Edi Paloka: Pse duhet të shtyhen me disa muaj zgjedhjet

Kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Edi Paloka, thekson se mjafton vetëm vullneti i shumicës parlamentare dhe i Kryeministrit Rama për përmbushjen e standardeve për zgjedhjet parlamentare dhe shtyrja e tyre me disa muaj mund të jetë një realitet i pranueshëm.

Por për opozitën maxhoranca dhe Kryeministri Rama, nuk kanë vullnetin për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Krijimi i një qeverie teknike është opsioni i parapëlqyer i opozitës dhe për arritjen e këtij qëllimi, ata janë gati të ndërmarrin edhe hapa që mund të çojnë deri në destabilitet në vend.

Z.Paloka, opozita ka hartuar prej kohësh një platformë zgjedhore me kërkesat e saj për zhvillimin e një procesi të rregullt zgjedhor. Por teksa Komisioni i Reformës Zgjedhore nuk po del me një rezultat konkret, jo vetëm në lidhje me këtë kërkesë por edhe për kërkesat e OSBE-ODIHR-it, a mund të jetë shtyrja e datës së zgjedhjeve një opsion që mund të përdoret për përmbushjen e standardeve?

Lidhur me shtyrjen e datës së zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit, siç jam shprehur dhe më parë, mendoj se ky do të ishte një opsion për t’u shqyrtuar. Por ky opsion ka vlerë për t’u shqyrtuar nëse realisht do të ekzistonte vullneti politik i Edi Ramës për të realizuar pikat e kërkuara jo vetëm nga PD-ja, por edhe nga parti të tjera që bëjnë pjesë në koalicionin opozitar ose jo. Pra, nëse realisht problemi do të ishte koha për të realizuar të themi votimin dhe numërimin elektronik, dhe Edi Rama do të shprehte vullnetin për realizimin e tyre, atëherë mund të diskutohej pse jo një shtyrje disamujore. Problemi nuk është koha, por vullneti i Edi Ramës për të zhvilluar zgjedhje të drejta. Që nga maji i vitit të shkuar ka pasur kohë mjaft, por ka munguar dhe mungon vullneti politik i Edi Ramës.

Cilat mund të jenë rrugët që PD mund t’i imponohet Edi Ramës për krijimin e një qeverie teknike, kur ai mban një mandat të fituar me votat e shqiptarëve?

Partia Demokratike sot ka vetëm një qellim, t’u japë shqiptarëve mundësinë të votojnë lirisht dhe që vota e tyre të numërohet drejt. Vetëm kështu vendi do të ketë qeverinë që kërkojnë qytetarët. Për të realizuar këtë qëllim ne do të përdorim gjithë arsenalin që ka një parti politike, një opozitë, që sot është shpresa e vetme për qytetaret e saj. Ajo që unë dua të përsëris është se nëse Edi Rama dhe kjo maxhorancë nuk do të plotë- sojnë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, atëherë as nuk mund të flitet për stabilitet e qetësi me në këtë vend.

Do të jenë protestat një nga format, me të cilat opozita do të kërkojë largimin e kësaj qeverie?

Vendimet për hapat konkretë do të merren në konsultim me strukturat dhe aleatët e opozitës. Por siç e theksova, ne do të përdorim të gjithë arsenalin tonë dhe të gjitha format që të mos jetë kjo qeveri ajo që do të organizojë zgjedhjet e ardhme. -Panorama.

SHKARKO APP