Besnik Mustafaj: Çfarë (nuk) shkoi mirë nga krijimi i PD-­së

 

Në ditët e dhjetorit të vitit ’90 ju krijuat PD­-në. Tani që i kujtoni këto ngjarje pas 25 viteve, çfarë nuk bëtë siç duhet?

Duhet mbajtur parasysh se ne ishim pothuaj të gjithë të lindur dhe të rritur nën atë regjim. Ne po konstatonim se kishim arritur të rezistonim, por nuk ishim të përgatitur për ta shpallur në shqip aspiratën tonë më të shenjtë. Ne ishim, pra, midis 30 a 40 vjeç. Ishim profesorë universiteti, shkrimtarë, inxhinierë, mjekë, agronomë. E kishim bërë një copë të rëndësishme në rrugën e jetës tonë individuale, kishim zgjedhur profesionet dhe po bënim emrin tonë në këto profesione, që do të thotë se kishim përcaktuar horizontin, drejt të cilit besonte secili se do të ecte përgjatë ekzistencës së vet deri në fund. Në atë dhjetor 1990, ne u gjendëm papritur të përfshirë në vorbullën politike më të madhe që kishte njohur ky vend në historinë e tij moderne. Para secilit prej nesh u shfaq një horizont krejt tjetër nga çfarë kishim përfytyruar ne për jetën tonë. Ishte pikërisht politika. Do të ishte një ushtrim ky rrënjësisht i panjohur për neve e ku ne nuk na kërkohej të ishim thjesht mbështetës së saj. Ne do të duhej të ishim në ballë të saj, ta konceptonim dhe ta udhëhiqnim si proces. Do të duhej pra, të braktisnim brutalisht rrugën tonë profesionale, për të filluar po aq brutalisht një rrugë të re. Ky vendim nga ana jonë mund të merrej vetëm ashtu siç u mor, pa u menduar fare. Tashmë në rrugën e politikës ne kemi kaluar më shumë kohë nga sa kishim kaluar deri në dhjetor 1990 në rrugën e apolitikës: një çerek shekulli. Pyetja, të cilës jam përpjekur t’i përgjigjem artistikisht në romanin tim të fundit “Autoportret me teleskop” është kjo: “A kemi ne pjesëtarët e brezit tim, dy gjysma jetësh të pangjashme dhe pa ndonjë lidhje organike njëra me tjetrën, apo kemi edhe ne, si shumica e banorëve të kësaj bote, një jetë individuale me një farë koherence të brendshme“? Kjo pyetje ka për qëllim të nxjerrë në pah nëse arritëm ne të ndërtojmë sado pak për vete dhe për bashkëkohësit tanë atë që antropologët e quajnë “lumturia njerëzore”?

Si e komentoni zhvillimin e klasës politike shqiptare në këto 25 vjet. Çfarë duhej ndrequr?

E vërteta është se në vitet 1990, gjuha e politikës dhe gjuha e letërsisë nuk kishin të njëjtin zhvillim. Gjuha e politikës, të tillë siç e ëndërronim ne politikën në shqip, duhej krijuar nga hiçi ashtu siç duhej krijuar nga hiçi edhe ekonomia e tregut, shteti me institucionet e tij demokratike, drejtësia e pavarur, bashkëpunimi ndërkombëtar, shoqëria civile, dhe ai që quhet pushtet i katërt, shtypi. Në këtë realitet të gjerë dhe kaq kompleks, që do të krijohej nga hiçi, gjuha nuk është aspak periferike. Përkundrazi. Kam parasysh gjithnjë gjuhën e politikës. Gjuha do të ishte dhe mbetet një nga treguesit kryesorë të cilësisë, së elitës si e tillë, e elitës tonë politike pra, të këtij çerek shekulli liri. Elita politike ka me gjuhën atë marrëdhënie amësore që ka pula me vezën dhe veza me pulën. Shtruar si pyetje: pula e bëri vezën apo veza pulën? Ky lloj rrethi vicioz më duket se mund të paraqiste grafikisht njërin nga debatet më thelbësorë për shoqërinë shqiptare gjatë gjithë kësaj periudhe e që në fund të fundit rezulton, do të thosha, me keqardhjen më të madhe, një debat i dështuar, duke hedhur kështu një hije serioze dyshimi mbi faktin nëse ne, themeluesit e procesit të demokratizimit të Shqipërisë, u shndërruam dot apo jo në një elitë të vërtetë politike, në kuptimin perëndimor të kësaj fjale. Gjuha e përdorur gjatë këtij debati e që ende vazhdon të përdoret, zuri shumë shpejt shtratin e një retorike parapolitike dhe nuk doli më dot nga ai shtrat, duke humbur kështu mundësinë për të zhvilluar qoftë arsyen e shëndoshë politike e qoftë logjikën e ftohtë juridike.

Klasa politike shqiptare a arriti e të bënte siç duhet dekomunistizimin brenda saj?

Demokratizimi i jetës në vend do të ishte natyrshëm një objektiv prioritar i demokratëve, të cilët u shndërruan në një forcë të fuqishme parlamentare vetëm tre muaj pas themelimit të partisë së tyre. Por dekomunistizimi ishte nevojë jetike e të gjithë shoqërisë, në mënyrë që kjo shoqëri të shkëputej nga e kaluara, për të përqafuar mentalitetin e ri që sjell era e lirisë. Si i tillë, dekomunistizimi do të duhej të ishte objektiv prioritar edhe për të majtën ish­komuniste, e cila tashmë ishte konvertuar në socialiste dhe paraqitej në parlament me një program përgjithësisht social­demokrat. Ne demokratët kishim një pasqyrim lidhur me dekomunistizimin, që nuk përputhej me pasqyrimin që kishin socialistët. Por ekzistonin premisat programore që ne të merreshim vesh me kundërshtarët tanë për të përcaktuar termat përpara se të ndërmerrnim ndryshimin. Kjo marrëveshje, e cila do të kishte shënuar lindjen e një terminologjie në shqip, pra, një zhvillimi të ri të gjuhës tonë, nuk u arrit kurrë. Madje, as nuk u bë ndonjë përpjekje sado e vogël nga njëra palë e as nga tjetra për arritjen e një marrëveshjeje të tillë. Unë kam qenë pjesë e parlamentit qysh në zgjedhjet e para të lira, kur edhe do të duhej të arrihej kjo marrëveshje. Nuk më duket me vend të gjykoj në këtë përvjetor se çfarë nuk bënë kundërshtarët tanë politikë, edhe pse tendenca për ta zbukuruar të kaluarën është si një fantazmë në dollapin e secilit prej nesh që luajtëm një rol në atë kthesë të historisë, siç thotë Adam Michnik. Ne ishim de facto lokomotiva e procesit dhe ne nuk bëmë atë, që duhej dhe që pa dyshim mundeshim. Përgjegjësia kryesore na mbetet ne; pse vazhduan të dy palët të kemi pasqyrime krejt të papajtueshme lidhur me dekomunistizimin. Rrjedhimisht, ky imperativ nuk u shndërrua kurrë në një debat të vërtetë publik. Kjo ndodhi se ne zbuluam shijen e pushtetit përpara se të zbulonim shijen e vërtetë të lirisë. Nevoja jetike që kishte vendi për dekomunistizim u manipulua për t’u përdorur në shërbim të mbajtjes ose marrjes së pushtetit. Në vend që të paraprinte dhe të udhëhiqte lindjen e mentalitetit të ri, gjuha iu përshtat qëllimit të ngushtë të elitës politike. Më saktë, gjuha politike e trashëguar nga e kaluara ishte e mjaftueshme për një qëllim të tillë. Lufta për pushtet shoqërohet pashmangshëm nga një tension i madh dhe permanent, tension ky që shprehet përmes gjuhës. Madje do theksuar se, në sajë të lirisë, ky tension shprehet vetëm përmes gjuhës. Drejtuesit politikë, fatmirësisht, nuk zotërojnë më mjete të dhunshme. Por e pëson rëndë gjuha, mbi të cilën shkaktohet një dhunë shpesh ekstreme. Kundërshtari politik, apo edhe cilido që ka një mendim ndryshe, emërtohet me zë të lartë si armik. Nëse ka një tipar të përbashkët për t’i karakterizuar elitat politike shqiptare të këtyre njëzet e pesë vjetëve, është pikërisht dhuna verbale, me të cilën i janë drejtuar e vazhdojnë t’i drejtohen si njëri­tjetrit edhe opinionit publik. Kjo është gjuha, me të cilën regjimi komunist e ka shprehur thelbin e vet. Nuk dua të them me këtë se ne sot kemi në funksionimin e institucioneve reminishenca të metodave komuniste. Ky do të ishte një këndvështrim tjetër për të gjykuar mbi pjekurinë e elitave tona politike pas një çerek shekulli demokraci. Në këtë rast unë vetëm po tërheq vëmendjen te fakti se riciklimi i gjuhës së vjetër në një debat që do të duhej të ishte cilësisht i ri, siç është debati për dekomunistizimin, në të vërtetë përjashtoi mundësinë që ky debat të mbetej i lidhur me kujtesën për të ndikuar kështu mbi të sotmen me mësimet e hidhura të historisë. Ky debat, pra, mbetet për t’u zhvilluar. Por atë nuk mund ta zhvillojë brezi im. Ne dështuam si elitë. Atë mund dhe duhet ta zhvillojë një brez i ri, i cili të fillojë me shpikjen e gjuhës së përshtatshme.

Njerëzit që themeluan PD­-në a ishin të duhurit për të marrë mbi supe këtë barrë të madhe?

Ne ishim pothuajse të gjithë të moshës midis 30 e 40 vjeç. Ne ishim pak të përgatitur kulturalisht për të marrë përsipër përgjegjësinë e jashtëzakonshme historike që kishim përpara. E kam fjalën vetëm për kulturën tonë politike. Mbrëmjen e 11 dhjetorit 1990, me t’u kthyer delegacioni i studentëve nga takimi me Ramiz Alinë, u mblodhën në hollin e njërës nga fjetoret e studentëve për të themeluar organizatën tonë politike. Ishim atje Sali Berisha, Gramoz Pashko, Azem Hajdari, dhe 4 a 5 të tjerë. Pra, disa nga ata që do të bëheshin truri i ndryshimit rrënjësor të historisë. Debatin më të gjatë e kemi patur nëse duhej ta quanim parti apo jo atë që do të krijonim. Në përcaktimin tonë, edhe gjuhësisht “partia” bënte pjesë në arsenalin e regjimit që donim të përmbysnim. Me një fjalë, ne nuk donim t’u ngjasonim me asgjë kundërshtarëve tanë.

Për 45 vjet në Shqipëri forca që kishte drejtuar vendin quhej parti. Pse zgjodhët të emëronit dhe ju organizatën tuaj parti?

U mbajtëm megjithatë te “partia” të shtyrë vetëm nga frika se me çdo emërtim ndryshe, organizata jonë politike do të perceptohej e parëndësishme në sytë e popullit, e pabarabartë me partinë komuniste që duhej të rrëzonim nga pushteti. Domethënë, në vlerësimin tonë të shpejtë, çdo emërtim tjetër e vendoste paraprakisht organizatën tonë në një pozicion inferioriteti. Episodi i dytë zhvillohet në dy­tri ditët në vazhdim, kur punonim gjithë ethe për të hartuar pa vonesë programin tonë minimal që kërkohej në Ministrinë e Drejtësisë, me qëllim që partia jonë të njihej si e ligjshme. Tashmë rrethi ynë i të diturve ishte zgjeruar ndjeshëm. Më të diturit e të diturve, pothuaj të gjithë profesorë të Universitetit të Tiranës, punonin në shtëpinë e Gramoz Pashkos dhe kryesisht nën drejtimin e Gramoz Pashkos për hartimin e këtij programi. Sigurisht që ai program është një dokument me rëndësi historike. Aty përcaktohet rruga e re, në të cilën ne ishim të vendosur ta shtynim Shqipërinë e që ishte përcaktuar pakthyeshëm në sloganin e hedhur nga studentët qysh në ditën e parë të protestave të tyre: “Edhe ne si gjithë Europa”. Sikur fëmijët tanë, të cilët kanë tashmë moshën që kishim ne atëherë, t’i bëjnë sot një analizë të thjeshtë tekstologjike atij dokumenti, do të konstatojnë një paradoks të rrallë në historinë politike. Një përmbajtje politike substancialisht e re është shprehur me një gjuhë substancialisht të vjetër, me një fjalor dukshëm leninist. Sa për të dhënë një shembull, po kujtoj se pothuaj të gjithë paragrafët fillojnë me thirrjen: “Të luftojmë!…”. E pra, fakt është se hartuesit e atij dokumenti ishin ndër burrat më të shkolluar e më të kulturuar të Shqipërisë së asaj kohe. Të gjithë, pa përjashtim, zotëronin të paktën një gjuhë të huaj, anglisht ose frëngjisht, më së shpeshti madje të dyja, lexonin çdo libër që u binte në dorë i shtypur në këto gjuhë, pa e parë autorin dhe e kishin kaluar një pjesë të madhe të rinisë së tyre duke dëgjuar radiot e huaja. Gjithë ky informacion, sado që i mbledhur në mënyrë kaotike dhe eklektike, kishte ushqyer fuqishëm ëndrrën tonë për liri. Gjithë ajo lodhje për të mësuar gjuhët e huaja na kishte shërbyer për t’i ikur nga pak, qoftë edhe në formë iluzore, realitetit të bombarduar natë e ditë nga gjuha e propagandës zyrtare, e cila synonte të na shndërronte ne në “njeriun e ri”.

"Shekulli"

SHKARKO APP