Djegia e mandateve, Islami: PD ndodhet para një vendimi historik
Flet për “Koha Jonë”, prof. dr. Kastriot Islami: Hapësirat e veprimit parlamentar për opozitën janë të mbyllura pothuajse plotësisht nga veprimet kriminale dhe korruptive të qeverisë “Rama”
Intervistoi: Redjon Shtylla
Situata e krijuar dje në Parlament pas bojkotimit nga ana e opozitës dhe e deklaratave të disa deputetëve të PD-së se po mendojnë të dorëzojnë mandatet e tyre po shihen si një pikëpyetje e qëndrimeve të demokratëve. Në një intervistë ekskluzive për “Koha Jonë”, deputeti demokrat prof. dr. Kastriot Islami, është shprehur se: “Nuk do të ketë bojkot, por një strategji për të bërë të qartë e me kontrast të fortë mes opozitës që kërkon për nxjerrjen jashtë kuvendit të krimit dhe maxhorancës së drejtuar nga Rama”. Z.Islami hedh poshtë idenë që mandatet e opozitës do të dorëzohen. Ndërsa për debatin Rama-Blushi, si një ish-socialist i vjetër, z.Islami ka vetëm dy fjalë për këtë betejë të brendshme siç edhe e ka quajtur, “PS-ja nuk ekziston, por socialistët vazhdojnë të japin naivisht votat e tyre për Rilindjen dhe Ramën”.
Z. Islami, opozita tentoi dje të bllokojë seancën e Kuvendit. A do të ketë bojkot?
Siç e patë edhe dje mund të pohoj se nuk do të ketë bojkot, por një strategji për të bërë të qartë e me kontrast të fortë mes opozitës që kërkon për nxjerrjen jashtë kuvendit të krimit dhe maxhorancës së drejtuar nga Rama që kërkon të bashkëjetojë pazgjidhshmërisht me krimin. Dje qytetarët kanë parë se vendin e drejton një tutor i krimit. Prandaj nuk do të ketë asnjë lloj bojkoti; mospjesëmarrja e përkohshme në mbledhjet e komisioneve është një mesazh/gjest politik për një çështje kaq madhore, për të sensibilizuar qytetarët e ndërkombëtarët ndërkohë që, pjesëmarrja do të jetë shumë aktive në seancat plenare, deri në plotësimin e të gjithë kërkesave që opozita i konsideron prioritare për interesin publik.
A do të dorëzohen mandatet nga deputetët e opozitës?
Në këto 25 vjet kjo nuk ka ndodhur asnjëherë të dorëzohen mandatet e deputetëve nga një grup parlamentar, po ashtu siç s’ka ndodhur asnjëherë tjetër që krimi të ketë marrë këto përmasa duke marrë peng maxhorancën dhe për rrjedhojë edhe kuvendin e qeverinë, madje duke marrë peng së fundmi edhe vetë drejtuesin e qeverisë Edi Rama, që deri tani dukej sikur e kishte në kontroll bandën kriminale në kuvend. Është e vërtetë që hapësirat e veprimit parlamentar për opozitën janë të mbyllura pothuajse plotësisht nga veprimet kriminale dhe korruptive të qeverisë së drejtuar nga Rama që po synon të kthejë opozitën në fasadë apo ta paralizojë atë duke mbyllur të gjitha mundësitë e veprimit të saj. Prishja e bashkëjetesës me krimin në Kuvend është bërë një çështje që kërkon një përgjigje sesi do të qaset. Ky do të ishte një debat kompleks i vështirë dhe një vendimmarrje ndoshta historike që do të kërkonte një diskutim të gjerë e të thellë në grupin parlamentar dhe forumet partiake. Kaq mund të them për momentin.
PD-ja ka paraqitur disa kushte për maxhorancën. Përse nuk është kërkuar më parë miratimi i ligjeve të dekriminalizimit?
Nuk ka asnjë kusht, por një kërkesë me 4 pika. Kërkesa të bëra vazhdimisht prej mëse 15 muajsh, por që janë penguar, vonuar, bllokuar e shtyrë nga Edi Rama. Kërkesa që kanë të bëjnë kryesisht me largimin e deputetëve vrasës nga Kuvendi, dekriminalizimin e maxhorancës, por edhe me korrupsionin e ministrave e të disa deputetëve të privilegjuar të klientelës së Ramës që përfitojnë tendera, koncesione, fonde publike. Kërkesa të mbështetura fuqimisht edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Konkretisht kërkohet 1) shqyrtimi e miratimi në seancën e ardhshme plenare të një ndryshimi në ligjin e dekriminalizimit që largon deputetët vrasës në flagrancë nga Kuvendi, në konkretisht të projektvendimit të Kuvendit “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr. 138/2015 “Për garantimin e integritet të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”; 2) miratimi i një ndryshimi në ligjin e Dekriminalizimit i dispozitës që do të pezullonte pjesëmarrjen në punimet e kuvendit të një deputeti ndaj të cilit “është zbatuar masa e arrestit në flagrancë për krime kundër jetës të kryera me dashje, ose veprat penale të kryera me dashje kundër shëndetit”; 3) dërgimi për gjykim nga Gjykata Kushtetuese i të gjithë rasteve të “konfliktit të interesit” të bllokuara tashmë nga maxhoranca, raste të cilat, sipas Vendimit nr. 7 datë 24.02.2016 të Gjykatës Kushtetuese, duhet të merren detyrimisht në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese duke mos lejuar kuvendin të pengojë dërgimin e këtyre rasteve për gjykim, siç ka ndodhur më parë me rastin e Koço Kokëdhimës, Valentina Leskajt apo Rakip Sulit; 3) miratimi i disa ndryshimeve në ligjin për ‘komisionet hetimore” për shkak të zvarritjes së punës dhe bllokimit të aktivitetit të komisioneve hetimore që janë kërkuar nga opozita për zbatimin e ligjshmërisë dhe kriminalizimin e administratës publike.
Po tani që Armando Prenga u “vetëpezullua”a do të vazhdojnë kërkesat e opozitës?
Ndërkombëtarët e dënuan rëndë lojën e Ramës me Armando Prengën, ndërkohë që, kishin përshëndetur arrestimin e tij. Madje karshillëku arriti kulmin, kur deputeti i përjashtuar nga PS-ja dhe që deklaroi “vetëpezulllimin” nga Kuvendi, erdhi me porosi të Ramës dhe votoi për ministrat e korruptuar! Kjo është një sfidë e rëndë për kuvendin, shqiptarët por edhe të gjithë partnerët strategjikë që janë angazhuar për procesin e dekriminalizimit të maxhorancës. Ky ishte një orkestrim i turpshëm i Ramës dhe një lojë e rrezikshme kundër dekriminalizimit. Një sfidë direkt ndaj eurodeputetit Fleckenstein që stigmatizoi rëndë rastin kriminal të Armando Prengës. Opozita do të insistojë në realizimin e kërkesave të saj që kanë natyrë politike dhe ligjore. Kërkesat janë tërësisht të realizueshme dhe mund të pengohen nëse mungon vullneti politik për të luftuar korrupsionin e krimin, që kanë kapur nivelin më të lartë të shtetit, qeverinë dhe maxhorancën qeverisëse. Në seancën e djeshme Rama tregoi se do të vijojë të bashkëjetojë me krimin dhe kriminelët dhe që është i lidhur pazgjidhshmërisht, duke refuzuar nismën ligjore për largon vrasësit në flagrancë nga kuvendi por edhe duket orkestruar praninë e Prengës në sallën e kuvendit për të votuar emërimet korruptive të ministrave të klientelës.
Bojkoti i PD-së, a do të thotë dhe bllokimi i reformës në drejtësi?
Ripërsëris s’ka momentalisht asnjë lloj bojkoti për asnjë çështje. E thënë ndryshe, s’ka asnjë ndryshim lidhur me angazhimin serioz dhe pjesëmarrjen aktive të opozitës për sa i përket reformës në drejtësi. Ky është mashtrimi i radhës i Ramës për të maskuar lëvizjet e tij pro-kriminale. Madje opozita është shumë e interesuar dhe gjykon se një reformë konsensuale e konform sugjerimeve të Komisionit të Venecias do të mundësonte ngritjen e një Prokurorie dhe Gjyqësori të pa kapur politikisht nga regjimi oligarkik i Ramës dhe të aftë profesionalisht për të bërë realitet dekriminalizimin e deoligarkizimin e maxhorancës aktuale, qeverisë dhe administratës publike.
Në këtë situatë, kur dekriminalizimi nuk është përfunduar, kur Byroja e Hetimit është lënë pezull cili do të jetë fati i reformës në drejtësi?
Qëndrimi i opozitës ka qenë i qartë si kristali: Angazhim dhe pjesëmarrje për hartimin dhe miratimin konsensual të një reforme në drejtësi në përputhje me sugjerimet e Komisionit të Venecias. Gjithçka që ka kërkuar deri më tani dhe kërkon këto ditë opozita është në funksion të realizimit të reformës në drejtësi dhe ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit sipas sugjerimeve të Komisionit të Venecias dhe me pjesëmarrjen konsensuale të opozitës. Rruga “e butë” për “çrrënjosjen e krimit, oligarkisë, korrupsionit” do të ishte kryerja në kohë (një vit para afatit të zgjedhjeve normale) e tri reformave: 1. Përfundimi e zbatimi i procesit të dekriminalizimit, kryerja e reformës në drejtësi, përfshi edhe Byronë Kombëtare të Hetimit dhe 2, kryerja e reformës elektorale, përmes konsensusit substancial të maxhorancës me opozitën. Përndryshe këto tri objektiva dhe zgjedhjet e ardhshme do të realizoheshin përmes opsionit tjetër i) të qeverisë teknike dhe 3, zgjedhjeve të parakohshme. Për realizimin e kësaj rruge alternative apo arritjen e këtij objektivi, që duket shumë probabël, edhe për shkak të mungesës së vullnetit dhe “kokëderrllëkut” të Edi Ramës për t’u ndarë nga krimi, ekzistojnë të gjithë ingredientët. Opozita jo vetëm është deklaruar, por edhe po përgatitet seriozisht edhe për të këtë opsion.
Vizita e Sekretarit Kerry pati mjaft komente në Tiranë. Maxhoranca përmend këto ditë si mbështetje të SHBA-ve ndaj qeverisë deklaratën e tij “jeni në rrugën e duhur”. Cili është mendimi juaj për këtë çështje?
Rama dhe tellallët e tij mjeranë vazhdojnë të mashtrojnë publikun me dizinformacion e gënjeshtra. Ky është një stil i njohur i Ramës për të mbajtur të motivuar klientelën e tij që po degradon e shkërmoqet çdo ditë. Dy vjet më parë, në 1 shkurt 2014, në të njëjtin takim të Sigurisë Globale si ai i shkurtit 2016, të zhvilluar në të njëjtin qytet të Gjermanisë, Mynih, John Kerry do të ngrinte shqetësimin serioz të SHBA-ve për “nëpërkëmbjen e aspiratave të qytetarëve të vendeve të Ballkanit (natyrisht që Shqipëria nuk përjashtohet) nga interesat e korrupsionit dhe të oligarkisë që 1) blejnë votat, 2) blejnë mandatet; 3) rrudhin opozitën dhe shtypin kundërshtarët politikë; 4) blejnë median dhe monopolizojnë biznesin, 5) vendosin nën kontroll shoqërinë civile e biznesin (pra gjithçka ka ndodhur e po ndodh në Shqipëri, më intensitet pas vitit 2013, por të ideuara e realizuara gradualisht nga Rama që nga viti 2000 në krye të Bashkisë së Tiranës dhe të PSSH). Këto i ka thënë John Kerry dhe asgjë s’ka ndryshuar që nga viti 2014 në vendet e Ballkanit. Madje, ndërkohë Shqipërisë i është kërkuar me insistim I) të luftojë korrupsionin dhe krimin; II) të realizojë dekriminalizimin e maxhorancës dhe III) të kryejë reformën në drejtësi për të larguar oligarkët, kriminelët, banditët nga postet e larta të qeverisjes. Lexoni me vëmendje se çfarë kanë thënë diplomatët e rëndësishëm gjatë të gjithë kësaj kohe dhe cilat janë mesazhet që kanë ardhur nga Berlini e Brukseli.
Për ju si një ish-ministër i Jashtëm, cilat ishin mesazhet kryesore të kësaj vizite?
Lexoni median ndërkombëtare, përfshi edhe atë amerikane, se çfarë thonë për vizitën e sekretarit të shtetit, dhe cilat janë mesazhet kryesore. Në të gjithë titujt e medias botërore thuhet se, Sekretari zhvilloi një “udhëtim për të mbështetur reformat antikorrupsion dhe antikrim në Shqipëri” duke i dërguar shqiptarëve mesazhin dhe këshillën: çrrënjosja e krimit, oligarkisë dhe korrupsionit është e vetmja “rrugë e duhur” drejt demokracisë perëndimore. Kaq i thjeshtë e miqësor ishte mesazhi që erdhi nga partneri strategjik; gjithçka tjetër është spekulim e abuzim. Dhe lidhja e Ramës me kriminelët e të korruptuarit, promovimi i tyre në media vetëm dy tri ditë pas vizitës ishte një sfidë ndaj këtij mesazhi dhe kësaj këshille. Kurse orkestrimi i sjelljes së Prengës në Kuvend nga Rama ishte një silurim i mesazhit “antikrim dhe antikorrupsion” të kësaj vizite. Pra synimi kryesor i vizitës, thënë ndryshe ishte dhënia e mesazhit: “vazhdoni në rrugën e dekriminalizimit e të reformës në drejtësi”. Është shumë normale dhe e logjikshme që Sekretari Kerry t’i kërkonte një vendi partner të ecë në “rrugën e butë” që përshkrova pak më sipër për çrrënjosjen e oligarkisë dhe korrupsionit. Sigurisht në një takim të tillë të rëndësishëm, mesatarisht një herë në 5 vjet në nivele të tilla, siç ndodh gjithnjë, do të ripërsëriteshin edhe të gjithë vlerësimet që i përkasin angazhimit 25- vjeçarit të Shqipërisë dhe shqiptarëve me SHBA-në në këtë partneritet strategjik (çështje dhe arritje 25- vjeçare, të cilat nuk po i numëroj të gjitha sepse janë bërë prezentë nga media).
Në qëndrimet dhe komentet tuaja në media thoni shpesh se vendi drejtohet nga një oligarki të korruptuarish dhe kriminelësh. Nëse është kështu, si ka mundësi që ndërkombëtarët e mbështesin këtë maxhorancë?
Ju ftoj të lexoni me kujdes e vëmendje edhe një herë atë që ka shkruar dhe lexuar John Kerry. I ka thënë qartësisht edhe për vendet e Ballkanit. Po ashtu lexoni se çfarë ka thënë në 15 prill 2014, Joseph Daul, President i PPE-së, grupim ku bën pjesë edhe Merkel: “Në Ballkan mbretëron oligarkia, banditizmi, krimi dhe korrupsioni… Ato vende janë të pamenaxhueshme. Nëse nuk vendoset shteti ligjor atje do të ketë revolucion, të shpresojmë të mos ketë luftë…”. Këto nuk i kam thënë unë. Këto nuk janë lajme të gazetave mjerane të oligarkisë shqiptare. Janë deklarata të personave shumë të rëndësishëm, përfaqësues të SHBA-ve e BE-së. Por në një kontekst gjeopolitik të ndërlikuar, këto personazhe botërorë që kanë artikuluar këto vlerësime vazhdojnë të takohen dhe të ftojnë të gjithë drejtuesit e të gjithë vendeve të Ballkanit në Uashington, Bruksel, Berlin e kryeqytete të tjera të Europës. Të bëjnë vizita në të gjithë kryeqytetet e vendeve të Ballkanit. Sigurisht që takimet e vizitat reciproke s’do të thotë se vlerësimet e tyre kanë ndryshuar ndërkohë që ata përpiqen të mbështesin ndryshimin e situatës përmes teknologjisë së “shkopit e karotës” për të mos i lejuar këto regjime të rrëshqasin në “botën jo perëndimore”.
Si ish-deputet dhe themelues i PS-së nuk mund të mos përfshiheni në debatin brenda PS-së. Shumë drejtues dhe deputetët të PS-së, Ruçi, Majko, Fino etj., pranojnë së statuti i PS për zgjedhjen e kryetarit është shkelur, por shumë pak dalin kundër Ramës. Kanë frikë, apo është çështje interesash?
Mesa duket është e rëndësishme të përsëris edhe për lexuesit tuaj qëndrimin tim për këtë çështje. S’më intereson aspak se çfarë do të ndodhë në PS dhe as nëse Blushi do të krijojë parti të re, do ta përjashtojnë, do të vijojë betejën brenda PS apo do të heshtë a mirëkuptohet me Ramën! Për më tepër jam i bindur se nën drejtimin e Ramës, s’mund të bëhet më fjalë as për parti demokratike, as socialiste por për një sekt të rrezikshëm klienteliste, përfaqësues të interesave të krimit, oligarkisë e korrupsionit, që pas humbjes së zgjedhjeve të ardhshme do të çojë në shkatërrimin e partisë së socialistëve. Jam plotësisht i bindur dhe çdo ditë ndjehem krenar që po më provohen të gjithë parashikimet se projekti i Rilindjes është i dështuar apo më saktë ka lindur i vdekur dhe rrjedhojë kjo histori do të përfundojë me eliminimin e Partisë Socialiste që ka qenë e mbetet edhe synimi i Ramës. Ai çdo ditë thotë jo vetëm me vete, por edhe me klentelën e tij: Pas meje u bëftë kiameti dhe do ta shikoni se ku të largohem unë do të bëhet kiameti…! Arsyeja që kam pranuar të jap përgjigje pyetjeve të gazetarëve për zhvillimet në PS lidhet më shumë dhe vetëm me interesin e lartë publik që paraqet kjo çështje. Nuk merrem as me emra konkretë, sepse s’më intereson asnjë prej tyre dhe s’më lidh asgjë as në të tashmen dhe as në të ardhmen. Ajo që ndodh aktualisht me Blushin, s’është diçka e re dhe e panjohur por një situatë e degjeneruar, komike e tragjike, e nisur në 2005, e përkeqësuar në 2009 dhe e thelluar në 2013. PS-ja nuk ekziston por socialistët vazhdojnë të japin naivisht votat e tyre për Rilindjen dhe Ramën. Vendin e PS e kanë zënë Sekti i Ramës, në përbërje, ngjyrë, stemë, stil, financa, drejtues, program, organizim. Kurse votat e socialistëve janë përdorur për maskuar regjimin klintelist të “oligarkëve, kriminelëve, banditëve, pinjollëve të ish-nomeklaturës së lartë dhe perversëve mjaftistë e g99-sha”, e cila iu shfaqet qytetarëve në formën e Dogmës Mashtruese të Rilindjes. Për t’u kthyer pyetjes suaj, kjo e tëra dhe gjithçka ndodh me Blushin është mundësuar edhe për shkak të heshtjes e konformizmit të individëve të paaftë, mediokër e integritet të dyshimtë, sjelljes amorale të përfituesve të vegjël të momentit dhe mbështetjes agresive nga klientela e tij e ngushtë, të cilët nën drejtimin e Ramës kanë gjallëruar jo vetëm të gjithë veset më të këqija të Partisë së Punës duke i kombinuar me krimin, oligarkinë, korrupsionin e perversitetin e mashtrimin ekstrem.
Nga përvoja e përplasjes tuaj me Ramën në PS, si e parashikoni fundin e debatit Rama-Blushi?
Kam përshtypjen se po vjen me shpejtësi momenti i pashmangshëm kur Rama do të jetë viktimë e projektit të tij “kriminal”e të rrezikshëm, por mbi të gjitha shkatërrues për vendin e PS-së. Socialistët do të mbeten pa partinë e tyre, pa partinë siç e kishin menduar, ideuar dhe projektuar ata sepse Rama së bashku me largimin e tij do të shkatërrojë përfundimisht edhe PS-së, saktësisht siç e ka premtuar. Në këtë peizazh e kam të pamundur të gjej një parashikim për Blushin aq më tepër që gjithçka në këtë dinamikë s’më intereson ajo që po ndodh aty dhe për rrjedhojë nuk konsumoj aspak kohë. Jam shumë i qetë me vendimin e marrë, ndoshta i vonuar, por plotësisht në mirëkuptimin me pozitën ku ndodhem dhe tërësisht i qartë për të ardhmen.
Ndërsa në PS debatet kanë qenë gjithmonë të pranishme shohim që edhe në PD situata nuk është e qetë. znj.Topalli dhe z.Selami kritikojnë lidershipin dhe mënyrën e protagonizmit si opozitë. A ka nevojë Basha të ndryshojë kursin e opozitës, apo debatet tregojnë demokraci mendimi brenda PD-së?
Gjithçka që zhvillohet në grupin parlamentar të PD-së është debat i brendshëm, korrekt dhe me etikë. Personalisht ndjehem i lirë dhe i respektuar njëkohësisht për të shprehur vlerësimet dhe mendimet e mia. Gjë që s’ndodhte në PS pas 2005 me ardhjen e Ramës në krye të PS-së, situatë që është përkeqësuar në kalimin e kohës për të arritur në situatën më absurde kur gara për kreun e PS-së pengohet, ndërkohë që, të gjithë pa përjashtim pranojnë se është dhunuar statuti duke dhënë njëkohësisht argumente qesharakë e mediokër në mbështetje të Ramës që s’e lejon garën.
KOHA JONË SONDAZH

