Babai i Dr. Florit: Ja si u bëmë të fortë pas humbjes së djalit
Pothuajse një vit pas vdekjes së Dr. Florit, vëllai i tij, Alban Kondi është martuar, ndërsa njësoj si në vargjet e këngës së Florit, për ta jeta shkon, në të mirë e të keq, duke gjetur forcën për të vazhduar përpara.
Pikërisht për këtë, i ftuar në studion e emisionit “Pasdite në Top Channel” ishte i ftuar babai i Dr.Florit, Muhamet Kondi, i cili rrëfeu për atë që kishin kaluar, por edhe për vendimin për të vazhduar përpara.
Intervista me Muhamet Kondin
TCH: Zt. Kondi, çfarë ju ka mësuar jeta këtë vit?
Muhamet Kondi: Jeta është kaq e bukur sa që ka vet brenda ilaçin që shëron vet gjërat. Ne ndoshta përpiqemi të gjejmë forca, por vetëm të respektojmë ligjet e jetës dhe ajo i ka brenda të gjitha gjërat. Jeta solli këtë martesë, pra ka një lloj ilaçi që zgjidh gjërat.
TCH: Një vit më përpara kishit menduar se do ishte e vështirë për të gëzuar, për të festuar?
Muhamet Kondi: Nuk ishim në gjendje të mendonim këto lloj gjëra. Po, sigurisht, që brenda plagës ekziston gonxhja e jetës, shpresa. Brenda fatkeqësisë lind në vetvete jeta, ekziston gëzimi, kë dikë që është në shtëpi që të sjell kënaqësi etj. Pastaj, vet rrjedha e jetës është e tillë që të ofron zgjidhjen e problemit, të ofron zgjidhjen e fatkeqësisë, të ofron njerëzit që të duhen, që të sillen rreth e rrotull, të takojnë, që janë të dashur.
TCH: Të tregon vet kënga që “do të vazhdojë/ do të vazhdojë me plot fuqinë e saj pavarësisht nga çfarë ka ndodhur”.
Muhamet Kondi: Po, sigurisht. Është vet kënga që sapo dëgjuam është një burim filozofik që pothuajse e ka nxjerrë për këtë kohë. Unë sa herë e kam kaluar këtë këngë, por tani e shoh në një tjetër këndvështrim.
TCH: Njerëzit që i shikojnë nga larg këto ngjarje, thonë rëndom “Zoti ju dhëntë forcën ta përballoni këtë situatë”. Ku gjenet forca?
Muhamet Kondi: Vet jeta rrjedh në atë mënyrë që do t’ia dalësh mbanë nuk mund të jetosh duke menduar katastrofën. D.m.th. të jep edhe një shpresë, edhe një këndvështrim tjetër, kjo është jeta.
TCH: Është e bukur?
Muhamet Kondi: Po sigurisht që është shumë e bukur. Është shpresëdhënëse. Pavarësisht se mua më ndodhi kështu, por jeta është e mrekullueshme. Duhet ta kërkosh të bëhet e bukur. Ta respektosh.
TCH: Një pjesë e mirë e njerëzve zhgënjehen aq fortë sa nuk arrijnë më ta gjejnë forcën, mendojnë që jeta nuk ka më asnjë lloj vlere kur humbasin njerëzit e dashur.
Muhamet Kondi: Nuk jam i këtij mendimi. Nuk pajtohem me këta njerëz. Duhet të integrohesh në jetë, sepse siç e thashë, të jep një mundësi tjetër. Miqtë vijnë të të takojnë, ti s’mund t’u rrish turivarur.
TCH: Dasma shkoi në mënyrë të mrekullueshme.
Muhamet Kondi: Dasma është ligj i jetës, ai u njoh me një vajzë të mrekullueshme. Tani kanë edhe muajin e mjaltit, ja pra tek është nëj zgjidhje e vet natyrës.
TCH: Në familjen tuaj, është një moment i kapërcyer tashmë ky? A ka nisur një kapitull të ri në familjen tuaj kjo dasmë?
Muhamet Kondi: Dasma është vazhdimësi e një jete ku ndodhin probleme të tilla, jo vetëm mua, por fatkeqësisht edhe të tjerëve. Ndoshta unë nuk e mendoja se mund të më ndodhte kështu, realisht ka ndodhur. Edhe ka ndodhur sepse kështu është jeta.
TCH: Të vjen keq që nuk kishe mundësi ta ndihmoje djalin tënd, edhe pse ishe mjek kardiolog? Keni brenga të tilla?
Muhamet Kondi: Më keni bërë një pyetje shumë të vështirë sepse tërë jeta ime ka kaluar nëpër kësi lloj urgjencash. Me të vërtetë jam kardiolog, por vet natyra e punës sime në Spital Ushtarak ka qenë që unë të përballem me shumë të helmuar të tillë, dhe jo vetëm unë por i gjithë stafi mjekësor. Kemi pasur një punë shumë të rëndësishme që ne jemi përballur. Nuk ishte fati im që t’i jepja ndihmën atëherë. Unë isha larg dhe për arsye shëndetësore kishte kërkuar që të mos shqetësohesha, por nuk do të doja të flisja më gjatë.
TCH: A mund t’ju themi një këshillë familjeve që gjenden në vështirësi të tilla me fëmijët e tyre? A mund të bëjmë diçka për të parandaluar gjëra të tilla?
Muhamet Kondi: Në mjekësi është një postulat i madh që thotë: “Mos e provo!” dhe kjo i mbyll të tëra. Me drogën nuk ka shaka, nuk ka lojëra, nuk ka “do ta përdor pak”, jo “është e pastër, e papastër”. Për fat të keq është një sëmundje që ekziston në shoqërinë moderne dhe duhet shumë kujdes. Eksperienca ime e punës dhe e kolegëve të mijë është shumë e dhimbshme.
TCH: Keni gjashtë muaj që keni dalë në pension, më thoni si i kaloni ditët?
Muhamet Kondi: Bashkëshortja ime ende nuk ka dalë në pension dhe është më e fortë e se unë. Ajo nga jashtë duket që është më e fortë se unë, prandaj kam edhe këtë përshtypje. Ajo me sjelljet e saj përpiqet të mos ketë frymë trishtimi dhe kjo është shumë e rëndësishme në familje. Kam edhe unë plot budallallëqe të mija që e kalojmë kohën shumë bukur. Kaloj kohën me Kaltrinën, nipin e vogël, kam hobitë e mija, kam një bahçe me të cilën pëlqej ta shtyj kohën, luaj shah.
TCH: I dëgjoni më shpesh këngët e Florit tani?
Muhamet Kondi: Po, i dëgjojmë më shpesh. Tani i dëgjoj në një këndvështrim tjetër sepse më përpara i kisha të vështirë edhe t’i kuptoja. Kënga ime e preferuar e Florit ishte “Tirana” që e ka kënduar me Edi Ramën. Pastaj ka pasur edhe këngë të tjera që kur Flori e nxirrte në fillim e pyeste të ëmën i thoshte: “Të pëlqen?, asaj i pëlqenin çuditërisht shumë. Edhe unë rrija e shikoja e thosha vërtet i pëlqejnë apo tallet. “Po ty babi, të pëlqen”, më pyeste. “Nuk më ngjit shumë”, i thosha. “Në rregull, tani jam i sigurt që do fitoj”, ma kthente.
TCH: Keni qenë të lidhur shumë me Florin?
Muhamet Kondi: Shumë, jashtë mase. Mund të them që ai ka qenë shumë i lidhur me mua. Por, sigurisht që kur ai u rrit dhe u martua u krijuan të tjera raporte, nuk kishim lidhjen e fillim, por lidhja ekzistonte saqë u bë problem. Flori si fëmijë ishte i lidhur sepse i tregoja shumë përralla, i blija lodra sepse ishte edhe fëmija i parë. Por, natyra e Florit ishte që kur i mbushej koka se e kishte mirë nuk shkëputej dhe fillonte të bënte gjëra çfarë i thoshte koka e tij dhe filloi të më pëlqente shumë. Sigurisht që në fillim kisha rezervat e mija, sidomos për muzikën sepse kisha të tjera preferenca. Kam qenë shumë i lidhur me muzikën klasike dhe befas të gjejë fëmijën që preferon një tjetër lloj muzike, mund ta paramendoni vet si ishte. Por tani i shijoj sukseset e Florit dhe duhet ta pranoj se isha gabim.
TCH: Flori e jetoi jetën ashtu siç deshi? Me të mirat dhe të këqijat e saj?
Muhamet Kondi: Flori jo vetëm e jetoi, por i nxori “ujtë e zinj” që të flas hapur. Kjo na jep një lloj kënaqësie dhe jemi më të qetë. I pa të tëra, udhëtonte shikoi shumë vende, këndoi në ato vende, arriti suksese, krijoi familjen, etj.
Marrë me shkurtime nga “Pasdite në Top Channel”