Fallon: NATO s’kërcënon, por e gatshme të mbrohet nëse sulmohet

Sekretari Britanik i Mbrojtjes Michael Fallon deklaron se nuk do të heqin sanksionet ndaj Rusisë derisa të respektojë marrëveshjet.

Në një intervistë dhënë në Ora News, Micheal Fallon deklaroi nga ana tjetër se NATO nuk kërcënon por është gjithmonë e gatshme të mbrohet nëse sulmohet.

Fallon foli dhe për bashkëpunimin e ngshtë ushtarak të Britanisë së Madhe me Shqipërisë.

Ndërsa deklaroi se nuk ka informacion për financim të ISIS nga Shqipëria.

Intervista

Sekretari i Mbrojtjes, Michael Fallon, faleminderit për këtë intervistë në Ora News. Si janë aktualisht marrëdhëniet midis dy aleatëve të NATO-s, Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar?

Fallon: Ne jemi partnerë të fuqishëm së bashku në NATO dhe po shohim një bashkëpunim shumë të afërt ushtarak. Kjo është vizita e parë në Shqipëri nga një Sekretar Mbrojtje britanik për të vënë në dukje marrëdhëniet e mira, po ashtu për të marrë pjesë edhe në disa stërvitje të përbashkëta që po kryejmë.

Në çfarë konsiston bashkëpunimi i afërt midis dy Ministrive të mbrojtjes?

Fallon: Ne jemi aleatë të mirë në NATO por gjithashtu Shqipëria luan një rol shumë të rëndësishëm si faktor stabiliteti në rajon. Ballkani Perëndimor është akoma relativisht i brishtë. Është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë të punojmë së bashku në NATO. Përshembull trupat shqiptare do t’i bashkohen task-forcës britanike të gatishmërisë së lartë vitin tjetër.

Cilat janë shqetësimet tuaja për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor?

Fallon: Ka ende shumë punë për të bërë për të siguruar se Ballkani perëndimor të ketë stabilitet. Ka tensione me vende që na rrethojnë dhe ne duam të punojmë me Shqipërinë dhe aleatë të tjerë si Bullgaria dhe Rumania për t’u siguruar që rajoni të ketë qëndrueshmëri. Kemi parë tjetërkund një rritje të ndikimit rus. Na duhet të tregojmë që jemi të përgatitur për t’iu përgjigjur kësaj dhe për t’i qëndruar vlerave që ndajmë.

Me ndikim rus nënkuptoni kërcënim? Sa serioz është?

Fallon: Ne kemi parë provokime dhe agresion natyrisht nga militarizimi i Krimesë, ndërhyrja ruse në Ukrainë, përdorimi dhe zhvillimi i flotës detare, aktiviteti i aviacionit nga Rusia, të cilat janë sigurisht provokuese për të gjithë aleancën dhe ne duhet t’i përgjigjemi kësaj dhe për këtë jemi të gjithë dakord, ishim në samitin e Uellsit para dy vitesh të NATO dhe sërish në samitin e Oslos. NATO duhet të qëndrojë e fortë. Për këtë po rrisim partneritetin me Shqipërinë veçanërisht tani që ne drejtojmë ndërhyrjen e shpejtë me forcat e gatishmërisë së lartë. Ne duam që trupat shqiptare të jenë në krahë të trupave britanike.

Cila është qasja e NATO për situatën e Ukrainës në lidhje me Rusinë?

Fallon: Ne duam të shohim marrëveshjet, marrëveshjen origjinale të Minskut. Duam t’i shohim ato të implementuara totalisht, duam të shohim artilerinë e rëndë me dron, duam të shohim që Rusia dhe Ukraina të implementojnë këto marrëveshje ashtu si duhet. Ne po debatojmë që sanksionet duhet t’i vihen Rusisë deri sa të përmbushë këto marrëveshje.

Të kthehemi sërish tek marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar. Me çfarë po e ndihmon Mbretëria e Bashkuar zhvillimin e ushtrisë shqiptare, modernizimin e forcave të armatosura apo bashkëpunimin në edukimin ushtarak?

Fallon: Pjesa më e madhe e bashkëpunimit deri tani ka patur të bëjë me trajnimin dhe stërvitjen e forcave ushtarake. Stërvitje që do të përmbushet këtë javë do të pasohet me një ushtrim më të gjerë muajin tjetër, që përfshin komandantët tanë. Gjithashtu ka një bashkëpunim për oficerët shqiptarë në kurset tona në Mbretërinë e Bashkuar dhe ne jemi gati të ndihmojmë modernizimin e forcave të armatosura shqiptare në një mënyrë tjetër të reformimit të mbrojtjes dhe të pajisjeve.

Duke na ndihmuar për të patur kapacitete më moderne kur vjen puna tek ushtria?

Fallon: Po. Nuk është e lehtë për vende që janë përballur me  rrethana ekonomike sfiduese, të arrish kuotën e vendosur nga NATO për të shpenzuar 2% të buxhetit për mbrojtjen. Por ajo që nga inkurajon është që vende si Shqipëria po rrisin buxhetet e tyre të mbrojtjes duke dhënë një kontribut më të madh dhe ne jemi gati të ndihmojmë.

Emërimi i atasheut të mbrojtjes britanik në Tiranë që do të fillojë punën muajin tjetër dhe që do të mbulojë gjithashtu edhe Malin e Zi që është ftuar për të qenë një anëtare e NATO. Cili është roli i këtij atasheu britanik?

Fallon: Ky do të jetë një seksion i mbrojtjes në ambasadën britanike. Kjo do të thotë se do të kemi forcat tona të armatosura të përfaqësuara gjithmonë këtu nga një atashe mbrojtjeje që do të jetë i aftë të thellojë marrëdhënien midis dy ushtrive. Atasheu britanik do të mbulojë gjithashtu marrëdhënien tonë me Malin e Zi që po i bashkohet aleancës së NATO. Pra, ne po i promovojmë këto marrëdhënie dhe po i çojmë në një nivel tjetër.

Po stërvitja e përbashkët, që është një stërvitje e NATO në Bizë, për çfarë ishte? Për të trembur ndonjë?

Fallon: Jo, kjo ishte për t’i bërë forcat tona të punojnë bashkë duke u stërvitur bashkë, që të mësojnë sistemet e njëri-tjetrit dhe kjo sigurisht ndihmon. Ne po punojmë së bashku tjetërkund. Trupat shqiptare po ndihmojnë në Afganistan si pjesë e misionit të NATO atje dhe mund të punojnë në krahë të forcave tona atje dhe në vende të tjera në të gjithë botën. Sa më shumë të mësohen me sistemet e njëri-tjetrit, aq më e lehtë ka për të qenë.

Për sa i përket konfliktit në Siri dhe Irak, si po bashkëpunojnë dy vendet, Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar?

Fallon: Shqipëria ka dhënë një kontribut për fushatën kundër ISIS në Irak. Ne jemi akoma atje duke ndërmarrë një numër të madh misionesh sulmi. Po bëjmë një progres të madh tani si koalicion kundër ISIS në Irak. ISIS ka rënë në rreth 10% të territorit të  Irakut tani. Një numër i madh qyetesh dhe qytetarësh janë çliruar, edhe lugina e lumit Tigër gjithashtu, duke lënë vetëm Mosulin në duart e ISIS. Ne presim që fushata të çlirojë këtë qytet të fundit. Natyrisht Siria është më e vështirë sepse ende vazhdon lufta civile por të luftosh ISIS dhe ta mundësh atë është në interesin e të gjithëve, jo vetëm të qeverisë apo popullit të Irakut. Ndihmon që Europa gjithashtu të jetë e sigurtë sepse sulmet që kemi parë në kontinentin europian kanë ardhur më së shumti nga qytete që ISIS zotëron, si Raqqa dhe Mosuli.

Mbi këtë çështje, ka ndonjë intensifikim të shkëmbimit të informacionit për sa i përket luftëtarëve të huaj?

Fallon: Po, ne ndajmë informacione dhe kjo është shumë e rëndësishme. Ne të gjithë kemi luftëtarë që jetojnë në vendet tona dhe shkojnë të luftojnë në këtë rajon. Britania po e bën këtë më të vështirë duke i përgjuar, duke ditur se ku do të jetojnë dhe duke e bërë shumë të qartë që nëse luftojnë për ISIS, mund të akuzohen kur të kthehen në shtëpi. Tani që ISIS po mposhtet, është shumë e rëndësishme që ne të ndajmë informacion për luftëtarët e huaj që janë atje dhe të sigurohemi që ata që kanë marrë pjesë në disa nga aktet më barbare të ISIS, të dalin para drejtësisë.

Po sa i përket Shqipërisë? A po eksporton vendi luftëtarë të huaj akoma?

Fallon: Ne të gjithë kemi patur luftëtarë të huaj, disa edhe nga Britania. Nuk kam ndonjë informacion të ri për luftëtarët nga Shqipëria por fokusi tani është që të sigurohemi që ata që janë identifikuar mund të ndiqen penalisht dhe të sillen para drejtësisë më pas.

Keni qenë i zënë me BREXIT dhe negociatat por mund ta keni ndjekur fushatën presidenciale amerikane. Një nga kandidatët, Donald Trump thotë që nëse ai zgjidhet President, do ta shkrijë NATO… A e merrni seriozisht dhe çfarë do të thotë kjo nëse ndodh?

Fallon: Ne nuk komentojmë mbi zgjedhjet e një vendi tjetër me të cilin duhet të punojmë me çdokënd që formon qeverinë. Duhet të jemi të kujdesshëm mos të ndërhyjmë në zgjedhjet e të tjerëve. Por NATO është e rëndësishme për ne dhe për Shqipërinë sepse është një aleancë kolektive që është shumë e rëndësishme duke marrë parasysh terrorizmin që përballemi, agresionin rus, kërcënimet e reja të sigurisë kibernetike dhe është shumë e rëndësishme që të qëndrojmë bashkë si një aleancë.

Mendoni se NATO po bën një punë të mirë duke mbajtur një siguri globale të qëndrueshme?

Fallon: Po, NATO është një nga aleancat ushtarake më të vjetra dhe një nga më të suksesshmet. Është një aleancë në zgjerim. Vendet duan t’i bashkohen NATOs, Shqipëria tashmë është një anëtare prej disa vitesh, Mali i Zi po anëtarësohet, është një aleancë e suksesshme dhe është e rëndësishme të kuptohet se është një aleancë mbrojtje. NATO nuk kërcënon asnjë por NATO bën të qartë që nuk është e përgatitur për të qëndruar mënjanë nëse një nga anëtarët e saj është nën sulm.

NATO është thirrur nga lideri historik i opozitës në Tiranë për të ndërhyrë për shkak të situatës së kanabisit në vend që në një farë mënyrë po financon ISIS gjithashtu. Keni dëgjuar për atë deklaratë?

Fallon: Financimi i ISIS është një shqetësim i vërtetë dhe ne po punojmë në një koalicion për të penguar ISIS dhe burimet e tij financiare. Ata po shesin naftë siç e dini, ata po shesin gjëra antike dhe artifakte në treg të hapur.

Keni dijeni se kanë burime financiare nga Shqipëria?

Fallon: Jo, nuk ka informacion specifik nga Shqipëria por ne kemi punuar shumë për të limituar aksesin e tyre në sistemin financiar ndërkombëtar. Ka disa evidenca që kjo po funksionon. Pagesat për luftëtarët e tyre janë shkurtuar dhe e kanë më të vështirë për të vepruar.

Por akoma janë të pasur?

Fallon: Ata zotërojnë rreth 40-50% të territorit të Irakut, një numër të madh të qyteteve dhe qytetarëve në Siri. Ata janë të aftë të mbledhin taksa në qytetet që zotërojnë por e rëndësishme është që ata tani zhvendosur jashtë Irakut, ata kanë humbur territore gjithashtu në Siri pavarësisht luftës civile dhe duhet të vazhdojmë deri sa të mposhtet përfundimisht.

Çfarë do të thotë BREXIT për sekretarin e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar dhe marrëdhëniet me Bashkimin Europian?

Fallon: Ne po largohemi nga Bashkimi Europian. Ne duam ta bëjmë daljen me sukses, kjo është në interesin tonë, por gjithashtu duhet të ruajmë marrëdhëniet tona tregtare me vendet e tjera të Bashkimit Europian. Për Mbrojtjen nuk ka shumë ndikim. Ne nuk po e dobësojmë zotimin tonë për sigurinë në Europë, ne po largohemi nga unioni por nuk mund të largohemi nga Europa. Gjeografikisht ne jemi pjesë e Europës, kontinenti ynë është gjithashtu kontinenti juaj dhe ne po dërgojmë trupa vitin tjetër në kufirin lindor të NATO, në Estoni, Poloni. Kjo nuk ka për të ndryshuar. Ne po largohemi nga ngrehina ligjore e BE por do të vazhdojmë të luajmë pjesën tonë në sigurinë e Europës dhe sigurisht do të luajmë rolin tonë në arenën ndërkombëtare, në Afganistan, në koalicionin kundër ISIS që diskutuam.

Janë të veshtira negociatat për BREXIT?

Fallon: Do të jenë komplekse. Askush nuk e ka bërë këtë më parë, pra nuk ka një model të veçantë. Ne duhet të dizenjojmë një model tonin të marrëdhënieve të reja. Pra, janë komplekse por është në interesin e gjithkujt, si tonin ashtu edhe të vendeve të tjera europiane, që kjo të kryhet në mënyrë të suksesshme. Një pjesë e madhe e tregtisë sonë me Europën perëndimore, gati gjysma e të gjithë tregtisë që bëjmë është me pjesën tjetër të Europës dhe duhet të sigurohemi që kjo tregti dhe këto vende pune të mos vihen në rrezik.

A do të vihet në pikëpyetje prestigji që Mbretëria e Bashkuar ka patur në botë pasi të ndodhë BREXIT?

Fallon: Jo, edhe pas referendumit për BREXIT, ne kemi ecur përpara ndërkombëtarisht. Ne bëmë një zotim në samitin e Oslos, duke qenë përkrahë Shqipërisë. Ne bëmë një zotim të dërgojmë më shumë trupa në Poloni, po rrisim me 10% trupat që kemi në Afganistan, ku Shqipëria gjithashtu po luan një rol dhe po mundohemi për më shumë paqe në Kombet e Bashkuara. Pra ne do të mbetemi një lojtar i madh ndërkombëtar, jemi një nga natërta permanent të Këshillit të Sigurimit, jemi në G-7 dhe të në të gjtha këto aleanca. Në fakt, mendoj se do të na shihni të bëjmë më shumë në këto aleanca, dhe më shumë me miq të afërt si Shqipëria.

Mund të na thoni se cilat janë mendimet dhe shqetësimet krysore që diskutuat me zyrtarët shqiptarë?

Fallon: Ministrja Kodheli është një mike e hershme imja. Unë e kam ftuar  në qendrat tona të stërvitjeve ushtarake, 2 vite më parë. Diskutova me të se si do ta zhvillojmë bashkëpunimin ushtarak në një nivel të ri dhe se çfarë roli të ri do të luajë seksioni i mri i mbrojtjes në Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar këtu dhe se çfarë mund të bëjmë më shumë për NATO për ta sjellë më afër Bashkimit Europian dhe të mbrojtja e hapësirës ajrore. Kryeministrin e sigurova se BREXIT nuk do të thotë që ne po tërhiqemi nga përgjegjësitë e tjera ndërkombëtare.

SHKARKO APP