Boçi: Nuk jemi për pengesë të votimit, Hahn të fliste për thelbin e kërkesës sonë

Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi: Letra e Hahn, më shumë një “letër dashurie” për qeverinë

 Redjon Shylla

Sot opozita mban protestën e dytë pas 3 muajsh qëndrim në çadër, që nga data 18 shkurt. Por çfarë pritet të ndodhë sot, protestë me trazira apo paqësore? PD e ka theksuar se protesta do jetë si e 18 shkurtit, paqësore. Në një intervistë për “Koha Jonë”, deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, deklaron se, heqja e çadrës në bulevard, do të vendoset nga veprimet e ndërmarra në ecuria e aksionit. Boçi shton se do të ketë edhe një tur shpjegues në rrethe. Për letrën e komisionerit Hahn, deputeti deklaron se: “z.Hahn duhet ishte të shprehur për thelbin e kërkesës sonë dhe jo për justifikimin e qeverisjes. Në këtë rast letra do dukej sikur i drejtohej “me dashamirësi” popullit, sepse ashtu siç e ka formuluar, duket sikur është më shumë një “letër dashurie” për qeverinë”.  Boçi shton se nuk janë për pengesë të votimeve, por për zgjedhje të lira e të vërteta.

A do të hiqet çadra pas protestës popullore? Do të ketë një tur shpjegues të bojkotit nëpër rrethe?

Gjithçka do të zbulohet sot. Veprimet do të ndërmerren në bazë të ecurisë sa më efikase të aksionit tonë politik. Turi shpjegues ka vendin dhe rolin e vet.

Do të ketë sot mesazhe për shtyrjen me konsensus të datës së zgjedhjeve, të arritjes me konsensus të marrëveshjes që garanton zgjedhje të lira e të ndershme për qytetarët pa përjashtim?

Ai është refreni i protestës sonë dhe normal do të jetë i artikulueshëm dhe sot por dhe në ditët në vazhdim. Zgjedhjet e lira e të ndershme me një qeveri teknike garantuese të tyre janë alfa dhe omega e përkushtimit të një politike që në qendër të saj ka vendosur qytetarin. Ne shpresojmë që arsyeja më në fund të zbresë në mendjet e turbullta që mbajnë peng fatet dhe votën e lirë të shqiptarëve.

z.Hahn pohoi se zgjedhjet do të zhvillohen pa pjesëmarrjen e partive kryesore të opozitës, ku kërkon të PD të mos pengojë shqiptarët që të votojnë. Si e komentoni këtë reagim, ku u theksua se koha e negociatave kaloi?

Unë nuk e di se sa adeguat është pozicioni i Komisionerit për zgjerim për t’i drejtuar letra popullit europian shqiptar dhe sa kjo punë “e lodhshme” e tij e ndihmon Shqipërinë që të kapërcejë më në fund pragun e lartë të Europës.

Nuk hyj as në polemika që kjo është e para apo e disata drejtuar popujve të tjerë aspirantë nga një komisioner kaq i lartë, pasi në dijeninë time, pararendësi i tij më shumë ka qenë i preokupuar për çështje me specifike si ajo e CEZ, p.sh. Ajo që më shqetëson është anashkalimi i një fakti shumë të rëndësishëm: zgjedhjet po tentohen të zhvillohen pa pjesëmarrjen jo të partive kryesore të opozitës, siç shprehet z. Hahn, por pa pjesëmarrjen e gjithë opozitës. Jo thjesht vetëm kaq.

Zgjedhjet në Shqipëri po tentohen të zhvillohen pa “Të Djathtën” si ideologji dhe si alternativë qeverisje. Ky është fakt dhe një handikap që vë në pikëpyetje pikërisht vlerën demokratike të sistemit. Këtë çështje doktrinare të demokracisë z. Hahn e ka studiuar gjerësisht dhe e njeh mirë. Si të tillë ai nuk mund ta anashkalojë e aq më keq të bëjë sikur ajo nuk ekziston. Votuesit aktualisht i duhet të votojë ose majtas ose majtas. Vetë vota është gjithmonë dy llojesh: konfirmuese (po) ose refuzuese (jo dhe abstenim).

Thirrja jonë e supozuar nga z.Hahn, për të refuzuar votimin pa alternativë, votimin fals, votimin e blerë e të rrëmbyer, është një e drejtë që buron nga demokracia, një thirrje për të mbështetur lirinë e saj dhe vlerën reale të saj. Të jemi të qartë: Ajo që kërkojmë e kemi kërkuar ne nuk është mospjesëmarrja në zgjedhje apo pengesa e votimit, por organizimi i zgjedhjeve të vërteta e të lira. z.Hahn duhet ishte të shprehur për thelbin e kërkesës sonë dhe jo për justifikimin e qeverisjes. Në këtë rast letra do dukej sikur i drejtohej “me dashamirësi” popullit, sepse ashtu siç e ka formuluar, duket sikur është më shumë një “letër dashurie” për qeverinë.

Si i keni parë reagimet e ndërkombëtarëve që dënojnë çdo deklaratë që bën thirrje për “veprime” që do të minonin të drejtën e çdo qytetari për të votuar dhe liri të tjera themelore? Si do ta menaxhojë PD-ja nëse sot në protestë, situata del nga kontrolli dhe shkon në trazira sociale?

Reagimet e ardhura janë pjesë e rutinës së gjuhës diplomatike midis përfaqësuesve të institucioneve, për të cilat unë personalisht kam vetëm një ftesë fare të thjeshtë: Nuk kërkoj prej tyre të mësojnë “intrigën e zyrave luksoze të shtetit” tonë bizantin. Kërkoj vetëm të dallojnë se cili është “veprimi” apo “veprimet” që minojnë të drejtën e çdo qytetari për të votuar dhe liritë e tjera të tij.

Janë thirrjet tona për të garantuar zgjedhje të lira, apo janë përdorim i parave të pista për shpërfytyrimin e zgjedhjeve?! Janë thirrjet tona për proces të ndershëm e demokratik apo mbledhja e kartave të identitetit një muaj para zgjedhjeve nga administrata, nga “biznese”, apo njerëz “të fortë” afër qeverisë. Janë thirrjet tona për votë të lirë, apo detyrimi për të votuar çdo mashtrim banal, apo çdo individ me rekorde kriminale?! Janë kërkesat tona për qeveri teknike, apo veprimet e qeverisë për të detyruar me mijëra presione e shantazhe që administrata t’ia dorëzojë votën kësaj të fundit?!

Janë thirrjet tona për të larguar krimin nga politika, apo janë angazhimet e krimit për të kapur me mijëra forma politikën e ekonominë e vendit me përfaqësuesit e tyre në nivelet më të larta të mazhorancës së sotme?! Janë kërkesat tona për të çliruar median nga interesat apo është përdorimi frontal i tyre në shërbim të qeverisë, në funksion të trullosjes së fushatës, për të prodhuar 24/24 falsitete e propagandë pa fund.

SHKARKO APP