Deputeti i LSI-së, Rrokaj: Beteja jonë, jo vetëm largimi i Xhafajt

Deputeti i LSI-së, Shezai Rrokaj, në një intervistë për ”Channel One”, është shprehur se opozita nuk proteston vetëm për ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj. ”Shqiptarët nuk protestuan thjesht dhe vetëm kundër ministrit të Brendshëm. Rasti i ministrit të Brendshëm nuk ka të bëjë me integritetin e personit, pasi nuk ka fakte deri më sot që implikojnë z.Xhafaj individualisht”.

A ishte vërtet ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, arsye e fortë që shqiptarët të protestonin të shtunën?

Shqiptarët nuk protestuan thjesht dhe vetëm kundër ministrit të Brendshëm. Rasti i ministrit të Brendshëm nuk ka të bëjë me integritetin e personit, pasi nuk ka fakte deri më sot që implikojnë z. Xhafa individualisht. Ne kemi një set ligjesh, sikurse është Ligji Antimafia që e implikojnë z. Xhafaj për shkak të të vëllait, për të cilin ka një vendim të formës së prerë nga një Gjykatë italiane.

Megjithatë, z. Xhafaj ka thënë se, nëse audio-përgjimi rezulton i vërtetë, unë tërhiqem. Në të kundërt, bëje ti këtë hap, i ka thënë z. Basha…

Mendimi im është se ne nuk duhet të varemi apo të mbahemi pas audio-përgjimit të publikuar nga Partia Demokratike. Nuk është këtu problemi kryesor. Problemi kryesor është imazhi që duhet të ketë një udhëheqës i lartë në demokraci. Dhe është imazh, është ana morale, sepse deri më tani nuk ka të dhëna që e implikojnë atë, z. Xhafaj në mënyrë të drejtpërdrejtë. Pra, është çelësi i moralit. Sepse ndërkohë që në kohët e sotme po zbatohet një veting tjetër në polici, kur kreu i Policisë, në krye të Ministrisë së Brendshme, është z. Xhafaj, drejtpërsëdrejti nga ana morale bien ndesh me autoritetin që ai duhet të ketë për reformën.

Shumë e lexuan si të dështuar protestën e ditës së shtunë të opozitës…

Unë nuk e lexoj kështu. Unë kam shkruar para disa ditësh dhe them që protesta është një hap para për çeljen e negociatave. Protesta kishte për të dhënë disa mesazhe kundër keqqeverisjes dhe ato i dha. Protesta zgjoi edhe më shumë ndërkombëtarët të cilët kanë qenë disi të fjetur, ose disi edhe të manipuluar për çfarë po ndodh në Shqipëri dhe aq më tepër me një makineri të tërë agjitacioni dhe propagande të mazhorancës, e cila është lëshuar në drejtimin e diskriminimit të opozitës nga njëra anë, dhe nga ana tjetër me keqqeverisjen e saj po largon shqiptarët nga Shqipëria.

Por unë besoj që kjo protestë e dha këtë, pati një reagim ndërkombëtar. Dhe kjo është një gjë shumë pozitive. Pra, opozita arriti nëpërmjet kësaj proteste të fokusojë disa problematika që në thelb mbanin në qendër të vëmendjes z. Xhafaj, por po ta shikoni artikulimi i përgjithshëm ishte përtej kauzës së z. Xhafaj edhe pse pati një përplasje.

Opozita u përmbajt sepse në dytre raste pati një tendencë për të kaluar në një shkallë tjetër të konfrontimit të qytetarëve dhe militantëve me policinë. Dhe vetë z. Basha bëri thirrje, sepse mund të mos parashikonim dot dhe të parandalonim më tej përshkallëzimin e revoltës popullore.

Cili do të jetë aksioni i opozitës në vijimësi?

Që ditën që je në opozitë, mendon për të marrë pushtetin. Unë mendoj që denoncimi i keqqeverisjes duhet të vazhdojë dhe do të vazhdojë. Kjo është gjëja kryesore, por kjo nuk mjafton për një opozitë. Shqiptarët duhet të dinë se pse duhet larguar kjo mazhorancë dhe pse duhet të votojnë këtë opozitë. Pra, i duhet kësaj opozite që përveç denoncimit të keqqeverisjes, të japë projekte se si do të zëvendësohet kjo qeveri dhe kjo keqqeverisje.

SHKARKO APP