Eriol Braimllari: Ndërkombëtaret të shohin në sy krimin trafiqet e korrupsionin, të lënë leksionet teorike

Sekretari i LSI për Politikën e Jashtme, Eriol Braimllari, në një intervistë për televizionin “Scan”, shprehet se ndërkombëtarë nuk duhet të anashkalojnë problemet reale në Shqipëri, duke u justifikuar gjithmonë pas stabilitetit.

Përse është ky ngërç? Ndërkombëtarët nuk e kuptojnë situatën. Edhe ju djegien e mandatit e bëtë për të ngritur zërin dhe për të alarmuar faktorin ndërkombëtar. Ndërkohë ju keni vazhduar bisedimet me ta?

Ka një perceptim të gabuar, sikur opozita nuk ka kontakt me ndërkombëtarët apo sikur ndërkombëtarët nuk e dinë.

E para që të qartësojmë diskutimin, opozita ka kontakte të vazhdueshme me ndërkombëtarët, flas edhe nga ana e LSI-së. Ne gjithmonë kemi kontakte të vazhdueshme me partnerët tanë. Vazhdojmë ti kemi aksionet tona të konverguara në synimet e përbashkëta të bashkëpunimit.

Ndërkombëtarët e dinë shumë mirë. Ne kemi rastin e Departamentit Amerikan  të Shtetit, i cili para 7 ditësh ka nxjerrë raportin e tij në lidhje me situatën e krimit në Shqipëri. Është një raport i cili vë duart në kokë, është një raport i cili sikur të ishte shkruajtur nga opozita nuk do ishte shkruajtur në një gjuhë aq të fortë dhe të rreptë në lidhje me standardet demokratike në vendin tonë.

Unë mund t’ju jap një rast të diferencës së raportit pra të përkeqësimit të situatës. Në vitin 2019 Shqipëria për herë të parë radhitet edhe në ato vende, ku DASH, pra taksapaguesit amerikanë, paguajnë për të luftuar fenomenin e konsumimit të drogërave. Ka një listë shtetesh, Drug Free Communities ku në këtë listë është përfshirë edhe Shqipëria. Ky është i vitit 2018. Në këtë listë nuk është. Ata kanë bërë një analizë dhe kanë parë që përzierja e qeverisë me krimin e organizuar ka shkaktuar jo vetëm atë që raporti thotë, që Shqipëria është bërë një qendër jo vetëm e trafikim të drogërave, por e grupeve kriminale që operojnë në perëndim dhe në lindje, pra ka një ndrojtje. Por këtu kemi një konsumim të jashtëzakonshëm të drogërave nga ana e popullatës. Çfarë do të thotë kjo për qytetarët? Unë dua t’i shoh të gjithë raportet ndërkombëtare në raport me qytetarët shqiptarë.

Kjo do të thotë që fëmijët shqiptarë kur dalin dhe shkojnë në shkollë, më shumë se sa kur shkojnë në shkollë për të marrë dije, ata janë pre dhe janë të ekspozuar ndaj këtij fenomeni, ndaj atyre njerëzve që shkojnë dhe u shesin kokainën, heroinën apo kanabisin. Pra ne kemi sot një plagë të madhe edhe sociale. Prandaj themi që kemi një kapje të shtetit. Ne kemi një krizë shumë dimensionale. Nuk bëhet fjalë që dy parti politike nuk merren vesh me njëra-tjetrën, sepse është normale që mendimet janë të ndryshme dhe demokracia për këtë është që të ketë mendime të ndryshme . Ne kemi kapje të shtetit që po ndikon në familjet shqiptare, nuk po ndikon politikën, nuk po ndikon opozitën.

Raporti i Bankës Botërore dje ishte që 35% e shqiptarëve jetojnë në varfëri…

Jetojnë në varfëri nën minimumin jetik. Kostoja e jetesës në Shqipëri vazhdon të rritet. Taksat vazhdojnë të rëndojnë familjet shqiptare dhe papërgjegjshmëria e qeverisë është që të mos i prekë fare këto probleme. Ata thonë këtu ka punë, këtu ka mirëqenie , këtu ka shtet thonë, këtu ka shëndetësi thonë, bëjnë video 3D, i nxjerrin i promovojnë. Dakord ti promovoje punën tënde, por preke plagën e qytetarit, preke problemin e vërtetë. Mos u bëj fasadë, sepse fasada është një moment, dy momente.

Ne si opozitë këtë themi. Të lëmë fasadën, të mos bëhemi fasadë  e kësaj keqqeverisje të lidhur me krimin që favorizon dhe u shërben 5 personave. Hajde ta vendosim dorën te plaga e qytetarëve dhe ta zgjidhim. Unë do të jap një shifër tjetër të Bankës Botërore, ku thuhet se Shqipëria është më e dobëta në rajon për lidhjet ekonomike me botën. Pra Serbia fqinja jonë është e para në rajon për tërheqjen e investimeve të huaja në vendin e saj, është lider për tu ndërlidhur me botën. Shqipëria është me një ekonomi modeste dhe ne nëse nuk e shohim ekonominë tonë të lidhur me zhvillimet rajonale, ne nuk do të prodhojmë dot mirëqenie për qytetarët shqiptarë.

Në këto faza që flasim, jemi në momentet e fundit të përmbylljes së dy projekteve të rëndësishme, madhore, të cilat  kanë prodhuar rritje ekonomike të vendit tonë. Kur ato mbarojnë, nuk ka më. Në vend që kjo qeveri, ose shtetit shqiptar të mendonte më tej se si do ti zëvendësojmë këto investime të huaja, se investimi i huaj është direkt zhvillim për vendin ne, është punësim për qytetarët, mirrëqenie për qytetarët , ne  sot nuk kemi asnjë investim të huaj që do të vijë në Shqipëri të zëvendësojë këtë situatë që do të krijohet nga ikja e këtyre investimeve shumë të mëdha.

E kuptoni në çfarë krize të madhe jemi? Jemi në një krizë që nuk ndikon dy parti politike, nuk është një krizë që lidhet me interesat e opozitës. Këtu jemi në një krizë që ndikon qytetarin shqiptar, familjen e tij, ekonominë familjare, sepse në momentin që qytetarët nuk kanë mirëqenie, do të bëjnë atë që kanë zgjedhur mbi 500 mijë shqiptarë të bëjnë në këto vitet e fundit, largimin nga vendi. Largimi është një gjë që opozita absolutisht nuk e do, sepse nuk duam një Shqipëri të rrudhur. Madje LSI-ja ka vendosur sloganin “Shqipëria shtëpia juaj”, që ti drejtohemi të gjithë qytetarëve me qëllimin që ne jemi këtu për ta bërë këtë vend.

Ne e dimë që sot shqiptarët nuk ndihem si në shtëpinë e tyre për shkak të kësaj keqqeverisje, për shkak të këtyre faktorëve që ne i përmendëm. Por ne duam që qytetarët shqiptarë ta shohin Shqipërinë si shtëpinë tyre. Pra të kenë punë, të kenë një siguri sociale, të kenë një shtet që i përgjigjet dhe i vjen në ndihmë, që u shërben atyre. Të kenë një arsim cilësor për fëmijët e tyre. Mos t’i kenë fëmijët pre e drogës  nëpër shkolla. Të kenë një sistem shëndetësor ku të futesh në spital dhe të dalësh më mirë. Jo të shkosh në spital dhe del më keq. Siç e kemi tani, pavarësisht se janë harxhuar para gjithmonë për të thënë që po bëjmë shëndetësi falas. Nuk ka shëndetësi falas. Nuk janë krijuar as 300 mijë vende pune siç thotë qeveria. As nuk janë ulur taksat. As nuk ka klimë biznesi këtu për investitorët e huaj. Pra të gjitha këto janë premtime të pambajtura, janë fallco, janë mashtrime të cilat çdo ditë e më shumë e bëjnë më keq situatën e qytetarëve shqiptare. Dhe ne këtë gjë duam ta ndalojmë. Prandaj  dhe kemi marrë këtë masë ekstreme të djegies së mandateve për shkak se situata është totalisht ekstreme. Ju besoj e keni parë dosjen e Prokurorisë, 339 dhe 184. Ato janë prova evidente që Partia e Rilindjes së PS ka bërë një pakt me krimin  e organizuar dhe i ka thënë. Ti do më  ndihmosh që unë të marr votat, po si mendoni ju se ata po i ndihmojnë të marrin votat dhe këta sot nuk po j’ua kthejnë nderin? Pra këtu kemi një ç’organizim totalisht të orkestruar nga kjo mazhorancë të cilës i duhen hequr duart nga kjo kapje mbi shtetin shqiptar. I ka kapur të gjitha pushtetet.  Edhe reforma në drejtësi e cila nisi me një premisë shumë të mirë edhe me partneritetin ndërkombëtar që të ishte një reformë që të gjithë të ishin dakord për tu bërë dhe të ishte një reformë me integritet të plotë, me paanësi të plotë, ku ne kemi përfshirë edhe Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit në Kushtetutë.  Por çfarë shohim sot. Vetë kjo mazhoranca, nuk ka respektuar rekomandimet e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. I ka hedhur poshtë. Gjysma e atyre që janë sot të zgjedhur në organet e reja të drejtësisë KLP dhe KLGJ janë të kontestuar nga ONM. Dhe çfarë ka bërë mazhoranca? Ka votuar pikërisht këta njerëz. Pra dua të them që jemi në një situatë anormale e cila duhet të rikthehet në shinat e normalitetit.

SHKARKO APP