Erisa Xhixho: Vota e LSI më 21 qershor do jetë një votë për rininë
Flet kryesuesja e listës së kandidatëve të LSI-së për në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Erisa Xhixho
Znj. Xhixho, si do ta komentonit ju barazinë gjinore që do të jetë në këshillat bashkiakë. Çfarë do të thotë kjo për pjesëmarrjen e gruas shqiptare në politikë dhe për zhvillimin e ekonomiko-social të gruas shqiptare?
Mendoj që risia e këtyre zgjedhjeve padyshim që është përfshirja e grave dhe vajzave në listën e këshillave bashkiakë në kuotën 50%, e cila jam e bindur do të reflektohet në një performancë më cilësore të tyre. Kemi parasysh që me ndarjen e re administrativo-territoriale përgjegjësia e të zgjedhurve do të jetë më e madhe pasi bashkitë do të përfshijnë zona urbane dhe rurale ndaj është e rëndësishme që shqetësimet dhe problemet e grave dhe vajzave të zonës të përcillen në këshillat e ardhshëm bashkiak. Me sanksionimin e kësaj kuote ne Kodin Zgjedhor më në fund përfaqësimi politik do të përputhet me realitetit shoqëror, duke qenë se gratë përfaqësojnë rreth 50% të popullsisë dhe politika në fund të ditës është përfaqësim. Është për të përshëndetur fakti që erdhi si një iniciativë e Aleancës së grave deputete, të cilat tejkaluan bindjet politike dhe u bashkuan në këtë nismë të parë në llojin e vet. Nga ana tjetër, fakti që kjo kuotë u zbatua në gjithë listat e partive ishte sanksioni që u vendos, sepse në qoftë se forca politike nuk respektonte këtë kuotë në përpilimin e listave atëherë i hiqej e drejta për të konkurruar në zgjedhjet lokale. Zgjedhjet e 21 Qershorit janë zgjedhje lokale, dhe si të tilla kanë të bëjnë me problematikat e përditshme të qytetarëve ku gratë dhe vajzat në veçanti përjetojnë çdo ditë mungesën e shërbimeve që ne kemi në qytetet tona, prandaj me përfaqësimin 50% të tyre në këshillat bashkiak jam e bindur qe këto shqetësime do bëhen pjesë e debateve në këshillat bashkiakë. Gratë dhe vajzat për nga natyra i dinë shumë më mirë problemet me të cilat përballen familjet shqiptare sot ndaj dhe prezenca e më shume grave dhe vajzave në këshillat bashkiakë do bëjë që të diskutohet dhe të jepen zgjidhje të shumë nga problematikave sociale që na shqetësojnë çdo ditë. Ky përfaqësim i barabartë nga ana tjetër, është një përgjegjësi shumë e madhe për ne pasi duhet të japim një model sa më të mirë të administrimit lokal, të mbrojtjes me argumente dhe me alternativa të interesave të qytetarëve në mënyrë që të frymëzojmë edhe më shumë gra dhe vajza të tjera për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes së qytetit dhe vendit tonë.
Ndalemi pak tek kandidimi juaj për në Këshillin Bashkiak, ku ju jeni dhe kryesuesja e listës së kandidatëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Çfarë do të thotë për ju kjo?
Është një privilegj dhe një kënaqësi shumë e madhe që strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, me konsensus më propozuan për të drejtuar këtë listë të këshilltarëve bashkiakë të Tiranës. Absolutisht jam ndjerë shumë e nderuar por dhe e kam parë dhe me shumë përgjegjësi për të bërë një përfaqësim sa më të mirë nesër në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Momentalisht jemi duke zhvilluar një tur prezantimi të gjithë këshilltarëve bashkiakë pasi nuk jam e vetme në këtë listë, ka një ndërthurje brezash në listën e LSI, pas meje është Prof. Shezai Rrokaj, një pedagog dhe një dekan i spikatur në fushën e akademisë por dhe me një kontribut në LSI. Gjithashtu është Eriona Bixha, që vjen si koordinatorja e studentëve të LRI, e cila është një studente dhe do të jete një zë i fuqishëm për shqetësimet e studentëve në Këshillin Bashkiak. Po ashtu Endrit Braimllari, i cili është kryetari i LRI dhe aktualisht është këshilltar, apo Brunilda Paskali, e cila është zëvendësministre e ekonomisë dhe gjithashtu një grua në biznes ,gjithashtu kemi Ira Vejsiun dhe Floida Kërpaçi studente e ekselencës me angazhim të hershem ne LSI, pjese e listës janë dhe shumë personalitete të tjera nga fusha të ndryshme. Mendoj që ndërthurja e eksperiencave dhe përfaqësimi i kategorive të ndryshme të shoqërisë e ka bërë këtë listë shumë gjithëpërfshirëse duke gjetur përkrahje tek qytetarët. Risia me e madhe e listës së LSI është fakti që 60% e saj është nga LRI gjë që tregon dhe një herë përkrahjen e madhe që kjo force i jep te rinjve pasi ne besojmë tek energjia dhe forca e tyre e ndryshimit. Turi i prezantimeve do të vazhdojë deri në fund të zgjedhjeve. Ne kemi bërë javën e dëgjesave me qytetarët, tashmë jemi duke paraqitur programin dhe alternativën tonë për performacën që do të ketë Këshilli Bashkiak pas zgjedhjeve të 21 qershorit.
Kemi parë që gjatë kësaj fushate, takimet tuaja janë fokusuar më së shumti me gratë e vajzat, të rinjtë dhe bizneset. Pse pikërisht me këto dy grupe?
Takimet tona janë përqendruar në të gjitha njësisë bashkiake, fillojnë me bizneset e vogla familjare por edhe ato fason. Mendojmë dhe kemi besimin e plotë që zhvillimi i kryeqytetit mbi të gjitha duhet të vijë nga bizneset dhe mbështetja për to duhet të intensifikohet duke pasur një komunikim dhe partneritet ndryshe me to. Mendojmë që gratë dhe vajzat janë një potencial shumë i madh, i cili duhet të shfrytëzohet dhe të vihet në shërbim të qytetarëve , kjo do bëhet falë mbështetjes financiare që ne kemi menduar për gratë, vajzat por dhe të rinjtë që duan të hapin një biznes, qoftë nëpërmjet granteve apo kredive të buta. Nga ana tjetër, ne së bashku me Kryetarin e ri të Bashkisë do krijojmë një zyrë posaçërisht për këshillimin dhe orientimin e grave dhe vajzave në tregun e punës në mënyrë që ato të aftësohen dhe të futen lehtë në tregun e punës duke pasur një analizë të mirë të tij. Mendoj këto dy target, si gratë, vajzat dhe të rinjtë janë grupe që nuk janë mbështetur nga Bashkia e Tiranës në këtë 4-vjeçar, ndaj përkrahja ndaj tyre do t’i japë një zhvillim kryeqytetit dhe do të krijojë mundësinë e hapjes se vendeve të reja punës. Po ashtu dhe ofrimi nga ana e Bashkisë se trajnimeve, kurseve profesionale për krijimin e zanatçinjve do të bëjë të mundur përfshirjen e tyre më shpejt në tregun e punës, i cili ka nevojë emergjente për profesione specifike. Unë kam takuar gra të cilat kanë mbaruar një gjimnaz por që kanë nevojë për aftësi të zanateve të caktuara, dhe padyshim Bashkia e Tiranës në bashkëpunim edhe me qeverinë do të krijojë kurset e trajnimit profesional që do t’i aftësojë më shumë këto gra dhe vajza. Por, nuk janë vetëm këto dy target vëmendja jonë. Unë takoj qytetarë të ndryshëm, edhe ata të moshës së tretë, fëmijë të cilët vuajnë sot nga mungesa e hapësirave të gjelbra apo ambienteve sportive. Qytetarë të ndryshëm të cilët kanë shprehur shqetësimet e tyre për sa i përket tregjeve, standardeve që ato duhet të kenë apo shërbime të ndryshme që i mungojnë qytetit në drejtim të ujësjellësit, në drejtim të ndriçimit apo infrastrukturës. Pra, janë shumë shërbime të cilat kërkohen nga qytetarët prandaj dhe vënia në punë me kohë të plotë të Bashkisë është kthyer tashmë në emergjencë.
Znj. Xhixho, ju keni premtuar një komunikim të vazhdueshëm me qytetarët, një herë në tre muaj keni thënë që do të keni bashkëbisedime të hapura, në çfarë insiston kjo iniciativë?
Kjo është një iniciativë e grave dhe vajzave, kandidate për në Këshillin Bashkiak. Kemi menduar që komunikimi i vazhdueshëm me qytetarët është çelësi i suksesit për ne, pasi ne vërtetë do të jemi pjesë e Këshillit Bashkiak por në qoftë se nuk mbajmë një lidhje të ngushtë me qytetarët nuk do mund të përçojmë siç duhet shqetësimet e tyre. Do të krijojmë forume të hapura me komunitetin dhe njëherë në tre muaj apo edhe më shpesh, të krijojmë këto forume në njësitë e ndryshme bashkiake apo në komuna. Në moment që diskutohen çështje të rendit të ditës në Këshillin Bashkiak ne të kemi një komunikim përpara me qytetarët apo kur do kemi draftin për buxhetin e Tiranës. Ky buxhet të diskutohet me qytetarët, në mënyrë që të kemi një pasqyrim të realitetit dhe orientim të drejtë të investimeve në çdo njësi. Shpeshherë, në takimet që unë kam pasur qytetarët ta japin vetë zgjidhjen, thjesht ne duhet të vazhdojmë t’i dëgjojmë dhe të kemi një kontakt të vazhdueshëm me ta jo vetëm në fushatë elektorale por edhe pas 21 qershorit dhe ne përfaqësuesit e LSI e kemi parim të punës tonë komunikimin permanent me qytetarët.
Një tjetër premtim i juaji është një paketë konkrete për të stimuluar punësimin grave dhe vajzave. Ku konsiston kjo paketë?
Kjo paketë konsiston në disa drejtime. Së pari ne jemi të interesuara për gratë dhe vajzat të cilat duan të hapin një biznes apo të cilat e kanë një profesion dhe kërkojnë mbështetje financiare për të filluar një biznes të ri. Gjithashtu nëpërmjet një analize tregu që ne do të kemi në Bashkinë e Tiranës ne do të mund t’i orientojmë ato drejt bizneseve që mund të kenë sukses apo ka nevojë tregu i punës për momentin. Mbështetja financiare do të konsistojë si në dhënien e granteve nga agjenci të ndryshme apo nëpërmjet aplikimeve që ne do të ndihmojmë që ato t’i përfitojnë, apo edhe nëpërmjet kredive të buta për të cilat bashkia futet si garante për t’i dhënë këto kredi, për t’i ndihmuar këto bizneseve të reja. Mendojmë gjithashtu se krijimi i më shumë shërbimeve për sa i përket qytetit, kryesisht në drejtim të turizmit, mendoj se gratë dhe vajzat do të kenë një vëmendje shumë të madhe. Sepse nga vetë natyra e tyre komunikimin e kane aset i cili duhet shfrytëzuar për të reklamuar sa më mirë turizmin në Tiranë. Do të kemi krijimin e qendrave të ndryshme të informimit të cilat gjithashtu do të jenë një mundësi shumë e mirë për hapjen e vendeve të reja të punës për gratë dhe vajzat. Mendoj se një partneritet më i madh me biznesin dhe i stimulimit të grave sipërmarrëse apo edhe artizane, të cilat janë një potencial i madh për kryeqytetin, afishimi i punës së tyre në panaire të ndryshme brenda apo jashtë vendit, do t’i krijojë mundësi të mëdha këtyre grave në biznes.
Lëvizja Rinore për Integrim do të ketë një përfaqësim të jashtëzakonshëm në listate LSI-së për këshillat bashkiakë në të gjithë vendin. Por në Tiranë LRI ka 39 nga 61 kandidatë, pra 60% të listës.
Lëvizja Socialiste për Integrim beson fort te të rinjtë, beson fort te aftësitë e tyre menaxhuese, beson fort tek energjia dhe te i gjithë dimensioni që ata mund t’i japin vendimmarrjeve politike. Kjo ka bërë që në mënyrë të natyrshme, duke qenë se ne punojmë gjatë gjithë kohës me të rinjtë, kemi krijuar lidership, të cilët mund të kandidojnë dhe mund të zgjidhen nëpër këto këshilla e të jenë të aftë të mund të administrojnë problemet dhe shqetësimet e qytetarëve. Mendoj që është një grupim i cili nuk ka qenë i përfaqësuar mjaftueshëm në këshillat bashkiakë. Duke qenë se këto janë zgjedhje lokale dhe kanë të bëjnë kryesisht me përditshmërinë të çdo qytetari dhe më mirë se një student nuk mund t’i dijë dikush tjetër problemet që lidhen qoftë me punësimin e të rinjve, qoftë shqetësimet për transportin publik, për kartën e studentit etj. Dhe këta do të jenë një zë shumë i fuqishëm për të përçuar shqetësimin dhe problematikat e të rinjve të kryeqytetit. Të mos harrojmë që Tirana ka shumë universitete, shumë fakultete, të rinjtë janë të dëshiruar për të jetuar në Tiranë dhe gjithë ky burim njerëzor duhet vënë në funksion të zhvillimit të qytetit. Në listat tona janë të rinj ekselentë, të përgatitur, të cilët kanë eksperienca pune dhe mendoj që mbështetja e tyre ka ardhur në një mënyrë të natyrshme sepse ne besojmë fort tek aftësitë e tyre. Unë e kam thënë gjithmonë që vota për LSI-në më 21 qershori është një votë për rininë pasi e gjithë fushata e LSI-së në Tiranë po bëhet nga të rinjtë dhe të rejat e LRI-së.
“Më shumë shërbim dhe punësim” është slogani i Lëvizjes Socialiste për Integrim për zgjedhjet e 21 qershorit. Pse është zgjedhur ky slogan?
Ky slogan ka ardhur si rrjedhojë e një komunikimi të vazhdueshëm që ne kemi pasur me qytetarët. Ka qenë një debat shumë i madh për mënyrën se si do të drejtohej kjo fushatë dhe çfarë i duhet më shumë qytetarëve në këto momente. Në të gjitha komunikimet që ne kemi pasur është një nevojë shumë e madhe për më shumë shërbime ndaj komunitetit, shërbime të cilat Bashkia e Tiranës i ka detyrim por që nuk janë realizuar deri më sot. Kemi problem në drejtim të infrastrukturës pasi në shumë zona të Tiranës ka mungesë të rrugëve të standardeve , të kanalizimeve, ka probleme me ujin, ka probleme me ndriçimin, ku rrugë të tëra janë në errësirë të plotë të cilat veçanërisht për gratë dhe vajzat që kalojnë në to janë shumë të rrezikshme. Ka probleme gjithashtu në drejtim të pastrimit të qytetit pasi me keqardhje të gjithë konstatojmë mungesën e këtij shërbimi jetik për cilësinë e jetës sonë. Mungojnë hapësirat e gjelbra, apo këndeve sportive për të rinjtë. Ka mungesë të qendrave rinore të cilat do të ishin një potencial shumë i mirë për zhvillimin e talenteve të reja. Gjithë këto mungesa shërbimi dhe mos efeciencë maksimale e bashkisë bën që të mos kemi hapjen e vendeve të reja të punës. Lidhja e shërbimeve me punësimin është shumë e madhe. Pra, sa më shumë investime të ketë, qoftë edhe në drejtim të ndërtimit të çerdheve apo kopshteve që janë kaq të domosdoshme tani në Tiranë, krijon më shumë vende të reja të punës. Pra është një zinxhir i tërë i shërbimeve të munguara dhe në momentin që këto shërbime jepen krijojnë automatikisht vende të reja pune. Prandaj edhe ky slogan është shumë aktual dhe shumë konkret për këto zgjedhje lokale.
Aleanca për Shqipërinë Evropiane kandidon për kryetar të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Sipas jush pse qytetarët e Tiranës duhet të votojnë më 21 qershor për z. Veliaj dhe programin e tij?
Erioni ka qenë një zgjedhje konsensuale e të gjithë koalicionit të “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”. Mendoj se është një zgjedhje e goditur. Është një djalë i ri i cili vjen nga një eksperiencë në administratë dhe jo vetëm. Ka treguar që di të administrojë dhe të menaxhojë shumë mirë burimet njerëzore të një sektori të caktuar. Besoj se është njeriu i duhur për kryeqytetin. Ka një vizion dhe po e shpalos çdo ditë programin e tij për Tiranën. Më pëlqen fakti që është shumë konkret në prezantimet e tij, ka një program shumë të detajuar dhe prek të gjitha shtresat e e shoqërisë, qoftë për sa i përket shërbimeve ndaj qytetarit, qoftë për sa i përket punësimit, apo edhe zhvillimit të turizmit etj. Gjithashtu ka në fokus të veçantë edhe mbështetjen ndaj grave dhe të rinjve. Mendoj se është njeriu i duhur për Tiranën për të pasur një kryetar bashkie i cili punon gjatë gjithë kohës për Tiranën. Këto zgjedhje kërkojnë një administrator të mirë i cili ka dhe një përgjegjësi shumë të madhe ndaj qytetarëve. Ne si LSI kemi dhënë një mbështetje të madhe ndaj Erion Veliajt, ka një bashkëpunim shumë të mirë midis të gjitha forcave politike të koalicionit në bazë për mbështetjen e këtij kandidati që është fitues i zgjedhjeve.
Cili është objektivi i Lëvizjes Socialiste për Integrim në këto zgjedhje në Tiranë. Si do të jetë përfaqësimi i forcës suaj politike në këshillin e ardhshëm bashkiak?
Do të jetë shumë cilësor dhe shumë përfaqësues. Do të jetë një përfaqësim dinjitoz që vjen si pasojë e një fushate shumë pozitive që ne po bëjmë në të gjithë Tiranën duke prezantuar kandidatët tanë, programin tonë, vizionin tonë. Jemi plot energji, ide dhe projekte për ta bërë Tiranën tonë më të mirë.
Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme edhe për standardet që duhet të plotësojnë. Ka pasur një angazhim shumë të madh të mazhorancës për t’i garantuar këto standarde apo jo?
Mendoj që këto zgjedhje mbi të gjitha do të arrijnë një standard nga më të lartët. Do të kemi standardin i cili kërkohet edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Duhet të tregojmë qytetarinë dhe angazhimin e të gjithë klasës politike për të vënë një standard të ri të zgjedhjeve i cili absolutisht do t’i shërbejë në mënyrë direkte procesit të integrimit dhe ecjes më shpejt drejt hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian. Për mua personalisht por dhe si LSI procesi i zgjedhjeve i cili duhet të jetë i ndershëm, i barabartë dhe transparent ka më shumë rendësi se vet rezultati i tyre. Ne jemi të angazhuar për të dhënë kontributin tonë maksimal që këto zgjedhje të jenë model i demokracisë.
Intervistoi: Matea Cane