Arta Dade: Shpresoj që së shpejti Shqipëria të hapë negociatat për anëtarësim të plotë në BE
Intervistë me Kryetaren e Komisionit të Politikës së Jashtme të Parlamentit të Shqipërisë, Arta Dade, në lidhje me vizitën e kancelares gjermane Angela Merkel.
Nesër kancelarja gjermane Merkel vjen në Tiranë. Çfarë pret Shqipëria prej kësaj vizite?
-Vizita e Kancelares Merkel është mjaft e rëndesishme jo vetëm për marrëdheniet dypalëshe Gjermani-Shqipëri, por edhe në kuadrin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Sikurse dihet Konferenca e Berlinit me nismën e Zonjës Merkel i ka dhëne një nxitje të re bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe punës, që secila qeveri prej vendeve të Ballkanit Perendimor bën për përmbushjen e standardeve të përcaktuara në agjendën evropiane.
Shqipëria mbetet e angazhuar, vlerëson marrëdheniet me Gjermaninë si vend, që ka patur vazhdimisht vëmendje ndaj Ballkanit në përgjithësi por edhe Shqipërisë në veçanti, ndihmën që i ka dhënë konsolidimit të demokracisë, shtetit ligjor dhe zhvillimit social-ekonomik dhe padyshim mbështetjes për integrimin në NATO dhe në BE.
Në prag të vizitës kancelarja Merkel tha fjalë inkurajuese lidhur me perspektivën evropiane, por nuk la pa theksuar se „Shqipëria ka shumë, shumë probleme të mëdha“. Sa larg dhe sa pranë është Shqipëria nga BE? Nga ana e tij kryeministri Rama ka theksuar disa herë, se përse e sheh urgjente nevojën e përfshirjes së Ballkanit në BE.
– Në 25 vjet të tranzicionit Shqipëria ka bërë hapa shumë të rëndësishëm në integrimin e strukturave euro-atlantike, mjaft domethënës është fakti që Shqipëria është i vetmi vend anëtar i NATO-s nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Por sigurisht mbetet ende shumë për të bërë, në mënyrë të veçantë në çështje, që kanë të bëjnë me ekonominë, hapjen e vendeve të reja të punës dhe çështjet sociale. Shqipëria është vlerësuar nga Bashkimi Europian për arritjet në përmbushjen e standardeve dhe për këtë ka marrë statusin e vendit Kandidat në BE. Në mënyrë të veçantë janë mirëpritur arritjet në luftën kundër krimit të organizuar, zbatueshmërisë së ligjit dhe sundimin e tij në reformën në fushën e energjisë, në atë të pensioneve, reforma për ndarjen administrative. Së fundi, maxhoranca ka nisur një reformë të thellë dhe gjithëpërfshirëse në fushën e drejtësisë, e cila do të krijojë hapësirat e munguara në funksionimin në mënyrë të veçantë të gjyqësorit dhe do të krijojë besimin e munguar deri më sot tek organet e drejtësisë. Gjithashtu mbajtja e zgjedhjeve për pushtetin vendor, të zhvilluara me standartet e pranuara ndërkombëtarisht, i jep kredite Shqipërisë si një vend, që aspiron anëtaresimin e plotë në Bashkimin Europian. Shpresoj që së shpejti Shqipëria të hapë negociatat për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.
Është domosdoshmëri që integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian të shihet edhe në këndvështrimin e situatave dhe konjukturave të reja gjeopolitike dhe konflikteve në lindje dhe në jug të vetë Bashkimit Europian. Kriza në Ukrainë, në Mesdhe dhe në vendet Arabe duhet ta nxisë Bashkimin Evropian të përshpejtojë integrimin e Ballkanit Perendimor për ta bërë vetë këte rajon një vend më të sigurt, që ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e vetë Bashkimit Europian.
Si vlerësohet në këtë kontekst prania e kancelares Merkel në rajon?
-Sigurisht që vizita e Kancelares Merkel është një inkurajim për punën e përbashkët shumë dimensionale të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Gjermanisë dhe BE-së. Axhenda e bisedimeve është e përcakturar dhe Shqipëria dhe Gjermania, si dy vende të NATO-s, por edhe të organizmave të tjerë të sigurisë si OSBE, mund të diskutojnë edhe për çështje të sigurisë.
Vizita ka sa aspekt bilateral aq edhe rajonal. BE është i interesuar per ndërlidhjen e Ballkanit Perëndimor si rajon i tërë, me treg të unifikuar. Sa i realizueshëm ka qenë deri tani harmonizimi ekonomik e strategjik mes vendeve të rajonit? Sepse për t'u bërë unifikimi nevojitet ripajtimi dhe mbarëvajtja në fusha të ndryshme. Sa reale është kjo?
-Padyshim që kjo vizitë merr peshë të rëndësishme në marrëdheniet bilaterale, por edhe në aspektin rajonal. Prej vitesh Bashkimi Evropian ka pasur projekte madhore për integrimin e Ballkanit Perëndimor, është për këtë arsye që konferenca e Berlinit i ka dhënë një dimension të ri bashkepunimit rajonal me fokus projekte të perbashkëta në infrastrukturë, marrëdhënie tregtare si dhe në dimensionin human. Në fokus gjithashtu kanë qenë projekte për rininë dhe kjo është një risi në procesin, nëse mund ta quajmë kështu, të Berlinit.
Takimi i kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë është tregues i angazhimit të vetë vendeve për realizimin e projekteve të përbashkëta dhe për t'i dhënë kuptim pikërisht integrimit të vendeve të Ballkanit Perendimor si një rajon i përbashket.
Çfarë projektesh të tjera nevojiten të realizohen, apo janë në plan për t'i dhënë formë më konkrete konektivitetit? Për ta bërë më të lehtë e konkret ndërlidhjen e komunikimin?
– Nuk mund të ketë integrim pa konektivitet, që lehteson komunikimin dhe ndërlidhjen, për këtë është biseduar edhe në takimin e Kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Krijimi i makrorajonit 2020 është një nga projektet me BE, por edhe Korridori blu për të cilin flitet shumë së fundi. Gjithashtu projektet e interkoneksioneve në energji kanë marrë jetë edhe në këtë kontekst. Shqipëria është pjesë e gazsjellesit TAP e pa mëdyshje që nga ky projekt do të përfitojnë edhe vende të tjera si të Ballkanit Perëndimor, por edhe të vetë Bashkimit Europian lidhur me sigurinë në fushën e energjisë.
Shqipëria është e interesuar të tërheqë sa më investime gjermane në Shqipëri. Gjatë vizitës së kancelares do të ketë edhe një konferencë ekonomike. Sa është arritur ndërkohë për t'i ofruar një klime të sigurtë biznesi dhe garanci juridike kapitalit tö huaj, qö të investojë?
– Ka një klimë të re të bashkëpunimit ekonomik midis Gjermanisë dhe Shqiperisë, kjo falë përpjekjeve të maxhorancës aktuale për ta krijuar klimën e favorshme për investime jo vetëm gjermane, por përgjithësisht për investime të huaja në Shqipëri, duke përmirësuar kuadrin ligjor, duke forcuar luftën kundër korrupsionit dhe padyshim duke bërë përpjekje për zbatimin e kontratave të nënshkruara në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe përgjithësisht për zbatimin e ligjit. Gjithashtu reforma në fushën e drejtësisë do të krijojë garanci më të mëdha edhe për investimet e huaja përfshirë ato gjermane. Nje numër i konsiderueshëm studentësh nga Shqipëria studiojnë në shkollat gjermane falë edhe projekteve në këtë fushë që Ambasada Gjermane këtu zbaton prej vitesh me nxënësit tanë.
Turizimi është një degë fitimprurëse për Shqipërinë dhe turistët gjermanë janë shumë të lëvizshëm në Evropë. Cili është interesimi gjerman për turizmin e Shqipërisë dhe çfarë iniciativash ndërmerr Shqipëria për ta bërë tërheqës turizmin? Para pak ditëve u vranë në malet e veriut të Shqipërisë dy turistë çekë. Një ngjarje që nuk shkon në favor të turizmit nö vend.
– Turizmi konsiderohet drejtim i rendësishëm i zhvillimit të vendit. Shqipëria ofron opsione të larmishme për turistët e huaj përfshirë ata Gjerman. Ka projekte të rëndesishme në fushën e turizmit, si në atë bregdetar ashtu edhe në turizmin malor apo të lumenjve. Krijimi i strukturave përgjegjëse për bregdetin ka bërë që të ketë më shumë investime në këtë drejtim, pra në turizmin bregdetar, por padyshim edhe projekte për të mbështetur zhvillimin e turizmit familjar dhe malor.
Ngjarja tragjike e dy turisteve çekë sigurisht që është një ngjarje tronditëse, opinioni publik e ka dënuar dhe shqiptarët kanë reaguar si popull i qytetëruar, gjithashtu institucionet ligjzbatuese dhe policia kanë vepruar me shpejtësi për të vënë kriminelin përpara përgjegjësisë ligjore.
Kjo është një ngjarje e izoluar dhe të tilla mund të ndodhin edhe në vende, që turizmin e kanë shumë herë më të zhvilluar se sa ai çka ne kërkojme të kriojmë në Shqipëri. Për përmirësimin e imazhit të vendit duhët të punojmë të gjithë bashkë, media në radhë të parë. Kam përshtypjen që këtë punë më mirë e bejnë të huajt, që vizitojnë Shqipërine dhe shumë dashamirës të vendit tonë se sa vetë ne shqiptarët.
Kohët e fundit në Gjermani është shtuar numri i azilkërkuesve nga Shqipëria. Si shpjegohet kjo? Çfarë bën shteti për përmirësimin e gjendjes dhe si bashkëpunohet me Gjermaninë për përballimin e këtij fluksi?
– Pa asnjë mëdyshje gjendja ekonomike dhe sociale vjen duke u përmirësuar në mënyrë të veçantë krahasuar me 2 ose 3 vjet të shkuara. Rritja e numrit të azilkërkuesve nuk ka asnjë lidhje me atë çka kërkohet të interpretohet si përkeqësim i gjendjes ekonomike. Unë besoj që kjo ka të bëjë me disinformim të strukturave të caktuara për përfitime vetjake të paligjshme dhe dihet që ka patur edhe penalizime në këtë drejtim. Madje është për të përshëndetur edhe përpjekja që vetë ambasadori Hoffman ka bërë për të qartësuar opinionin publik se në Gjermani nuk ka azilantë ekonomikë. Është e domosdoshme që shqiptarëve t'ju shpjegohen më mirë rregullat, por në rradhë të parë t'u forcohet shpresa se të ardhmen duhet ta kenë të sigurt në vendin e tyre dhe kjo do të arrihet përmes rritjes ekonomike, hapjeve të vendeve të reja të punës dhe krijimit të të gjitha kushteve për një jetë më të mirë dhe dinjitoze. Jam e bindur që në këtë drejtim po punohet jo vetëm nga institucionet e qeverisjes qendrore dhe vendore, por edhe nga sektori privat ,që në partneritet me sektorin publik do të mundësojë lehtesimin e kësaj problematike.
DWelle