Balla: Politikanët gjermanë vënë interesin e Gjermanisë e BE mbi interesin vetjak politik
PS e Shqipërisë i vlerëson orientuese diskutimet në Kongresin e SPD në Berlin. Taulant Balla e përfaqëson PS në Kongresin e SPD. Si kryetar i Grupit Parlamentar të Miqësisë me Gjermaninë ai njeh mirë edhe Gjermaninë.
Vlerësim maksimal për gjithçka që po bën Gjermania për çështjen e refugjatëve dhe për ruajtjen e vlerave të BE. Këto janë fjalët që thotë në emër të socialistëve shqiptarë, Taulant Balla, kryesues i delegacionit të PS të Shqipërisë në Kongresin e Partisë Socialdemokrate Gjermane, SPD, që po zhvillohet në Berlin. Në një prononcim për DW, Balla thotë se si „kristjandemokratët e Merkelit, ashtu edhe socialdemokratët e Sigmar Gabriel-it kanë vendosur mbi interesin e tyre të shkurtër politik interesin e Gjermanisë dhe më së shumti edhe interesin e BE. „ Dhe shton:„Përsa i përket diskutimit se Evropës aktualisht i mungojnë liderët: ndoshta në vendet e tjera evropiane ka mungesë lidershipi. Po kjo nuk vihet re në Gjermani."
Si një nga përfaqësuesit kryesorë të PS të Shqipërisë, Taulant Balla po ndjek në Berlin së bashku me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, njërin nga kongreset më të rëndësishme të socialdemokratëve gjermanë. Ata janë ndër 400 mysafirët ndërkombëtarë të SPD në Kongres. Me vëmendje kanë ndjekur ata të mërkurën (09.12.) edhe një konferencë ndërkombëtare për përgjigjen socialdemokrate ndaj sfidave të kohës.
Emra të njohur si gjermanët Frank-Walter Steinmeier, Martin Schulz, por edhe Massimo D'Alema, ish-kryeministër i Italisë, Jean-Marc Ayralt, ish-kryeministër i Francës deklaruan se e shohin kohezionin dhe solidaritetin social në BE më të rrezikuar se kurrë. Këto dy vlera themelore socialdemokrate, Partia Socialdemokrate Gjermane (SPD) dhe simotrat evropiane duan t'i marrin në mbrojtje. Ndaj dhe fokusi i kongresit të SPD, që nisi punimet të enjten (10.12.), është në fushat madhore, qendrore të politikës: në politikën e jashtme, të sigurisë dhe në qendrimin ndaj refugjatëve.
SPD e vendos forcimin e BE në krye të diskursit politik
Taulant Balla sjell në mendje sfidat që e presin BE në 2016-ën: jo vetëm vazhdimi i pritshëm i krizës së refugjatëve. Por edhe referendumi britanik për qendrim apo dalje nga BE; si edhe zhvillimet me Front National në Francë. "Do të doja të citoja që mocioni i përgatitur në Kongres i bën thirrje çdo evropiani, që nëse ne duam të jetojmë më mirë dhe të kemi një të ardhme të përbashkët të begatë, duhet ta mbajmë të fortë BE. Në kontekstin e ri të krijuar brenda BE, një prej partive kryesore që bashkëqeveris Gjermaninë, SPD, e ka vendosur forcimin e BE në krye të diskursit politik. Unë ndihem mirë që një nga partitë kryesore të BE mbështet BE dhe integrimin evropian," shprehet Balla për DW.
Ai është i ndërgjegjshëm se "Partia Socialdemokrate Gjermane është partia më e madhe ndër partitë socialiste dhe socialdemokrate evropiane". Ndaj "çdo diskutim që zhvillohet brenda kësaj partie ka një efekt edhe në këndvështrimin ideologjik të partive të tjera socialiste dhe socialdemokrate evropiane", thotë socialisti shqiptar. Në këtë kuadër, Balla e vlerëson të rëndësishme ndarjen e përvojës me kolegët gjermanë "qoftë për ne, edhe për LSI, meqenëse ne bëjmë pjesë në një familje dhe sfidat i kemi të përbashkëta. Edhe në rrugën e Shqipërisë drejt BE, roli që luan Gjermania dhe brenda Gjermanisë, roli që luan SPD është i rëndësishëm".
BE – përfitim nga një Shqipëri anëtare
Socialistët shqiptarë kanë qenë këmbëngulës sidomos kohët e fundit, në kërkesën që BE t'i japë Shqipërisë një datë për fillimin e negociatave të anëtarësimit. Kjo dëshirë shqiptare mbetet aktuale. Balla thotë në Berlin vërtet se e mirëkupton „që të flasësh aktualisht në Gjermani për zgjerim të BE është e vështirë, përsa kohë ka një lodhje të publikut gjerman nga zgjerimi". Por shton se sheh „që Gjermania, si një prej vendeve kryesore të BE është e prirur të ruajë kohezionin dhe solidaritetin brenda BE, e cila është shumë e rëndësishme." Në takimet me partnerët gjermanë në Berlin, Taulant Balla ka theksuar njëkohësisht përfitimin që do të kishte pasur BE edhe në krizën e refugjatëve, nëse Shqipëria e vende të tjera do të kishin qenë që tani anëtare të BE.
"Martin Schulz, njëri prej folësve në kongres citohej pak kohë më parë me fjalët, që nuk dihet nëse do të ekzistojë pas dhjetë vitesh BE, nëse nuk u vihet fre këtyre zhvillimeve të karakterit ndarës të vlerave ndërmjet BE", citon Balla kryetarin e Parlamentit Evropian. Citatin ai e sjell pasi politikanët shqiptarë e deklarojnë realist një anëtarësim të Shqipërisë në BE pikërisht brenda dhjetë vjetëve.
Në këtë kuadër, përfaqësuesi socialist shqiptar pyet: "A do të jetë atëherë më BE, kur të jemi ne gati për të hyrë në BE? Këtë kontekst unë e shfrytëzova për t'u thënë miqve tanë socialdemokratë, që edhe pse kohë të vështira, procesi i zgjerimit të BE përkundrazi nuk duhet ndaluar, por duhet të vazhdojë. Sepse për Gjermaninë do të kishte qenë më e lehtë të përballohej edhe kriza e refugjatëve, nëse vende si Shqipëria, Maqedonia apo Serbia etj. do të ishin vende të BE. Kjo sepse një pjesë e refugjatëve do të ishte ndaluar, do të ishin strehuar në Maqedoni, në Serbi apo në Shqipëri, pa qenë e nevojshme që të mbërrinin deri në Gjermani."
“Shqipëria – realisht vend i sigurtë“
I pyetur, si e vlerëson ai faktin që Gjermania po kthen mbrapsht masivisht azilkërkues shqiptarë, pasi e ka shpallur Shqipërinë vend të sigurt të origjinës, Taulant Balla shprehet se Partia Socialiste e mbështet "totalisht pozicionin e Gjermanisë, sepse realisht Shqipëria është një vend i sigurtë.“ Më tej ai i bën „thirrje çdo qytetari shqiptar, që i drejtohet Gjermanisë për të kërkuar azil që ta kuptojë se asnjë qytetar shqiptar nuk përfiton azil në Gjermani".
Opozita në Shqipëri – pa kërkesë të qenësishme për protesta
Protestat e ditëve të fundit të opozitës në Shqipëri, Balla thotë se nuk kanë qenë temë diskutimi me partnerët socialdemokratë gjermanë. Por ai kujton se "ka pasur një deklaratë të Zëvendëspresidentit të Grupit Socialist dhe Socialdemokrat në Parlamentin Evropian, që ishte pjesë e kongresit, Kurt Fleckenstein, njëkohësisht edhe raportues i Parlamentit Evropian, lidhur me protestën e dhunshme të PD. Thënë qartë dhe duke cituar edhe fjalët e zotit Fleckenstein, protesta e dhunshme, e cila u urdhërua nga kryetari i opozitës është një zhvillim negativ për Partinë Demokratike në veçanti".
Përfaqësuesi i PS të Shqipërisë thotë më tej se se opozita "nuk ka një kërkesë të qenësishme dhe nuk ka një kauzë për të zhvilluar protestë". "Vetëm katër muaj më parë patëm zgjedhjet lokale, ku populli shqiptar sërish i dha një notë negative kësaj opozite, po të kemi parasysh rezultatin zgjedhor. Eshtë e paimagjinueshme për këdo që një parti të kërkojë zgjedhje të parakohshme, katër muaj pasi ka pësuar një humbje kaq të thellë."
Balla: Shkaku i protestave – problemet brenda PD
Akuzat e opozitës për korrupsion Balla i cilëson të pavërteta. Njëkohësisht ai kujton se "rruga për të kërkuar hetimin e tyre dihet, është vajtja në prokurori dhe nëse kanë akuza t'i çojnë aty. Ajo që është e dëmshme është gjuha që ka përdorur kryetari i PD, nga kryetari de facto i PD, Sali Berisha, po sot edhe kryetari i Grupit Parlamentar të PD, një gjuhë fyese, e papranueshme për një vend që synon anëtarësimin në BE."
Pyetjes se a kanë bazë kritikat e opozitës se në Shqipëri nuk janë ç'rrënjosur sa duhet simbolet e komunizmit, Taulant Balla i përgjigjet:
"Nuk besoj se PD i vuri flakën një bunkeri apo u theu xhamat ministrive, përfshirë Ministrinë e Brendshme, të Transporteve apo Ministrinë e Rregullimit të Territorit si një përpjekje për të dëmtuar simbolet e komunizmit." Balla sheh probleme të brendshme të PD si shkaktare të vërtetë të protestave të ditëve të fundit.
"E para, kjo është një përpjekje për të përshkallëzuar dhunën, me objektiv të qartë për të zhvendosur vëmendjen nga reforma që po zhvillohen shumë qartë në Shqipëri, ndër të cilat, ajo që është më e rëndësishme është reforma në drejtësi. E dyta, kjo është një përpjekje e Lulzim Bashës personalisht, i cili, në kushtet kur pozicioni i tij në PD është gjithmonë e më i lëkundur, për shkak se shumë figura të rëndësishme në PD e kanë vënë në pikëpyetje lidershipin e tij, një lidership i falur dhe jo i fituar, mundohet që krizën e brendshme në PD, për shkak të mungesës së lidershipit dhe të nevojës që ka vendi për reformën në drejtësi, ta përcjellë në protesta me dhunë."
“Akuzat për reminishencat komuniste – alibi për dhunën“
Përmendja e reminishencave apo simboleve komuniste nga opozita është për PS "alibi për dhunën e ushtruar dhe për dëmet e shkaktuara gjatë protestës". Taulant Balla, njëri nga përfaqësuesit më të njohur të PS e cilëson së fundi në Berlin të dëmshme "që në këto kohë angazhimesh të rëndësishme të Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s dhe aspirant në BE, kemi një parti, që mundohet të përcjellë me imponim krizën brenda vetes në një krizë, e cila nuk ekziston në Shqipëri."