Edea Demaliaj: Rrugëtimi dhe triumfi im në “X Factor Albania 4”

Intervistoi: Albina Gjergji

Me numrin më të madh të votave të publikut dhe me gjykimin absolut profesional të jurisë, Edea Demalia është shpallur fituese e padiskutueshme e edicionit të katërt të talent-showt, “X Factor Albania 4”. Në sfidë me Gentian Dedën, finalistit nga Lezha, Edea ka arritur të rrëmbejë jo vetëm çmimin e madh, por edhe zemrën e publikut, të cilët si rrallë herë ishin pothuajse në një zëri, “Edea, fituese…”!

E thjeshtë, e qeshur, në portretin e së cilës, lehtësisht mund të dallosh tiparët edhe talentin e babait të saj, të ndjerit Gentian Demaliaj (Djemtë e Detit), Edea ndjehet akoma e emocionuar për triumfin e së hënës mbrëma. Mes shumë falenderimeve e mirënjohjeve që shpreh për produksionin, konkurrentët, familjen… ajo na tregon se këtë fitore e ndjen jashtëzakonisht shumë, sepse e shikon si një vlerësim jo vetëm për punën e bërë nga ajo përgjatë gjithë këtyre muajve, por edhe për punën që shumë njerëz, qoftë të stafit, qoftë familjarë kanë bërë me talentin e saj. Më poshtë, për “Koha Jonë”, Edea na rrëfen gjithë rrugëtimin e bërë në këtë garë talentësh, e cila në fund e shpalli më të mirën e “X Factor Albania 4”.

Fituese e edicionit të katërt të talent-showt “X Factor Albania”, vazhdoni të jeni e emocionuar po aq sa në momentin e shpalljes fituese Edea?

Besoj se do të më duhet edhe pak kohë që ta marr veten nga gëzimi për fitoren, por gjithsesi momenti i shpalljes nuk ka të krahasuar.

Çfarë do të thotë kjo fitore për ty?

Kjo fitore si fillim është një vlerësim jo vetëm për punën time përgjatë gjithë këtyre muajve, por edhe për punën që shumë njerëz qoftë të stafit, qoftë familjarë kanë bërë me mua. U jam mirënjohëse pafund për çdo sekondë bashkëpunimi me mua.

Kujt ia dedikoni mundin dhe fitoren tuaj, pse?

E kam thënë gjithmonë dhe do të vazhdoj ta them që, gjithçka e sidomos këtë sukses ia dedikoj tim eti, sepse ai është arsyeja e vetme pse unë këndoj.

Momenti kur ju u shprehët, “Babi kjo fitore është për ty” ka prekur të gjithë spektatorët dhe telespektatorët… e ndjenit praninë e tij në atë moment?

Praninë e tij unë e ndjej sa herë këndoj, por në atë moment besoj e kam ndjerë më shumë se kurrë praninë e tij me shpresën që e kam bërë krenar.

Mbrëmjen e së hënës qindra mbështetës prisnin jashtë teatrit të Tv Klan. Sa kanë ndikuar në ju emocionalisht mbështetja e publikut?

Ndjehesha vërtetë e vlerësuar, kur shikoja njerëz të cilët prisnin edhe dy orë pas përfundimit të X Factor vetëm për të të përgëzuar e për të të takuar. Ka qenë diçka vërtetë emocionuese, sepse shikon që edhe pse ke kënduar për veten tënde, pa e vënë re ke prekur edhe të tjerët. Faleminderit gjithë publikut për mbështetjen.

Po mami, cila ishte fjala e parë që ju tha pas fitores?

Mami ishte shumë e emocionuar dhe as nuk mund të fliste, vetem erdhi dhe më përqafoi me lot në sy.

Gjatë gjithë kohës, një mbështetje të madhe për ju ka dhënë edhe djali i tezes së babait tënd, njëkohësisht pjesë e grupit, “Djemtë e Detit”, Teodor Ngjela. Sa e vlerësoni këtë fakt?

Tedi për mua është vëlla, shok, menaxher, kushëri, kumbar deri diku, sepse babai im i ka lënë shumë përgjegjësi përsipër, të cilat ai i menaxhon në mënyrë perfekte, sepse gjithçka i vjen nga zemra.

Nata finale e këtij spektakli dhuroi emocione dhe surpriza të shumta. Kishte ndonjë moment që e mendonit humbjen?

Humbjen e kam menduar gjatë gjithë ditës dhe të them të drejtën nuk do të isha mërzitur aspak edhe nëqoftëse do të kishte fituar Genti.

Çfarë keni marrë dhe keni dhënë deri më tani në këtë serial talentesh?

Kam marrë këshilla, metoda, emocione, mësime dhe rritje artistike që nuk do ta kisha marrë në asnjë spektakël tjetër, kurse për të dhënë besoj se kam dhënë emocione dhe dashuri, por akoma s’e kam dhënë maksimumin tim, sepse duke eksperimentuar kam zbuluar edhe gjëra që nuk i dija se mund t’i bëja.

Eksperiencën në “X Factor”, si do ta cilësonit?

Eksperienca ka qenë fantastike, emocionuese, një adrenalinë e vërtetë, e cila për tre muaj më rriti artistikisht si për tre vjet.

Miqtë më të mirë në këtë garë?

Duke qenë se kalonim thuajse gjithë ditën sëbashku të gjithë ishim një grup i madh, por më të veçantët kanë qenë, Lediana, Brunetts, X Roads, Genti, Manuel dhe Matteo.

Miriami sa ju ka mbështetur në këtë sfidë tënden?

Miriami ka qenë një mbështetje e madhe, sepse ajo gjithmonë i përshtatej stilit tim dhe mundohej të më sillte gjithmonë në një version ndryshe, duke endur dalëngadalë identitetin tim si artiste.

Kë shihnit si konkurrent të fortë në garë?

Që në fillim konkurrentët më të fortë besoj kanë qenë Florijana, Dilani, Genti, Matteo, Manuel dhe Brunnetts. Gjithë niveli i artistëve ka qenë shumë i lartë dhe i vështirë për t’u kaluar.

Cila prej performancave tuaja ju ka pëlqyer më së shumti?

Si performancë, jo duke u bazuar tek vokali, që atë jave ishte shumë i ngjirur ka qenë nata e dytë me Seven Devils, për të cilen Albi Nako bëri një koreografi perfekte dhe e falenderoj.

Çfarë mendoni se vlerësoi më së shumti publiku tek ju, performancën skenike, apo vokalin tuaj?

Njerëzit që më kanë shkruar, gjithmonë më kanë thënë se pëlqejnë tek unë mënyrën sesi përzgjedh dhe këndoj këngë të vështira, duke u kujdesur dhe për një performancë të bukur. Nuk do të doja kurrë të isha një këngëtare që njihet vetëm për vokal dhe as një këngëtare që njihet vetëm për performancë, kështu që mendoj se jam një harmoni interesante e këtyre të dyjave.

Përveç cmimit të parë, çfarë keni fituar tjetër në këtë eksperiencë Edea?

Besoj se kam fituar besimin në vetvete për të kënduar edhe këngët më të vështira live.

Të nesërmen si nisi dita e nje fitueseje e “X Factor Albania 4”?

Normalisht duke takuar miq, sepse dy javët e fundit kemi qenë të fokusuar vetëm në prova dhe ka qenë gjithashtu një çlirim i madh që mund të dilja me miq, të haja qoftë edhe një akullore pa patur frikën se mos sëmuresha.

Pasi Alketa thirri emrin tënd si fituese, finalisti tjetër mjaft i duartrokitur edhe ai ju uroi për fitoren e madje theksoi që e meritonit. Jeni miq në përditshmëri dhe cili është opinion juaj për talentin e Gentit?

Genti është një djalë flori dhe vërtetë nuk kam fjalë për ta përshkruar Gentin. Ne kishim deri diku të njëjtin tip dhe të njëjtat mendime dhe gjatë gjithë “X Factor” kemi kaluar kohë si në kafe, si në skenë, prandaj Gentin e vlerësoj së pari si njeri e më pas si artist.

Të dy lezhjanë le të themi, sikur ta fitonte Genti do gëzoheshit po aq sa ai u gëzua për fitoren tuaj?

Absolutisht që po. Të dy e meritonim në mënyrë të barabarte finalen.

Si është të punosh me Verën dhe Alketën Edea? Na trego një ngjarje të bukur që lidhet me momentet e provave?

Vera dhe Alketa për mua janë dy femrat më të arrira shqiptare, qoftë si buissnes-ëoman, qoftë si familjare, të cilat edhe në kohën më të lodhshme të provave gjenin kohë për batuta për të na ngritur të gjithëve humorin.

Po me jurinë?

Momentet me jurine kanë qenë fantastike, sepse në një moment të kritikonin për një këngë, ose mënyrën si këndoje një strofe dhe më pas direkt të përgëzonin për diçka që e kishe kënduar saktë, pa lënduar asnjë dhe gjithmonë me një sens humori.

Jeni argëtuar në këtë program?

Këtë program do ta kujtoj si një eksperiencë të paharrueshme. Para një dite isha në Klan për një intervistë dhe teksa futesha tek ambientet e Klanit fillova të emocionohesha aq shumë, sepse vërtetë në një periudhë kaq të shkurtër më kishte marrë malli për rutinën e ditëve që kalonim aty.

Qëllimet, ambiciet e Edeas për në të ardhmen?

Kurrë nuk kam qenë një vajzë ambicioze dhe ndonjëherë e kritikoj veten për këtë gjë. Qëllimi im i vetëm besoj në jetë është të jem e lumtur, duke dashur të bëj diçka që e dua dhe të qëndroj sa më shumë me këmbë në tokë.

Po t’ju pyesnim, ku e shikoni veten pas disa vitesh, si do të na përgjigjeshit?

Mendoj se e shikoj veten si këngëtare të afirmuar, por nuk do të jetë gjithçka rreth artit, sepse dua të fokusohem edhe tek shkolla edhe tek jeta ime, familja ime.

Pas mbylljes me sukses të “X Factor”, tashmë të presin projekte të reja artistike. Konkretisht?

Tek çmimi i parë përfshihet një kontratë bashkëpunimi me një kompani shumë të rëndësishme muzikore, siç është ajo e “Simon Record”, e cila për hir të së vërtetës më emocinon shumë, si dhe një këngë e shoqëruar me klip. Por Vera dhe Alketa janë njerëz surprizash dhe mendoj se ky është vetëm fillimi në rrugën time të artit. Detajet e tjera duhet t’ia lëmë kohës që t’i zbulojë.

SHKARKO APP