Daçiç: Duam normalizim me Prishtinën, por s’do ta njohim
Zoti Daçiç, një nga temat qendrore të konferencës së OSBE-së në Potsdam, (01.09) ishte kriza në Ukrainë dhe aneksimi i Krimesë. Në Beograd, ju konsideroheni si një politikan që mbron interesat ruse. Si i vlerësoni përpjekjet e presidencës gjermane të OSBE-së për rivendosjen e besimit mes perëndimit dhe lindjes, pas sjelljes agresive të Rusisë në Ukrainë?
Tema e takimit informal të ministrave të Jashtëm të OSBE-së, organizuar nga kreu i presidencës kësaj radhe, Frank-Walter Steinmeier, ishte reflektimi për të ardhmen e kësaj organizate, dhe mënyra se si t’i tejkalojmë konfliktet e sfidat e ndryshme. Nuk ka vetëm konflikte të armatosura, por edhe probleme të ekstremizmit. Radikalizmi, terrorizmi, migrimi. Sigurisht folëm edhe për mungesën e besimit. Për shkak se OSBE përbëhet nga 57 vende anëtare, është e nevojshme të marrim vendime unanime. Prandaj nuk vlen këmbëngulja për një pozicion të caktuar, duhen zhvilluar negociata, të cilat nuk mund të kenë sukses pa besim të dyanshëm. Gjatë presidencës serbe të OSBE-së (2015) ne patëm sukses, sepse kishim një pozicion objektiv, dhe gëzonim besimin e të gjitha palëve. Besoj se perspektivë qëndron vetëm tek kërkimi i pikave të përbashkëta për të arritur në ujdi.
Kjo vlen sigurisht edhe për politikën rajonale. Qëndrimi juaj kundrejt presidentit serb, Sllobodan Millosheviq është për disa nga fqinjët tuaj një pengesë tjetër për marrëdhëniet në rajon. Këmbëngulni ende që Millosheviqi në Hagë gjatë procesit kundër kreut të serbëve boshnjakë, Karaxhiq do të ishte liruar nga akuza për krime lufte dhe pastrime etnike? Besoni ende se perëndimi gënjen, kur flet për gjenocid dhe krime lufte, për të cilat është përgjegjëse Serbia dhe populli serb?
Kjo është një mënyrë shumë e thjeshtëzuar e trajtimit dhe që ekziston në perëndim, pra që serbët mbajnë fajin kryesor për gjithçka ndodhi në ish-Jugosllavi. Kur kam folur për Millosheviqin, kam folur për shtetin e Serbisë. Në shumë vendime të gjykatës së Hagës, që lidhen me persona të caktuar të akuzuar, ka pasazhe, që nuk lidhen vetëm me këta persona, por nga ato mund të nxjerrësh konkluzione të rëndësishme për fusha të caktuara. Kështu për shembull në dënimin për Karaxhiqin mund të lexohet shprehimisht se Millosheviqi, thënë ndryshe Serbia, sepse ai ishte president i Serbisë, nuk janë fajtorë për krime lufte, dhe se Millosheviqi, pra Serbia, nuk janë pjesë e “asaj ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, siҫ formulohet në Hagë. Kjo ishte esenca dhe kjo ishte shumë e rëndësishme për Serbinë. Kjo do të thotë që ҫdo individ mund dhe duhet të përgjigjet për krimet e tij, por pas këtyre krimeve, nuk qëndron Republika e Serbisë.
Kjo kishte rëndësi të veҫantë për ne dhe Serbinë. Nuk lidhet me personin Millosheviq apo dikë tjetër. Bëhet fjalë, siҫ e dini, që Serbia u konfrontua me padi të ndryshme. Kundër nesh ngriti padi Kroacia, pastaj Bosnja, madje edhe Kosova do që të ngrejë padi kundër Serbisë, megjithëse nuk e di si do ta bëjë këtë, sepse Kosova nuk është e njohur si shtet në Kombet e Bashkuara. Kjo do të thotë tani që është e pamundur të bëhet një gjë e tillë para Gjykatës Ndërkombëtare. Pra, të gjithë ngrenë padi kundër Serbisë dhe pretendojnë që Serbia ka bërë krime lufte apo gjenocid, dhe kërkojnë madje dëmshpërblim lufte. Prandaj është kaq e rëndësishme ajo që qëndron në dënimin për Karadxhiq, rolin e Serbisë dhe të Millosheviqit si president. Madje aty shkruhet fjalë për fjalë, se Millosheviqi u angazhua për pranimin e planeve të paqes, që u refuzuan më vonë nga udhëheqja boshnjake e Karaxhiqit. Kjo është shumë e rëndësishme e nuk duhet përzier me atë nëse dikush e ka mbështetur politikisht Millosheviqin apo jo.
Ju përmendët Kroacinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën. Si është marrëdhënia e Beogradit me këto vende?
Liderët serbë, qeveria dhe presidenti janë shumë të hapur dhe vërtet duan paqen dhe stabilitetin në rajon, dhe vazhdimin e procesit të pajtimit e kërkimin e interesave të përbashkëta. Nuk mund të ketë zgjidhje me plane joracionale. Nuk mund të ketë zgjidhje sipas modelit “e duam të gjithë njëri-tjetrin”, por duhet theksuar se ne jetojmë të gjithë së bashku në këtë rajon, kemi një histori të ngjashme dhe probleme të ngjashme. Qëllimi i përbashkët i të gjithë këtyre vendeve është në radhë të parë stabilizimi i ekonomisë. Kemi humbur shumë kohë gjatë konflikteve, BE duhet të dallojë patjetër, se rruga europiane e vendeve të Ballkanit i mban këto vende të bashkuara dhe nxit stabilizimin rajonal. Ka nevojë për projekte të përbashkëta, por nuk do të jetë e lehtë, megjithëse lufta ka kohë që ka marrë fund. Në të vërtetë paqja e vërtetë nuk është arritur ende. Kështu ashtu si dikush fillon me luftën, ashtu duhet të fillojë edhe me paqen. Ky është angazhimi serb, ndryshe si në disa vende, ku sundon një politikë anti-serbe, që e provokon Serbinë dhe rrezikon paqen dhe stabilitetin në rajon.
Si janë marrëdhëniet me Kosovën? Kur do ta pranojë Serbia realitetin e një Kosove të pavarur?
Çështja e Kosovës nuk është e natyrës politike, por është një problem i së drejtës ndërkombëtare. Serbia nuk mund të pranojë që të jetë legale, kur një pjesë e territorit të saj pretendon pavarësimin pa miratim. Nesër kjo mund të kërkohet në një pjesë tjetër të botës. Merrni për shembull Katalonjën, në Spanjë. Ata duan ta përsërisin shembullin e Kosovës, pa miratimin e Madridit. E dini, zëvendëskryetarja e Departamentit të Shtetit, Victoria Nuland më tha se, SHBA investojnë prej rreth 20 vjetësh në pavarësinë e Kosovës. Unë e pyeta se si është e mundur kjo, kur në këtë kohë, SHBA e mbështesin edhe sovranitetin e Serbisë. Ajo tha: “Po, ne e kemi mbështetur vërtet sovranitetin e Serbisë, por pa Kosovën”. Unë iu përgjigja: “Edhe ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov më ka thënë të njëjtën gjë, – Rusia respekton sovranitetin e Ukrainës por pa Krimenë”. Pra çfarë mund të bëjmë ne? Ne duam t’i zgjidhim këto probleme, por nuk mund të zhvillojmë një politikë të veprimeve të njëanshme. Serbia ka interesat e veta, dhe kemi bërë shumë në dialogun me Prishtinën. Por Prishtina nuk i përmbush detyrimet që dalin nga procesi i normalizimit. Jemi ende shumë larg normalizimit të marrëdhënieve. Por normalizimi nuk përmban as edhe një grimë brenda, që ne do njohim pavarësinë e Kosovës.
Ju i shikoni në Zagreb, përgjegjësit kryesorë për përkeqësimin e marrëdhënieve serbo-kroate? Pse?
E dini, Kroacia si vend i ri anëtar i BE-së përpiqet të përfitojë nga ky pozicion dhe t’i vendosë Serbisë ultimatume të ndryshme dhe kushte, që bllokojnë rrugën e Serbisë në BE. Ata kërcënojnë publikisht me atë se nuk do të lejojnë kurrë, që Serbia të bëhet anëtare e BE-së. Një nga problemet është ligji për ndjekjen penale të kriminelëve të luftës, por ne respektojmë kuadrin ligjor ndërkombëtar. Problemi i dytë është që në Kroaci fushatat antiserbe janë kthyer në normalitet. Kësaj i shtohet edhe rehabilitimi i shtetit të pavarur të ustashëve, që ishte një krijesë e Hitlerit. Në shumë kampe përqëndrimi atë kohë humbën jetën qindra mijëra serbë, hebrenj dhe të tjerë. Tani me bekimin e autoriteteve kroate, rehabilitohen njerëz që kanë kryer krime lufte kundër serbëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo ҫon në reagime nga pala serbe. Ne nuk do të pranojmë asnjëherë rehabilitimin e atyre që poshtërojnë viktimat serbe të Luftës së Dytë Botërore.
Në pjesën serbe të Bosnje-Hercegovinës, në Republikën Srpska, Milorad Dodik do të mbajë një referendum që i vendos pikëpyetje kompetencave të të gjithë Gjykatës Kushtetuese. Presidenti serb, Nikoliq e kryeministri Vuҫiq thonë se nuk e mbështesin referendumin e kontestuar, por do të vazhdojnë të mbështesin serbët në Bosnje pa ndikuar në politikën e tyre. Po luan Dodik me zjarrin dhe a e përdor me përgjegjësi Beogradi ndikimin e tij?
Mendoj se Serbia merr një pozicion të mençur, për të mbrojtur si interesat e Serbisë ashtu edhe të Republikës Srpska. Është e rëndësishme ruajtja e stabilitetit të Bosnje-Hercegovinës. Nga ana tjetër duhet të jemi drejtë dhe të themi se nga politikanët boshnjakë ushtrohet presion i madh, për t’i treguar botës se Bosnje-Hercegovina është një shtet mysliman. Madje kërkohet që Republika Srpska të mos ekzistojë më. Këtë nuk do ta pranojmë kurrë. Serbët janë njerëz konstruktivë. Bosnje-Hercegovina është një vend me tre kombe dhe dy entitete. Nuk duam shkeljen e të drejtave të Republikës Srpska, por as përsëritjen e ngjarjeve të viteve 90-të, prandaj përgjegjësia qëndron tek të gjithë aktorët.
Të kthehemi në skenën ndërkombëtare: Si është marrëdhënia juaj me BE-në krizë, unioni, ku ju doni të anëtarësoheni?
E dini, ne jemi më shumë europianë, se disa nga vendet që ndërkohë janë anëtare, Këtë e jam thënë që para Brexit. Pse? Sepse, BE për njerëzit në Ballkanin e rënduar prej vitesh nga konfliktet, është një faktor ndërlidhës, që nxit bashkëpunimin rajonal. Bindja jonë është që ia vlen të luftosh për këtë qëllim, pra anëtarësimin në BE. Shpresoj që BE të mbijetojë derisa të jemi anëtarësuar ne.
Do të aplikojë Serbia ndonjëherë për anëtarësimin në NATO?
Jo, këtë nuk e mendojmë. Pozicioni ynë zyrtar është: Serbia ruan neutralitetin ushtarak. Ne nuk duam të jemi anëtarë të një aleance ushtarake. Nga ana tjetër me NATO-n kemi bashkëpunimin në nivelin më të lartë të mundshëm që ka një vend që nuk do të anëtarësohet.
DWelle