Arta Bajrami, sekreti i një karriere dhe mëmësie të suksesshme

Nga Albina Gjergji

 

Pak ditë më parë ka hedhur në treg albumin e radhës muzikor, të cilin ka preferuar ta titullojë, “Victory”. Ka përzgjedhur këtë titull, jo vetëm për faktin se e bija quhet Victoria, por edhe sepse me “Victory” puna e saj merr një dimension tjetër, pikërisht atë të sakrificës 1-vjeçare dhe triumfit. Arta Bajrami është një nga këngëtaret më të kërkuara në tregun muzikor në Kosovë, Shqipëri e më gjerë dhe ajo çka duket se e bën më të veçantë dhe ndryshe nga këngëtaret e tjera është origjinaliteti i zërit, i stilit muzikor dhe padiskutim zgjuarsia e prezantimit të këngëve në kohën dhe momentin e duhur. Ky album i këngëtares, Arta Bajrami, përmban 10 këngë, të cilat i përkasin zhanreve të ndryshme muzikore, por ku dominon ritmi folk, ndërsa studio së cilës i ka besuar muzikën është ajo e vëllait të saj – edhe ai një emër mjaft i njohur në tregun muzikor – Don Arbas. “E veçanta e këtij albumi ëështë se përmban muzikë të stilit, që mua më dallon nga muzika që prezantohet sot në treg. Çdo këngë mban një vulë të qartë – Arta. Sapo të dëgjosh tingujt e parë e kupton që jam unë dhe ky është suksesi më i madh i një artisti, pra krijimi i një stili tipik që e bën atë të dallohet nga të tjerët”, shprehet Bajrami për suplementin “Koha Tjetër”, të gazetës “Koha Jonë”. Por këngëtarja nuk ndalet këtu, më poshtë ajo na zbulon edhe disa detaje të tjera që kanë të bëjnë me jetën e saj – jo vetëm profesionale – por edhe miqtë dhe konkurrencën në tregun artistik.

Sapo keni hedhur ne treg albumin e radhës muzikor. Sa këngë përmban ky album dhe pse ky titull Arta?

Albumi ka 10 këngë të zhanreve të ndryshme, por dominon muzika folk. Ndërsa për emër jam inspiruar nga vajza ime, Viktoria dhe pastaj medova t’i jap edhe një dimension më të gjerë, pra “Victory”, që do të thot “Triumf” dhe ky album është triumf mbi gjithë sakrificën një vjeçare për realizimin e tij.

Sa kohë kishe që punoje për këtë projekt artistik dhe çfarë e bën të veçantë ndryshe nga prezantimet e tjera, sipas jush?

Kam punuar rreth një vit intensivisht për të realizuar këtë album. "Victory" është punuar si zakonisht në studion “Arbasound” dhe nuk ka diçka që nuk është dëgjuar më herët nga unë, por e veçanta është se ky album përmban muzikë të stilit, që mua më dallon nga muzika që prezantohet sot në treg. Çdo këngë mban një vulë të qartë – Arta. Sapo të dëgjosh tingujt e parë e kupton që jam unë dhe ky është suksesi më i madh i një artisti, pra krijimi i një stili tipik që e bën atë të dallohet nga të tjerët.

Si është pritur deri më tani në Kosovë dhe cilat kanë qenë komentet më pikante që keni marrë?

Albumi është pritur tepër mirë dhe këtë gjë e prisja, sepse me modesti mund ta them se nga dhjetë këngët shtatë, apo tetë kanë potencial për t’u bërë hite. Por çfarë më gëzon është fakti që publiku e di çfarë mund të presë nga unë dhe ata kësaj here janë ndarë më të kënaqur se kurrë. Ndërsa komentet më pikante lidhen me pamjen time, ku shumica po thonë se dukem më bukur se kurrë më parë, e ky për një femër është kompliment i madh.

Po komente negative keni marrë dhe si reagoni zakonisht kur lexoni diçka të pavërtetë, ose tendencioze?

Komente negative nuk kam marrë. Ka aty-këtu ndonjë që ka pritur më shumë këngë të stilit R&B (e që nuk është për t’u çuditur kur dihet se unë jam pionierja e atij zhanri) por ata janë vërtetë në pakicë krahasuar me një numër enorm të atyre që janë tepër të gëzuar dhe të impresionuar nga ky stili im i ri, që anon nga folku, por është tipik Arta.

Bashkëpunëtorët e këtij suksesi Arta?

Albumi është punuar nga vëllai im, Don Arbas. Nga dhjetë këngë, dy prej tyre janë bashkëpunime. Njëra është duet me  Dulin (muzikë popullore) dhe tjetra me një anëtar të ri të studios sonë, Boletinin (R&B). Tekstet janë të shkruara nga Avni Qahili, Arsim Bunjaku, Mitat Sadiku, Endrit Mumajesi dhe unë kam shkruar një këngë në gjuhën angleze.

Jeni padiskutim një nga këngëtaret më të kërkuara në tregun muzikor në Kosovë, Shqipëri e më gjerë. Ç'detaj mendoni se ju bën kaq të dashur për publikun shqiptar Arta?

Mendoj se stili unik. Kjo është ajo që e thashë edhe më lart, pra sapo fillon kënga, publiku pa më dëgjuar akoma zërin e kupton që është Arta. Shembull, kur dëgjon këngët e Michael Jackson, ti e kupton që është ai akoma pa filluar akoma kënga. Qëllimi im është krijimi i një imazhi që mua më dallon dhe më bën të veçantë dhe këtë gjë besoj se po ia arrij. Dëgjoni albumin e ri dhe bëni krahasime me muzikën që sot lançohet në tregun shqiptar dhe do ta kuptoni këtë që po them.

A ka një filozofi, moto që e udhëheq punën tuaj dhe cila është ajo?

Moto e punës sime është, "work hard, play harder".

Këngëtare e suksesshme, nënë e një vajzë e cila quhet Viktoria, si arrini t'i zhvilloni të dy këto role duke qenë njëkohësisht edhe femër e realizuar në familje edhe artiste e kërkuar?

Moto më lart shpjegon atë se si ia arrij t’i përmbush këto dy profesione, të qenurit artiste e shumëkërkuar dhe të qenurit nënë. A është e lodhshme? Po shumë. Vajza ime kërkon të jem me të 24 orë në ditë. Por a është e mundur? Po, por vetëm për atë që nuk dorëzohet lehtë.

Shumë e apasionuar edhe pas modes, a është shopping-u një tjetër pasion i juaji?

Nuk ka femër që nuk e do shopping-un. Unë jam me fat që udhëtoj shumë dhe kam mundësinë të blej gjëra jashtë, pasi atje edhe ndjehem më e lirë. Por gjithashtu bashkëpunoj me stilistë të talentuar, kështu që nuk jam keq në këtë drejtim.

Ka miq në muzikë Arta, apo vetëm konkurrencë?

Në çdo lëmi mund të ketë miq, por kuptohet që më shumë ka konkurrencë. Por konkurrenca është gjë e mirë, pasi të shtyn të punosh më shumë e të përmirësosh vetveten.

Si e shihni tregun muzikor sot, me sy kritik, apo pozitiv?

Unë provoj ta shoh me sy kritik tregun muzikor, sepse jam pjesë e tij dhe nuk është mirë të mos kemi vetëkritika. Për mendimin tim, ai që i mbijeton me vite tregut, dëshmon se është duke e bërë mirë punën. Urrej të bëj atë, që disa artistë bëjnë kur thonë se “kjo, apo ajo muzikë ia vlen, apo nuk ia vlen”. Jo! Jetojmë në liri të plotë sa i përket zgjidhjes tonë kë të dëgjojmë dhe kë jo dhe publiku vendos vetë se kë dhe çfarë do të dëgjojë.

Koncertet e kësaj vere, agjendë e ngarkuar?

Jam në disponim të të gjithë atyre që më duan në restoranin, apo diskotekën e tyre, dasmën, apo ahengun familjar. Mezi pres t’i këndoj këngët e reja live.

SHKARKO APP