Edi Paloka: Zgjedhjet e parakohshme i kërkon Rama

 

Nënkryetari i PD-së dhe kryetari i grupit Parlamentar Edi Paloka flet për “Koha Jonë” lidhur me protestat, reformën në drejtësi dhe ndryshimin e Kodit Zgjedhor

Edi Paloka: Zgjedhjet e parakohshme i kërkon Rama

Intervistoi: Sidorela Lepri

Nënkryetari i Partisë Demokratike dhe Kryetari i grupit Parlamentar të saj, Edi Paloka shprehet se opozita do të mbështesë protestat e të gjitha kategorive të qytetarëve që kundërshtojnë reformat e qeverisë. Në këtë linjë, ai shprehet se PD do të jetë në krah të studentëve dhe tregëtarëve, por edhe shtresave në nevojë që janë prekur nga reformat. Lidhur me mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, Paloka thotë se ato po i kërkon Rama me mënyrën sesi po drejton vendin.
Në një intervistë për “Koha Jonë”, nënkryetari i PD-së flet edhe për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe reformën në drejtësi.

Pak ditë më parë ju keni deklaruar se PD është duke përmbyllur programin qeverisës. Ku konsiston më konkretisht ky program?

Në fakt ne para dy ditësh paraqitëm një paketë fiskale, një paketë me të cilën PD i përgjigjet jo vetëm situatës aktuale, represionit që ka ndërrmarrë qeveria ndaj biznesit në përgjithësi, por veçanërisht ndaj biznesit të vogël. Sigurisht që kjo paketë fiskale në momentin që PD do të jetë parti qeverisëse, do të zbatohet dhe do të jetë pjesë e programit qeverisës.

Po ashtu ju keni përsëritur edhe qëndrimin e opozitës për të larguar me çdo mjet demokratik qeverinë, duke përfshirë këtu edhe mosbindjen civile. Çfarë kuptoni me mosbindje civile?

Kjo qeveri aktualisht ka rënë dhe provat për këtë ne i kemi çdo ditë ditë. Po sigurisht që për ta përmbysur dhe larguar realisht nga pushteti duhet edhe një lëvizje qytetare.
Mosbindja civile fillon që tek ajo lëvizja e atyre studentëve që qëlluan me vezë kryeminstrin. Nuk e kam tek veza, por tek akti që ato ndërrmorën duke deklaruar që pavarësisht se reforma e arsimit kaloi në parlament, nuk do të kaloj në universitete. Kjo është një mënyrë e mosbindjes civile, përshembull. Ka mënyra të tjera në rastet kur njerëzit e ndjejnë se po i shkelen të drejtat e tyre, po abuzohet me ta në mënyrë krejtësisht autoritare, sikurse është rasti i biznesit të vogël, i cili po mbytet me gjoba. Një formë e mosbindjes civile është që këto gjoba të mos paguhen dhe këta biznesmenë të ngrihen në protesta dhe ta detyrojnë qeverinë që të tërhiqet. Këto janë format e mosbindjes civile dhe shumë të tjera që mund të aplikohen nga vetë qytetarët që ndihen në presionin e qeverisë. Sikurse e kemi deklaruar edhe më herët PD do të jetë gjithmonë në krah të tyre për çdo protestë dhe për çdo kundërshti që ata do të kenë me këtë qeveri.

Për të gjitha këto arsye që ju përmendët, do të ketë protesta nga PD?

Sigurisht edhe kjo është një nga opsionet. PD është partia që drejton opozitën dhe ajo që unë sapo ju thashë që ne do ti bashkohemi çdo proteste të qytetarëve nuk përjashton faktin që ne vetë të organizojmë protesta për çështje të caktuara. Ka ardhur koha për të kërkuar rrëzimin e qeverisë.

A kërkon PD zgjedhje të parakohshme dhe a jeni gati për ti fituar?

Zgjedhjet e parakohshme nuk i kërkojmë ne. Zgjedhjet e parakohshme po i kërkon Edi Rama me të gjithë veprimtarinë e tij kundër interesave të qytetarëve shqiptarë. Është një kërkesë e qytetarëve të cilët po e ndjejnë çdo ditë e më shumë që ka nevojë për një ndryshim. Kur flasim për ndryshime, nuk flasim për ndryshime ministrash e karrigesh, por për një ndryshim rrënjësor që do të thotë që kjo qeveri nuk mund të qeverisë më.

Meqënese përmendët ndryshimin e minisrtave, si e shihni lëvizjen e fundit të LSI-së për ndryshimin e Ministrit të Drejtësisë?

Nuk janë lëvizjet e karrigeve të ministrave ato që janë të domosdoshme sot dhe ajo që kërkojnë qytetarët. Këto janë lojëra që ndodhin brenda mazhorancës, një mazhorance ku interesi, korrupsioni dhe kriminalizimi i gjithçkaje janë nyjet që e mbajnë të lidhur. Pra, nuk është ndryshimi i ministrave mënyra sesi zgjidhen problemet e qytetarëve. Ju e shihni përditë, vecanërisht ditët e fundit që dy krerët mazhorancës janë në një luftë midis tyre, që herë është e ftohtë dhe herë është e hapur. I gjithë aktiviteti i kësaj qeverie është në një trysni të tillë, ku Kryetari i Parlamentit i thotë Ramës në mënyrë direkte ose indirekt: Unë të shkatërroj qeverinë. Kryeministri del një ditë më pas në konferencë shtypi dhe thotë :Unë të fus në burg. Imagjinoni në çfarë situate dhe qeverisjeje jemi, ndërkohë që shqiptarët ikin çdo ditë me mijëra dhe vazhdojnë të varfërohen nga kjo qeverisje.

Opozita ka ngritur shpesh akuza për disa ministra të PS-së në pushtet dhe nga ana tjetër kryministri i ka quajtur të suksesshëm. Në total, si do ta cilësonit qeverisjen e këtij koalicioni?

Mendoj që jo vetëm opozita, por tashmë edhe ndërkombëtarët, se qytetarët po e po, kanë evidentuar faktin që kjo qeveri është e zhytur në korrupsion deri në fyt dhe vetë raport-progresi që u publikua jo më larg se dje e evidenton këtë fakt, që korrupsioni është çështje kryesore e kësaj qeverie dhe i kërkojnë hapur Ramës të dënojnë zyrtarët e lartë. Por ndërkohë që Rama deklaron se është gati të dënojë zyrtarët e lartë, por e pengon thjeshët reforma në drejtësi, i del në mbrojtje të gjithë ministrave të tij të korruptuar.
Është mëse e qartë se cili është pozicioni i kryeminstrit në këtë aspekt. Para disa kohësh ai ka deklaruar se skandali më i vogël po të dali për ministratë e tij, ai do ti shkarkonte në vend. Ministrat e tij po mbyten nga skandalet. Çdo ditë dalin skandale të reja për ta dhe i vetmi qëndrim që mban Rama është mbrojtja deri në fund e tyre.

Reforma në drejtësi që ju e përmendet më lart ka qenë një prej çështjeve më të diskutuara së fundmi. Cili është qëndrimi juaj?

Së pari, duhet të kuptojmë se çfarë është reforma në drejtësi. Nëse me reformë do të quajmë projektin që ka kjo mazhorancë, atëherë nuk kemi të bëjmë fare me reformë në drejtësi, por thjesht me kapje të drejtësisë duke filluar nga gjykatat tek prokuroria dhe më tej. Pra, është e qartë dhe ne e kemi bërë të qartë që PD nuk mund të jetë dakort me të ashtuquajturën “reformë në drejtësi”.
Sigurisht ne jemi të hapur, sepse ka nevojë që drejtësia të ndryshojë. Korrupsioni është një nga fenomenet më të rënda që ka kapur drejtësinë shqiptare dhe kjo duhet luftuar, por duket se qëllimi i kësaj mazhorance nuk është aspak ky. Me justifikime, gjoja luftën kundër korrupsionit dhe kërkesës që ka komuniteti ndërkombëtar për këtë, ata po përpiqen thjeshtë të fusin duart e tyre në institucionet e drejtësisë.

Sipash jush, cila do të ishte formula për reformën e duhur në drejtësi?

Ne kemi grupin tonë të specialistëve dhe të deputetëve që kanë përgatitur ato akte ligjore që ne i shohim të nevojshme dhe të domosdoshme për të kryer reformën në drejtësi. I kemi paraqitur edhe në Komisionin e Venecias dhe nëse do të arrihet konsensusi për këto, sigurisht që do të ketë edhe mirëkuptim tonë dhe besoj se do të ecet me reformën në drejtësi.

Pak ditë më parë ka qarkulluar lajmi për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Për miratimin e tij duhet një shumicë votash midis PD-së dhe PS-së. Mendoni se është i nevojshëm ky ndryshim dhe do të jetë “Po” përgjigja e PD-së për ndryshim e kodit?

Sigurisht, ndryshimet në kodë janë të nevojshme. Mjafton të shohim sugjerimet që ka bërë OSBE-ODHIR për disa vite me radhë dhe kuptojmë sesa i rëndësishëm është ndryshimi i kodit. Absolutisht, ndryshimet në kodin zgjedhor nuk bëhen pa marrë konsensusin e të gjithë forcave politike që kanë një peshë në politikën shqiptare. Çdo gjë që bëhet pa konsensus është e destinuar të dështojë.

A mendoni se reforma në Kodin Zgjedhor ka shanse të ulë numrin e deputetëve të inkriminuar në parlament?

Nuk e kam menduar dhe nuk e mendoj as sot që janë aktet ligjore, ligji apo format e tjera që i vënë vulën dhe e mbyllin përfundimisht problemin e kriminalizimit të parlamentit. Është vullneti politik që e solli këtë fenomen dhe është dëshira e kryeministrit Rama për të futur njerëz të tillë jo vetëm në parlament, por në të gjithë administratën shtetërore. Nëse nuk ka vullnet politik atëherë çështja është e zgjidhur. Nëse bëjmë pastaj ligje sa për formë dhe për të iu hedhur hi syve të tjerë, sigurisht që çështja nuk zgjidhet as me ligje dhe as me ndryshim kushtetute. Është çështje vullneti politik për mendimin tim.

Sistemi zgjedhor me prim është forma e duhur para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare?

Këtë duhet ta thonë specialistët dhe unë nuk jam specialist i kodeve zgjedhore, por ajo që ka rëndësi politikisht është që të arrihet konsensusi midis të gjitha forcave politike për të pasur një kod sa më të mirë dhe të pranuar nga të gjithë.

Duke qenë se PD po zhvillon zgjedhjet e Forumit Rinor, a shihni entuziazëm nga të rinjtë për tu përfshirë në politikë?

Nganjëherë entuziazmi kalon edhe atë të dëshiruarin dhe i kam këshilluar që të përmbahen. E shoh që kjo fushatë ka gjëra pozitive. Janë vërsulur mjaft të rinj që duan të angazhohen në këto zgjedhje dhe uroj që të mos iu shuhen kurrë idealizmi, parimet dhe pastaj interesat. Politika nuk është vetëm interes, por edhe idealizëm. 

SHKARKO APP