe të ri që sjellim.

Veç suksesit në publik, që tashmë është i dukshëm, cilat janë pritshmëritë tuaja nga “Kënga Magjike”?

Pres gjithçka, përveç gjërave që nuk jane të merituara!

E dini se ka edhe nga ata që mendojnë ndryshe nga ty, pra që nëntori është muaj që nuk duhet mallkuar?

Po, unë personalisht mendoj që çdo muaj është i bekuar, pavarësisht së shkuarës, apo çfaredo lloj gjëje që mund të ndodhë. Bekim është dhe nëntori, pasi ka plot gjëra për t’u festuar, lindjen, apo kurorëzimin e dashurisë.

Nga këngët që janë prezantuar deri tani, keni ndonjë të preferuar e që mund ta thoni me zë preferencën? Cila është ajo?

Për arsye etike profesionale nuk mund të përmend emra, por janë disa këngë që i pëlqej shumë.

Pas shpalljes fituese në “X Factor Albania” keni publikuar disa këngë, që rezultuan mjaft të dëgjuara. Veçmas KM, aktualisht keni ndonjë projekt tjetër në dorë?

Është një projekt që ka përfunduar përpara se “Kënga Magjike” të fillonte, madje kam ndarë dhe titullin kohë më parë në rrjetin social Instagram , “Energji”. Jemi në përgatitje të videoklipit. Përveç kësaj mendojmë të lançojmë dhe disa këngë festive dhe dashurie gjatë muajit dhjetor.

Jeni natyrë eksperiementuese, pra që guxoni të prezantoheni ndryshe në vokal e dukje Arilenë. Këtë herë në “Kënga Magjike” u shfaqët shumë seksi përballë një balade. Pse kjo zgjedhje?

Për imazhin tim është kujdesur Image Maker Miranda, këshilluar me stafin tim. Ishte momenti i duhur që performanca ime në skenë të ishte seksi me finesë.

E re në moshë, por shumë e pjekur në hapat profesionalë, hedhur deri më tani. Keni një menaxher që kujdeset për ju, apo natyra juaj e qetë ndihmon në selektimin e prezantimeve që bëni?

Siç e thashë edhe më lart, është një ekip i madh në prapaskenë që kujdeset për çdo detaj. Menaxheri është shtylla kurrizore në gjithçka që shihni në ekran. Ne jemi familje e madhe!

Çfarë është fitorja për ju?

Fitorja është shumë, shumë, shumë më shumë, sesa një trofe!

Po humbja?

“Humbja” bashkërendëse me fitoren, thjesht proces.

Artistët karakterizohen nga një botë e madhe shpirtërore dhe që shënojnë sukses kur detajet janë në harmoni me njëri-tjetrin. Muza juaj, çfarë ju bën kreative ju Arilena?

Kreativiteti ka të bëjë me siç i shohim ne gjërat, jo siç janë në të vërtetë. Të parit e gjërave ndryshon nga energjia që kanë, nga emocioni që transmeton dhe më e rëndësishmja nga ajo që të jep lumturi. Nuk ka asgjë më të bukur se të ndjehesh e lumtur në atë që bën dhe njëkohësisht e plotësuar.

Përtej skenës, në jetën e përditshme, Arilena si vajzë, mike, komshie… si është ajo? Na flisni pak për një ditë të zakonshme në kryeqytet, apo edhe në Shkodër?

Unë zgjohem gjithmonë herët në mëngjes dhe e nis ditën me aktivitet fizik (palestër, not, vrap). Pjesa tjetër e ditës ndahet me studion që është muzika ime. Më pëlqen të lexoj libra në mbrëmje vonë dhe të shikoj shumë filma. Organizoj herë pas here dhe ndonjë udhëtim të shkurtër në qytetin tim të lindjes, bashkë me familjen time që jeton atje.

SHKARKO APP