Deputeti i LSI, Përparim Spahiu: LSI me PD ose vetëm në zgjedhje

I ftuar në studion e lajmeve të Ora News me gazetaren Ilva Tare, Spahiu deklaroi se pritet që të shkohet drejt formalizimit të marrëveshjes, por theksoi se kjo duhet të jetë transparente dhe afatgjatë.

Z. Spahiu e ndoqët me interes protestën sot besoj, apo ajo?

Normalisht do të kisha dëshira të isha edhe unë prezent sepse është një çështje shumë sociale. Unë e kam ndjekur edhe vetë si çështje. Jam deputet i një prej zonave më të mëdha të minierave në Shqipëri. Nuk më vjen mirë që ka një protestë për këtë çështje, sepse duhet të ishte një çështje tashmë e zgjidhur, edhe përpara prezantimit të draftit nga ana ime. Ishte një draft i dakorduar mes sindikatash, i premtuar prej vitesh nga i gjithë spektri politik.

Po pse nuk ishit në protestë?

Unë jam deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe nuk doja që protesta të merret ngjyra politike. Është një protestë e tyre. Ata po kërkojnë diçka për veten e tyre kështu që mendova që këtë herë më mirë të rrija larg.

A ka pasur zhvillime të tjera që nga momenti kur propozimi që bëtë ju u rrëzua në Kuvend? A ka ardhur një variant i ri nga qeveria?

Ajo që po i shitet sindikatave është i njëjti mashtrim që personalisht më ndodhi dhe mua. Pra, është ngritur gjithmonë një grup pune, është një draft që qarkullon te ministritë e linjës dhe vazhdojnë diskutimet. Një çështje pa mbarim dhe pa fund që po zgjat prej vitesh. Ndaj edhe unë e mora iniciativën vetë dhe për t’i vënë para faktit Parlamentin dhe qeverinë për miratimin e Statusit të Minatorit. Para disa ditësh ka pasur edhe një protestë tjetër nga një grup tjetër sindikatash.

Në fakt doja t’ju pyesja edhe për këtë, pse janë dy grupime, çfarë interesash i ndajnë?

Me sa kam vënë re në këtë periudhë që jam në politikë sindikatat marrin kahe politike. Në shumicën e rasteve janë me qeverinë. Sindikata në kuptimin e vërtetë pothuajse nuk ekzistojnë. Ndaj edhe doja t’i përshëndesja të gjitha minatorët që ishin sot, z. Fiqiri Xibri dhe sindikatën “Minatorër 91” për fillimin e një proteste, që unë besoj se do të shkojë edhe më tutje.

Ata morën një premtim sot nga koordinatorja për bashkëqeverisjen që javën e ardhshme do të takohen me Kryeministrin e vendit. Mendonin se do të arrijnë gjë?

Ishte një lëvizje e zgjuar. Në fakt nuk kishte pse një polic të reagonte në atë mënyrë që pamë edhe në media me një minator. Ndërkohë që takimi mund të ishte edhe pak më përpara, që të mos agravonte çështja. Ishte një zgjidhje e momentit dhe unë besoj që minatorët nuk do ta lënë me aq. Unë shpresoj që të ulen dhe të bëhet një draft sa më i mirë. Unë e kam thënë se që nga data që Kuvendi e hodhi poshtë Statusin e Minatorit, ata janë borxhlinj me këta njerëz. Unë mendoj se ishin të gjitha mundësitë që ai projektligj të kalonte. Me të gjithë deputetët po të flisje jashtë kamerave ishin dakord. Ke të drejtë, por s’kemi çfarë të bëjmë janë interesa politike. Nuk e di përse çështje sociale duhet të lidhen me interesa politike. Para dy ditësh, ne patëm aksident të rëndë sërish me humbje jete. Ai person mbi 60 vjeç, në vend të ishte në pension, punonte për të realizuar disa të ardhura. Mendoni tani që ai nuk jeton më, familja nuk ka më të ardhura. Është një profesion shumë i rëndë. Kur ky është një proces që ka ndodhur për ish-ushtarakë, për naftëtarë, përse të mos ndodhë për minatorët.

Qeveria e rrëzoi ligjin dhe tha se do të ngrihet një grup pune nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Jeni në dijeni, është ngritur ky grup pune?

Është një histori që fillon që me prezantimin e statusit nga ana ime. Po të merret statusi është një format standard me disa nene normale që një status duhet të ketë. Thjesht mund të ishin diskutime të vogla për dakordimin për diskutimin nen për nen, por në parim duhet të ishte dakorduar dhe Parlamenti duhet ta kishte kthyer në Komisionin e Shëndetësisë. Megjithatë nuk e bëri. Ishte një rrëzim politik i statusit, thjesht për faktin që është një deputet i LSI.

Mendoni se nuk do bëhet fare?

Do isha shumë i lumtur dhe do merrja pjesë në të gjitha diskutimet që do bënte Komisioni i Ekonomisë (si komision për dhënie mendimi) për një qasje sa më korrekte dhe për një status funksional.

Ju e keni mekanizmin për të kërkuar llogari se çfarë po bëhet?

Argumentet e rrëzimit të statusi ishin fare pa baza. Ishte një faqe e gjysmë që nuk jepte asnjë argument. Normale që një status është i veçantë sepse ka disa specifika, ka efekte financiare në buxhet. Nuk kishte përse të mos miratohej këtë herë. Megjithatë, shpresoj që statusi të miratohet sa më shpejt që borxhi i tyre të mos shkojë më larg me këtë shtresë heroike, heronjtë e punës ditët e sotme, si puna më e vështirë që unë njoh.

Si po qeveris mazhoranca e qeverisë Rama për sa i takon çështjeve ekonomike?

Po qeveris shumë keq, për të mos thënë që nuk po qeveris fare. Pa ide se ku po shkojmë, pa kokë, pa plane as afatmesme, afatgjata. Kanë gjetur një teori taksa, rritje. Por dhe rritja ka limitet e veta që them se shumë shpejt do japë efektet. Kemi dhe raportin e fundit të FMN, ku shqetësimet që ne kemi ngritur edhe kur kemi qenë në bashkëqeverisje, qeveria po na çon në një kolaps, ose ngecje të ekonomisë.

FMN në një dalje për media dha alarmin për Partneritetin Publik-Privat, që dhe LSI shpeshherë ka ngritur. Çfarë shqetësimi real ka me PPP?

Shqetësimi është që në fillesë. Dhe FMN e cilësoi, që të ndalojmë kërkesat e bizneseve për investime të tilla pa pasur një kërkesë nga ana e qeverisë, se ç’prioritete ka qeveria dhe ç’sektorë të zhvillohen. Ka shumë probleme me transparencën e tyre, e këtij mekanizmi. Ka shumë mangësi në efektet financiare sa i takon borxhit publik. Është e gjitha në një rreth të mbyllur mes disa njerëzve që vendosin për PPP në kafene. Pastaj bëhet procedura, se votat janë.

FMN shprehu një tjetër shqetësim për aplikimin e TVSH për bizneset mbi 2 milionë lekë.

E kemi kundërshtuar edhe në miratimin e buxhetit të vitit të kaluar. Ne si LSI kemi qenë shumë sensitivë sa i takon biznesit të vogël. Është sektori që mundëson punësim më të madh, është sektori që mban në një nivel bazik jetese një sërë familjesh, pasi shumica e bizneseve të vogla janë familjare. Në një moment heq taksën, pastaj premton që s’do ketë taksa fare, pastaj rikthen taksën sërish, pra është një moment tepër kaotik edhe për bizneset, të cilat nuk fare të qarta se çfarë do të ndodhë me ta. Është shumë e vështirë për këto biznese të vogla të edukohen me vendosjen e TVSH-së, është një mekanizëm shumë i vështirë. Edhe për bizneset që kanë eksperiencë me TVSH-në, kjo është kthyer në një problem mjaft të madh si për vetë bizneset ashtu edhe për ekonominë. Ka pasur vonesa. Ne kemi denoncuar edhe raste ku flitet që kërkohet edhe 30 për qind për të marrë biznesi paratë e veta mbrapsht me rimbursim. Ky është një shqetësim i të gjithë bizneseve. Jemi për një kontakt sa më të vogël të zyrës së taksave me bizneset. Nuk po e bëjnë këtë gjë. Kërkojnë që të kontrollojnë gjithçka, ta mbajnë nën presion. Pra, mund t’ju them që situata është vërtet e rëndë.

Ju thoni që do të ketë një impakt të madh te biznesi dhe se kjo situatë e rëndë do të shpërthejë në një moment të caktuar, për shkak të keqqeverisjes së kësaj qeverie. Çfarë po bën LSI-a konkretisht për këtë çështje, për të shmangur këtë presion që ju sipër-cituat?

Mund t’ju them që protesta e atyre minatorëve, që për mua nuk ishin pak, pasi doja të theksoj se nga Bulqiza aty nuk kishte asnjë përfaqësues. Është një pjesë pensionistësh që e kanë të pamundur të vinin në protestë. Është një pjesë tjetër që janë nën presionin e punëdhënësit të tyre nëse marrin pjesë në protesta të tilla. Por, ata pak njerëz që ishin aty na dhanë një shembull mjaft të mirë që protesta e 27 janarit, aq paqësore dhe aq qytetare, të jetë po aq e madhe, por jo aq paqësore.

Ndërkaq, çfarë po bëhet me frontin opozitar, me bashkëpunimin mes Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike? Çfarë po ndodh aktualisht? A kemi ndonjë zhvillim të ri?

Sa i përket kësaj çështjeje, LSI-a e ka shprehur qëndrimin e saj që në ditët e para pas zgjedhjeve, që është një parti opozitare. Normalisht ka pasur një sërë organizimesh të përbashkëta me Partinë Demokratike, që kulmoi me protestën e 27 janarit. Një bashkëpunim politik mes LSI-së dhe PD-së kërkon që të ketë atë alkiminë e vetë, sidomos për sa i takon programeve. Mund t’ju them që afrohemi shumë bashkë në programin ekonomik, kemi dhe ndajmë të njëjtat shqetësime. Besoj fort që fronti opozitar do kalojë në një marrëdhënie politike mes palësh.

A është momenti dhe a po diskutohet ndoshta nënshkrimi i ndonjë marrëveshjeje opozitarizmi mes LSI-së dhe PD-së?

Deklarimet kanë qenë të hapura. Deklarata e Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë qenë të qarta nga Kryetarja dhe media ka qenë gjithashtu e qartë. Pastaj se çfarë diskutohet nëpër kafene, nuk e di.

A duhet të kishte filluar përgatitjet LSI për zgjedhjet vendore, ku të identifikojë kandidatët e saj potencialë?

Besoj që është një moment mjaft i rëndësishëm që të shkohet në këtë marrëveshje, por nëse nuk ka një të tillë atëherë ne të fokusohemi që LSI do kandidojë e vetme përsëri. Mendoj që jemi pak vonë me organizimin e përzgjedhjeve të zgjedhjeve të 2019. Zgjedhjet lokale janë zgjedhje mjaft të rëndësishme administrative, kanë të bëjnë me bashkitë e vendit e sidomos me reformën administrative të 2014-ës. Kjo, jep mundësinë e një reagimi politik me votë. Besoj se do jenë zgjedhje ndryshe nga ato që ndodhën në qershor, ku e dimë mjaft mirë se si manipuluan, vodhën e grabitën.

Ju dhe PD keni denoncuar, pasi PS nuk pretendon për deformim votash.

Kishte deformim vote, deformim sistemi dhe i të gjithë procesit. Normalisht, u çorientua gjithë opinioni publik dhe partitë politike me ato marrëveshjet të 17 majit. Gjithsesi, ky është një diskutim i gjatë.

Po ju adresoj Reformën Zgjedhore që po bëhet, LSI si gjendet e përfaqësuar?

Sistemi zgjedhor është problemi kyç, ku them se duhet ndërhyrë që të kemi një sistem korrekt. Unë po ju kujtoj rastin e Dibrës dhe 4000 votave për mosmarrjen e mandatit të dytë. Gjithashtu në Korçë u dogjën 1500 vota sepse nuk arriti për pak vota ta merrte mandatin. Po e njëjta gjë ndodhi edhe në Vlorë. Pra, është një sistem tejet i diskutuar, ku duhet shkuar në një sistem të ri. Besoj që partitë politike, sidomos 2 të mëdhatë, nuk do ulen për këtë çështje sepse u intereson veç kryetarit të partisë që ta mbajë këtë sistem të tillë. Ne kemi qenë për sistem proporcional kombëtar, ku të marrin pjesë sa më shumë parti, ku të kenë përfaqësitë e tyre në parlament.

Si po ecën puna me bashkinë e Dibrës pas problemeve të fundit që pati atje?

Me bashkinë e Dibrës nuk kam asnjë marrëdhënie. Atje është një kryetar bashkie, një mjek shumë i mirë me të cilin kam pak kontakte. Duhet thënë që Dibra është shumë e lodhur nga politika. Normalisht që elektorati i Dibrës ka ende një pozicion tejet të ulët, saqë është shumë e vështirë të kërkosh diçka sepse nuk ka shpresë, por ne duhet ta bëjmë patjetër Dibrën. Duhet të krijohen kushte normale për një zhvillim zgjedhor, ekonomi tregu, konkurrencë, pra kushte që ky vend të jetë normal ashtu siç duhet e jo ashtu siç do Kryeministri.

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme-nga-shqiperia/spahiu-lsi-te-shkoje-ne-marreveshje-me-pd-ose-te-dalim-te-vetem-ne-zgjedhje-514595/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

SHKARKO APP