Balla: Ministrat duhet mos t’i zërë gjumi

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, tha dje se vlerësimi i ministrave do të bëhet gjatë llogaridhënies së tyre me qytetarët.

Sipas tij, qeveria dhe të zgjedhurit socialistë do të nisin një proces llogaridhënie në të 321 njësitë administrative të vendit.

Kryeministri tha në Asamble se do të ketë deri në shtator një proces analize për të bërë një bilanc, se cilët ministra kalojnë testin për të qëndruar në detyrë dhe cilët jo.

A mund të na thoni si do të bëhet ky bilanc për ministrat dhe a keni një ide se kush mund të rrezikojë paraprakisht?

Ne fillojmë prej sot një llogaridhënie publike në të gjitha nivelet, që do të thotë nga kryeministri te drejtuesit politikë të qarqeve, ministrat e kabinetit, zv.ministrat e më pas kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e të gjitha shërbimeve publike kalojnë përmes një dhënie llogarie përpara qytetarëve në komunitetet e tyre. Në të 321 njësitë administrative të vendit, në të 61 bashkitë, në 12 qarqe qytetarët janë të ftuar që të marrin pjesë në këtë analizë.

Ne e konsiderojmë të nevojshme të komunikojmë me ata gjithç- ka që kemi bërë në këto 6-7 muaj të parë të mandatit tonë të dytë. Në fund të këtij procesi, ku do të mbahet shënim çdo ankesë e çdo qytetari, çdo propozim dhe ide që mund të jetë e mirë për t’u reflektuar në vendimmarrjen tonë, ne do të hartojmë një raport përfundimtar, i cili mban në vetvete dhe vlerësimin sesi qytetarët mendojnë për çfarë kemi bërë deri tani; si dhe identifikohen edhe personat, të cilët në detyrën e tyre të bërë deri më tani populli shqiptar vlerëson se nuk ka qenë në lartësinë e detyrës.

Nuk është një fushatë elektorale, por në fakt ngjason me një fushatë zgjedhore, sikurse ndodh në çdo fushatë zgjedhore ku partitë paraqiten para popullit për të marrë vlerësimin e tyre, ne nuk jemi në fushatë, por jemi në një vlerësim të popullit.

E vetmja gjë që ndryshon është që në fund nuk do të ketë një proces votimi normal, por për PS-në ai do të konsiderohet një proces vlerësimi për t’u marrë në konsideratë dhe për të reflektuar. Shqiptarët e mirëpresin, duan të bëhen pjesë e këtij vlerësimi dhe ne u garantojmë që do ta kryejmë këtë proces me seriozitetin maksimal.

Pse deri tani në qershor? A ka lidhje kjo me kohën kur pritet të jepet rekomandimi?

Jemi më pak se një vit nga zgjedhjet ku u zgjodhën deputetët e rinj dhe kabineti qeveritar. Është normale që një forcë politike serioze bën bilancin e qeverisjes së vet përpara atyre që i kanë dhënë mandatin. Ne kemi marrë një mandat më 25 qershor të vitit 2017 në aleancë dhe bashkëqeverisje me qytetarët e thjeshtë.

Kemi kryer deri tani një proces llogaridhënieje dhe analize në nivel ministrash përballë Grupit Parlamentar dhe në fund të këtij procesi kemi hartuar një raport të performancës së secilit prej ministrave në sektorin që ai mbulon dhe tani pjesa tjetër vazhdon me anëtarët e tjerë të koalicionit tonë qeverisës, që janë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Është pjesë e kontratës sonë të 25 qershorit.

Ne u kemi thënë njerëzve që koha kur qeveritë japin llogari para popullit vetëm një herë në 4 vjet kur voton, ka marrë fund me 25 qershorin. Ky do jetë një proces i vazhdueshëm. Edhe portali “Shqipëriaqëduam.al” është dimensioni dixhital i këtij procesi llogaridhënës, i cili në vlerësimin tim deri më tani ka ecur mirë, por ende nuk është në nivelin e duhur po të kemi parasysh mosreflektimin në ankesa në portal të shumë problematikave lokale, të cilat nëse kanalizohen përmes portalit, marrin zgjidhje të menjëhershme.

Ne të gjithë strukturën organizative të PS duhet ta vëmë në funksion të shprehjes në portal pikërisht për të thithur sa më shumë probleme të qytetarëve dhe për të marrë zgjidhje.

Kryeministri Rama paralajmëroi ndryshime në kabinetin qeveritar në shtator nëse do të jenë të nevojshme. Përtej performancës së ministrit, a do të ndiqet e njëjta taktikë edhe elektorale organizative për zgjedhjet e 2019-s? Do të ketë ministra që do të lehtësohen nga barra e dyfishtë, ndonëse mund të kenë një performancë të mirë në dikasterin e tyre?

Procesi i llogaridhënies do të na japë ne një pasqyrë të qartë të performancës. Edhe në mbledhjet e grupit parlamentar me ministrat ka pasur kritika konstruktive për sektorë të caktuar, ku ende performanca jonë nuk është në nivelin që qytetarët presin.

Sa kohë që ne kemi treguar aftësinë dhe kapacitetin tonë për të reflektuar në raste kur e kemi kuptuar që një politikë e caktuar në një sektor të caktuar nuk ka performuar dhe nuk ka gjetur besimin e njerëzve, kemi treguar që dimë të ndryshojmë. Pa e nxjerrë nga konteksti, edhe rasti i Kukësit tregoi se pavarësisht domosdoshmërisë së tarifi

mit në funksion të garantimit të të ardhurave për mirëmbajtjen e rrugës, ndoshta konsultimi publik me popullin e Kukësit duhet të kishte qenë më i gjatë në kohë dhe më gjithëpërfshirës, për të parandaluar që elementë të caktuar të shpërdorohen për arsye politike dhe për të krijuar një kosto, qoftë financiare, qoftë politike për vendin.

Për çdo lloj politike të kësaj natyre, çdo lloj projekti të madh publik, duhet të paraprihet nga një proces konsultimi të gjerë. Pasi të kemi dëgjuar qytetarët, flas këtu për projektin Thumanë-Kashar apo projekte të tjera, duhet të kalojnë përmes konsultimeve publike, që opinioni të jetë i sqaruar për domosdoshmërinë që ka ky shërbim.

A keni ndonjë këshillë për ministrat, që besoj deri në shtator nuk do t’i zërë gjumi për t’i shpëtuar gijotinës për nga mënyra organizative. Çfarë duhet të bëjnë ata ndryshe për të shpëtuar?

Të qenët ministër do të thotë mos të të zëri gjumi katër vite rresht, jo mos të të zëri gjumi deri në shtator. Në ditët në vijim ju do të informoheni për axhendën e ministrave në procesin e llogaridhënies, i cili do të prekë të gjithë territorin e Shqipërisë, sikurse nuk duhet lënë pas dore dhe axhenda e tyre funksionale në ministritë që ata drejtojnë.

Kur bëhen bashkë komunikimi me njerëzit me detyrën funksionale të ministrit në ministrinë që drejton, jam shumë i sigurt që edhe preformanca e tyre është më e lartë, sa kohë që adreson çështje të cilat publiku mendon që janë prioritare. Gjyqtari më i ndershëm dhe i pandikuar në procesin e qeverisjes janë njerëzit, sa kohë që marrim nga njerëzit atë që ata mendojnë e kërkojnë, edhe performanca e tyre do të jetë më e mirë.

Një parti serioze si e jona këtë proces e ka angazhim përpara qytetarëve. Ne kemi një ekip të shkëlqyer qeverisës. Arsyeja e këtij vlerë- simi ka të bëjë pikësëpari që, është kjo qeveri që po qeveris vendin, e cila mundësoi që Shqipëria të marrë rekomandimin pozitiv, pa asnjë kusht për hapjen e negociatave. Është ky vlerësim që tregon se Shqipëria me këtë qeveri, me këtë kabinet dhe me Kryeministrin Edi Rama është në drejtimin e duhur. Këtë nuk e them unë, por e thotë Progres-Raporti i Komisionit Europian.

SHKARKO APP