Arkitekti gjerman i këndit të lojërave: Jam surprizuar nga protestat

Pas debateve të shumta që kanë shoqëruar ndërtimin e Parkut të Lojërave për Fëmijë tek Liqeni Artificial, arkitekti dhe njëri ndër ideuesit e tij, Peter Wilson shpjegon më saktë se për çfarë bëhet fjalë. Ai thekson se parku do të jetë 50 përqind më i madh se tani, ndërsa do të ketë edhe një urë përmes liqenit.

“Vendndodhja e tij është zgjedhja ime dhe unë jam ai që e ka zhvilluar panoramën e zgjeruar të këtij parku. Parku i Tiranës do të jetë më fantastiku që mund të imagjinoni. Ai do të jetë 50% më i madh se aktuali, do të ketë pjesë me ujë të freskët për njerëzit që do të ecin aty, do të ketë ambjente sportive dhe një urë përmes liqenit për njerëzit që duan të shkojnë tek ambientet sportive. Ashtu siç kemi bërë edhe këtu në Korçë, korsi për të vrapuar  dhe korsi për biçikleta”, shpjegon Wilson.

Më tej ai thotë se ky park do t’i japë Tiranës një aset të jashtëzakonshëm.

“Po unë jam arkitekti i këtij projekti skandaloz, por nuk është një projekt skandaloz. Është një projekt që i jep Tiranës një aset të jashtëzakonshëm. Mendoj se çfarë duhet për projektet e reja në qytete nuk është një publik kritik, por një publik kurioz, një publik që pyet çfarë është kjo apo çfarë mund të bëj këtu në të ardhmen që s’mund ta bëj tani”, u shpreh arkitekti gjerman.  

Ndërsa debatet e fundit për parkun Piter Wilson i komenton kështu: “Jam shumë i surprizuar që dëgjoj rreth gjithë këtyre diskutimeve në gazeta për Këndin e Lojërave për Fëmijë . Sipas meje, nuk mund ta imagjinoj se banorët e ndonjë qyteti mund të protestojnë kundër një këndi lojërash për fëmijë. Fëmijët janë e ardhmja. Nëse nuk mund të bëjmë gjë për fëmijët, për kë duhet të bëjmë gjëra? Dhe ka një çështje rreth vendndodhjes së këndit të lojërave. Këndi i lojërave për fëmijët është në mes të parkut. Ne nuk duam t’i vendosim fëmijët në një anë të parkut dhe t’i çojmë ata aty, a thua se ata janë të parëndësishëm. Fëmijët duhet të  jenë qendra e ambicies sonë dhe qendra e jetës sonë”.

Arkitekti thotë së është frymëzuar për ta bërë këtu parkun pikërisht prej asaj çfarë ofron aktualisht Liqeni Artificial, panoramë të mrekullueshme dhe një numër i madh njerëzish që zgjedhin atë për aktivitetet e tyre sportive.

“Kjo është shumë e rëndësishme. Unë u surprizova shumë në Tiranë, kur një ditë u zgjova herët dhe pashë shumë njerëz që vraponin pranë parkut aktual të liqenit dhe mendoj se kjo është një kulturë shumë e shëndetshme ushtrimi këtu në Shqipëri. Ky numër kaq i lartë njerëzish që vrapojnë në mëngjes është shumë i pazakontë në qytete të tjera   evropiane. Por mendoj si vendi i vetëm ku zhvillohen këto ushtrime fizike në këtë park, duhet zgjeruar mundësia për të dhënë më shumë korsi për vrap apo më shumë korsi për biçikletat”, tha Wilson.

Projekti i Parkut të Lojërave të Fëmijëve tek Liqeni  Artificial është parashikuar për të përfunduar brenda katër muajve nga nisja e punimeve, të cilat aktualisht po pengohen prej një grup qytetarësh të mbështetur nga PD, të cilët nuk duan një park për fëmijët tek liqeni, pasi sipas tyre ajo që po ndodh është prerja e pemëve dhe se po bëhet për interesa klienteliste.  

[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=cc5Nsf5UihQ” width=”560″ height=”315″]

SHKARKO APP