Deputetja e PD: E vërteta e sherrit me Ramën

Flet për ” Koha Jonë”, deputetja e PD-së, Albina Deda: Protesta dhe lënie mandatesh nga deputetë të PD-së janë shumë afër

 Intervistoi: Redjon Shtylla

Situata e tensionuar në seancën plenare të së enjtes, ku opozita bojkotoi dhe Kryeministri hodhi fjalë fyese për deputeten Albina Deda, për aktin e gjuajtjes me një letër, nuk u prit mirë nga vetë deputetja, por dhe nga opozita e cila ka kërkuar 10-të ditë largim të z.Rama nga Kuvendi. Në një intervistë për “Koha Jonë”, deputetja e PD-së për zonën e Mirditës, Albina Deda është shprehur në lidhje me fyerjen që mori nga z.Rama, e thekson se: “Nuk pranoj, madje, refuzoj me përbuzje të komentoj një të papërgjegjshëm, i kartelizuar që hershëm në neuropsikiatri, është dëshmi e panikut që e kapi kur i përmenda Mirditën sepse ai e ka fobi dhe tmerr nga burrnia e Veriut”. Ndërsa në lidhje me letrën që z.Gramoz Ruçi në cilësinë e kreut të grupit parlamentar të PS-së, ku kërkon masa për tre deputetët e PD-së, Deda shton se: “Përjashtimi duhet të nisë nga ty shoku Gramoz, pasi dekriminalizimi pikë së pari nis me de-komunistizimin e Parlamentit dhe këtij pushteti që është mbërthyer nga Blloku dhe klani i Vito Kapos, Vilma Nushit me kriminelë e hajdutë e pervers që i ke aty në krah çdo ditë”. Më tej znj.Deda ka folur në lidhje me bojkotin e PD-së në komisionet parlamentare dhe mundësinë e lënies së mandateve nga ana e kolegëve të saj dhe për protesta.

Gjatë seancës plenare të së enjtes si opozitë bojkotuat Parlamentin. Ju ishit e vetmja deputete që mundi të godiste Ramën. U pa një mbështetje nga kolegët tuaj dhe nga rrjetet sociale për këtë veprim. Tashmë që ka kaluar si situatë, a mendoni se ishte një gjest i duhur që e goditët në shenjë?

Patjetër që veprimeve të mia nuk i heq asnjë presje. Ishte një veprim i momentit, në foltore ishte një gotë me ujë dhe një letër. Kur situata u përshkallëzua e mendova se si mund të arrija t’i jepja një mesazh Ramës nga zona ime, nga Mirdita që e inkriminon në çdo zyrë, e mbi të gjitha me Qarkun e Lezhës, në tërësi me përfaqësimin në Parlament. Goditja ishte në shenjë, siç e keni parë. Mesazhin e mori, por më tej nga zhurma dhe përplasjet aty, nuk dëgjova mirë fyerjet në drejtimin tim. Fyerja është dobësi e atij që ke përball. Kur nuk kishte asnjë mundësi të përballet me realitetin dhe të reagojë sipas kërkesës së opozitës, e vetmja gjë që i ngeli ishte fyerja. Rama është frikacaku më i madh dhe prandaj i duhen kriminelët afër. Shkelësit e ligjit dhe kushtetutës janë sot në krye të qeverisë, në Parlament, bashki dhe zyra shtetërore. Perverset dhe kriminelët gjejnë njëri-tjetrin dhe mbrojnë njëri-tjetrin.

PD-ja ka kërkuar largimin me 10 ditë të z.Rama dhe z.Braçe nga Kuvendi. E gjendur në atë situatë si ndiheni kur një Kryeministër fyen një deputete femër, cili është komentoni juaj mbi atë reagim që Kryeministri drejtoi ndaj jush?

Unë e kam thënë më parë në Parlament dhe në media që nuk fyej kurrë askënd, por nuk mund të më fyej kurrë askush, aq më pak Beqe e as Rama. Për fyerjet do të përgjigjet sipas asaj që duhet. Dy janë mënyrat! Besoj se Rama i di mirë se cilat janë ato kur fyen një femër që është ndryshe nga lloj i sektit të tij, që respektohet e ka një jetë që nuk ja ka dhuruar asgjë askush. Nuk pranoj, madje, refuzoj me përbuzje të komentoj një të papërgjegjshmi, i kartelizuar që hershëm në neuropsikiatri, por do të them me bindje që fyerjet që mund të ketë thënë, pasi vete nuk arrita t’i dëgjoj nga zhurma dhe rrëmuja në foltore dhe në përplasje me gardën, është dëshmi e panikut që e kapi kur i përmenda Mirditën sepse ai e ka fobi dhe tmerr nga burrnia e Veriut e posaçërisht trojeve nga unë vij dhe përfaqësoj, si treva të patriotizmit, trimërisë, besës e burrnisë, cilësi që për atë, të parët e tij dhe këtë qeveri nuk ekzistojnë. Pikërisht për këto cilësi, Mirdita u masakrua, internua, burgos e pushkatua në monizëm dhe pikërisht për këtë vazhdon nga bijtë e tyre të poshtërohet me një përfaqësim të tillë në çdo zyrë të shtetit me kriminelë deri dhe në Parlament.

A mund ta cilësojmë veprimin tuaj si një shenjë që tashmë, përfaqësimi i gruas në rolin e politikanes në Shqipëri është në të njëjtën pozicion dhe peshë me kolegët e saj?

Mandati është i njëjtë, por për një grua ka vështirësitë e veta të ushtrojë atë, në një ambient, ku ka fyerje, kriminelë dhe njerëz të përgjegjshëm, si Rama dhe ata që solli Rama me mandat në Parlament. Roli është i tillë, ku përveç asaj që je femër apo mashkull duhet të përmbushësh detyrën dhe përgjegjësinë që ke për zonën dhe zgjedhësit që të kanë besuar votën. Mirdita ka një deputete dhe vendin me mandatin që kam dhe duhet ta përdor për të mbrojtur interesin publik dhe demokracinë parlamentare që ka afro tre vite që nuk funksionon.

Jeni njohur me letrën e z.Ruçi drejtuar z.Meta, ku kërkon masa ndaj jush dhe dy kolegëve tuaj? Cili është qëndrimi juaj në të gjithë këtë çështje dhe çfarë prisni që të bëhet?

Po kështu kërkesën e Ruçit, një kockë e diktaturës që sorollatet bashkë me ca pensionistë të kohës së diktaturës në Parlament, i them: Përjashtimi duhet të nisë nga ty shoku Gramoz, pasi dekriminalizimi pikë së pari nis me dekomunistizimin e Parlamentit dhe këtij pushteti që është mbërthyer nga Blloku dhe klani i Vito Kapos, Vilma Nushit me kriminelë e hajdutë e pervers që i ke aty në krah çdo ditë. Beteja e përballjes me Parlamentin e krimit do të vazhdojë dhemb për dhemb pasi shqiptarët nuk përfaqësohen prej afro tre vitesh nga ai institucion që duhet të ishte modeli i mirëfunksionimit të demokracisë. Sot, grupi parlamentar ka depozituar kërkesën për Ramën dhe Braçen, për fyerje të deputetëve të PD-së dhe Ruçit do t’i duhet të marrë masa për ata fillimisht.

Nëse Kuvendi nuk plotëson kushtet e opozitës, mund të shkojmë në protesta përsëri?

Ne do vazhdojmë përballjen në Parlament me këtë mazhorancë që e kompozoi vetë Rama deri në largimin e kriminelëve nga Parlamenti. Nuk do ketë seancë deri në plotësimin e kërkesës së opozitës me dy iniciativat, njëra për dekriminalizimin dhe tjetra për komisionet hetimore (për serverin e tatimeve, dhe për të larguarit nga administrata). Opsionet e tjera janë në vazhdën e zhvillimeve që do ketë java tjetër. Protesta dhe lënie mandatesh nga deputetë janë shumë afër duke ditur që kemi përballë një Kryeministër që pa kriminelët dhe hajdutet nuk e mban dot pushtetin. Pra do t’i mbajë me çdo kusht. Ne nuk do të ndalemi në këtë përballje me të.

Do të vazhdojë bojkoti i grupit i PD-së dhe në komisionet në ditët në vijim?

Këtë javë mendoj se do ketë bojkot të komisioneve në varësi dhe të hapave që do ndërmerren si nga mazhoranca ashtu dhe nga ndikimi i ndërkombëtarëve për këtë çështje.

Deklaratat e ministrit Beqaj janë se: “Shëndetësia është në rrugën e duhur”, çfarë konkluzioni mund të nxirrni nga ky qëndrim, kur ju tashmë çdo javë denonconi gjendjen e rëndë në spitalet e rretheve?

Me vjen keq që e kam lodhur zyrën e propagandës në një tentative të stërmundimshme për të manipuluar me shifra qesharake e fjali pa sens. Zotërinj të stafit koncesionar të Beqjës flasin vetëm për rrënimin e spitaleve. Ka vetëm vuajtje dhe harxhime pa hesap të shqiptarëve për të blerë ilaçe dhe çdo trajtim shëndetësor. Shëndetësia falas është halucinacion, është iluzion! Rama-Beqja kanë rilindur me pasuri përrallore nga koncesionet në Shëndetësi. Më vjen mirë që nga inspektimet në terren të opozitës, ku unë i kam bërë thirrje edhe Ramës të marrë Beqjën e të spostojë “shoun” e tij edhe në Veriun e braktisur, më në fund shoku Beqja pranon situatën e rëndë e mjerane në spitale. Qytetarët blejnë medikamentet vetëm kur janë në spital. Kjo është një kosto shkatërruese, e nuk bëhet fjalë për “shëndetësi falas”, kjo ndodh vetëm në mendjen e Beqjës e Ramës që duan të fajësojnë PD-në për çdo gjë. Ne erdhëm në pushtet në 2005-ën dhe gjetëm një sistem të fragmentuar, të pamatshëm, të centralizuar dhe me aparatura nëpër magazina vetëm sa për inventar. Fillimisht u reformua sistemi parësor, mjeku i familjes, si porta e parë pritëse për pacientët. U vendosën indikatorë për të matur punën dhe shërbimin ndaj qytetarëve. Baza e reformës, decentralizimi, autonomia. Në 2009 filloi reforma spitalore. Fillimisht u konsolidua sistemi referimit, kordinimi i hallkave të sistemit. Filloi autonomia spitalore. Planifikimi dhe prokurimi i “mallrave e shërbime” nga vetë stafet mjekësore. Mungesat në medikamente dhe shërbime u përmirësuan. Filloi matja e kostove spitalore për t’i hapur rrugë implementimit të ligjit të ri; për implementimin e paketave të mirëpërcaktuara në shtet dhe në privat. Filloi të liberalizohet tregu. Në Qarkun e Lezhës ne financuam në qendra shëndetësore, ambulanca A1( në zona) 23 të tilla. Spitale (rikonstruksion ) spitali i Rrëshenit, materniteti Lezhë, mirëmbajtje nga të ardhurat dytësore që mblidhnin subjektet shëndetësore, aparatura (skaneri në Spitalin e Lezhës). Ndërsa Rilindja pasi solli bandat kriminale, të pashkolluar, nëpër zyrat e shtetit në Qarkun e Lezhës e ka dhënë mesazhin e qartë për qytetarët: denigrim, braktisje, varfëri, papunësi e shërbim shëndetësor falas kur të shkojnë në botën tjetër. Sot blihet gjithçka. Dil inspekto situatën. Qytetarët do t’i nxjerrin sytë Beqjes. Unë kam qenë drejtuese në Lezhë dhe shkoj e takoj çdo koleg, të majtë e të djathtë, çdo qytetar që ka trokitur në zyrën time apo të subjekteve që kam menaxhuar unë bashkë me kolegët dhe stafin me të cilët punuam në grup, pa asnjë problem. Kam marrë vlerësime dhe nuk fshihem siç fshihet MSh, që asnjë moment nuk mund të përballet me askënd, prej shkatërrimit dhe hajdutërisë që i ka sjellë si rilindës shqiptarëve. Sot jemi në një nivel edhe më keq se në 2005-ën, kur këta lanë pushtetin. E njëjta histori, demagogji, mashtrim, pa shpirtësi. Këtu shto vlerën e koncesioneve, recetat fiktive, tenderët e barnave dhe skandalin e fundit me Urgjencën e Tiranës, shkrirjen e saj, dhënien me koncesion tek ERA.

SHKARKO APP