Bozdo: Maxhoranca kërcënon maxhorancën për zgjedhje të parakohshme

Flet për “Koha Jonë”, sekretari i organizimit në PD, Enno Bozdo: PD ngelet e vetmja alternativë serioze në vend

 Intervistoi: Redjon Shtylla

“Kreu i Partisë Demokratike, Basha prej disa ditësh ka nisur turin “Takim me Qytetarët” dhe qëllimi është dëgjimi i problematikave që kanë qytetarët”. Kështu është përgjigjur në një intervistë, sekretari për organizimin në PD, Enno Bozdo. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Bozdo shpjegon me detaje takimet e kreut të PD-së. Ndër të tjera Bozdo ka treguar se për sa i përket ndryshimit të strukturave dhe një riorganizimi të tyre, tashmë është bërë një analizë shumë e hollësishme e zgjedhjeve lokale, analizë kjo e shoqëruar edhe me rekomandime për rritjen e efiçencës së strukturës partiake të PD-së. Reforma zgjedhore tashmë ka kaluar hapin e parë dhe partitë po përgatisin planet e tyre. PD-ja kërkon zgjedhje të parakohshme, por dhe disa deputetë të PS-së ditën e fundit kanë artikuluar të njëjtin qëndrim.

 z.Bozdo prej disa ditësh kreu i PD-së, Basha ka nisur turin e tij, “Takim me Qytetarët”, përveç fokusimit te problematikat, a është kjo përgatitja për zgjedhje të parakohshme? A po kërkon z.Basha besimin e qytetarëve e që mund të përkthehet në vota?

Turi i nisur nga z.Basha ka qëllim kryesor njohjen me problemet, hallet dhe shqetësimet e përditshme të qytetarëve shqiptarë, në zonat rurale apo në qendra urbane. Në kushtet kur është e qartë tashmë se qeverisja e PS-së është shkëputur totalisht nga realiteti i dhimbshëm dhe nga qytetarët, sepse ka zgjedhur të bëjë një aleancë të pastër me krimin dhe korrupsionin. Alternativa e PD-së është si gjithmonë e vetmja alternativë e besueshme për të nxjerrë vendin nga kriza, për të ringjallur shpresën te shqiptarët se ky vend bëhet. Takimet e kreut Basha kanë pikërisht këtë qëllim. Lideri i opozitës nëpërmjet këtij turi kërkon të dëgjojë vetë problemet, hallet, traumat, të prekë nga afër varfërinë që ka kapur vendin, t`i shohë shqiptarët në sy dhe t’u ringjallë shpresën dhe aftësinë për t`i rezistuar së keqes. Është ajo që duhet të bëjë një opozitë dhe Lideri i saj në kushtet kur vendi po shpërbëhet, kur shqiptarët gdhihen dhe ngrysen me mendimin sesi të braktisin Shqipërinë dhe jo si të kontribuojnë për ta pasuruar familjet e tyre dhe vendin. Për sa i përket zgjedhjeve të parakohshme, ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi gati në çdo çast. PD ngelet e vetmja alternative serioze në vend. Shqiptarët e kanë kuptuar në masë këtë gjë. Dhe në çastin e votimit do ta reflektojnë masivisht.

Jo vetëm opozitari është parë në takime, por dhe krerët e degëve të PD-së në qytete të ndryshme vazhdojnë me protestat e tyre. Këtu kemi dhe deputetet femra që kryesisht në zonën e veriut denoncojnë keqqeverisjen aktuale. Janë pjesë e axhendës së PD-së, këto organizime dhe a është kjo mënyra më e mirë?

Është pjesë e opozitës dhe ngritjes së frymës qytetare kundër keqqeverisjes së majtë. Problemet lokale janë të pafundme. Janë shumë dhe shpesh herë shumë më të mprehta sesa verifikohen në zonat urbane. Në zonat rurale, varfëria është rritur ndjeshëm, papunësia të zë frymën. Opozita lokale, së bashku me deputetet e zonave kanë detyrimin moral të shprehin zërin qytetar që proteston kundër varfërisë, papunësisë, arsimit dhe shëndetësisë si shërbime që djerren përditë e më shumë. Ku ka shpirt protestë, duhet të ndodhet PD-ja. Partia Demokratike duhet të mbështesë çdo kërkesë apo protestë të ligjshme dhe dinjitoze të qytetarëve shqiptarë, kudo dhe kurdoherë.

A është mirë që opozita siç ka vepruar deri më tani që u bashkohet protestave të shoqërisë civile, apo të distancohet dhe t’u lërë më shumë hapësirë qytetarëve të thjeshtë pa një përkatësi partiake?

Opozita nuk i është bashkuar protestës të shoqërisë civile. Të paktën jo në kuptimin e pyetjes tuaj. Nuk i është bashkuar jo sepse ka kompleks bashkëpunimin me qytetarët, por se mendon se një protestë që vjen nga shoqëria civile, është shprehje e shëndetit të shoqërisë dhe se jo çdo reagim në këtë vend duhet të vijë ekskluzivisht nga politika. Kështu, në rastin e betonizimit të Parkut të Liqenit, apo të rritjes së taksave dhe tarifave vendore, grupet e interesit kanë protestuar më vete. Sigurisht, PD-ja ka protestuar edhe ajo, sepse të dyja këto janë kauza që shqetësojnë jo vetëm grupe të caktuara civile, por edhe qytetarët e Tiranës. Në të dyja rastet grupi i Këshilltarëve të PD-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës ka mbajtur qëndrim të prerë, transparent dhe pa asnjë kompromis, për të dyja çështjet në fjalë. Në qoftë se ky qëndrim përkon me qëndrimin e shoqërisë civile apo grupeve të veçanta shoqërore, ky është një inkurajim edhe për PD-në.

PD-ja është shprehur se do të fillonte riorganizimin e strukturave të saja, çfarë mund të na prezantojnë me punën e bërë, çfarë po ndodh aktualisht?

Një parti opozitare merret çdo çast me strukturat e saj. Kjo është sigurisht e vërtetë edhe në rastin e PD-së. Por nuk është një përqasje që fillon me një të rënë të bilbilit dhe mbaron po ashtu. Nuk është fushatë, nuk është goditje e përqendruar! Përkundrazi, është afatgjatë dhe synon përmirësimin gradual dhe pandërprerë të skeletit partiak, pjesës më të rëndësishme të PD-së. Është bërë një analizë shumë e hollësishme e zgjedhjeve lokale, analizë kjo e shoqëruar edhe me rekomandime për rritjen e efiçencës së strukturës partiake të PD-së. Këto rekomandime tashmë po vihen në jetë dhe shumë shpejt do të ketë edhe një përqasje dhe më integrale ndaj çështjes së rritjes së efikasitetit partiak në çdo strukturë bazë të PD-së!

Në PS kanë dalë zëra konkretë për zgjedhje të parakohshme nëse nuk kalon reforma në drejtësi. Është kjo një rrugë edhe më e sigurt që PD-ja të arrijë qëllimin për rrëzimin e qeverisë?

Në mënyrë “cinike” do të thoja që çdo rrugë që çon në rrëzimin e kësaj qeverie, është një rrugë e mirë! Por do të thoja gjithashtu se, PD e konsideron reformën në drejtësi si shumë të rëndësishme dhe se ka deklaruar principin e saj: Komisioni i Venecias (rekomandimet e tij) duhet të adaptohen plotësisht. Kjo është ajo që z.Basha ka deklaruar muaj më parë dhe këtij principi të ndershëm i është mbajtur vazhdimisht. Por absurdi (dhe qesharakja në të njëjtën kohë) është se PS flet për zgjedhje të parakohshme pa paraqitur ende një draft të saj për reformën. Askush nuk e di se, cili do të jetë materiali i PS-së, kur ndërkaq “tellallët” e Ramës flasin për zgjedhje të parakohshme. Është paragjykuese, është madje asgjësuese. Tregon edhe një herë se llogaritë politike, konfliktet e brendshme të maxhorancës kanë degjeneruar kaq shumë dhe qeverisja ka rënë kaq poshtë, saqë maxhoranca kërcënon maxhorancën për zgjedhje të parakohshme! Dhe askush nuk e ka mendjen te reforma e vërtetë që i nevojitet vendit. Për të qarë dhe për të qeshur, kjo është fytyra e vërtetë e kësaj qeverie, është pikërisht ky qëndrim!

Nga mbledhjet e mbyllura të grupit të PD-së, në media kanë rrjedhur informacione se grupi është i ndarë në dy kampe sa i përket qëndrimit për bllokimin e Kuvendit. Basha është i vendosur në kursin e tij për të mos lejuar Kuvendin që të zhvillojë seancë normale dhe ndërsa grupi i deputetëve të zhurmshëm del kundër Bashës. A i ul pikë kjo opozitës?

Nuk mund të ketë zhvillim normal të punimeve të Kuvendit, për sa kohë Rama risjell kriminelët në Kuvend sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Për sa kohë Rama bllokon dekriminalizimin në të gjitha mënyrat, për sa kohë ai ringjall elementin kriminal në çdo cep të Shqipërisë. Janë rrethana ekstreme këto që po përjeton Shqipëria, që kërkojnë gjithashtu, një përgjigje ndoshta ekstreme. Në këtë klimë, diskutimet e Grupit Parlamentar të PD-së janë fokusuar për qëndrimin ndaj Kuvendit dhe jo për bllokimin e Kuvendit. Dhe bëhet fjalë jo vetëm për dy lloje opinionesh, por shumë më tepër se kaq. Dhe mbi të gjitha, nuk është çështje grupesh, por çështje e trajtimit të të gjitha mendimeve të ndryshme për një vendimmarrje kuptimplotë. Rezistenca ndaj të keqes, krimit dhe korrupsionit, duhet të bëhet me të gjitha mënyrat e mundshme!

 

DEKLARATA

“Konfliktet e brendshme të maxhorancës kanë degjeneruar kaq shumë dhe qeverisja ka rënë kaq poshtë, saqë maxhoranca kërcënon maxhorancën për zgjedhje të parakohshme! Dhe askush nuk e ka mendjen tek reforma e vërtetë që i nevojitet vendit. Për të qarë dhe për të qeshur, kjo është fytyra e vërtetë e kësaj qeverie, është pikërisht ky qëndrim”, ka shtuar Enno Bozdo.

SHKARKO APP