Dorina Mema, “Kupa ime më e madhe, njerëzit me të cilët ndaj fitoret”
Intervistoi: Albina Gjergji
Pak ditë më parë në Padova të Italisë u mbajt Kampionati Botëror i “Bodybuilding”, një ngjarje shumë e rëndësishme sportive kjo dhe e shumë komentuar ndërkombëtarisht. Shqipëria në këtë kompeticion përfaqësohej nga trupi më i bukur, Dorina Mema, një vajzë e cila karrierën e saj e ka ngritur tek besimi në vetvete dhe ambicia profesionale. Prej shumë vitesh ajo ka investuar personalisht në pasionin e saj, por asnjëherë Mema nuk ka harruar që të ngrejë flamurin shqiptar në garat përfaqësuese, pa qenë nevoja të ankohej për suportin e munguar nga ana Ministrisë së Sporteve. E stërvitur, trajnuar dhe mbështetur nga Federata që drejtohet nga Rando Kukeli, Dorina Mema pjesë të gëzimit të kësaj fitore që mban era dinjitet bën gjithë ata njerëz që besuan në të, ata që e kanë mbështetur ndër vite dhe padyshim të bijën, e cila është edhe motivi kryesor që ia bën jetën më të bukur. Pjesë e disa evenimenteve kombëtare e ndërkombëtare, me disa trofe që shkëlqejnë mbi raftet e shtëpisë së saj, eksperiencën e fundit në “Wabba – World Championship” Mema e konsideron unike jo vetëm për faktin se për herë të parë u shpall fituese e “The best muscle doll”, por sepse në gjithë atë sallë të madhe rrethohej nga profesionistë të vërtetë, duke filluar nga konkurrentët, të ftuarit special, (emra të njohur ndërkombëtarisht të botës së sportit) e deri tek anëtarët e jurisë. Këtë eksperiencë speciale, Dorina Mema e ndan edhe me lexuesit e gazetës “Koha Jonë”, rrëfim të cilin e nis pikërisht me suksesin e fundit në radhë, por jo të fundit në karrierë…
Pak ditë më parë ishit pjesë e Kampionatit Botëror të Bodybuilding, zhvilluar në Padova të Italisë, nga ku ju u shpallët vendi i parë në “Fit shape woman”. Si e përjetuat këtë ngjarje sportive dhe mjaft domethënëse për ju Dorina?
Kam qenë dhe katër herë të tjera në kompeticione, ku kam dalë me çmimet dhe medaljet e tyre, por këtu në këtë federatë botërore të themeluar që në vitet 1975, e rrethuar nga atletë të njohur e profesionistë të Fitness-it, m’u duk si e para, e vetmja, ajo që desha unë; kupë në shkallë botërore me 25 vende pjesëmarrëse dhe m’u mbush stomaku me një ajër të ftohtë kur thanë, “For the first time: a muscle doll from Albaniaaaaa”! Janë disa momente që i shikon vetëm në filma. Faleminderit Zotit që unë i kam prekur e jetuar.
A përkuan pritshmëritë tuaja me rezultatin e garës, apo prisnit të vlerësoheshit më shumë?
Më tepër se aq nuk kishte më për kategorinë time. Në fakt, vajta për ekipin me pretendimin që nuk do futem në garë, pasi isha e ftohur e dieta e tharjes u ndërpre dhe isha me antibiotikë. Ishte kryetari i jurisë gjermane, i cili më tha, “duhet të futesh”. E mora me sportivitet dhe më tepër merresha me ekipin, sesa me veten. Kënaqesha dhe bëja tifo, teksa ato ishin në skenë.
Sa ditë zgjati eventi dhe çfarë të veçante solli ky konkurs tek ty, krahasuar me listën e çmimeve të mëparshme?
Eventi zgjati 3 ditë dhe them se ishin të pamjaftueshme për shkëmbim eksperiencash me sportistët e ekipeve të tjera. Zakonisht mundohem të spikas njerëzit më të dashur e pozitivë, me të cilët lidh shoqëri dhe marr shumë informacion nga to. Më ftojnë në evenimente të ndryshme, pasi shikojnë që fitness-i në Shqipëri nuk është i zhvilluar dhe nivelet e mia i përkasin ecurive të tyre.
Në këtë garë nga fotografitë që pamë merrte pjesë edhe Kosova, me të cilën nuhatej lehtësisht dashamirësia dhe miqësia që ju lidhte. Në ç’vend arriti të renditej konkurrentja kosovare?
Kosova është shumë mirë në këtë sport, por vajza që mbante fashën zëvendësoi Betim Krasniqin, pasi aty duheshin femrat përfaqësuese, për zbukurim skenik kuptohet. Vajza quhet Eranda Shuaipi, bikini fitness e Shqipërisë, e cila u fut në 10 nga 30 pretendentë që ishin. Ajo ishte përgatitur mjaft mirë dhe profesionalisht shumë.
Në fakt tek ju është për t’u vlerësuar jo vetëm shkëlqimi si konkurrente, por edhe si bukuri, ku fiziku perfekt ndërthuret magjishëm me hijeshinë femërore. Prej sa vitesh merreni me sportin e Bodybuilding Dorina dhe cilat janë sakrificat e vërteta që ky profesion kërkon?
E kam dëgjuar dhe nga elementë botërore të jurive këtë. Faleminderit. Unë veten s’e dalloj dot. Ndoshta baza ujore që mora nga antibiotiku nuk ma shëmtoi imazhin, aq sa konkurentet e tjera, apo ndoshta fiksimi im për të mos abuzuar në disa kllapa që përkufizohet “bodybuilding”. Deri në këtë masë, ku kam ardhur unë arrin edhe pa abuzime, por me regjim të tmerrshem dietik e stërvitje dy herë në ditë për disa vite.
Për hir të së vërtetës, duhet theksuar që jeni e para shqiptare që, përveçse ushtroheni fort, jeni komentuar shumë pozitivisht edhe në media për përfaqësimin. A ka një muzë, nga e cila udhehiqeni në profesionin tuaj Dorina?
Pyetje me vend. Mendimi im është eksperienca e jetës sime. Kam investuar në trupin tim ndër vite si një detyrë qe ka çdo njeri vesveseli, që të ketë çdo gjë në vendin e vet, por më tepër kam investuar në jetë në formim intelektual, shkolla, familje, në eksperienca të ndryshme pune administrative dhe ç’është më e rëndësishme unë zbatoj normat shoqërore me fanatizëm. Duke qenë prapa kuintave, një njeri i ndershëm, transparent, akoma më pozitiv, i dashur, human me njerëzit… kjo të jep mbështetjen e njerëzve, të cilët fillojnë të të duan ty dhe atë që bën ti. Kjo është kupa ime më e madhe, njerëzit, me të cilët unë ndaj fitoret e mia. Muza ime është zbatimi i Kuranit në marrëdhënien horizontale, e cila është ajo me njerëzit.
Na përmendni disa nga pjesëmarrjet tuaja në garat ndërkombëtare?
Gara e parë – dhe më vjen për të qeshur kur e kujtoj – ka qenë ajo në Federatën Botërore, “WBPF”, ku dola e treta në Europe me eksperiencë zero, por me një paraqitje trupore shumë profesionale. Gara tjetër u pasua nga ajo mbarëkombëtare në Kosovë, ku nuk kisha konkurente dhe Fit-Parade në Hungari, një eksperiencë speciale.
Çfarë spikaste më shumë, sesa tek konkurrentët e tjerë tek ju Dorina dhe cilat ishin komentet e jurisë për performancën tuaj?
Çuditërisht arrij që anëtarëve të jurise t’u imponoj buzeqeshjen. Ato gjithmonë më shfaqin një kënaqësi në vështrimin e tyre, që në vend që të jetë gjykues është plot dashuri dhe vlerësim, pastaj qeshin më tepër kur shikojnë që për pozat e mia atje tej kujdeset një fëmijë në mënyrë profesionale.
Nënë e një bukurosheje, që në fakt ngjani si shoqe, mund të na thoni si keni arritur të mbani këto linja trupore?
Askush nuk mund të justifikohet që nuk i gjen dy orë në ditë për t’u marrë me veten. Jam karakter punëtor dhe sistematik. Eksploroj e lexoj shumë dhe kjo më ka bërë që të jem në një vijë me botën përsa i përket kësaj sfere. E nëse them diçka, unë e mbaj fjalën. Kështu nisën garat; si një bast dhe unë fjalën e kam të shenjtë.
Dieta e Dorinës?
Dieta ime nuk ndryshon nga dietat që tashmë postohen në rrjetet sociale, pra bazë proteinike e karbohidrate komplekse të përllogaritura me peshën trupore. Elementët që nuk i ndaj janë: peshku, ostrikë, pula, veza, qumësht, kafe, sheqer dietik, oriz bazmat, uthull mollë e egër, xhinger, çaji i farës së zezë, çaj jeshil dhe hithër, mjaltë jemeni, fara pishe, brokoli, asparak, finok, selino, bajame, molla jeshile, avokado, papaya, me periudha bananet dhe bazat suplementare proteinike.
Ka ndonjë moment kur gjendeni përpara ushqimit të preferuar dhe i thoni vetes, “nami të bëhet, do e ha”?
Mos! Dyqani i ëmbëlsirave rrugës për në shtëpi. Një doktor me famë botërore, Hyman shpjegon se varja e njeriut nga sheqeri është më fortë se ajo e drogës dhe unë luftoj shumë për sheqerin. Në momente gare zgjohem natën dhe çmendem kur nuk gjej nutellen në raft, pasi ma fsheh vajza tërë kohën. Është për të qeshur, por dhe stres për trupin në mungesë sheqeri, sepse është sheqeri nr. 1, dëmi i mbipeshës dhe bazës ujore, apo tuleve.
Në performancën tuaj është komentuar edhe kostumi që mbanit veshur, për të cilin thuhej që ishte i tëri me gurë “sëaroskvi”. A ishte ky një detaj i mirëmenduar që do komentohej nga ana juaj, apo shije personale dhe as e keni menduar?
Në fakt, është karakteri im që të kem diçka më të mirë, sesa ato që shiten e që do blihen nga konkurentet e mia. Më pëlqen të dizenjoj e t’i punoj vetë. Ndjen kënaqësi kur është e gjitha punë e jotja dhe pse jo kur komentohesh si veshja më e bukur. Kuroj gjithmonë detajet.
Për të gjithë ata që, mbase mund të mos kenë shumë informacion mbi “bodybuilder” në Shqipëri, mund të na flisni diçka mbi mbështetjen që shteti I jep këtij profesioni jo shumë popullor tek ne?
Kërkon kohën e vet çdo gjë. Duke qenë e para më duhet ta suportoj vetveten e ndoshta vlerat e mia do i njohin brezat që do vijnë. Nuk kam kohë të merrem me burokracitë e Ministrisë së Sporteve, janë ato që duhet të na ndjekin ne e jo ne ato. Mjafton që kam mbështetjen e Federatës tonë me drejtues, Rando Kukelin.
Jeni ndjerë e mbështetur ndër vite nga institucionet përkatëse dhe kush mund të bëjë më shumë për këtë sport, sipas jush?
Për këtë sport mund të bëjë Ministria e Sporteve, duke mbështetur sportistet kampionë, të paktën si fillim në garat që organizohen nga Federata, sponsorë të ndryshëm, të cilët marketojnë mbi punën tonë e emrat tanë nën hije. Fondi “Besa” dhe Hotel “Palace” kanë qenë mbështetësit e mi në garën e europianit.
Për ta lënë pak mënjanë anën profesionale, si nis dita juaj Dorina dhe kur mbaron ajo?
Dita ime nis me vrap dhe mbaron me hapin e fundin në gjumë (qesh). Jam njeri aktiv dhe jam kudo. Stërvitje, shtëpi me vajzën, zyrë, trajnime, tekevizione, me shoqërinë, udhëtime… Jeta është shumë e bukur, kur ke një program e një axhendë të ngjeshur.
Rregullat që i vë vetes një “bodybuilder” mbi ushqyerjen, gjumin?
Rregullat t’i vendos trupi në këtë sport dhe ti të duash të bësh “party” të mbyllën syte, kur trupi ka nevojë për gjumë. Unë jam njeri që fle shumë pak dhe duke mos abuzuar e duke ruajtur gjenetikën time vazhdoj të jem ajo vajza që fle pak. Gjithë të tjerat s’më pengojnë, sepse është thjesht jetë disiplinore që unë e kam bërë gjithë jetën.
Ambicia e radhës?
Ambicia e radhës është gara e Federatës “Wabba Univers” dhe e mbyll. Kështu kam thënë gjithmonë “e mbyll”, por s’po mbyll gjë (qesh)!