Erisa Xhixho: LSI do jetë forcë e parë. Do t’i japim drejtim të ri vendit

Kandidatja për deputete e LSI-së në qarkun e Fierit, Erisa Xhixho, në emisionin “Koha për tu zgjuar” me gazetarin Bashkim Hoxha në “News 24” ka folur për fushatën elektorale të LSI. Xhixho tha se LSI ka të gjitha mundësinë që të jetë forcë e parë. Ajo shtoi se takimet me elektoratin tregojnë se mbështetja për këtë forcë politike është me e madhe se kurrë.

 Keni qenë tepër e pranishme në terren në Fier. Si po ju shkon fushata?

Fushata po shkon shumë mirë. Në fillim u delegova për organizimin e rinisë, grave dhe vajzave në Fier. Më pas strukturat e partisë vendosën që unë edhe të kandidoja në Fier. Padyshim gjeta një pasion që më bashkon shumë me qytetarët e Fierit, sidomos me familjet e Fierit. Pasioni që kam unë për edukimin, për arsimimin dhe për të gjithë kualifikimet që unë kam bërë, ashtu është edhe investimi që bën çdo familje fierake te fëmijët e tyre, që është investimi më i madh nëpërmjet kurseve dhe më vjen shumë mire që ata kanë fokus arsimimin.

Na ka bashkuar shumë kjo kauzë. Fushata po shkon shumë mirë. Për mua është e rëndësishme që qytetarët të jenë sa më të qetë në momentin e votimit. Nuk janë thjesht zgjedhjet e radhës. E them gjithmonë. Këto janë të lidhura shumë edhe me procesin e integrimit, ndaj edhe LSI është investuar shumë që të arrijmë standardet më të larta në këto zgjedhje, sepse më pas do të kemi edhe dritën jeshile për hapjen e negociatave dhe ecjen përpara të vendit. Për ne janë shumë të rëndësishme.

Fushata në përgjithësi duket pak e ashpër me LSI-në. Ju si reagoni kur dëgjoni akuzat që bëhen ose thirrjet që bëhen për të grisur teserat e LSI-së, ose thirrje të tjera për ta marrë timonin vetëm. Si ndjeheni atje në terren? Si e perceptojnë qytetarët në takime?

Unë jam një nga ata të rinj, dhe nga ata politikanë që ka një frymë më evropiane dhe padyshim ndjej keqardhje nga kjo gjuhë balte dhe gjuhë urrejtje që duan të sjellin në këtë fushatë.

Jam shumë e fokusuar te mesazhi pozitiv edhe te plani ynë konkret për hapjen e vendeve të reja të punës. Ky është fokusi ynë: rritja progresive e LSI-së është aty. Fryma është shumë e mirë. Rritja vjen nga të rinjtë, nga të rejat, nga mesazhi pozitiv që është LSI. Kjo ndoshta i ka ngacmuar forcat e tjera politike, të cilat ndoshta edhe kompleksohen. Ky kompleks edhe shprehet kështu.

Më vjen keq, sepse jemi në 2017-n dhe mendoja do të kishim një fushatë të denjë për qytetarët shqiptarë, pozitive, të fokusuar në debatin mbi programe, se si ne do të fuqizojmë ekonominë, se si ne do të hapim vendet e reja të punës, se si ne do të krijojmë më shumë vende të reja të punës, që ta gjejnë veten e tyre në jetesën në Shqipëri e të mos krijojnë iluzione apo ëndrra për të jetuar jashtë vendit. Ky është investimi maksimal i LSI-së. Unë personalisht së bashku me gjithë ekipin e Fierit kemi organizuar rreth dhjetë tryeza përpara se të arrinim në këtë plan konkret. Kemi bërë edhe turin e dëgjesave përpara se të arrinim këtë plan. Jemi në diskutime dhe kontakte të vazhdueshme me qytetarët. Pavarësisht se jam e re kam 12 vjet në politikë, që nga themelimi i LSI. E njoh shumë mire terrenin dhe e njoh shumë mire kontaktin me qytetarët dhe jam një nga ata të rinj që do të investohen që kjo fushatë të jetë pozitive, të jetë e fokusuar te debati mbi arsimin, te debati mbi zhvillimin e turizmit, bujqësisë apo mbi punësimin dhe hapjen e 100 mijë vendeve të reja të punës për të rinjtë. Për mua ky është debati që duan qytetarët dhe të kthejmë fushatën në një gëzim dhe jo urrejtje apo ankth, siç janë kthyer fushatat zgjedhore në Shqipëri. Ky është investimi ynë maksimal.

Ka njerëz që mendojnë se e gjitha kjo bëhet për të krijuar imazhin që LSI nuk do të jetë në qeverisje dhe disa njerëz pragmatistë do t’i largohen asaj. A ka efekt kjo lloj politike në terren?

Kjo është një thirrje e dëshpëruar e forcave të ndryshme politike. Ndaj kemi zgjedhje çdo katër vjet dhe ndaj qytetarët shqiptarë thërriten çdo katër vjet për të rikonfirmuar një forcë apo një tjetër dhe do të jenë zgjedhjet më 25 qershor që do të përcaktojnë se kush do e drejtojë vendin dhe kush do të jetë opozita e vendit.

Për ne ka shumë rëndësi që fokusi i qytetarëve të jetë mbi debatin e programeve dhe ideve. Asnjë nga këto që ju përmendët nuk ka asnjë efekt tek qytetarët. Për mua ata janë të interesuar se si ne, në çfarë mekanizmash do realizojmë hapjen e vendeve të reja të punës. Padyshim kemi shumë papunësi, kemi probleme të shumta në shumë sektorë dhe ajo është kryefjala e çdo familjeje. Edukimi gjithashtu duhet të jetë shumë më cilësor nga ai që është sot, i lidhur direkt me tregun e punës, ndaj edhe plani ynë “arsimim për punësim” është shumë konkret, i detajuar nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtar.

Gjithashtu, ky fuqizim i edukimit, gjithashtu profesional, dhe këtu flas edhe për qarkun e Fierit, ku ne parashikojmë që të hapim edhe një degë të re: atë të turizmit, sepse ka një kapacitet dhe një mundësi të pashfrytëzuar për turizmin në qarkun e Fierit. Por edhe bujqësisë, për ta mbështetur atë, sepse nuk është mbështetur financiarisht sa ka dashur të jetë prioritet në katër vitet e kaluara. Ne mendojmë ta trefishojmë buxhetin për bujqësinë në katër vitet e ardhshme duke marrë edhe në fokus subvencionimin e farave, pesticideve dhe të gjithave me radhë, por edhe duke çuar në zero TVSH-në e tatimit mbi fitimin.

Nga ana tjetër, mbështetja për biznesin është shumë e rëndësishme. Hap vende të reja të punës sidomos për gratë, vajzat dhe rininë. Mbështetja për gratë dhe rininë që të kenë mundësinë që të hapin një biznes përmes granteve dhe kredive të buta. Këto kërkojnë qytetarët dhe këto përgjigje duhet të japim ne si politikanë në 2017-n. Për ne është e rëndësishme të kemi një mbështetje për biznesin dhe këtu flas për taksat. Taksat për biznese të ndryshme shkojnë në 15%. Ne mendojmë t’i ulim në fasha të caktuara, në xhiro të caktuara. Xhiroja deri në 20 milionë të kemi 0 tatim, më pas nga 20 milionë deri në 100 milionë të kemi tatim 5 për qind dhe 8 për qind dhe më pas 10 për qind.
Pra, të kemi një fashë të caktuar dhe të mos kemi të gjithë bizneset që të mund të tatohen nën tatimin 15%. Për mua këto janë debatet që kërkojnë qytetarët dhe të kemi mundësi të ofrojmë një politikë që u intereson atyre dhe jo politikë konfliktuale dhe jo debate boshe. Këtu është fokusi i LSI-së. Rritja e LSI-së vjen nga të rinjtë, vjen nga të rejat. Në qoftë se shohim edhe listat për deputetë qoftë në qarkun e Tiranës apo Fierit, apo edhe në qarkun e Durrësit dhe në gjithë qarqet e tjera, e kemi treguar jo me fjalë por me vepra mbështetjen që kemi ndaj të rinjve duke i kandiduar sepse besojmë te kapacitetet e tyre menaxhuese, por edhe drejtuese. Padyshim kjo e ndërthurur edhe me eksperiencën e të gjithë lidershipit të LSI-së.

Pak më parë një qytetar shprehu mosbesim për deputeten Kejdi Mehmetaj të LSI-së duke i quajtur të papjekur për shkak të moshës. Ju si e mendoni?

Kejdin unë e njoh qyshkur ka ardhur e vogël në LSI. Skepticizmi ka qenë kur ajo ka hyrë në Parlament, performanca që ajo ka pasur në Parlament i ka habitur të gjithë dhe ka bërë që lidershipi i LSI-së sot të ketë një pjesë dërrmuese në listën e Tiranës nga LRI.

E ka treguar me performancën e saj, argumentin edhe ndjekjen e kauzave që ajo beson ku edukimi i të rinjve ka qenë një nga kauzat e forta që ajo ka mbajtur. Ka ngritur zërin dhe besoj që duhet të kishte patur një reflektim akoma më të madh nga grupi ynë parlamentar për ta mbështetur Kejdin në reformën për arsim, në pjekurinë e saj. E dimë shumë mire që reforma në arsim, edhe kur grupi ynë parlamentar e ka miratuar, e ka votuar me kushtin që aktet nënligjore të dilnin sa më shpejt. Kjo nuk ka ndodhur dhe jemi në këtë situatë. Sot vijmë me plan konkret me rritjen e cilësisë në arsim.

Ku mbështetet LSI kur thotë që do të jetë forcë e parë më 25 qershor?

Është shumë e thjeshtë kjo përgjigje. LSI ka patur një rritje progresive. Në qoftë se e shohim të gjithë performancën e saj që nga themelimi, 2005, 2009, 2013 ka pasur një rritje konstante, progresive.

Ka patur dy target grupe shumë të rëndësishme për të, të cilët i ka mbështetur me fakte dhe jo thjesht me fjalë. Kanë qenë rinia dhe gratë e vajzat. Rritja e saj do të vijë pikërisht nga votuesit për herë të parë. Do të vijë nga mbështetja e grave dhe vajzave. Do të vijë nga plani konkret që ajo ka. Besoj që LSI-ja mbi të gjitha është një forcë politike që ka sjellë një qasje tjetër në arenën politike, të një kujdesi ndaj qytetarëve gjatë gjithë kohës, jo vetëm një herë në katër vjet.

Ky është edhe angazhimi im në fushatë për qarkun e Fierit, që do të jem këtu gjatë gjithë kohës, jo një herë në katër vjet për të mbrojtur kauzat e qarkut të Fierit dhe për t’i ngritur fort në Parlament dhe për të pasur një politikë që debaton për programet, për idetë dhe për iniciativa të ndryshme dhe jo për debate dhe konflikte pa fund boshe siç ndodhi këto dy muaj mes PD dhe PS të cilën e kuptuan të gjithë që ishte thjeshtë një teatër në fund të ditës.

Dy muaj konflikt, ankth të qytetarëve shqiptar. Ndërkohë presioni i LSI-së, presioni ndërkombëtarëve bëri që më në fund opozita të hynte në zgjedhje dhe për këtë jemi shumë të lumtur të gjithë. Por nuk duhet të harrojmë që këto dy muaj ishin një kosto shumë e madhe për vendin. Shumë investitorë të huaj erdhën me pikëpyetje për të investuar në Shqipëri. Shumë nga qytetarët shqiptarë vunë në pikëpyetje qëndrimin e tyre në Shqipëri. Ndërkohë që kjo zgjedhje duhet të kishte ardhur shumë më parë dhe të mos krijonte këtë ankth.

Besoj që sot ka ardhur koha që të krijojmë më shumë qetësi, më shumë stabiliteti për vendin dhe në momentin që marrin vendimin për të shkuar dhe për të votuar, që padyshim që thirrja ime është që të gjithë të shkojnë të votojnë dhe këtë ta shfrytëzojnë dhe të zgjedhin njerëzit që do të zgjedhin për 4 vitet të mendohen mirë. Duan një politikë konfliktuale, një politikë që mendon aty për aty dhe që vë në rrezik edhe reformën në drejtësi?! Në qoftë se kemi parasysh rolin e z. Meta apo të LSI-së në reformën në drejtësi ku pamë se në seancën e fundit parlamentare, nëse nuk do të kishte ndërhyrë z. Meta mendoj që do të kishim një reformë në drejtësi aq të kërkuar të miratuar vetëm me votat e mazhorancës gjë që do të ndikonte në procesin e integrimit, sepse nuk do të kishim marrë më pas rekomandimin pozitiv nga Komisioni Evropian për hapjen e negociatave.

Pra, të jemi të qartë që LSI-ja në gjithë performancën e saj dhe në të gjitha qëndrimet që ka mbajtur, ka pasur vetëm një qëndrim ku interesat e vendit kanë qenë prioritare ndaj çdo interesi partiak.

Kjo padyshim sjell një rritje të mbështetjes së njerëzve tek LSI-ja, të të rinjve. Mund t’ju them se para disa ditësh isha në një event edhe disa gra erdhën dhe më takuan pa i njohur fare dhe më thanë se ne do të votojmë LSI-në, sepse mendojmë se vetëm ju i përkrahni të rinjtë dhe vetëm ju besoni te një politikë ndryshe. Kjo është shumë domethënëse dhe ky kontakt i vazhdueshëm me njerëzit na ka bërë shpresëplotë edhe besimplotë që LSI do të jetë forcë e parë në këtë zgjedhje.

Ka nevojë për një drejtim të ri. Unë besoj shumë te lidershipi i LSI-së. Dhe nuk besoj te drejtimi nga një person, por nga një ekip dhe një program konkret. Kështu që besoj se ka ardhur momenti që LSI-ja të drejtoj vendin dhe të ketë mundësi të realizoi programin e saj 100% e pa kushtëzuar nga asnjë.

Çfarë do t’i thoni ju elektoratit “gri”, përse duhet të votojë ajo LSI-në?

Duhet të votojnë për LSI-së, sepse është e vetmja forcë politike që garanton një stabilitet për vendin. Është e vetmja forcë politike që mbështet shumë vajzat, gratë, mbështet rininë, mbështet një qasje politike ndryshe nga ajo që kemi pari deri më sot i një konflikti bosh, i një teatri bosh, i një debati që duhet të jetë në parlament për më shumë zhvillim për vendin. LSI ka një plan konkret edhe unë jam një nga ata të rinj që besoj tek idetë dhe programet. Pasi LSI ka një plan konkret për hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillimit të ekonomisë.

Dhe mbi të gjitha duke votuar për LSI voton për Klajda Gjoshën, voton për Erisa Xhixhon, Kejdi Mehmetaj, Floidën, Endritin. Pra voton për të rinj edhe njerëz që kërkojnë të jetojnë në Shqipëri dhe ta çojnë përpara këtë vend.

Besoj gjithashtu që vota e LSI-së do të jetë plebishitare, shumë e fortë sepse gjithë performanca e saj gjatë gjithë këtyre viteve duke vënë interesin e vendit përpara çdo interesi partiak, edhe një performace e cila ka treguar një kujdes të vazhdueshëm ndaj qytetarëve, besoj se do të jetë shumë domethënëse në 25 qershor duke e nxjerr forcë të parë politike dhe duke i dhënë një mundësi për të drejtuar vendin dhe për të implementuar programin e saj.

Ju thatë avantazhet, por me siguri në fushatë keni hasur dizavantazhet. Cilat janë ato dhe si po i kapërceni?

Padyshim që kontakti me njerëzit bën të kesh edhe pyetje se disa gjëra mund të kishin shkuar më mirë se keni qenë pjesë e qeverisjes, etj. Padyshim që kemi qenë aty, kemi qenë pjesë e qeverisjes, por kemi parasysh që gjithmonë në qoftë se flasin për Ministrinë e Bujqësisë për shembull, ministri Panariti, në të gjithë komisionet parlamentare ku është miratuar buxheti ka kërkuar më shumë fonde për bujqësinë dhe që bujqësia të mbështetej me fonde për të siguruar më shumë subvencionime dhe për të siguruar politika për bujqësinë.

Marr parasysh Ministrinë e Transporteve ku gjithashtu z. Haxhinasto dhe z. Dervishaj kanë kërkuar më shumë buxhet, sepse është një sektor prioritar në investime sidomos kur flasim për zhvillimin e turizmit. Ndërkohë që gjithë infrastruktura e turizmit duhet t’i përgjigjet sfidave të saj apo Ministri të tjera, apo reformën në arsim ku ne kemi ngulmuar për të pasur një reformë arsimi të mirë menduar dhe me akte nënligjore.

Ne kemi qenë aty me sa kemi pasur mundësi për t’i evokuar të gjithë shqetësimet e njerëzve. Kështu që mendoj se e gjithë performanca jonë dhe gjithë evokimi i çështjeve që ne kemi besuar, njerëzit e kanë kuptuar këtë dhe besoj që prandaj kanë vendosur që LSI të jetë forcë e parë në zgjedhjet e 25 qershorit për t’i dhënë mundësinë asaj të drejtojë në ato sektor edhe në ato politika që ne besojmë që do të japin një zhvillim dhe një hov tjetër vendit.

Ndërkohë që Kryeministri Rama thotë që do timonin i vetëm, sepse është penguar në ngarjen e makinës në këto vite dhe nënkuptohet nga LSI që ka qenë në koalicion me të. A e ka penguar vërtet LSI apo ka penguar autoritarizmi dhe të tjera si këto?

Nëse LSI ka penguar arrogancën, delirin, dehjen nga pushteti, e një qeverisje të caktuar, unë e përkrah këtë gjë. Mendoj që dehja dhe arroganca, janë qasje të cilat nuk duhet të jenë më pjesë e politikëbërjes. Të gjithë duhet të kuptojmë se nëse marrim një pozicion të caktuar, e marrin atë për t’i shërbyer njerëzve dhe që nuk jemi të përjetshëm në ato pozicione dhe duhet që atë shans që na jepet ta ushtrojmë më së miri.

Në qoftë se LSI-ja ka bërë këtë pengesë, shumë mirë ka bërë që të mos rrezikonim miratimin e reformës në drejtësi vetëm me votat e mazhorancës për shkak të një arrogance dhe një konflikti politik që rrezikonte të ardhmen e vendit dhe shumë mirë ka bërë që e ka penguar këtë arrogancë.

Apo ka qenë aty për të shtruar dialogun midis mazhorancës dhe opozitës dhe për ta evokuar atë, sepse në një qeverisje demokratike nevojitet si një opozitë e fortë ashtu edhe një mazhorancë, e cila të jetë e përkushtuar për t’i shërbyer vendit.

Nëse LSI-ja ka investuar veten e vet, kapacitetet e saj të t’i shërbyer kësaj edhe në fund ka përfituar vendi shumë mirë ka bërë. Nëse z. Rama këto i quan pengesë, pastaj është qasje tjetër e politikës që ne kemi ndaj qytetarit dhe qasjes që ka z. Rama dhe Partia Socialiste ndaj tyre.

Ndërkohë minutat kalojnë dhe jemi gati në përfundim të intervistës tonë. Në një mënyrë të përmbledhur mund të na thoni se çfarë na ofron LSI-ja në një qeverisje të ardhshme?

Padyshim që LSI ofron një ekip të ri dhe një drejtim të ri. Ne sot kemi një kryetar të ri të LSI-së që është z. Petrit Vasili të cilin padyshim ne e ofrojmë si Kryeministër të ardhshëm të Shqipërisë. Me gjithë kapacitetin intelektual që atë e karakterizon, eksperiencën shumë të madhe që ai ka në drejtim të disa dikastereve por edhe në lidershipin që ai ka. Kemi një ekip mbështetës për këtë dhe një program konkret se si ne do të mund të hapim 100 mijë vende të reja pune për rininë dhe këtu e kam fjalën për mbështetjen e bizneseve të reja për të rinjtë, apo kur një biznes vendos që të punësoj për herë të parë një të ri i cili nuk ka eksperiencë dhe ne të kemi mundësi t’i subvencionojmë atij sigurimet shoqërore apo sigurimet e tjera, pra që mbulojnë ato. Nga ana tjetër kualifikimi i tij në arsim profesional duke bashkëpunuar me bizneset. Se çfarë ndodh? Ndodh që ne kemi kutikula në arsimin profesional por që nuk zhvillojnë praktikën. Pra si do ta aftësojmë të riun në mënyrë që arsimimi t’i përkthehet në një vend pune nesër. Duk bashkëpunuar me biznesin siç ndodh në shumë vende të botës. Pra arsimi profesional ka bashkëpunim me bizneset se çfarë tregu kërkon nga të rinjtë dhe çfarë burimesh njerëzore kërkon. Nëpërmjet këtij bashkëpunimi ne arrijmë të fokusohemi se cilat janë profesionet që janë më të kërkuara që i do tregu i punës dhe në mënyrë që të krijojmë një urë lidhëse, që të krijojmë një praktikë pune gjatë ushtrimit të mësimit apo gjatë periudhës së arsimimit dhe kenë mundësi që të punësohen nesër.

Nga ana tjetër “Mëso dhe fito” është një tjetër program i LSI i fokusuar te të rinjtë. Gjatë studimeve të tyre universitare, ata do të kenë mundësi të zhvillojnë një praktikë në administratë publike apo në biznes dhe do të mundësohet një kontratë e nënshkruar që pas përfundimit të studimeve. Ky program mbështet studentët e ekselencës ku i mundësohet nënshkrimi i kontratës së punës pa mbaruar ende universitetin. Kështu që kjo do të ndihmoj shumë që burimet njerëzore më të mira ne t’i shfrytëzojmë si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik dhe t’i integrojmë direkt në tregun e punës. Nga ana tjetër mendoj që gjithë ky investim për punësimin e të rinjve do të krijojë një premisë shumë të mirë për familjet edhe një qetësi akoma më të madhe sepse i gjithë shqetësimi i të gjithë qytetarëve apo familjeve është arsimimi i fëmijëve dhe punësimi i tyre. Besoj se kjo qasje do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik edhe të një fryme të re tek të rinjtë për ta gjetur veten në vendin e tyre dhe jashtë tij. Këto janë disa nga politikat që ne mendojmë që do të zhvillojë ekonominë dhe do të japi më shumë shtysë.

Meqë jemi në fund të intervistës mendoj se keni edhe një mesazh për votuesit?

Po mesazhi im që qytetarët të shkojnë të votojnë me qetësi dhe me dashuri dhe padyshim që të mos stresohen nga gjithë ky konflikt që po stiset dhe ky sulm që po ndodh ndaj LSI-së. Është thjeshtë një frikë nga rritja e LSI-së që është e pa shmangshme edhe progresive. Për ne mbi të gjitha rëndësi kanë rëndësi standardet e këtyre zgjedhjeve. Të shkojmë të votojmë të qetë, arrijmë standardet më të larta dhe t’i japim mundësi vendit tonë që të hapi negociatat me BE që do të sjellë një zhvillim tjetër ekonomik dhe do të mundësojë hapjen e vendeve të reja punës por edhe investime të huaja shumë më të sigurta. Besoj që mesazhi politik edhe mesazhi pozitiv i LSI-së duhet të jetë shumë i kthjellët edhe qasja jonë ndaj kësaj fushate është shumë pozitive pavarësisht sulmit apo dëshirës së forcave politike për ta agresuar LSI-në. LSI-ja është aty derë më derë duke biseduar me qytetarët që të shkojnë të votojnë dhe të jenë të bindur për votën e tyre.

SHKARKO APP