Dalja e Greqisë do ta “vdesë” Euron!

 

Njihet si një ndër ekonomistët më kontroversë, me librin e tij bestseller “Kapitali”. Ekonomisti i famshëm për qëndrimet kundër masave shtrënguese, thotë se vendet e mëdha të BE-së, nuk duhet t’u japin leksione të tjerëve.

Prej kohësh, Tomas Piketi paralajmëron mbi paqëndrueshmërinë e situatës për shoqërinë greke dhe Evropën. Ekonomisti majtë, shumë kritik ndaj politikës ekonomike të presidentit socialist Fransua Holond, autori i librit bestseller në mbarë botën “Kapitali në shekullin e XXI-të”, thotë se e cilëson “të pabesueshme që sot t’i shpjegohet Spanjës dhe Greqisë që zgjidhja e vetme, është të paguajnë të gjitha borxhet deri në euron e fundit, kur ne e dimë se kjo nuk do të funksionojë”.

Dhe për të frenuar ndjenjën e pakëndshme, se lehtësimi i borxheve do të ishte një dhuratë shumë bujare për Greqinë e evazionit fiskal, Piketi nënvizon se vendet e mëdha evropiane, nuk kanë kualifikimin e duhur për të dhënë leksione: Masat që sot i imponojnë Athinës, nuk i patën aplikuar – për fat të mirë – për veten e tyre, kur ishin edhe më keq se kaq.

Pas luftës, Franca dhe Gjermania, kishin një borxh publik që e tejkalonte me 200 përqind Prodhimin e Brendshëm Bruto, por në vend të përdorimit të masave shtrënguese, aplikuan inflacionin dhe ristrukturimin e borxhit. Insistimi evropian kundër Greqisë të bën të qeshësh, thotë Piketi. Dhe pavarësisht se prej disa muajsh, shprehen se një dalje e Athinës nga eurozona, nuk do të ketë pasoja serioze për pjesën tjetër të BE-së, Piketi e gjykon këtë ngjarje të mundshme, një katastorofë për të gjithë zonën e monedhës së përbashkët.

Cilat do të ishin pasojat e falimentimit të Greqisë?

Një dalje e Greqisë nga Eurozona do të kishte pasoja të pallogaritshme. Kriza e besimit, që po minon zonën e Euros prej 5 vitesh, do të merrte përmasa edhe më të të mëdha. Gjatë çdo procesi zgjedhor, të gjithë do të pyesnin veten se cili do të jetë vendi i ardhshëm, që do të dalë nga Eurozona. Një dalje e Athinës, mund të përfaqësonte “vdekjen” e Euros.

Në përballjen e ashpër, mes kryeministrit grek Cipras dhe kreditorëve ndërkombëtarë, cilat mund të jenë lëshimet e arsyeshme nga të dyja palët?

Greqia gjendet aktualisht në situatën e një teprice të lehtë primare, ose thënë ndryshe grekët paguajnë pak më shumë taksa, sesa përfitojnë në kuadër të shpenzimeve publike. Është e arsyeshme të kërkosh prej tyre të mbajnë këtë prirje, por për ta bërë këtë, duhet arritur sa më shpejt një marrëveshje. Problemi është se marrëveshjet e vitit 2012, parashikonin një tepricë primare gjigante ose rreth 4 përqind të PBB-së për dekadat e ardhshme! Për krahasim, buxheti i përgjithshëm i të gjitha universiteteve në një vend si Greqia apo Italia, është vetëm 1 përqind e PBB-së. Marrëveshjet e 2012-ës duhet të rinegociohen, dhe sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më mirë do të jetë.

Mendoni se është i pashmangshëm një ristrukturim i borxhit grek?

Historia ekonomike është e mbushur me ristrukturimet e borxhit publik apo dhe fshirjen e tyre, si në rastin kur Gjermania përfitoi pas Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1953, aleatët hoqën dorë nga pretendimet për borxhin që u kishte Gjermania këtyre vendeve, dhe kjo bëri që vendi të investojë në rritjen ekonimike, infrastrukturë dhe aftësim profesional. Ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë tashmë në nivel evropian, duke bashkuar të gjitha borxhet publike të Eurozonës në një fond të përbashkët, prej nga ku mund të fillojë ristrukturimi.

Cilat mendoni se janë përgjegjësitë e Trojkës (FMN, BQE, BE) në njërën anë, dhe qeverive greke nga ana tjetër?

Qeveritë greke para vitit 2010, mbajnë një përgjegjësi të madhe për gjendjen aktuale të vendit. Por të kërkosh, që pasojat e kësaj katrahure të paguhen nga brezat e rinj për dekada të tëra, kjo nuk është zgjidhje. Nga viti 2010 e këtej, Gjermania, Franca dhe Italia i kanë imponuar Greqisë një kurë masash financiare shtrënguese, të cilat e kanë përkeqësuar më tej situatën.

Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar pranoi se e kishte nënvlerësuar ndikimin e masave të diktuara ndaj Greqisë në drejtim të recesionit ekonomik. Problemi është se vendet e mëdha evropiane refuzojnë të pranojnë gabimet e tyre dhe pjesën e tyre të përgjegjësisë.

Zakonisht priren të fajësojnë Gjermaninë…

Nuk është vetëm Berlini, që ka një rol në gjithë këtë. Italia, Franca, Greqia dhe Spanja tashmë janë thirrur të paraqesin propozime për rithemelimin demokratik të Evropës. U takon atyre të veprojnë, për të mundësuar që politikat e kursimit të përkrahen vetëm nga një pakicë, në kuadër të një Dhome Parlamentare të Eurozonës, që është e domosdoshme, por që mbetet për t’u ndërtuar.

bota.al

SHKARKO APP