Caka: Vetting-u dhe reagimi qytetar do spastrojnë qeverisjen nga inkriminimi
Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Silva Caka në KafeIn
Si do ta bëni realitet mundësinë e një Vetting-u dhe bëhet fjalë për këtë mandat?
Vettingu në politikë ka pak a shumë të njëjtat parime bazë dhe lë të themi të njëjtat shina siç kishte dhe ai i prokurorëve dhe gjyqtarëve, apo dhe Vettingu i trupës së Policisë së Shtetit. Pak a shumë do të përdoren të njëjtat mekanizma, pak a shumë do të përdoren të njëjtat standarde le të themi, thjesht ka një specifikë të caktuar për arsye sepse vetë subjekti që do ti nënshtohet Vettingut, është tashmë politikani, i zgjedhuri. Nuk është më një person që është emëruar në detyrë.
Kishte një paradoks që më shqetësoi shumë te deklarata e Bashës për Vettingun për politikë dhe thonte që nuk do të merremi shumë me të shkuarën. Çfarë nënkupton kjo sipas jush dhe a nuk e zhgënjen pak publikun kjo?
Ideja është që ligji të mos ketë fuqi prapavepruese, ashtu si çdo ligj tjetër, kështu që besoj që në këtë kontekst e ka pasur. Është shumë e qartë ajo në projektligj. Do të prezumohet fajësia, pra ndalimi nga ushtrimi i detyrës deri në momentin që subjekti vërteton të kundërtën. Ky është kontekti i asaj që është thënë, pra edhe ato që mund të kenë ndodhur natyrisht prezumojnë le të themi heqjen dorë nga mandati apo ndërprerjen e mandatit në një moment të caktuar, derisa subjekti vërteton të kundërtën.
E kishit dëgjuar ndonjëherë deputetin Rraja më parë?
Jo asnjëherë, madje nuk e njihja as si fytyrë dhe aty ka shumë në fakt, sidomos nga Rilindja që nuk i njohim, që nuk ia kanë fare idenë që ekzistojnë, zonën padiskutim fare, për të mos gënjyer mund të them që nuk vijnë fare edhe nëpër seancat parlamentare, sepse mbyllin ato punët e tyre, mbyllin ato pazaret në zonat që përfaqësojnë dhe këto janë më të rrezikshmit fare pastaj, sepse kur je deputet në një zonë që është shumë e dukshme për publikun apo për median, siç janë Tirana, Durrësi, Elbasani apo qarqet më të mëdha, apo Bashkitë më të mëdha, je edhe në fokus të të gjithëve. Po këta pastaj që janë në këto bashkitë e vogla, në këto komunat që përfitojnë çdo tender, çdo gjë ata janë të frikshëm fare pastaj. Kështu që ky ishte një nga ato raste.
A keni pasur ju vetë ndonjëherë frikë si qytetare nga këto emra?
Personalisht me thënë të drejtën nuk kam pasur ndonjë konflikt, por realisht janë të frikshëm, sepse për aq kohë sa të vihet përballë një strukturë e tërë shtetërore, mendoj se mund të jenë të frikshëm. Sepse realisht nuk janë vetëm një strukturë shtetërore, pra nuk është vetëm një deputet, një kryetar bashkie, një kryetar i një Grupi Parlamentar, nuk është vetëm Drejtori i Policisë, ministri i Brendshëm që nuk ndërmarrin veprime për të ndihmuar një person që bën një denoncim, për një ish-oficer policie që kërkon ndihmë dhe kërkon mbrojtje nga shteti. Je përballë një kryeministri dhe mbi të gjitha je përballë gjithë kastës mafioze që mbështesin këtë qeveri. Kështu që janë të frikshëm, është për të pasur frikë, realisht.
A do e zgjidhi Vetting-u në politikë këtë?
Jo vetëm Vettingu, por unë mendoj që edhe qytetarëve u ka vajtur në një pikë që nuk mban më dhe sigurisht që kam bindjen e plotë që do të vijë edhe një moment që do të jenë pikërisht ata që do të tremben nga reagimi qytetar. Dhe unë mendoj që ka filluar një revoltë e jashtëzakonshme qytetare, edhe vetë protesta e realizuar para disa ditësh nga Shoqëria Civile për rastin e vajzës së Komunës së Niklës, mendoj se ishte një reagim goxha masiv. Padiskutim do të ketë edhe protesta të tjera që do të sjellin reagim qytetare dhe do të sjellin revolta ka për të qenë shumë e madhe. Ka filluar tashmë.