DANDY – Trëndafil në pjatë… me shef Moris Moko!
Intervistoi: Eglantina Nasi
Trëndafil në pjatë… Një detaj krejt i vogël në dukje, por që pas të cilit fshihet një aromë sekretesh. Aromë gatimi… Jemi tek Dandy, Bar-Restaurant-Lounge në zemër të Bllokut. Aty ku klasi, shërbimi ekselent dhe mjedisi mjaft atraktiv, ndërthuren hijshëm tek njëri-tjetri, për t’u finalizuar në një kënaqësi unike që vetëm ai arrin t’u falë gjithë frekuentuesve të tij. Thonë se dashuria vjen nga stomaku. Pse jo, klientët e Dandy-t e duan atë edhe për kuzhinën e tij. Për aromat e saj të veçanta, guximin në të eksperimentuarit me elementët që e formësojnë gastronominë si të tillë, por edhe gjetjet aspak të zakonta që i befasojnë shpesh. Të cilat, në fakt e kanë një autor: Ai quhet Moris Moko! Një shef kuzhine që suprizon në vazhdimësi e që në këtë rrëfim të tij për “Koha Jonë” arrijmë t’i “vjedhim” disa nga sekretet e profesionit. Por edhe të magjisë që mbart arti i gatimit…
Kush është shefi i kuzhinës së “Dandy” Bar-Restaurant-Lounge?
Quhem Moris Moko, një shef kuzhine që krahas punës që ushtroj këtu e kam edhe pasion. Që në moshë të vogël, 13 vjeç pothuajse e nisa këtë punë e tani mbas një eksperience 15-vjeçare kam arritur aty ku unë dëshiroja. Pra të gatuaja dhe eksperimentoja jo vetëm me kuzhinën shqiptare, por edhe ato të huaja.
Koncepti juaj për kuzhinën, përtej konturimit të saj thjesht si një vend gatimi. Çfarë ndjesish ju lindin, teksa nisni të përgatisni për klientët?
Kuzhina për mua është një art më vete dhe si e tillë nuk e shikoj vetëm si një vend ku gatuhet për klientelën, por edhe si një mundësi për të provuar gjëra të reja, duke sjellë edhe specialitete individuale. Çdo ditë mundohem të përgatis pjata të realizuara më së miri dhe patjetër me shumë shije për çdo klient. Pjesa tjetër, varet edhe nga shijet e tyre, pasi klienti për ne është “mbreti” dhe si i tillë ai duhet të ndahet gjithmonë i kënaqur nga kuzhina. Kjo është edhe motoja e “Dandy-t”!
Një trëndafil, apo dizenjo të çuditshme, shpesh në brendinë e pjatave që ju servirni… Ç’sinjifikojnë për ju elementë të tillë?
Ky është arti i kuzhinës e siç thonë “pjatën e ha syri”. Një pjatë e bukur, me dekore, estetikisht bën diferencën. Ndërsa kur vjen puna tek trëndafili, ky detaj simbolizon të bukurën në tërësi, por është edhe një sinjal që fton nëpërmjet aromës së mirë të ushqimit. Tek trëndafili ka shumë buzëqeshje e mirësi, por edhe dashuri brenda, sepse siç thoni ju, dashuria vjen nga stomaku!
Të eksperimentosh në kuzhinë. A guxoni shpesh dhe deri ku arrin imagjinata juaj?
Idetë dhe imagjinata e bëjnë këtë profesion më të organizuar dhe joshës. Personalisht gjithmonë kam ide dhe guxoj çdo ditë, duke bërë gjëra të reja. Mendoj se ia kam dalë.
Si njohës i mirë i gastronomisë, cili është sipas jush evoluimi që po pëson së fundmi kuzhina tradicionale shqiptare? A mendoni se ajo po humbet gjatë rrugës, apo po përsoset teksa fiton elementë të rinj nga kuzhinat e tjera?
Jo mendoj se kuzhina shqiptare nuk po humbet, sepse ajo është traditë e gjatë e popullit tonë, pra e trashëguar, e cila ruhet nga çdo familje shqiptare, por ashtu sikurse në çdo aspekt tjetër edhe në kuzhinë futen përbërës të rinj, por pa humbur në esencë.
Nga kuzhinat e huaja, cila është më e prefeuara për ju? Ku e gjen ti më mirë veten?
Në kuzhinën italiane e gjej veten më shumë, pasi atje e mora këtë profesion, ku edhe u diplomova për kuzhinier, por duke lëvizur në vende të ndryshme njoha dhe kuzhinën zvicerane dhe atë franceze.
Si është kultivuar sipas jush shija e klientelës sonë në tërësi? Çfarë kërkojnë tashmë shqiptarët më shumë?
Kuzhina në Shqipëri ka përparuar shumë. Ndërthuret midis tradicionales dhe modernes. Kam parë që tek ne pëlqehet kuzhina greke, italiane, por pa humbur edhe elementët e kuzhinës sonë, ku në një ditë festive organizuar në familje ushqimi është tradicional.
Pjata më ekstra që ke përgatitur ndonjëherë, apo di të bësh?
Janë shumë të tilla, por them fileto peshkaqeni me salcë haviar dhe avocado. Një gatim mjaft i shijshëm, por që nuk mund ta gjesh kudo.
Mund të përgatisësh pjatën më të mirë, por në fund është klienti ai që vendos, nëse është e tillë apo jo. Sipas jush, cili është “kodi” i fshehur që e lidh një shef kuzhine dhe pritshmërinë e atij që konsumon produktin e tij?
Kuzhina të do në këmbë, të përqendruar, pasionant dhe të përkushtuar. Çdo klient ka shijet e veta, por klientët e mi kanë ngelur gjithmonë të kënaqur dhe tek unë kjo ka ndikuar që të ec përpara. Kjo mendoj se vërtetohet edhe nga klientela e Dandy-t, e cila përveçse është shtuar në numër, është edhe e rregullt, me personazhe VIP dhe qytetarë të thjeshtë, por me shije.