Eranda Shuaipi: Të fitoja vetëm një herë titullin nuk më mjaftoi

 

Kampionja e Shqipërisënë kategorinë “ Woman Bikini fitness”, Eranda Shuaipi rrëfen të gjitha emocionet e kurorëzimit të saj

Eranda Shuaipi: Të fitoja vetëm një herë titullin nuk më mjaftoi

Intervistoi: Sidorela Lepri

“Kampionati Kombëtar Bodybuilding dhe Fitness 2015” i zhvilluar pak ditë më parë ka shpalluar fitueset në  kategoritë “Woman Body Fitness” dhe “Woman Fitness Bikini”.
Kristiana Sinanaj u shpall fituese në kategorinë “Woman Body Fitness” dhe për “Woman Fitness Bikini” vendin e dytë e zuri Ersiada Gremi dhe mbretëreshë u shpall Eranda Shuaipi.
Eranda Shuaipi është një ndër femrat e pakta shqiptare që ushtron sportin e bodybuilding dhe ka marrë pjesë në kompeticione të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, duke rrëmbyer edhe çmime.
Në një intervistë për “Koha Jonë”, Eranda tregon për pasionin e saj, domethënien e çmimeve, kohën që i kushton stërvitjes, familjen dhe angazhimin e radhës në kampionatin botëror në Tailandë.

Pak ditë më parë ju u shpallët fituese në kampionatin e Bodybuilding. Si u ndjetë, për më tepër që ky çmim u dha nga edhe bashkëshorti juaj?

Kush është gjëja më e bukur e momentit të triumfit? Juria që të vlerëson, publiku i egzaltuar që të duartroket, miqtë që të bëjnë festë dhe të bëjnë të ndihesh mbretëresha e mbrëmjes. Sigurisht që është gëzim i papërshkrueshëm. Të shpërblehen të gjitha sakrificat e bëra me stërvitjen dhe dietën. Të merrja kupën nga duart e partnerit tim ishte shumë emocionuese, sepse ai është njëkohësisht edhe traineri im. Dhe ishte njësoj sikur fituam të dy bashkë. Dua të theksoj se pas çdo detaji sado të vogël të përgatitjes sime, fshihet profesionalizmi dhe kompetenca e atij.

Çfarë domethënie ka për ju ky çmim?

Jam shumë e lidhur me Shqipërinë, të fitoja vetëm njëherë këtë titull nuk më mjaftoi. Doja të ndieja përsëri atë kënaqësi. Jam kështu krenare të prezantohem në gara ndërkombëtare për të përfaqësuar vendin tim si dy herë fituese e titullit “Kampione e Shqipërisë”. Por, njëkohësisht premtoj që nuk do të garoj më në këtë kampionat për t’i lënë hapësirë edhe kampioneve më të reja që do vijnë. Por do të angazhohem dhe do jap ndihmesën time gjithmone për këtë sport.

Kjo nuk është hera e pare që ju rrëmbeni një çmim. Sa e rëndësishme është dhënia e çmimeve për ju?

Sikurse ju thashë, të fitosh një titull është gjithmonë një gëzim i madh, por gara e vërtetë para se të jetë me konkurentet e tjera është me veten time. Une fitoj sa herë që prezantoj në skenë një formë më të mirë fizike se herën që shkoi, pavarësisht nga rezultati i garës. Do ti ftoja të gjithë agonistët e këtij sporti ta mendojnë në këtë mënyrë, e nëse dikush më i përgatitur fiton, kjo duhet të shërbejë si frymëzim për t’u përgatitur më mirë në të ardhmen e pse jo për të fituar garën e rradhës. Personalisht, më ka ndodhur në Itali që një konkurente që para disa muajsh kishte fituar një garë ku unë arrita e 3-ta, disa muaj më vonë në një garë tjetër unë fitova, ndërsa ajo arriti e dyta. Ndërkohe jemi mikesha.

Kur keni filluar të merreni me këtë lloj sporti?

Prej korrikut të vitit 2011 e deri në tetor të vitit 2013 jam stërvitur vetëm njëherë në javë sa për të qenë në formë, pasi bëja një jetë shumë aktive e kisha shumë pak kohë në dispozicion. Më pas shkova për të parë live një garë bodybuilding dhe aty u dashurova me këtë sport. Mbeta e mahnitur duke vëzhguar ato vajza me ato trupa aq në formë, u entuziazmova aq shumë sa vendosa të garoj dhe unë. Pas 9 muajsh përgatitje serioze, isha mbi skenën e garës time të parë.

Mund të ndani me ne disa momente të angazhimeve tuaja lidhur me sportin e bodybuilding?

E keni fjalën për të kaluarën apo jo? Në vitin 2014 në garën time të parë, Lampionati Europian WBPF zura vendin e pestë. Disa muaj më vonë garova në kampionatin Italian ËBPF ku zura vendin e 3-të. E më pas fitova kampionatin europian “The iron Age Federation”. Fitova kampionatin kombëtar dhe atë mbarëkombëtar në Kosovë. Ndërsa këtë vit rrëmbeva një vend të dytë në Ëalter Cup në Hollandë, një garë prestigjoze me 400 atlete dhe para disa ditësh sërish titullin Kampione e Shqipërisë. Ndërkohe ka patur edhe gara që nuk kanë shkuar dhe aq mirë, ku nuk jam kualifikuar as në finale, po le mos flasim për to (qesh).

Zakonisht ky lloj sporti, konsiderohet më shumë si një sport për meshkuj, duke marrë parasysh që femrat që merren me bodybuilding janë më të pakta. E shihni këtë fakt si avantazh apo disavantazh?

Në të kaluarën femrat në botë e kanë egzagjeruar me bodybuilding. Kanë përdorur hormone e doping për të transformuar trupat e tyre në mënyrë që t’u ngjanin sa më shumë meshkujve. Kjo i ka larguar femrat nga ky sport dhe nga palestra. Për fat të mirë zgjidhja erdhi me kategorinë “Bikini Fitness” apo “Fitness Model” që është risi në sportin e bodybuilding. Tashmë propozohen trupa femërorë e me forma. Për të arritur një fizik të tillë nuk duhen vite të tëra, as sakrifica të pamundura dhe as përdorimi i dopingut. Të praktikosh bodybuilding në këtë formë, është një avantazh i madh për të gjitha femrat sepse mund të jenë në formë, të kenë një trup të bukur e të shendetshëm e mbi të gjitha një trup të ri për të gjithë jetën.

Dukeni tepër në formë dhe më një trup perfekt. Sa orë stërviteni në ditë?

Faleminderit! “Perfekt’ është fjalë e madhe, le të themi që jam “work in progress’. Jeta e një atleti është e karakterizuar nga 3 gjëra: stërvitja, ushqyerja dhe rekuperimi. Konkurentet e mia kolege nga Hungaria apo Ukraina stërviten çdo mëngjes e çdo mbrëmje për 6 ditë në javë. Masakrim! Për fatin tim të mirë, traineri im është ndjekës i filozofisë “pak e intensivisht”,  prandaj kur jam në përgatitje për gara stërvitem 4 herë në javë. Ha 4 vakte në ditë në mënyrë të balancuar, pothuajse gjithcka, duke evituar yndyrnat e stauruara dhe sheqerin. Mundohem të përdor gjithçka integrale. Sigurohem që të fle të paktën 7 orë e gjysmë për natë. Gjatë përgatitjes për garat sakrifikoj pak nga jeta ime sociale, sepse nëse dal nuk mund të fle vonë në darkë.

Eranda, me çfarë merreni tjetër?

Kam një jetë të ekuilibruar. Mbi të gjtha jam nënë e nje djali 10 vjeçar që e mbush jetën time me shumë gëzim e dashuri. Kam dy prindër të mrekullueshëm që kujdesen për mua edhe tani që jam e madhe. Jetoj një lidhje të lumtur me partnerin tim prej vitesh. Jam një grua sipermarrëse, drejtoj një laborator prodhimi ushqimesh dietetike per sportistë e për mirëqënie, të vetmin e këtij lloji në vendin tonë. Mundohem gjithashtu të bëj një jetë sociale, të dal me mikeshat e mia kur kam mundësi.

Cilat janë pasionet e tua më të mëdha?

Pasioni im më i madh për momentin janë “spageti alle vongole” (qesh). Bëj shaka, dieta bën të vetën. Në përgjithësi çdo gjë që bëj në jetë e bëj me pasion, edhe puna për mua është pasion, udhëtimet, të njihem me vende e kultura të reja, të relacionohem me njerëz, të kërcej, të shkoj në kinema dhe sidomos në Itali ku kaloj një pjesë të mirë të kohës dhe ku ka një zgjedhje të madhe të filmave për t’u parë. Nje pasion i madh kohët e fundit po bëhet edhe kuzhina, sa herë kam kohë mundohem të eksperimentoj ndonjë pjatë dietike e të shijshme në të njëjtën kohë.

Dhe së fundmi, angazhimet e ardhshme në këtë sport?

Në 25 nëntor do të jem në Tailandë për të marrë pjesë në kampionatin botëror WBPF. Është një garë që të sugjestionon paksa, sepse marrin pjesë mbi 45 shtete e rreth 450 atletë. Shumë varet nga rezultati i kësaj gare, por në 2016 plani im më ambicioz është pjesëmarrja në Arnold Classic Amator, garë që organizohet nga ai, i madhi Schwarzenegger që ka bërë historinë e bodybuilding.

SHKARKO APP