Basha: Jam pro debatit, do vazhdoj ta hap PD

 

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha komenton zhvillimet politike në vend, ndryshimet kushtetuese, reformën në drejtësi, si dhe u përgjigjet kritikave të Genc Rulit

Intervistoi: Sokol Balla, Top Story

A fole me Ilir Metën te festa e Kombëtares në Presidencë?

Nuk pata rast.

Çështje mundësie?

Ishte çështje ceremonie…

Ju duket normale që të mbroni jo Ballist Morinën, por faktin që një shtetas shqiptar u kap me armë?

Nuk po e mbroj aspak këtë fakt, por duhet ta njohim që Ballisti, është kërcënuar. Ka marrë kërcënime të shumta. Kujtoni që një biznesmen serbo-amerikan vendosi 1 mln euro për kokën e tij pas dronit në Beograd, ndërsa një kolegu i juaj i Neë York Times raportoi që gjatë intervistës merrte kërcënime. Kishte kërkuar mbrojtje nga policia, por nuk e kishte marrë këtë. Nuk mbështes armëmbajtjen pa leje. Fakti është që simbolika e Ballist Morinës u keqpërdor politikisht dhe arrestimi i tij ishte servilosje ndaj Vuçiç që sërish nuk erdhi. Unë kërkova lirimin e tij pasi Shqipëria ishte kualifikuar sepse ai nuk duhej të mungonte në festën e së nesërmes. I qëndroj mendimit që mbajtja e tij pas hekurave nuk i shërben asgjëje, as shtetit ligjor. Ismail Morina mund të procedohet në gjendje të lirë, sipas rregullave.

Duket se ka një përplasje mendimesh në PD, por ama kritikat janë të drejtpërdrejta ndaj jush nga z.Ruli?

Unë nuk kam ndërmend të bëj komente për komentet e zotit Ruli. Lajmi i mirë është që në PD ka debat si kurrë më parë në historinë e saj dhe kjo padyshim nuk është aksidentale. Vlera kryesore, sfida kryesore tek e cila unë besoj, dhe e kam thënë edhe në këtë studio kohë më parë, është liria. Dëshira ime është që kjo të tingëllojë jo vetëm si fjalë por edhe si vlerë. Liria, hapja, liria e mendimit ndryshe, e rrahjes së mendimeve, liria për të pasur mendime edhe të kundërta, por brenda kornizës së qëndrimeve të PD-së, burra dhe gra të rinj apo të moshuar, të gjithë të kenë mundësi që të shprehin mendimin e tyre lirisht edhe nëse kjo apo të tjera shprehje të anëtarëve të ndryshëm të forumeve drejtuese apo edhe anëtarëve të thjeshtë të PD-së kanë vlerën për të shërbyer si një provë e dimensioneve të kësaj lirie, nga e cila unë besoj se PD-ja vetëm përfiton.

Megjithatë, po i shmangeni pak problemit. Ju keni kritika nga drejtues, janë kritika të drejtpërdrejta dhe publike për mënyrën se si po menaxhoni partinë?

Unë jam i hapur për mendimin në tërësi dhe kritik në veçanti dhe aty ku shoh vlera të këtij mendimi, veçanërisht kur vijnë nga persona me përvojë politikë dhe me dashamirësi, mësoj dhe marr më të mirën nga këto kritika…Nuk jam dhe nuk jemi tkurrur në këtë rrugë. Unë e di se ku do të shkojmë dhe jam i vendosur ta drejtoj PD-në në atë destinacion dhe për këtë të mos ketë asnjë dyshim. Ky destinacion sigurisht që arrihet përmes një debati të shëndoshë, të hapur mes nesh, që çon më pas në marrjen e vendimeve të duhura. Sa herë që kjo ka ndodhur gjatë këtyre dy viteve dhe jo pak në fakt, ka garantuar një proces shumë më të mirë sesa vendimmarrja individuale apo pas kulisave. Pra, kush pret që Lulzim Basha të reflektojë duke mbyllur partinë apo duke frenuar lirinë e mendimit, do të zhgënjehet rëndë. Unë do ta hap edhe më shumë PD-në, do t’i jap edhe me shumë hapësirë mendimit dhe debatit të lirë të PD-së…

A e di se kush deputet të përfaqëson ty në Kuvend, z. Balla?

Më pyet mua për një mëkat që nuk është i imi. Sistemi që ka zgjedhur ish-kryetari i partisë suaj me kryetarin aktual të PS-së; zgjodhën një sistem, për të cilën mua si qytetar më duket jopërfaqësues dhe mezi pres ta ndryshojnë. Kjo është padyshim pjesë e problemit dhe pjesë e përgjigjes… Fakti është që sot shqiptarët janë më të papërfaqësuar se kurrë, në veçanti nga ata që kanë përgjegjësitë e qeverisjes … Shqiptarët nuk përfaqësohen më nga ky sistem dhe nga ky parlament…Unë nuk mund ta zgjidh këtë problem i vetëm dhe as PD-ja.

As PS-ja nuk mund ta zgjidhë dot e vetme…

Por një gjë mund ta zgjidh si kryedemokrat. Mund dhe do t’u jap demokratëve dhe qytetarëve në tërësi një të drejtë shumë të madhe për t’u konsultuar për t’u pyetur për kandidatët tanë…

Do ta bëni primar?

Nuk kemi vendosur për formatin…Do ta vendosim me ekspertizën…

Formati ai është…

Ka formate…  Thelbi është që unë jam i vendosur që vendimmarrjet e rëndësishme në PD, – që unë e kam quajtur dhe dua të jetë shtëpia e lirisë, – të mos jenë më në një grusht njerëzish, por të merren në një konsultim më të gjerë njerëzish dhe ky është hapi i duhur në drejtim të demokracisë pjesëmarrëse

Dalim tek thelbi i problemit, ju thoni që ky sistem është jopërfaqësues dhe ju keni të drejtë. Sistemi i vërtetë përfaqësues është ai mazhoritar, pra njerëzit votojnë për deputetin x në x zonë jeni ju për këtë sistem?

A bën apo nuk bën ky sistem varet nga mënyra si përdoret pushteti. Kemi qenë sistem mazhoritar dhe i kemi ikur për t’i ikur sistemit të të fortëve. Degjenerimi nuk ka ardhur prej sistemit, por prej vullnetit politik. Para se të bëjmë diagnozën e sistemit të shohim se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. A zgjidhet blerja e votave? Kandidimi i personave me të shkuar kriminale? Jo! Duhet të merremi me këto probleme dhe pastaj të merremi me të tjerat.

A jeni takuar me Ramën?

Jo.

Në Vjenë, Stamboll apo…?

Jo.

Pyetja ime është: a do të takoheshit me Ramën për diskutimin e tri çështjeve të rëndësishme; ligji për dekriminalizimin, reforma në drejtësi, dhe reforma zgjedhore? A do të ishit gati të takoheshit me të?

Në kulturën time, nuk kam qenë kundër këtyre takimeve për të zgjidhur çështje të interesimit publik. Por takim për hir të takimit, nuk mendoj se është e nevojshme.

Unë jua përmenda tri çështjet…Ndërkohë, në fillim të këtij sesioni ju keni folur për një pakt politik. Për çfarë pakti e kishit fjalën?

Për këto që ju sapo thatë…

A do të ishit gati për një aleancë me Metën në të ardhmen? 

PD-ja nuk lufton për pazare për pushtet, por ajo po bën gati alternativën e re, ku bëjnë pjesë programi, ekipi dhe pjesa politike. Unë jam për reformë kushtetuese, s’ mendoj se Kuvendi ka nevojë për 140 deputetë. Të ulet numri i deputetëve në Kuvend.

Reforma në drejtësi…Kemi reagimin e ashpër të Presidentit. Ju dhe PD-ja, çfarë pozicioni keni?

Jemi pro reformës në drejtësi, kundër korrupsionit të gjyqtarëve, por ne jemi kundër kapjes së gjyqësorit nga politika dhe kryeministri që merr në telefon gjyqtarët për t’i bërë shantazh. Pa mendimin e opozitës nuk mund të ketë reformë në drejtësi. Jemi shumë të shqetësuar se me këtë reformë, Edi Rama do të kapë drejtësinë. Ne, këtë nuk mund ta pranojmë.

Ndryshimet kushtetuese, a mendoni se ka ardhur koha që të ribëhet Kushtetuta si e tërë?

Për mendimin tim, po. Për t’u dhënë mundësi qytetarëve të jenë pjesëmarrës në një demokraci të re.

SHKARKO APP